Veprore Shehu
Veprore Shehu | |
|---|---|
Veprore Shehu | |
| Lindi | 15 nëntor 1959 |
| Kombësia | Shqiptare |
| Arsimi | Gjuhë dhe Letërsi Angleze |
| Shkollimi | Universiteti i Prishtinës |
| Profesioni | Aktiviste për të drejtat e njeriut |
| Organizata | Medica Kosova |
| Njohur për | Avokimin për të drejtat e grave dhe të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë |
| Bashkëshorti/ja | Teki Shehu |
| Fëmijë | 3 |
Veprore Shehu lindi më 15 nëntor 1959 në Pejë dhe u rrit në Gjakovë, ku jeton dhe vepron. Ajo vjen nga një familje shqiptare me traditë në arsim dhe kulturë.
Jeta personale dhe familja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Babai i saj ishte profesor i historisë dhe për shumë vite drejtor i Muzeut Etnografik të Gjakovës, ndërsa nëna ishte mësuese.
Familja e saj ka një traditë të gjatë intelektuale. Gjyshi i saj ishte profesor i gjuhës frënge, ndërsa në familjen e nënës bënte pjesë edhe albanologu dhe gjuhëtari i njohur Selman Riza, i cili ishte xhaxhai i nënës së saj.
Emrin Veprore e ka trashëguar nga gjyshja e saj me prejardhje nga Korça. Njëri nga vëllezërit e saj, Korab Binxhia, iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1998 dhe ra dëshmor gjatë Betejës së Koshares në prill 1999. Veprore Shehu është e martuar me Teki Shehun, jurist me profesion. Ata kanë tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë.
Shkollimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Veprore Shehu studioi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku u diplomua në Gjuhë dhe Letërsi Angleze në vitin 1982. Gjatë studimeve u vlerësua me titullin “Student i dalluar” për suksesin e lartë akademik. Madje, studimet i përfundoi një semestër para afatit të rregullt. Pas përfundimit të studimeve universitare, ajo ka ndjekur një sërë programesh profesionale dhe trajnimesh në fushën e lidershipit, avokimit publik dhe menaxhimit të projekteve, përfshirë programin Hope Fellowship në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe çertifikimin në Certified Associate in Project Management (CAPM) në Project Management, të ndjekur në American University në Prishtinë Çertifikimi është lëshuar nga Project Management Institute, me seli në Pennsylvania, SHBA.
Karriera dhe aktivizmi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Veprore Shehu është aktiviste për të drejtat e njeriut nga Gjakova, Kosovë. Ajo është themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e organizatës joqeveritare Medica Kosova, e cila që nga periudha pas luftës në Kosovë ofron mbështetje psiko-sociale, shëndetësore, juridike dhe ekonomike për gratë dhe vajzat e prekura nga dhuna me bazë gjinore, me fokus të veçantë tek të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.
Nën udhëheqjen e saj, organizata ka zbatuar dhjetëra projekte në fushën e rehabilitimit, edukimit shëndetësor dhe fuqizimit ekonomik të grave, përfshirë programe të gjenerimit të të ardhurave në sektorin e dhe bujqësisë dhe blegtorisë.
Shehu ka luajtur rol aktiv në proceset e hartimit të politikave publike dhe legjislacionit në Kosovë në fushën e barazisë gjinore dhe mbrojtjes nga dhuna në familje, duke kontribuar në punën e grupeve ndërinstitucionale për:
- Ligjin për Barazi Gjinore
- Ligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje
- Planin Kombëtar për Zbatimin e Rezolutes 1325 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara
Kontributi në politikat kundër dhunës në familje
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në kuadër të angazhimit të saj në fushën e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së grave nga dhuna me bazë gjinore, Veprore Shehu dhe Medica Kosova kontribuojnë në zbatimin dhe monitorimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022 – 2026, në përputhje me parimet e Konventë së Stambollit.
Angazhimi në drejtësinë tranzicionale
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në fushën e drejtësisë tranzicionale, Veprore Shehu është angazhuar në avokimin për njohjen institucionale të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe në zhvillimin e mekanizmave për reparacione dhe status ligjor për viktimat. Ajo gjithashtu ka kontribuar në procese të dokumentimit të krimeve të luftës dhe në përgatitjen e dëshmive të të mbijetuarave për institucionet ndërkombëtare të drejtësisë, përfshirë Tribunalin e Hagës si dhe mekanizmat e mëvonshëm të drejtësisë në Kosovë.
Reparacionet dhe njohja institucionale e të mbijetuarave
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Veprore Shehu angazhohet në avokimin për krijimin dhe zbatimin e mekanizmave të reparacioneve dhe njohjen ligjore të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Përmes Medica Kosova, ajo ka kontribuar në proceset që kanë çuar në funksionalizimin e skemës shtetërore për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës dhe në sigurimin e qasjes në kompensim dhe rehabilitim. Në tetor 2016, në një intervistë të botuar nga Kvinna till Kvinna, Shehu trajtoi vonesat në zbatimin e ligjit për njohjen e statusit të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se procesi institucional kishte dështuar që të prioritizonte gratë e mbijetuara dhe nevojën për përshpejtimin e skemës së reparacioneve dhe njohjes ligjore të tyre. Në këtë kuadër, Shehu mori pjesë në proceset konsultative me institucionet shtetërore lidhur me zbatimin e ligjit për statusin e të mbijetuarave, funksionalizimin e mekanizmave të verifikimit dhe zhvillimin e politikave për rehabilitimin dhe mbështetjen e tyre.
Procesi i njohjes institucionale të të mbijetuarave dhe sfidat që e kanë shoqëruar është trajtuar edhe në raportime ndërkombëtare, përfshirë artikullin “The Enduring Agony of Wartime Rape in Kosovo” të Balkan Investigative Reporting Network (BIRN) (2017) dhe artikullin “After Two Decades, the Hidden Victims of the Kosovo War Are Finally Recognised” të gazetës The Guardian (2018), ku pasqyrohen përpjekjet për zbatimin e skemës së reparacioneve dhe pengesat me të cilat janë përballur të mbijetuarat.
Avokimi publik dhe ndërgjegjësimi publik
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Përveç angazhimit në proceset institucionale dhe të drejtësisë tranzicionale, VeproreShehu zhvillon veprimtari të vazhdueshme publike për ndërgjegjësimin mbi pasojat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe të drejtat e të mbijetuarave. Në vitin 2012 ajo mori pjesë në emisionin televiziv të Radiotelevizion të Kosovës, ku për herë të parë në Kosovë një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës ndau publikisht përvojën e saj, me identitet të mbrojtur. Po atë vit, intervista e saj u përfshi në botimin “Woman Side of Trauma” botuar nga Qendra për Kërkime, Dokumentim dhe Publikme, në prill 2012, duke përfshirë njohuri të rëndësishme të marra nga intervista me Veprore Shehu, dhe dokumentuar përpjekjet për të siguruar njohje ligjore dhe reparacione për të mbijetuarit në kuadër të procesit të drejtësisë tranzicionale në Kosovë. Në vitin 2013, Veprore Shehu kontribuoi në realizimin e studimit “Healing the Spirit Reparations for Survivors of Sexual Violence Related to Armed Conflict in Kosovo” të publikuar nga Office of the United Nations High Commissioner for Human Rights (OHCHR).
Në shtator 2013 ajo mori pjesë në tryezën “Where We Are in Addressing the Rights of Survivors of Wartime Sexual Violence” së bashku me përfaqësues të UN Women, OHCHR, Zyrës së Kryeministrit, Grupit të Grave Deputete dhe organizatave të shoqërisë civile, ku u diskutuan strategjitë institucionale për njohjen dhe mbështetjen e të mbijetuarave. Në vitin 2013, revista suedeze Amnesty Press publikoi një reportazh kushtuar punës së Veprore Shehut dhe organizatës Medica Kosova në mbështetje të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Në intervistë, Shehu thekson rëndësinë e fuqizimit ekonomik dhe psikologjik të të mbijetuarave, si dhe nevojën për njohje institucionale dhe drejtësi për viktimat e krimeve të luftës. Ajo gjithashtu kritikoi dialogun Kosovë–Serbi për mospërfshirjen e çështjeve të të drejtave të njeriut dhe drejtësisë për viktimat.
Në vitin 2015, Veprore Shehu mori pjesë si paneliste në një debat të organizuar gjatë festivalit DokuFest në Prizren mbi dhunën seksuale gjatë luftes. Në panel morën pjesë edhe përfaqësues nga Bosnja dhe Hercegovina, UN Women dhe ekspertë ndërkombëtarë, përfshirë Bakira Hasečić (Shoqata e Grave Viktima të Luftës), Flora Macula (UN Women) dhe regjisorja Katia Forbert Peterson. Diskutimi trajtoi pasojat e dhunës seksuale në lufte, sfidat me të cilat përballen të mbijetuarit, si dhe rëndësinë e qasjes në drejtësi, dokumentimit të krimeve të luftës dhe proceseve të pajtimit në shoqëritë e pas luftes.
Qasja në drejtësi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Veprore Shehu ka qenë e përfshirë në këtë proces si Udhëheqëse e Njësisë së Përkthimit (Chief of Translation Unit), me përgjegjësi për koordinimin dhe mbikëqyrjen e përkthimit të materialeve që buronin nga baza e të dhënave të dëshmive. Në këtë rol, ajo ka kontribuar në përpunimin dhe sistematizimin e deklarimeve të të mbijetuarve, përfshirë rastet e dhunës seksuale dhe shkeljeve të tjera të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Ky material dokumentues ka shërbyer si pjesë e provave mbështetëse për hetimet e Tribunalit të Hagës, përfshirë edhe rastin e Slobodan Milošević Hagë, ku u trajtuan krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë Në vazhdimësi të punës së saj në fushën e drejtësisë tranzicionale në Medica Kosova, Shehu ka mbështetur dy raste të të mbijetuarave të dhunës seksuale që kanë dëshmuar para Tribunalit të Hagës gjatë periudhës 2002–2004, si dhe tre raste të trajtuara në kuadër të misionit të EULEX (2012–2014) në Kosovë. Po ashtu, ajo dhe Medica Kosova kanë mbështetur gjithsej 18 raste që janë në proces pranë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke ofruar asistencë psik-osociale, juridike dhe përgatitje për dëshmi në procedurat penale për krime lufte. Veprore Shehu ka avokuar në mënyrë të vazhdueshme për qasje më të ndjeshme ndaj dëshmitarëve të krimeve të luftës, veçanërisht të mbijetuarave të dhunës seksuale, duke kërkuar që dhuna seksuale të trajtohet si kategori e veçantë e krimeve në aktakuzat ndërkombëtare. Ky pozicion është promovuar gjatë komunikimeve dhe takimeve me përfaqësues të Tribunalit të Hagës, në kuadër të mbështetjes së rasteve të të mbijetuarave të luftës që Medica Kosova ka ndjekur që nga fillimi i viteve 2001.
Angazhimi është pasqyruar edhe në komunikimet me Prokurorinë e Tribunalit, përfshirë letrën drejtuar gjatë procedurës kundër Radovan Karadzic, me të cilën është kërkuar forcimi i përgjegjësisë penale për krimet e dhunës seksuale gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Këto raste u konsideruan ndër të parat që u paraqitën për hetim në kuadër të EULEX si pjesë e përpjekjeve për dokumentimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës të bazuara në dëshmi të të mbijetuarave. Shehu ka theksuar rëndësinë e ndjekjes penale të autorëve të krimeve, duke argumentuar se dënimi i rasteve të para do të inkurajonte më shumë të mbijetuara të raportojnë dhe të kërkojnë drejtësi.
Tribunali i Grave për ish- Jugosllavinë (Sarajevë, 2015)
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Veprore Shehu dhe Medica Kosova kanë kontribuar në procesin e Tribunalit të Grave për ish-Jugosllavinë, një iniciativë feministe e drejtësisë që u mbajt në Sarajevë në maj 2015. Tribunali mblodhi mbi 500 pjesëmarrëse dhe dëgjoi dëshmi nga 36 gra nga vendet e ish-Jugosllavisë në pesë sesione tematike. Në sesionin kushtuar dhunës seksuale gjatë luftës dëshmuan edhe dy gra shqiptare nga Kosova, njëra prej të cilave ishte e mbështetur nga Medica Kosova.
Vazhdimi i procesit të Tribunalit të Grave (Shkup, 2016)
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në vazhdim të procesit të Tribunalit të Grave, gra të mbijetuara të krimeve të luftës nga vendet e ish-Jugosllavisë u mblodhën në Shkup në mars 2016 për të vazhduar ndarjen e dëshmive dhe diskutimin mbi drejtësinë feministe dhe qasjen ndaj viktimave. Ky proces u ndërtua mbi përvojën e tribunalit të parë në Sarajevë dhe synonte të forconte zërin e të mbijetuarave në nivel rajonal.
Avokimi ndërkombëtar për drejtësi dhe luftimin e mosndëshkimit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Veprore Shehu ka qenë aktive në avokimin ndërkombëtar për rritjen e përgjegjësisë penale për krimet e luftës të kryera gjatë luftës në Kosovë, duke kërkuar që të ndërmerren procedura më të gjera ligjore dhe politike ndaj shtetit të Serbisë për krime lufte, përfshirë dëmet e luftës, personat e zhdukur dhe krimet kundër njerëzimit.
Veprore Shehu citohet në librin e Ismail Kadaresë “About Crimes in the Balkans: Grim Correspondence”, ku trajtohet dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe heshtja shoqërore dhe institucionale rreth saj. Në këtë kontekst, ajo lidhet me diskutimet mbi numrin e viktimave dhe nevojën për njohje publike dhe drejtësi institucionale, duke kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimit ndërkombëtar për krimet e luftës në Kosovë. Në vitin 2011, Veprore Shehu mori pjesë si folëse në seminarin ndërkombëtar “No Justice – No Peace: Impunity, Gendered Crimes and Consequences” në Stockholm, ku trajtoi ndikimin e mosndëshkimit për krimet me bazë gjinore në proceset e paqes dhe pajtimit.
Veprore Shehu e ftuar si Expert Witness në Bundestag dhe SASVIC (2026) për drejtësinë tranzicionale dhe mbrojtjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale në lufte.
Në prill 2026, Veprore Shehu mori pjesë si eksperte dëshmitare në një seancë dëgjimore të Nënkomitetit për Parandalimin e Krizave dhe Parashikimin Strategjik në Bundestagun Gjerman, lidhur me proceset e pajtimit pas konflikteve, si dhe foli në një panel të organizuar nga Society Against Sexual Violence in Conflict (SASVIC e.V.) me titull “Ndalimi i dhunës seksuale si armë lufte”.
Ajo prezantoi përvojën e Medica Kosova në ofrimin e mbështetjes me qendër të mbijetuarit dhe paraqiti rekomandime politike për Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian, duke përfshirë:
- njohjen e hershme ligjore të të mbijetuarve të dhunës seksuale të lidhur me
konfliktin,
- forcimin e ndjekjes penale përmes mekanizmave të juridiksionit vendor dhe
universal,
- financim të qëndrueshëm për shërbimet për të mbijetuarit,
- bashkëpunim me organizatat lokale.
Ajo gjithashtu bëri thirrje që përgjegjësia për dhunën seksuale në konflikt, së bashku me ndjekjen e krimeve të tjera të luftës dhe standardet për mbrojtjen e të mbijetuarve, të integrohen në proceset e zgjerimit dhe stabilizimit të BE-së si kritere thelbësore të anëtarësimit, të lidhura me angazhime të matshme për drejtësi dhe mbështetje për të mbijetuarit.
Shkëmbimi i përvojave rajonale e më gjerë dhe përfaqësimi në proceset në drejtësinë tranzicionale
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Veprore Shehu, ka marrë pjesë në një sërë iniciativash rajonale të shkëmbimit të përvojave ndërmjet Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës lidhur me mbështetjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, qasjen në drejtësi dhe zhvillimin e mekanizmave të reparacioneve.
Në qershor 2012, Shehu mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët të organizuar me
mbështetjen e UN Women në Gjakovë mbi statusin dhe situatën e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës. Aktiviteti mblodhi përfaqësues nga Bosnja dhe Hercegovina, përfshirë delegacionin e Medica Zenica, si dhe përfaqësues të EULEX dhe një prokuror përgjegjës për ndjekjen e krimeve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Avokimi për drejtësi tranzicionale dhe memorializim
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në nivel ndërkombëtar, Veprore Shehu ka kontribuar në zhvillimin e memorialit “Petrified Survivors”, memoriali i parë global dedikuar viktimave dhe të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë konflikteve. Projekti u realizua përmes një procesi bashkëpunues disavjeçar të udhëhequr nga artistja Rebecca Hawkins dhe organizatat që punojnë me të mbijetuarat në më shumë se 30 vende, përfshirë Kosovën.
Në këtë memorial, të mbijetuarat e përfaqësuara përmes platformës “Bëhu Zëri Im” kontribuan në përmbajtjen simbolike dhe narrative të memorialit përmes lules Anemone, se bashku me simbole dhe mesazhe të të mbijetuarave nga vende të ndryshme të botës. Memoriali u prezantua fillimisht në Hagë dhe më pas u inaugurua pranë Muzeut të Luftës në Berlin, ku u ekspozua si hapësirë ndërgjegjësimi dhe kujtese për dhunën seksuale në konflikte. Medica Kosova mori pjesë gjithashtu në inaugurimin e memorialit në Berlin, së bashku me një të mbijetuar e cila vazhdon të merr shërbime në organizatë, së bashku me të mbijetuara nga Afganistani dhe Iraku, si dhe përfaqë
sues institucionalë dhe figura ndërkombëtare.
Në vijim të këtij angazhimi, Veprore Shehu, së bashku me Rebecca Hawkins, është bashkëautore e editorialit “Recognition is not accountability” në prag të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt. Editoriali u publikua si pjesë e angazhimeve publike që shënojnë këtë ditë ndërkombëtare dhe fokusohet në nevojën për forcimin e drejtësisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Medica Kosova. (n.d.). Të paktën 3 aktakuza ndërkombëtare për krime lufte duhet të ishin ngritur kundër Serbisë deri tani – Intervistë me Veprore Shehu. https://www.medicakosova.org/publications_post?p_id=25
Medica Kosova. (n.d.). Fighting for Kosovo war rape victims: "Women never prioritized". https://www.medicakosova.org/publications_post?p_id=116
Medica Kosova. (2018, September 13). Medica Kosova addresses implementation of National Strategy against Domestic Violence in line with Istanbul Convention. https://www.medicakosova.org/publications_post?p_id=135
Kosovo 2.0. (n.d.). Recognition is not accountability. https://kosovotwopointzero.com/en/recognition-is-not-accountability/
Eurasia Review. (2022, December 20). How the Hague Tribunal failed wartime rape survivors: Analysis. https://www.eurasiareview.com/20122022-how-the-hague-tribunal-failed-wartime-rape-survivors-analysis/?utm
Office of the United Nations High Commissioner for Human Rights. (n.d.). Healing the spirit: Reparations for survivors of sexual violence related to conflict. https://www.ohchr.org/Documents/Issues/Women/WRGS/PeaceAndSecurity/StudyHealingTheSpirit.pdf
https://www.facebook.com/profile/100064759954320/search?q=2020
https://www.medicakosova.org/publications_post?p_id=134
https://www.medicakosova.org/publications_post?p_id=29
https://www.medicakosova.org/publications_post?p_id=33
https://www.medicakosova.org/publications_post?p_id=121
Balkan Insight. (2025, December 23). Kosovo activist still fighting for justice for wartime sexual violence survivors. https://balkaninsight.com/2025/12/23/kosovo-activist-still-fighting-for-justice-for-wartime-%20sexual-violence-survivors/btj/
https://www.facebook.com/medicakosova
https://www.medicakosova.org/publications_post?p_id=124
https://www.medicakosova.org/publications_post?p_id=28
https://www.medicakosova.org/publications_post?p_id=44