Shko te përmbajtja

Vesna Teršelič

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Vesna Teršelič (lindur në vitin 1962 në Lubjanë, Slloveni)[1] është aktiviste për paqen dhe themeluese e Fushatës Kundër Luftës në Kroaci.

Fëmijëria dhe Arsimi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Teršelič u lind në Lubjanë, por jetoi në Zagreb që nga fëmijëria, ku aty përfundoi shkollën fillore, dhe më pas vazhdoi gjimnazin te “Druga” apo si quhej ndryshe Qendra për Kulturë dhe Art. Më vonë u zhvendos në Qendrën Edukative Matematiko-Informatike, ku ndryshe njihej si Gjimnazi VII. Në vitin 1980, u regjistrua në Universitetin e Zagrebit ku edhe studioi filozofi, letërsi krahasuese dhe fizikë, pra përkatësisht në tri fakultete të ndryshme: Fakulteti Filozofik, Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike.[2]

Angazhimi Aktivist

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Teršelič, një sllovene etnike e lindur në Lubjanë, jeton në Zagreb, ku punon si aktiviste për paqen.[3]

Në vitin 1985, Teršelič bashkë me kolegët e saj nisin dy iniciativat TTB, e më pas Svarun, projekte këto që përfshinin aktivitete teatrale rrugore si: organizimin e demonstratave dhe ngjarjeve që përpiqeshin të rrisin ndërgjegjësimin për të drejtat e njeriut dhe promovimin e vlerës së lirisë së fjalës dhe shoqërisë civile. Aktivitetet e Svarun u përqendruan gjithashtu në mbrojtjen e mjedisit dhe kundërshtimin e planeve të ndërtimit të centraleve bërthamore në Jugosllavi, pas katastrofës së Çernobilit në vitin 1986. Një nga nismat e saj në këtë aspekt ishte një protestë dhe peticion kundër ndërtimit të një termocentrali bërthamor në Prevlaka, pranë Zagrebit. Ajo paraqiti një peticion për njohjen e kundërshtimit të ndërgjegjes dhe futjen e shërbimit civil si një alternativë ndaj shërbimit të detyrueshëm ushtarak.[2][4]

Në vitin 1998, ishte kontribuese në formimin e linjës telefonike SOS për gratë dhe fëmijët viktima të dhunës, që funksiononte në bazë të punës së një grupi vullnetarësh, fillimisht si mbështetje emocionale, po më pas edhe si hapësirë strehuese. Pas linjës telefonike SOS, që ndanin të njëjtën hapësirë me Aleancën e Rinisë Socialiste të Qytetit të Zagrebit, filloi edhe nisma e parë lezbike, që u quajt Lila.[2]

Aktivizmi i Teršelič, ishte fillimisht i lidhur me Svarunin deri në momentin kur mori fund shkaku i miratimit të një memorandumi mbi centralet bërthamore në Jugosllavi.

Në vitin 1990, themelohet shoqata Aksioni i Gjelbërt (Green Action dhe Savez Greens of Croatia), organizatë kjo që vazhdon të funksionojë edhe në ditët e sotme, dhe njihet si një ndër organizatat më të mëdha “të gjelbërta” në Kroaci.[2][4]

Vesna Teršelič, së bashku me miqtë e saj, organizoi Fushatën Kroate Kundër Luftës në vitin 1991 me qëllim parandalimin e konflikteve të armatosura në territoret e ish-Jugosllavisë. Siç ka thënë vetë Teršelič: “Ne e nisëm fushatën kundër luftës më 4 korrik 1991, që do të thotë se e bëmë këtë shumë vonë, sepse e gjithë vitin pararendës... e kaluam me shpresën se politikanët po bënin diçka për të arritur një marrëveshje në mënyrë diplomatike, duke arritur një formë të re të organizimit ndërmjet kroatëve dhe serbëve në Kroaci.” Ata gjithashtu nisën revistën Arkzin në shtator të vitit 1991 për të promovuar paqen dhe për të hulumtuar aspektet e konfliktit të armatosur. Arkzin trajtoi tema si fati i kundërshtarëve të ndërgjegjshëm dhe dezertorëve, dëbimet me forcë, krimet e luftës dhe çështje të tjera shumë të diskutueshme që lidhen me konfliktin.[5][6]

Në vitin 1992, filloi punën Qendra për Gratë Viktima të Luftës, që ishin në mbësthetje të grave të mbijetuara të dhunës seksuale, jo vetëm në Kroaci, por edhe në Bosnje dhe Hercegovinë. Projekti “Prakac” filloi nga Tkalčićeva ku vullnetarë ndërkombëtar ndihmuan në rindërtimin social, ku më vonë u përfshi edhe Mirjana Bilopavlović. Në Tkalčićeva, përpos që vepronte Qendra për Mbrojtje Direkte, gjithashtu filloi edhe Amnesty International për Kroacinë si dhe vepronte edhe Lëvija Anarkiste e Zagrebit.[2] Këtu filloi edhe sistemi i tabelave të buletinit – Zamir, që funksionoi në Lubjanë, Tuzla dhe më vonë edhe në Sarajevë, ku mundësoi transmetimin e një numri të madh te mesazheve elektronike, pasi që lidhja satelitore në Sarajevë ishte mjaft sfiduese.[2]

Themelimi i Documeta Qendra për Përballjen me të Kaluaren

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitin 2004, Vesna Teršelič themeloi organizatën Documenta – Qendra për Ballafaqimin me të Kaluarën, një nismë e përbashkët e disa organizatave për të drejtat e njeriut, përfshirë Qendrën për Paqe në Osijek dhe Komitetin Kroat të Helsinkit. Qëllimi kryesor i Documenta-s është ndërtimi i një kuptimi të thelluar të së kaluarës së dhunshme në rajon përmes mbledhjes sistematike të dëshmive, dokumenteve faktmbledhëse dhe informatave mbi të zhdukurit dhe shkeljet e të drejtave të njeriut[7]. Si drejtoreshë e kësaj qendre, Teršelič ka luajtur një rol kyç në forcimin e drejtësisë tranzicionale në Kroaci, duke theksuar nevojën për përfshirjen e narrativave të margjinalizuara dhe zhvendosjen e debatit publik nga mohimi i krimeve në një dialog të hapur dhe të informuar për interpretimin e ngjarjeve të luftës[8][9]

Që nga themelimi, Documenta ka kontribuar ndjeshëm në procesin individual dhe kolektiv të përballjes me të kaluarën, duke nxitur paqen e qëndrueshme dhe përmirësimin e standardeve gjyqësore përmes mbledhjes së të dhënave, hulumtimeve dhe monitorimit të gjyqeve për krime lufte. Në këtë mision, organizata ka bashkëpunuar me aktorë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa Teršelič, si një nga zërat më të spikatur të aktivizmit për paqen, ka orientuar me përkushtim këtë proces gjithëpërfshirës.

Në vitin 2017, Teršelič nënshkroi Deklaratën për Gjuhën e Përbashkët të kroatëve, serbëve, boshnjakëve dhe malazezëve.[10]

Kontributi dhe Njohjet Ndërkombëtare

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Teršelič është e njohur për përpjekjet e saj në promovimin e paqes dhe pajtimit në pas - luftë në Ballkan. Ajo ka ndihmuar në krijimin e lidhjeve midis organizatave të paqes nga Kroacia dhe Serbia, dhe ka kontribuar në zhvillimin e një qasjeje të re për të ndihmuar shoqëritë të përballen me pasojat e luftës dhe të krijojnë mundësi për një të ardhme paqësore. Në vitin 1998, fitoi Çmimin për Jetë të Drejtë,  së bashku me Katarina Kruhonja të Qendrës për Paqe, Jo-dhunë dhe të Drejtat e Njeriut në Osijek. Çmim ky që i’u dha për angazhimin e saj për paqe dhe drejtësi sociale.[6][11]

Në vitin 1997, Teršelič së bashku me Vesna Pešić dhe Selim Beslagićin, u nominuan për Çmimin Nobel për Paqe.[2][12]

Vesna Teršelič vazhdon të luajë një rol kyç si drejtoreshë e Documenta – Qendrës për Ballafaqimin me të Kaluarën, duke kontribuar në procesin e drejtësisë tranzicionale dhe përballjes me të kaluarën në  Kroaci dhe hapësirat e ish-Jugosllavisë. Si aktiviste sociale dhe mbështetëse e paqes, ajo ka ndihmuar në zhvillimin e një kuptimi të thelluar të ngjarjeve të luftës dhe krimeve të luftës, duke u përpjekur për të siguruar që të drejtat e njeriut të respektohen dhe që shoqëria të ndërtojë një të ardhme paqeje dhe pa dhunë. Angazhimi i saj vazhdon të jetë i rëndësishëm për proceset e dialogut dhe pajtimit në Kroaci dhe rajon, duke nxitur reflektimin kritik mbi të kaluarën dhe duke mbështetur viktimat dhe ata që luftojnë për drejtësi.[8]

  1. "CROSS-BORDER SEMINAR ON RETURN, RECOVERY AND RECONSTRUCTION". archiv.medienhilfe.ch. Arkivuar nga origjinali më 16 tetor 2014. Marrë më 2025-06-03. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. 1 2 3 4 5 6 7 Krasniqi, Korab; Kadiri, Rina; Hajrullahu, Vjollca Islami (2024). Rezistenca: Gratë e paqes dhe të drejtësisë në ish-Jugosllavi dhe Shqipëri. forumZFD. ISBN 9789951775212.
  3. edin.dji (2012-05-23). "Izložba o poznatim zagrebačkim Slovencima". Slovenski dom i Vijeće slovenske nacionalne manjine Grada Zagreba (në kroatisht). Marrë më 2025-06-03.
  4. 1 2 "Vesna Terselić (1962)". www.pametnaroda.cz (në çekisht). Marrë më 2025-06-03.
  5. Milekic, Sven (2015-08-18). "Promoting Peace in a Country at War". Balkan Insight (në anglishte amerikane). Marrë më 2025-06-03.
  6. 1 2 "Vesna Teršelič – Visible Ukraine" (në anglishte amerikane). Marrë më 2025-06-03.
  7. "Vesna Teršelič on the role of civil society archives in". www.law.ox.ac.uk (në anglisht). Marrë më 2025-06-03.
  8. 1 2 University, Patrick CoyleWeb Designer at University of UlsterPatrick joined the INCORE team as Web Designer for the Accounts of the Conflict project He holds a BScin Computer Studies from Liverpool John Moore’s. "Accounts of the Conflict" (në anglishte amerikane). Marrë më 2025-06-03.
  9. "KANDIĆ AND TERŠELIČ PRESENT "THE MAP OF THE 1991 - 2001 WAR VICTIMS IN THE FORMER SFRY". Documenta. 2018-12-18. Arkivuar nga origjinali më 3 qershor 2025. Marrë më 2025-06-03. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  10. "Donosi se Deklaracija o zajedničkom jeziku Hrvata, Srba, Bošnjaka i Crnogoraca". www.vecernji.hr (në kroatisht). Marrë më 2025-06-03.
  11. sydney (2023-11-17). "Vesna Teršelič: "During the Russian aggression, we in Europe once again became aware of the importance of insisting on justice"". Right Livelihood (në anglishte amerikane). Marrë më 2025-06-03.
  12. "Vesna Terselić (1962)". www.memoryofnations.eu (në anglisht). Marrë më 2025-06-03.