Zonat e mbrojtura të natyrës në Kosovë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Rekë e Allagës, Rugovë.
Burimi i Drinit të Bardhë, Pejë

Zonat e mbrojtura të natyrës në Kosovë më 2014 ishin 116 sosh duke mbuluar një sipërfaqe prej 118.913,95 ha (10.9% e sipërfaqes të Kosovës). Në kuadër të këtyre zonave hyjnë: 11 Rezervate Strikte të Natyrës (“Bifurkacioni i lumit Nerodime”, “Rezervati i Arnenit”, “Maja e Ropsit”, “Rusenica”, “Kamilja”, etj), 2 Parqe Kombëtare (PK “Sharri”, PK “Bjeshkët e Nemuna”), 99 Monumente të Natyrës (“Burimi i Drinit të Bardhë me Shpellën e Radavcit”, “Shpella e Gadimës”, “Ujvarat e Mirushës”, “Gryka e Rugovës”, “Kanioni i Drinit të Bardhë te Ura e Fshajtë”, “Trungu i Rrapit në Marash” etj), 1 Park Regjional i Natyrës (“Gërmia”), 2 peizazhe të Mbrojtura (“Shkugëza” dhe “Pishat e Deçanit”) dhe 1 Zonë e Veçantë e Mbrojtur e Zogjve (“Ligatina e Hencit-Radeves”).[1]

Sipërfaqen më të madhe të zonave të mbrojtura e përbëjnë Parqet Kombëtare: “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri”.

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës është institucioni qendror për ruajtjen e natyrës, monitorimin e gjendjes së vlerave të mbrojtura natyrore në Kosovë.

Klasifikimi i zonave të mbrojtura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Klasifikimi i Zonave të Mbrojtura në Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës është pjesërisht në harmoni me Unionin Botëror për Ruajtjen e Natyrës (IUCN). Zonat e mbrojtura të natyrës sipas këtij Ligji klasifikohen në 7 kategori: rezervati strikt i natyrës, parku kombëtar, zona e veçantë e mbrojtur, parku i natyrës, monumenti i natyrës, peizazhi i mbrojtur dhe monumenti i arkitekturës së parkut.[1]

Rezervatet strikte të natyrës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Maja e Konjushës, Sharr.
Një qen i Sharrit.

Rezervati strikt i natyrës është zonë e tokës dhe/ose ujit e pandryshuar ose shumë pak e ndryshuar dhe është i dedikuar ekskluzivisht për ruajtjen e natyrës së paprekur, hulumtime shkencore të larmisë biologjike, përcjelljen e gjendjes së natyrës si dhe arsimimit nëse nuk rrezikojnë zhvillimin e lirshëm të proceseve natyrore. Për hulumtime dhe vizita arsimore në rezervatin strikt duhet të merret leja nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.[1]

Në rezervatin strikt ndalohet kryerja e veprimtarive ekonomike dhe veprimtarive të tjera. Për rezervatet strikte të natyrës vlen shkalla e I-rë e mbrojtjes dhe ato shpallën nga Qeveria. Nga sipërfaqja e përgjithshme e zonave te mbrojtura, rezervatet natyrore përfshijnë 847 ha. Në Kosovë deri më tash kemi 3 lloje të rezervateve të mbrojtura: rezervate bimore (7), rezervate shtazore (2) dhe rezervate speciale (2).[1]

Në Kosovë ekzistojnë 11 rezervate të natyrës me sipërfaqe të përgjithshme prej 847 ha ose 0.68 % e sipërfaqes së përgjithshme të Kosovës. Prej tyre 4 rezervateve gjenden në brendësi të Parkut Kombëtar “Sharri” (Maja e Arnenit, Rusenica, Pisha e Madhe dhe Oshlaku), 4 gjenden në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” (Kozhnjeri, Gubavci, Malet e Prilepit dhe Maja e Ropsit) si dhe 3 rezervate tjera (Bifurkacioni i lumit Nerodime, kodrina e Kamiljes dhe Gazimestani).[1]

Parqet kombëtare[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Parku Kombëtar Bjeshkët Nemuna, Liqeni i madh në Liqenat, Rugove.

Parku kombëtar është zonë e gjerë e tokës dhe/ose ujit, me vlera të jashtëzakonshme dhe të shumëllojshme natyrore, përfshin një ose më shumë ekosisteme natyrore të ruajtura ose pak të ndryshuara dhe kryesisht dedikohet për ruajtjen e vlerave burimore të natyrës.[1]

Parku kombëtar ka rëndësi shkencore, kulturore, edukativo arsimore dhe rekreative. Në parkun kombëtar lejohen punët dhe veprimtaritë me të cilat nuk rrezikohet natyra burimore. Në parkun kombëtar ndalohet shfrytëzimi ekonomik i të mirave të natyrës.[1]

Në parkun kombëtar lejohen veprimtaritë hoteliere – turistike dhe rekreative të cilat janë në funksion të vizitave, arsimimit, të nevojave shëndetësore – rekreative dhe turistike, bujqësia ekstensive tradicionale, peshkataria nëse nuk rrezikohet ekzistenca e llojeve dhe baraspesha natyrore në pajtim me Ligjin e natyrës dhe planin e menaxhimit.[1]

Në Kosovë ekzistojnë dy Parqe Kombëtare të shpallura nga Kuvendi i Kosovës: PK “Sharri” me sipërfaqe 53 469 ha dhe PK “Bjeshkët e Nemuna” me 62.488 ha. Parqet kombëtare përfshijnë gjithsej 115.957 ha.[1]

Zonat e veçanta të mbrojtura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Zona e veçantë e mbrojtur është zonë e tokës dhe/ose ujit me rëndësi të veçantë për shkak se është unike, e rrallë - reprezentative, ose është vendbanim i llojeve të egra dhe veçanërisht është i rëndësishëm për hulumtime shkencore.[1]

Zona e veçantë mundet me qenë: bimore, mikologjike, e vegjetacionit pyjor, zoologjike - ornitologjike, ihtiologjike, gjeologjike, paleontologjike, hidrogjeologjike, hidrologjike etj. Në zonën e veçantë nuk lejohen ndërhyrjet, punët dhe veprimtaritë të cilat munden me ia prishë veçoritë për shkak të cilave është shpallë zonë e veçantë - grumbullimi dhe shkatërrimi i bimëve, shqetësimi, kapja dhe vrasja e shtazëve, futja e llojeve të reja biologjike, ndërhyrjet melioruse, llojet e ndryshme të ekonomizimit dhe shfrytëzimi tjetër e të ngjashme.[1]

Në zonën e veçantë janë të lejuara ndërhyrjet, punët dhe veprimtaritë me të cilat mbahen ose përmirësohen kushtet të rëndësishme për ruajtjen e veçorive për shkak të cilave është shpallë zona. Në Kosovë ekziston një Zonë e Veçantë e Mbrojtur e zogjve – Ligatina e Hencit - Radeves me sipërfaqe 109 ha.[1]

Parqet e natyrës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Parku i natyrës paraqet zonë të madhe natyrore ose pjesërisht artificiale të tokës dhe ose ujit me karakteristika ekologjik të rëndësisë kombëtare e ndërkombëtare me vlera të theksuara të larmisë peizazhore, edukative-arsimore, kulturo – historike dhe turistike – rekreative.[1]

Në parkun e natyrës lejohen veprimtarit ekonomike dhe aktivitetet tjera me të cilat nuk rrezikohet roli dhe karakteristikat e rëndësishme të tij. Mënyra e kryerjes se aktiviteteve ekonomike dhe shfrytëzimi i të mirave të natyrës në parkun e natyrës përcaktohen me kushtet për mbrojtjen e natyrës. Në kuadër të kësaj kategorie të mbrojtjes ende nuk është klasifikuar asnjë zonë e mbrojtur në Kosovë.[1]

Monumentet e natyrës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shpella e Gadimes, Lipjan.
Ujevara Mirushes

Monumenti i natyrës është pjesë ose tërësi e pjesëve të pandryshuara të natyrës së gjallë ose të vdekur i cili ka vlerë ekologjike, shkencore, estetike ose kulturo-historike dhe/ose vlera turistike.[1]

Monumenti i natyrës mundet me qenë gjeologjik - paleontologjik, mineralogjik, hidrologjik, strukturë gjeologjike, sediment etj, gjeomorfologjik - shpella, humnera, muret shkëmbore, hidrologjik - burime, ujë rrjedhë, ujëvarë, liqe, botanik - ekzemplarë të rrallë ose të rëndësishëm të botës bimore për një lokalitet, lokalitet i vogël botanik ose zoologjik i rëndësishëm për vlerat e tij shkencore.[1]

Në monumentin e natyrës dhe në afërsi të drejtpërdrejt të tij që është pjesë përbërëse e zonës së mbrojtur nuk lejohen veprimtaritë të cilat rrezikojnë karakteristikat dhe vlerat e tij.[1]

Në kuadër të Zonave të Mbrojtura në Kosovë, Monumentet e Natyrës për nga numri zënë vendin e parë me 99 sosh, ndërsa për nga sipërfaqja vendin e dytë me 5.971.95 ha. Prej tyre 2 Monumente janë të Rëndësisë së Veçantë, (Ujëvarat e Mirushës dhe Shpella e Gadimes), 66 të karakterit botanik, 17 hidrologjik, 7 gjeomorfologjik, 9 speologjik.[1]

Monumentet e natyrës në të cilat ka pas ndikime më të mëdha gjatë këtyre tri viteve të fundit janë: Shpella e Gadimes, Ujëvarat e Mirushës, Gryka e Rugovës, Burimi i Drinit të Bardhë me Shpellën e Radavcit, etj.[1]

Peizazhet e mbrojtura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Parku Rajonal Gërmia, Prishtinë

Peizazhi i mbrojtur është zonë natyrore ose artificiale me vlerë të madhe peizazhore dhe larmi biologjike ose me vlerë kulturo-historike, ose peizazh me veçori të ruajtura unikale karakteristike për zonën e caktuar i dedikuar për pushim dhe rekreacion.

Në peizazhin e mbrojtur nuk lejohen ndërhyrjet dhe punët të cilat prishin karakteristikat për shkak të cilit është shpallë i mbrojtur. Në kuadër të kësaj kategorie hyjnë Parku Regjional Gërmia me sipërfaqe prej 1.126 ha, Parku i Shkugëzes me sipërfaqen prej 70 ha dhe Pishat e Deçanit me 15 ha. Gjithsej 1.211 ha.[1]

Monumentet e arkitekturës së parkut[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Monumenti i arkitekturës së parkut është hapësirë e krijuar artificialisht - kopshti botanik, arboretumi, parku i qytetit, dru radhitjet, si dhe format tjera të kopshteve dhe parqeve, përkatësisht trungje individuale ose grupe trungjesh që kanë vlerë të madhe estetike, kulturo-historike, ekologjike ose shkencore.[1]

Në monumentin e arkitekturës së parkut dhe në afërsi të drejtpërdrejt të tij e cila është pjesë përbërëse e zonës së mbrojtur nuk janë të lejuara veprimtaritë ose punët të cilat mund të ndryshojnë ose të prishin vlerat për shkak të cilave është mbrojtur. Në kuadër të kësaj kategorie të mbrojtjes ende nuk është klasifikuar asnjë zonë e mbrojtur.[1]

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lista e zonave të mbrojtura të natyrës në Kosovë

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës Arkivuar 4 mars 2018 tek Wayback Machine

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b c d e f g h i j k l m n o p q r s t u v "Raport për Gjëndjen e Natryrës 2010 - 2014" (PDF). ammk-rks.net. Prishtinë: Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. 2015. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 10 shtator 2016. Marrë më 1 qershor 2016. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)