Wikipedia:Faqja kryesore/Fotografia e ditës/2014/10/14
Krijimi i bandës së parë në Shkodër daton ne vitin 1870 dhe drejtues i parë i saj qe Giovanni Canale, e mandej nxënësi Palokë Kurti, i cili shquhej për ndjenjat e një artisti popullor e atdhetari të flaktë. Më vonë, lindi banda muzikore e Frano Ndojës. Në vitin 1901 zë fill farmacioni i bandës muzikore të artizanatit, që u krijua menjëherë pas shpërndarjes së bandës së parë qytetëse. Pjesëmarrësit e saj ishin gjithsej 50 instrumentistë dhe drejtoheshin nga mjeshtri Palokë Kurti. Instrumentistët ishin nxënës zanatçinj të profesioneve të ndryshme. Nën drejtimin e Kurtit, ato arrijnë brenda një kohe relativisht të shkurtër rezultate të kënaqshme në përvetësimin e instrumenteve popullore. Repertori i saj përmbante këngë e marshe me karakter atdhetar e popullor. Merita e Palokë Kurtit me këtë bandë është se ai diti të përgatisë drejtues te ardhshëm të bandave muzikore, të cilët do ta çonin më tej punën e filluar nga vet ai. Banda pati jetë më shumë se një dekadë dhe më 1911 ajo shpërndahet. Ndër formacionet që fituan një popullaritet qe edhe banda e shkollës "Plotore e Parruces", nën drejtimin e mjeshtrit Sule Liçaj. Kjo shkollë ishte e njohur në qytetin e Shkodrës për veprimtari të dendur jashtëshkollore në drejtime te ndryshme.