Vehbi Sulejman Gavoçi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Vehbi Gavoçi

Haxhi Vehbi Sulejman Gavoçi (l. 17 maj 1923 – v. 19 shkurt 2013), i njohur edhe si Vahbi ibn Sulajman Ghavizhi el-Albani, ishte dijetar i fesë islame, shqiptar nga Shkodra.

Ka lindur më 17 maj 1923 në lagjen Garuc të Shkodrës, në Shqipëri.[1][2] Në qershor të vitit 1937, ai së bashku me babain e tij Sulejman Gavoçin dhe vëllain e tij Shejh Muhamedin me familjet e tyre mërguan në DamaskSirisë. Në moshën trembëdhjetë vjeçare, shkon në KajroEgjiptit, që të kryente shkollën dhe studimet në Universitetin el-Ez'her, shkolla më me famë e botës islame në atë kohë. Pas dhjetë viteve qëndrim në Egjipt, ku kreu kolegjin e sheriatit (kul-lijjetush-sheriah) dhe dy vite për drejtësi, në vitin 1947 u kthye në Siri.[3] Vehbi Gavoçi fillon në vitin 1949 punën si mësues në shkollat e vajzave të qytetit të Halepit deri në vitin 1951. Më pas shkon në Damask, ku punon deri në vitin 1965 si mësues në shkolla të ndryshme, si pedagog i institutit që përgatiste mësues si dhe në Universitetin e Damaskut.[2]

Pas vdekjes së babait në vitin 1958, në Siri, Vehbiu e zëvendësoi duke dhënë ligjërata në xhaminë "Arnaut”, ndërtuar nga i ati. Për tre vjet në këtë xhami Vehbiu ishte imam dhe vaiz, pastaj ligjëron në xhamitë “Esh-Shemsije”, “Randa” dhe “Lalabasha”. Në vitin 1966 nga Siria shkon në vende të tjera arabe. Në këtë vit u emërua pedagog në Universitetin e Riadit, në Arabinë Saudite, më pas shkoi si profesor në Medinë për 5 vjet, deri në vitin 1971.[2] Vehbiu kthehet më pas në Siri, ku shërbeu si mësues deri në vitin 1980. Më pas ai merr përsëri rrugën për në Arabinë Saudite, ku shërbeu si studiues në Universitetin Islamik të Medinës, pastaj nga Arabia Saudite shkoi në Jordani për tre vjet, ku dha kontributin e tij në punë studimore të ndryshme dhe në botime librash. Në vitin 1986 u emërua pedagog në Fakultetin Fetar e Gjuhësor në Dubai, të Emirateve të Bashkuara Arabe.[2] Vdiq më 19 shkurt 2013, në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ka botuar mbi 20 vepra origjinale në gjuhën arabe, si dhe 30 vepra në gjuhën shqipe.[3]

Më 10 mars 2012, nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës u shpall "Qytetar nderi."[4][2]

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]