Shko te përmbajtja

Zhorzh Melies

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Zorzh Melies.

Gjorgj Melje ose Zhorzh Melies (frëngjisht: Georges Méliès; 8 dhjetor 1861 - 21 janar 1938) ishte regjisor, aktor dhe iluzionist francez. Ai drejtoi shumë procese të zhvillimit teknik dhe narrativ të kinemasë në fillimet e saj të hershme, kryesisht në zhanret e fantazisë dhe fantashkencës. Meliesi u bë i njohur për shkak të krijimit të “trukeve kinematografike”dhe përdorimit të efekteve speciale, duke i popullarizuar këto teknika si ndërprerjet e zëvendësimit, ekspozimet e shumëfishta, fotografitë me kalim kohe, zhvendosjet graduale dhe ngjyrimet me dorë. Ai ishte regjisori i parë që përdori skicat e skenarit gjatë punës së tij. Disa nga filmat e tij më të njohura janë “Udhëtim në hënë” (1902) dhe “Udhëtimi i pamundur” (1904).[1]

Jeta e hershme dhe arsimimi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Marie Zhorzh Zhan Melies lindi më 8 dhjetor 1861 në Paris, djali i francezit Zhan Luis Melies dhe holandezes Johana Katerina Shuering. I ati ishte zhvendosur në Paris në vitin 1843 si këpucar dhe kishte filluar punë në një fabrikë çizmesh, aty ku u njoh edhe me mamanë e Meliesit. Babai i Johana Katerinës kishte punuar si këpucar zyrtar i oborrit holandez para se një zjarr të shkatërronte biznesin e tij. Pasi prindërit e tij u martuan, ata hapën një fabrikë çizmesh me cilësi të lartë në rrugën “Saint-Martin” dhe patën 2 djem Henri dhe Gaston. Në kohën kur lindi djali i tretë, Zhorzhi, familja ishte pasuruar.

Zhorzh Melies ndoqi shkollën “Lycée Michelet” që prej moshës shtatëvjeçare, deri kur ajo u bombardua gjatë Luftës Franko-Prusiane. Më pas, ai studioi në liceun “Louis-le-Grand”. Në kujtimet e tij, ai e theksonte edukimin e tij formal e klasik, në kundërshtim me akuzat në fillimet e karrierës së tij se shumica e regjisorëve ishin “analfabetë të paaftë për të krijuar diçka artistike”. Megjithatë, ai e pranonte se instinktet krijuese shpesh mbizotëronin ndaj atyre intelektuale: “Pasioni artistik ishte shumë i fortë për të, dhe ndërsa përpiqej për një hartim frëngjisht apo një varg latinisht, pena e tij skiconte mekanikisht portrete ose karikatura të profesorëve apo shokëve të klasës, nëse jo ndonjë pallat fantazie apo një peizazh origjinal që tashmë ngjante me një skenë teatri.

Një kuadër nga filmi "Një udhëtim për në hënë"
  1. Gress, Jon (2015). Visual Effects and Compositing (në anglisht). ISBN 9780133807240.