Vlera

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

SIBELI NGA KUMAE

Nga Dr. Vlera Ejupi


Në mitologjinë greke, Sibelin nga Kumae të mbyllur në kafaz e pyetën një ditë disa djem: “Sibel cila është dëshira e jote?”, e ajo u përgjigj:”Dua të vdes.” Sibeli në mitologjinë greke ishte një zonjë e moshuar profete, e cila e udhëhoqi Eneisin(heroin trojan, të birin e princit Anhies dhe perëndshës Venerë) nga Haedi(ndërtoka greke) në Eneidë. Ajo kishte fituar pavdekshmërinë nga Apolloni(perëndi e të vërtetës dhe dritës).Kumae ka qenë provincë greke në afërsi të Napolit në Itali. Por meqenëse Sibeli harroi të kërkojë nga ai rininë e përhershme, ajo u zhyt në moshë të shkuar dhe kështu autoriteti i saj filloi të zhduket. Dhe e gjithë kjo ndodhi për shkak të një lëshimi, për një moment gati se i padukshëm: Nga harresa e saj për të kërkuar gjënë esenciale në jetën e saj.

Ishte një mëngjes i hershëm kur kalova në një pjesë të Shkupit në të cilën nuk pata kaluar që moti. Është kjo qendra tregtare Mavrovasja të cilën e mbaj mend shumë mirë kur u inaugurua, para ndoshta më shumë se dy dekadave.Atëherë aty kishte shumë shitore me enteriere atraktive, shumë lokale të bukura të cilat shndërroheshin në vendtakime të lezeçme. Mirëpo ajo që të bënte të jesh vizitore e shpeshtë e këtij vendi ishte pastërtia dhe mikpritja e njerëzve të cilët punonin aty. Tek numri i madh i njerëzve që fluktuonin në Mavrovasen ndjehej dashuria e qytetit të bukur e cila shprehej pa ngurrim. Meqë nuk kisha shëtitur që moti aty, mu në këtë vend vërejta se tani shumë shitore ishin të mbyllura. Edhe ato të hapurat të linin përshtypje dëbimi sikur nuk ishin të interesuara të hysh fare mbrenda. Figurat e shitësve gati se nuk vëreheshin, meqë fytyrat e tyre ishin edhe më të ngrysura se sa hijet e kukullave të vitrinave të cilat e reklamonin zgjidhjen e ofruar. A thua bëhet fjalë këtu për sindromin sibelian, që shkupjanët të cilët punojnë dhe jetojnë përreth filluan të harrojnë ta kërkojnë përmirësimin e gjendjes së tyre e cila është pakapshëm larg nga ajo e lakmueshmja?

Po të njëjtën ndjenjë e kisha kur më rastisi të kem punë në polici, meqenëse mu para banesës time na e vodhën veturën para më shumë se dy muajve. Vjedhja ka ndodhë me elegancën dhe mjeshtërinë më të madhe, ashtu siç nuk bëhet asnjë vepër tjetër në këto hapësira. Duke komunikuar me shumë njerëz kuptuam që kjo qenka një gjë e zakonshme në lagjet kryesisht të banuara me shqiptarë. Kjo ndoshta nuk është e rastësishme, sepse shqiptatët e Skupit çdo herë me djersë kanë fituar të gjithë atë që e posedojnë. Natyrisht se pas kësaj vijuan takimet e shumta në barakat e policisë. Aty nuk kishte disponim as për të të dëgjuar argumentet e as për të të parë ne sy. Ky disponim i kishte kapluar edhe ata pak shqiptarë të cilët me ndjenjën e tyre të servilitetit qyqar para shefave të tyre, mu duken si parasitë të pështirë.Nga ana tjetër shefat e tyre të stërngopur nga madhështia e






tyre, o për shkak të muskujve të tyre shumë të fryer,o për shkak të forcës me të cilën mbanin në njërën dorë topa që i shtrydhnin sikur të kishin shtrydhur tërë rruzullin tokësor. Me ta godisnin muret e nxiera, të freskuara tek tuk nga ndonjë njollë e verdhë apo e kuqe që ma çonte mallin e ndonjë pëlhure që e kam parë të valvitet dikund, por jo jo, këto mure prap se prap më përkujtonin fytyrën e ngjyrosur të ndonjë palaçoje.Dora tjetër e lirë e shefave ishte e mbushur plot me togun e çelësave të madhësive dhe formave nga më të ndryshmet.Po të kisha qenë ndoshta pak më e kujdesshme edhe do ta kisha identifikuar çelësin e veturës tonë të vjedhur. Dhe prap më kujtohet sindromi sibelian, vallë shqiptarët e Shkupit po harojnë krenarinë dhe durimin e tyre të kahmotshëm për ti thënë jo pengqenjes së tyre, e cila dita ditës pë bëhet gjithnjë e më ngulfatëse?

Këto nuk janë vendet e vetme ku më kaplon kjo ndjenjë klostrafobike në qytetin tim të cilin e dua më së shumti në botë-Shkupin. Këtë ndjenjë e kam prezente edhe në ato pak mbledhje prindore të bijës time ku në një klasë janë të ngjeshur mbi dyzetë veta. Marr lexoj ligjin për shkollim të mesëm ku shkurt e përerë shkruan se paralelja në një shkollë nuk guxon të ketë më shumë se 34 nxënës. Thjeshtë, në Shkup po ndodh aparthejd i qëllimshëm i fëmiut shqiptar, në qendër të Dardanisë së lashtë, ku mësimi mezi zhvillohet në një nga gjuhët më të lashta në botë. A harruan shqiptarët të kërkojnë shkollim normal në të gjitha nivelet, duke filluar nga foshnjoret e gjer te universitetet. Pse në vepanti harrojmë të kërkojmë universitete në gjuhën shqipe?

Dhe ajo që më së shumti më pëlqen kur mendoj për këto gjëra janë mendimet epifanike të cilat në momente më kalojnë nëpër kokë, për pak çaste më kaplojnë trurin dhe fatmirësisht prap më braktisin. E thëna e parë që më shkon në mend është ajo e të madhit Emerson:”Mos ec nëpër rrugën e ecur. Në vend të saj ec aty ku nuk ka fare rrugë duke lënë gjurmë pas vetes”. Sa e imtë më duket vehtja kur e analizoj pjesën e fundit të kësaj thënie. Jemi ne shkupjanët të cilët vetë mund të bëjmë atë e cila do të shërbente si gjurmë në të ardhmen. Ne shkupjanët jemi shëndruar në një qenje të izoluar dhe të vetmuar në majën e një mali, si një njeri që dëgjon mijëra zëra rreth vetes. Por ne të gjithë po mundohemi të flasim me këta tepër të zëshmit në mënyrë shumë të qetë. Ajo që ne të izoluarit duam ta themi është shumë e qetë, prandaj si duket duhet të bëhemi të pafytyrë, gjë e cila nuk është veti e asnjë shkupjani dhe ta ngrisim zërin aq sa duhet. E ajo që duhet thënë është e vërteta. Vetëm e vërteta është gjë e cila ndodh, e cila pulson dhe të dhuron jetë, prandaj shumë njerëz nuk duan ta ndëgjojnë, se janë mashtrues të zakonshëm. Mashtrues të cilët në mënyrë të përkryer kanë shndërruar injorancën në virtyt, dhe kështu, thotë një poet irlandez, aty ku injoranca shndërohet në virtyt është marrëzi ta flasësh të vërtën. Automatikisht mundohem ta gjej nyjen e hipokrizisë së të jetuarit në kryeqytet, pa universitet në gjuhën e nënës, pa shkolla të mjaftueshme, ose më falni me shkolla pa karike, banka, dritare, kopshte normale, pa ajër për të thithur.. Pse e humbën shkupjanët kënaqësinë e cila shkaktohet nga prekja e realitetit. Vallë a nuk është kjo e vetmja gjë e cila na siguron ne ekzistencën në këtë botë. Pse u stërmbushën njerëzit nga Madhëria e tyre, kur kohëve të fundit çdo gjë që prekin shkakton kaos, tjetërsim, humbje të gëzimit. Na fal Sibel, ne jemi në një pozitë pak më të rrehatshme se ti, sepse vetë e ndërtuam kafazin tonë dhe vetë e krijuam për ne Shkupin joreal me një përzierje të pakuptimtë të së kaluarës dhe dëshirave...