Jump to content

Vexhi Buharaja

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Vexhi Buharaja
Lindi12 maj 1920
Vdiq5 korrik 1987
KombësiaShqiptar
ProfesioniOrientalist, shkrimtar, përkthyes
TitulliMësues i Popullit

Vexhi Buharaja (Berat, 12 maj 1920 - 5 korrik 1987) ka qenë letrar, orientalist, epigrafist dhe përkthyes shqiptar nga osmanishtja e persishtja, i persekutuar gjatë regjimit komunist. Falë tij mund të lexohen në gjuhën shqipe materiale si të Rilindjes Kombëtare e Lidhjes së Prizrenit, ashtu edhe veprat klasike të letërsisë perse.[1] Në sajë të punës së tij përkthimore të dokumenteve osmane ka dhënë një ndihmesë të shumëçmuar në zhvillimin e veprimtarisë shkencore në Shqipëri.[2] Përkthimet e tij dhe të Myqerem Janinës për Institutin e Historisë u përvetësuan nga punonjësit e institutit, duke mos ua përmendur emrin nëpër punime.[3]

U lind me 12 Maj 1920, në lagjen “Murat Çelepi” në Berat, i biri i Hoxhë Ibrahimit të Ismail Efendiut. Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, në Berat. Pas kësaj vazhdoi studimet në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë, ku u diplomua në vitin 1940 student i dalluar. Menjëherë pas diplomimit, në moshën 20 vjeçare, u punësua në redaksinë e revistës “Kultura Islame”, e përmuajshme fetare, diturore, artistike, letrare, organ i Komunitetit Musliman Shqiptar në Tiranë. Në vitin 1944 u largua nga Tirana, për shkak të rrethanave të vështira të luftës dhe qëndroi familja e tij në Berat.[4][5] Familja e tij strehoi hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore.[6]

Me ardhjen e komunistëve në pushtet, nëntor 1944, për pak kohë punoi në Berat si referent në Shtëpinë e Kulturës. Më 1946 e burgosin, duke e akuzuar se bënte propagandë kundër qeverisë komuniste të Shqipërisë. Pasi doli nga burgu, u detyrua të bënte punë të rënda fizike për të mbijetuar. Më pas u pranua në punë si mësues,[4][5] duke dhënë lëndën e gjuhës ruse të mësuar në burg.[7]

Në vitin 1965 e pranuan në Sektorin e Historisë së Mesjetës, pranë Institutit të Historisë në Tiranë. Mblodhi, përktheu në shqip, transkriptoi rreth 250 mbishkrime osmane. Duke u mbështetur në këtë material, shkroi studimin me titull: “Mbishkrimet turko-arabe në vendin tonë si dëshmi historike”, të cilin e ka lexuar si kumtesë në Konferencën e Dytë Shkencore të Studimeve Albanologjike, që i zhvilloi punimet në Tiranë, më 12-18 janar 1968.

Më 1975 në maj u dëbua nga puna në Institutin e Historisë dhe u kthye në vendlindje, ku punoi berber. Pavarësisht kësaj, studjuesit që kishin nevojë t'i referoheshin burimeve turke i kërkonin vazhdimisht ndihmë Buharasë për përkthimin e tyre, gjithashtu i merrej mendimi po vazhdimisht për veprat që studjuesit përkthenin.[2]

Ndërroi jetë në vendlindje, në Berat, me 5 korrik 1987, në moshën 67 vjeçare.[4][5]

Publicistikë, poezi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Artikujt e tij të parë i botoi tek e përkohshmja Kultura Islame kur ishte student.[2] Në konkursin letrar që u shpall me 1 janar 1942, kur ishte 22 vjeçar, ai fitoi çmimin e parë me poezinë “Përpara Tomorit”. Ka shkruar e botuar edhe punime, studime historike, filozofike, mistike si “Lufta e Qerbelasë", "Haxhi", etj., të cilat janë botuar në të përkohshmet e tjera si “Zani i Naltë”, "Njeriu” gjatë viteve 1938-1944 etj.

Ndër punimet e tij të çmuara janë kërkimet për mbishkrimet osmane në Shqipëri, studimet mbi regjistrat tahrir dhe shumë dokumente të tjera osmane. Mes të cilëve përkthimi i tij i tahririt të Përmetit dhe Korçës të vitit 1431, i botuar më 2018.[2] Ka punuar një varg përkthimesh të tjera që i përkasin periudhës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, siç janë aktet dhe memorandumet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, manifestin “Ujanallem” (“Të zgjohemi”) 1899, hartuar nga Dervish Hima, letërkëmbimin e tij me dr. Ibrahim Temon, i përbërë prej 64 letrash, që përfshihet në vëllimin e tretë (1900-1908) “Rilindja Kombëtare Shqiptare”. Përveç dokumenteve historike, ka përkthyer veprat shkencore të Hoxha Hasan Tahsinit, dramën “Besa” të Sami Frashërit, “Shahnamenë” e poetit të madh të Persisë, Firdeusit, përmbledhjen poetike “Tahajjulat” (“Ëndërrimet” dhe “Katër stinët”) të poetit Naim Frashëri dhe veprën “Gjylistani dhe Bostani” të Saadi Shirazit.

Tjetërsimi i veprës intelektuale

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sipas historianit Ahmet Kondo, puna e Buharasë në Institutin e Historisë si përkthyes nga gjuha osmanishte u vu në shërbim të disave që bënë emër si punonjës shkencorë në mënyrë të padrejtë.[1]

Më 20 dhjetor 1993 iu dha titulli “Mësues i Popullit” (pas vdekjes) dhe Qytetar Nderi, kurse më 6 korrik 1994, medreseja dhe biblioteka e qytetit të Beratit mbajnë emrin e tij.

Në vitin 1995, historiani Ahmet Kondo shkroi monografinë “Vexhi Buharaja, njeriu, poeti, dijetari" më 1995. Përmendet në librin, “Antologjia e Krimit Komunist”, botuar në vitin 2006. Në vitin 2008, në Tiranë, u botua libri me titull: “Vexhi Buharaja pa mite e mjegull”, shkruar nga Yzedin Hima. Pas një heshtjeje të gjatë foli edhe Akademia e Shkencave me Fjalorin Encikopedik Shqiptar.[7]

  • Mbishkrimet turko-arabe në vendin tonë si dëshmi historike, kumtesë mbajtur te Konferenca e dytë e studimeve albanologjike, 1969.[8]
  • Një vështrim panoramik mbi të kaluarën e lagjes “Muratçelepi” (sot “Çlirimi”), të Beratit, dorëshkrim përfunduar më korrik 1979.[9]
  • Vepra shkencore e Hasan Tahsinit
  • Besa - dramë, Sami Frashëri
  • Ëndërrimet - përmbledhje poetike, Naim Frashëri
  • Katër Stinët - përmbledhje poetike, Naim Frashëri
  • Gjylistani dhe Bostani - vepër poetike, Saadi Shirazi
  • Shahnameja - vepër poetike, Firdeus
  1. ^ a b Ndoja, Leka (2013). Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri. Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. fq. 118–119. ISBN 978-9928-168-12-2.
  2. ^ a b c d Balcı, Mustafa; Dibra, Fatos (2020). "Arnavutluk'ta Türkoloji". academia.edu (në turqisht). fq. 93.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  3. ^ Biçoku, Kasem (2022). Terrorizmi në albanologji. Shkup. fq. 210–211. ISBN 9786084634560.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  4. ^ a b c Elsie, Robert (2013). A Biographical Dictionary of Albanian History (në anglisht). Londër: I.B. Tauris. fq. 58. ISBN 9781780764313.
  5. ^ a b c Fjalor Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist I (A-Ç) (në anglisht). Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. 2012. fq. 206. ISBN 978-9928-168-01-6.
  6. ^ Sinani, Shaban (2009). Hebrenjtë në Shqipëri ─ Prania dhe shpëtimi. Tiranë: Naimi. fq. 354. ISBN 978-99956-800-2-2.
  7. ^ a b Dëshnica, Agim Xh. (15 maj 2010). "Meditim për poetin e dijetarin e përndjekur Vexhi Buharaja". kultplus.com. 55.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  8. ^ Ayşe Zişan Furat, Hamit Er, red. (2012). Balkans and Islam: Encounter, Transformation, Discontinuity, Continuity (në anglisht). Cambridge Scholars Publishing. fq. 192. ISBN 9781443842839.
  9. ^ Xhezo, Arshin (11 shkurt 2016). "Vexhi Buharaja i penguar dhe i fyer". telegrafi.al.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)