Ymer Dishnica

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Ymer Dishnica
Ymer Dishnica.jpg
Kryetar i Kuvendit Popullor
1946 – 1947
Paraardhësi: Tuk Jakova
Pasardhësi: Manush Myftiu
Ministër i Shëndetësisë
23 tetor 1944 – 21 mars 1946
Paraardhësi: Hamdi Sulçebe drejtor i përgjithshëm i shëndetësisë
Pasardhësi: Medar Shtylla
Të dhënat personale
Lindi më: 21 shkurt 1912
Lindi në: Dishnicë, Perandoria Osmane
Vdiq më: 22 shtator 1998
Vdiq në: Tiranë, Republika e Shqipërisë
Kombësia: Shqiptare
Profesioni: mjek patolog
Shkolla e kryer: Universiteti i Lionit dhe i Parisit
Grada shkencore: mjek patolog
Partia politike: Partia Komuniste Franceze, Partia Komuniste e Shqipërisë pas 1948 Partia e Punës e Shqipërisë
Bashkëshortja Flora



Ymer Dishnica (Dishnicë, 21 shkurt 1912 - Tiranë, 22 shtator 1998) qe anëtar i Partisë Komuniste Franceze, politikan dhe mjek shqiptar. Dishnica përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qene, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”.[1]

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Lindi në fshatin e Dishnicës, 4 km afër qytetit të Korçës, në grahmat e fundme të Perandorisë Osmane.

Kreu arsimin e mesëm në liceun francez të Korçës. Më 1932-1941 studion me bursë të shtetit shqiptar në Fakultetin e Mjekësisë në Lion dhe në Paris, ku u laureua e specializua për patologji. Më 1933 pranohet anëtar i Partisë Komuniste Franceze. Prej vitit 1931 bashkëpunon me grupet antizogiste, ndërsa më 1933-1937 me gazetën "Populli" të Lionit dhe "Sazani".

Pas 7 prillit 1939 bën pjesë në Federatën e Shqiptarëve në Francë. Në nëntor 1940 u organizua në një celulë të PK-së po në Francë[2]. Në gusht të 1941 kthehet në Shqipëri, ku nga 1942 e deri më 1944 ishte anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Mori pjesë në mbledhjen e Pezës, ku u zgjodh anëtar i kryesisë së Këshillit të Frontit Nacional Çlirimtar[2] me emrin e shifruar "Mogila"[3].

Më 2 gusht 1943 Ymer Dishnica në krye të delegacionit të PK-së nënshkroi Marrëveshjen e Mukjes me Ballin Kombëtar në fshatin e Mukjes për të bashkërenduar rezistencën shqiptare në Luftën e Dytë Botërore dhe për t'u përgatitur për të ardhmen e Shqipërisë etnike. Gjë që xhindosi Komitetin Qendror, pra vetë Miladin Popoviqin, i cili kur e lexoi e grisi dhe ia hodhi Enver Hoxhës në fytyrë[4].

Më 1943-1944 shërbeu si anëtar i sekretariatit të PKSH-së. Më 1944-1946 anëtar i KANÇ-it. Më 1944 e deri më 1946 kreu funksionin e ministrit të Shëndetësisë, pas këtij funksioni shërbeu si kryetar i Kuvendit Popullor. Nga viti 1946 e deri më 1950 u zgjodh deputet.

Përjashtohet nga Partia Komuniste dhe filloi punën si mjek në spitalin e Tiranës. Më 2 janar 1950, me vendim të posaçëm dëbohet familjarisht nga Tirana për në Berat ku punoi mjek patolog në spital dhe në ambulancën e qytetit.

Më 13 janar 1956 dënohet me 6 vjet nga Gjykata e Lartë me akuzën e agjitacion-propagandës, se kishte lavdëruar demokracitë borgjeze të llojit të Francës. Burgoset më 27 qershor 1955 deri më 12 qershor 1956. Pas daljes nga burgu jetoi dhe punoi në Berat. Ndërroi jetë në Tiranë më 22 shtator 1998[2].

Burime[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Gazeta Standard. "Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri, E papublikuar/ Arkivi i Shtetit, 260 emrat që "rrëfyen" ekzekutimet në ushtrinë partizane". Marrë më 22 May 2018. 
  2. ^ a b c Dervishi K., Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet, Tiranë: 55, 2012, fq. 118, ISBN 9789994356225
  3. ^ Dervishi K., Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së, Tiranë: 55, 2016. fq. 241. ISBN 978-9828-106-38-4
  4. ^ Hoxha Ç., Fillimet e diktaturës komuniste në Shqipëri, Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, 2013, fq. 19. ISBN 978-9928-168-11-5