Vangjel Zhapa

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Vangjel Zhapa ka lindur më 23 gusht të vitit 1800 në fshatin Labovë të Madhe ose siç njihet ndryshe Labova e Zhapës në rrethin e Gjirokastrës. Sipas të dhënave të ndryshme të biografëve që janë marrë me figurën e Vangjel Zhapës, bëhet e ditur se ai që në moshë fare të re shkonte si bari me bagëtitë e familjes tij. Që në atë kohë, teksa kulloste tufën e deleve në shpatet e maleve në afërsi të fshatit tij, ai shfaqte interes për bimët mjeksore të cilat i mblidhte dhe i kultivonte në shtëpinë e tij. Kur nuk ishte më shumë se 13 vjeç, ai u nda nga familja dhe u largua nga fshati e shkoi në Janinë ku u takua me bashkfshatarin tjetër, labovitin Vangjel Meksi i cili njihej si mjek popullor në të gjithë Vilajetin e Janinës.

Pasi qëndroi për disa vjet pranë Vangjel Meksit, duke mësuar zanatin e xherahut, (mjek popullor) ai përfitoi mjaft nga bashkfshatari i tij e më pas u largua duke e ushtruar vetë atë mjeshtëri. Në moshën 20 vjeçare ai mori pjesë në revolucionin grek në luftrat kundëra Turqisë duke u bashkuar me arvanitasit dhe të famëshmit suljotë të Marko Boçarit. Thuhet se për trimëri të rralla në ato luftra Vangjel Zhapës ju dhanë medalje e dekorata dhe u caktua si komandant në vijën e parë të frontit.

Pas revolucionit grek, aty nga viti 1831, ai u largua nga Greqia së bashku me disa bashkfshatarë të tij dhe emigroi për në Rumani ku vazhdoi të ushtronte zanatin e mjekut popullor. Sipas të dhënave të ndryshme biografike për Vangjel Zhapën, mësohet se në fillimet e vendosjes tij në Rumani ai mori përsipër dhe arriti të shëronte vajzën e princit Maruzit të Rumanisë nga një gangrenë që kishte pasur në këmbë. Për këtë gjë atij ju dha një shpërblim i madh në toka bujqësore, që ishte dhe pasuria e parë e tij.

Dokumente të ndryshme arkivore të shtetit Rumun, hedhin dritë dhe vërtetojnë se nga fundi i vitit 1844, Vangjel Zhapa bleu një çiflik në Broshten afër Ialonicës ku përfshiheshin toka, kullota, pyje, mullinj, magazina, hane etj. Po kështu përveç këtij çifligu, Vangjeli bleu dhe në Bukuresht një shtëpi të madhe e një hotel. Mbas gjithkësaj pasurie që ai mundi ta siguronte si pronë të tij, ai kishte pjesë dhe në shumë aksione në shoqëritë e vaporëve që lundronin mbi Danub. Të gjitha këto pasuri i dhanë Vangjelit një nam të madh aq sa thuhet se ai arriti të bëhet dhe këshilltar pranë oborrit mbretëror të Rumanisë, për problemet tregtare. Vangjel Zhapa ka vdekur mė 1865.