Shko te përmbajtja

Vasil Andoni

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Vasil Andoni (1901-1994)

Vasil Andoni (Elbasan, 1901 – Romë, 1994). Personalitet politik e shoqëror shqiptar. Lindi në Elbasan në një familje atdhetare.[1] Ka kryer veprimtari të ngjeshur shoqërore, kulturale e pedagogjike. Është krijues i shoqatës studentore me moton D. V. D. (Detyra – Vullnet – Dashuri) në Normalen e Elbasanit.[2] Bashkë me mësuesin Teki Tela nxorri revistën “Normalisti”. Ka kontribuar vullnetarisht si mësues i pedagogjisë dhe psikologjisë në Shkollën Normale të Prishtinës. Vasil Andoni është një nga themeluesit e Partisë së Ballit Kombëtar dhe të organit të saj “Flamuri” i cili është botuar për 32 vjet në Itali.[1] Ka përfaqësuar emigracionin shqiptar në kuvende ndërkombëtare duke ngritur zërin për çështjen e Çamërisë dhe Kosovës.

Vdiq në Romë në korrik të vitit 1994.[3]

Shkollën fillore e kreu në Elbasan në Shkollën e Kishës së Shën Mërisë, ndërkohë që shkollën amerikane të Telford Ericksonit e ndoqi vetëm në vitin 1910. Në vitet 1916 – 1918, Vasil Andoni ndoqi kurset pedagogjike në Elbasan që u hapën nga Administrata Shqiptare e Shkodrës. Në vitin 1918 përfitoi një bursë nga Fondacioni Charles Crane për të ndjekur studimet në shkollën amerikane Robert Kolegj të Stambollit.[1] Kolegjin e mbaroi në qershor të vitit 1924. Me bursën e shtetit shqiptar, në shtator të vitit 1926 e deri në verën e vitit 1928, Vasili dërgohet në Francë për të përfunduar studimet për pedagogji dhe psikologji pranë Universitetit të Strasburgut.[2]

Aktiviteti profesional

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në periudhën 1924-1926, ndërkohë që ndiqte leksionet suplementare në psikologji dhe pedagogji pranë kolegjit amerikan në Stamboll, Vasil Andoni u punësua po në atë kolegj si mësues i gjeometrisë dhe algjebrës për klasat e ulëta. Ndërkohë, bëshkë me shqiptarë e diplomatë të tjerë atje, dha mësimet e gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollat e natës të hapura nga kolonia shqiptare e Stambollit.[2] Pasi kthehet nga Franca në vitin 1928, emërohet mësues dhe më pas nëndrejtor i konviktit të Normales në Elbasan. Në vitet 1928-1935 drejton Internatin e Normales.[4] Në vitin shkollor 1935-1936 transferohet pranë Liceut Kombëtar të Korçës. Në vitin 1936 dha mësim si mësues i pedagogjisë dhe psikologjisë në Institutin teknik, dega Mësuesi dhe në Gjimnazin e Shtetit. Pasi burgoset në 1939 dhe internohet në Itali, lirohet pas dy vjetësh dhe në gusht të vitit 1941 Vasil Andoni shkoi vullnetarisht dhe dha mësim si mësues i pedagogjisë dhe psikologjisë në Shkollën Normale të sapo hapur në Prishtinë.

Veprimtaria politike, shoqëroro-patriotike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitet që studioi dhe punoi në Stamboll, Vasil Andoni kreu veprimtari të ngjeshur shoqërore, kulturore e pedagogjike si brenda mureve të Robert Kolegjit, po ashtu edhe në gjirin e Kolonisë Shqiptare të Stambollit. Aty u zgjodh kryetar i Shoqërisë Sportive “Ylli i Shpresës Shqiptare” të Stambollit. Në shkurt të vitit 1925 zgjidhet sekretar i përgjithshëm i Kolonisë Shqiptare të Stambollit.[2] Pas studimeve në Stamboll, vijon studimet e thelluara dy vjeçare në Francë, në periudhën 1926-1928. Pasi kthehet dhe emërohet nëndrejtor në Normalen e Elbasanit,[5] ai zhvilloi një veprimtari të ngjeshur pedagogjike, shoqërore e kulturale. Krijoi shoqatën studentore D.V. D. (Detyra-Vullnet-Dashuri) si dhe botoi revistën “Normalisti”.

Si një antifasist i vendosur, Vasilin e arrestojnë si pjesëmarrës në demostratën e 28 nëntorit 1939[6] dhe e internojnë në Itali, në ishullin e Ventotenes. Pasi lirohet, vendoset në Kosovë dhe jep mësim vullnetarisht si mësues i pedagogjisë dhe psikologjisë dhe emërohet drejtor konvikti në Shkollën Normale të sapo hapur në Prishtinë.[7] Aty, ai bashkëveproi vazhdimisht me figura të njohura të lëvizjes kombëtare shqiptare të atyre trevave, si: Rexhep Krasniqi, Bedri Pejani, Kolë Margjini, Selman Riza, Shefqet Shkupi, Sid Kryeziu e të tjerë.

Vasil Andoni ishte një nga themeluesit e Partisë së Ballit Kombëtar. Ka marrë pjesë në të gjithë veprimtaritë që ka zhvilluar Balli Kombëtar në vitet 1942-1944. Ai ka organizuar dhe ka marrë pjesë në mbledhjet e Tapizës, Pezës, Beratit dhe Tiranës. Në Berat, në janar të vitit 1944, Vasili i zgjodh sekretar i përgjithshëm i Ballit Kombëtar, detyrë që e mbajti deri në fund të jetës së tij.[1]  Bashkë me Nexhat Peshkëpinë, Halil Maçin, Halim Begën dhe Halil Menikun themeluan dhe botuan në Itali gazetën “Flamuri” (1950-1982), organ i Ballit Kombëtar.

Në pranverën e vitit 1939, në Paris, kur u themelua Komiteti ndërpartiak “Shqipëria e Lirë”, Vasil Andoni ishte nga figurat më të rëndësishme dhe anëtar i shumë forumeve. Motoja e tij ishte: “Dashuria e madhe për një atdhe të lirë dhe i të gjithëve”.

Vlerësime (pas vdekjes)

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 13 korrik 1995, Dega e Partisë Balli Kombëtar Elbasan, organizoi një Sesion Shkencor kushtuar Prof. Vasil Andonit (1901-1994), me rastin e 1-vjetorit të vdekjes së tij.[3]

Këshilli Komunal i Prishtinës vendosi që një rrugë në kryeqytetin e Kosovës të mbajë emrin "Vasil Andoni", ndërsa Ministria e Arsimit e Kosovës i dhuroi titullin ”Meritë”, me motivacionin: "Për punë të veçantë në ngritjen e shkollës shqipe në Kosovë".[8]

  1. 1 2 3 4 Elbasani-Enciklopedi. Elbasan: Sejko. 2003. fq. 14. ISBN 99927-96-21-9.
  2. 1 2 3 4 Asllani, Uran (2005). Studentët shqiptarë të Robert Kolegjit Amerikan të Stambollit dhe veprimtaria ardhetare e tyre. Tiranë: (Autori). fq. 76.
  3. 1 2 Rudolf Deliana, Rudina Deliana (2018). Vasil Andoni. Tiranë: ISH “Lumo Skëndo”. fq. 55. ISBN 978-9928-4509-1-3.
  4. Deliana, Rudolf; Deliana, Rudina (2018). Vasil Andoni. Tiranë: ISH “Lumo Skëndo”. fq. 8.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Emra të shumëfishtë: lista e autorëve (lidhja)
  5. "Vasil Andoni (1901-1994)". Arkiva Digjitale Shqiptare. Marrë më 22 dhjetor 2025.
  6. Deliana, R., Deliana, R. (2018). Vasil Andoni. Tiranë: ISH “Lumo Skëndo”. fq. 51. ISBN 978-9928-4509-1-3.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Emra të shumëfishtë: lista e autorëve (lidhja)
  7. "Letër e Ernest Koliqit dërguar Karl Gurakuqit". Gazeta “Rrënjët”. 13 nëntor 2015.
  8. "Vasil Andoni, që Mëmëdheut iu fal …". gazetadielli.com. Marrë më 22 dhjetor 2025.