Zef Kolombi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Autoportret, Zef Kolombi (1947).jpg

Zef Kolombi lindi më 3 mars 1907Sarajevë në një familje shkodrane. Babai i tij, Gjoni, ishte pronar i një hoteli në Sarajevë, ndërsa e ëma, Stefani, ishte sllovene. Në vitin 1910 i vdes babai dhe një vit më vonë dhe nëna. Zefi në moshën 4-vjeçare, bashkë me motrën e tij Verën kthehen në Shkodër tek gjyshja. Pas vdekjes së gjyshes për dy jetimët Kolombi kujdeset nuni i tyre, Sokrat Shkreli.

Në Shkodër mbaron shkollën fillore-jetimore të hapur nga austriakët, dhe tre vjet mëson në gjimnazin e jezuitëve. Më pas i përkushtohet pikturës, pasionit të tij, por me shumë vështirësi. Ai shkon në Itali, dhe fillon të punoi për të mbijetuar, dhe ndërkohë viziton muzetë, galeritë e arteve dhe ekspozitat e pikturës. Nëpër këto institucione arti tërheq vëmendjen e rojeve dhe disa të rinjve të cilët e ndihmojnë për t’u regjistruar në një shkollë nate. Por, e largojnë nga Italia, dhe ai kthehet sërish në Sarajevë,ku punon si ndihmës këpucëtari. Pas kësaj ai tri vjet punon pranë një dekoratori dhe gjatë kësaj kohe ai krijon veprat e para si dhe kopje të klasikëve. Në moshën 18 vjeç Zef Kolombi kthehet në Shkodër, dhe i kushtohet artit të pikturës ku punon edhe si nëpunës në hotel "Grand".

Më 1929 Zef Kolombo sërish niset për Itali, ku fillon të studiojë në akademi. Me përfundimin e Akademisë së Arteve në Romë kthehet në Shqipëri dhe emërohet mësues vizatimi në shkollën normale të Elbasanit, ku qëndroi 10 vjet. Në vitin 1936 martohet dhe ka një djalë, Julianin, ndërsa nga martesa e dytë pati djalin tjetër Gjovalinin. Vazhdon të pikturojë dhe njëkohësisht kryente detyrën e mësuesi. Zef Kolombi ka pikturuar me materiale të tilla si beze, kanavacë, karton e kompensatë, ndërsa më së shumti vepra e tij është në vaj. Ka përdorur më shumë ngjyrën e kuqe, kafe, të gjelbrën e të bardhën. Vepra e Zef Kolombit ndodhet kryesisht në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Dy vitet e fundit të jetës sëmuret nga astma dhe tuberkulozi dhe vdes më 23 janar 1949.

Galeri[redakto | redakto tekstin burimor]

  • "Madona e Rafaelit" vaj 1926,
  • "Darkë pomjetane" vaj 1927,
  • "Dy vizatime nudo" laps 1931,
  • "Portreti i Pinës" vaj 1933,
  • "Tufë me lule kadife" vaj 1033,
  • "Shën Avllashi i Durrësit" vaj 1936,
  • "Të korrurat" vaj 1940,
  • "Vazo me lule" vaj 1938,
  • "Tri rriska shalqiri" vaj 1940,
  • "Rrush, verë, mollë" vaj 1940,
  • "Portreti i Julianit" vaj 1941,
  • "Portreti i Gjovalinit" vaj 1946,
  • "Portreti i së shoqes" vaj 1947, etj

Tituj[redakto | redakto tekstin burimor]

  • "Mësues i Merituar",
  • "Piktor i Merituar"
  • "Piktor i Popullit".

Triviale[redakto | redakto tekstin burimor]

  • Një shoqatë artistësh në Ferizaj të Kosovës mban emrin e tij.

SHAF (Shoqata e Artistëve Figurativ) “Zef Kolombi” që nga vitet e 70-ta funksionon si shoqatë, kurse juridikisht është riregjistruar në Ministrinë e Administratës Publike më 25 maj 2011. Emrin “Zef Kolombi” e ka marrë për nderë të piktorit shkodran të rilindjes Zef Kolombi (1907 - 1949). Shoqata për katër dekadat e funksionimit të saj, deri në ditët e sotme, ka organizuar një mori aktivitetesh të ndryshme kulturore-artistike, qindra ekspozita të ndryshme kolektive e personale të artistëve të njohur.

Ajo për këto katër dekada ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe të vaçant në promovimin dhe afirmimin e vlerave kulturore artistike të qytetit të Ferizajt, promovimin e artistëve të ferizajas dhe më gjërë. Ndër këto aktivitete përveq ekspozitave të ndryshme kolektive e personale, vlen të përmenden ekspozitat tradicionale si: Salloni pranveror, Dita e pavarësisë, ku ndahet Çmimi “Gursel Sylejmani”, Ditët e Kulturës, 28 Nëntori (Salloni i Nëntorit), Bienali i Vizatimit, Ditët e mërgatës, Kolonia Artistike etj. Shoqata ka një numër të madh të anëtareve, dhe zhvillon aktivitete kulturore artistike si Ekspozita të ndryshme (tradicionale, kolektive, personale, tematike etj.) Koloni artistike Work shope, trajnime, ligjërata etj. dhe ka një bashkëpunim të mirë me institucione të ndryshme kulturore dhe me artistë të ndryshëm në Kosovë dhe më gjerë.