Hiqmet Meçaj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Hiqmet Meçaj (Ballsh, 2 maj 1944) është një shkrimtar shqiptar që ka lëvruar disa zhanre letrare.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në qytetin e Ballshit, më 2 maj, (varianti zyrtar 15 maj) nga prindër me origjinë nga fshati Kallarat i Vlorës. Babai i tij, Hasani, qe larguar nga fshati që më 1917. Më 1919 bën shkollë xhandërmarie. Më 1920 e gjithë shkolla, me instruktor patriotin Shaqo Derri, marrin pjesë në Luftën e Njëzetës. Është pjesëmarrës i Revolucionit të qershorit, Kryengritjes së Fierit dhe rezistencës antiitaliane të 7 prillit 1939. Kishte mbaruar Akademi Ushtarake në Itali, Firence dhe Romë. Ka shërbyer si postëkomandant xhandarmërie në shumë skaje të vendit dhe së fundi në Ballsh. Në fillim të vitit 1944 duhej të çonte te gjermanët më se gjashtëdhjetë fshatarë, të dyshuar për pjesëmarrje në forcat territoriale partizane, të cilët do t’i pushkatonin. Hasani, bashkë me kolegë të tij shoqërues, vendosën të largohen në mal me të arrestuarit.

1947 Xhaxhai, Skënderi, partizan i orëve të para, luftëtar deri në Jugosllavi, arrestohet papritur dhe dënohet me vdekje. I zbutet dënimi me 101 vjet. Babai, që ndodhej në Fier bashkë me familjen, largohet për në Vlorë dhe strehohet te një nga shtëpitë e Osman Haxhiut, Komandant i Luftës së Vlorës.

1948 Blen shtëpi të rrënuar të pashallarëve të Vlorës në rrëzë të kodrës së Budakut. Aty është rritur edhe poeti vlonjat Nexhat Hakiu.

1951 Pas hedhjes së bombave në Ambasadën Sovjetike, babai pushohet nga puna. Shkon për pak kohë në fshat bashkë me babanë, i cili filloi të bëjë qymyr për ta shitur. Fshati i hapi një botë tjetër.

1952 Me urdhër të drejtorit të shkollës, ngarkon në karro me një bashkënxës libra të vjetër të sekuestruar. Karrocieri u vë zjarrin te fusha e aeroplanit. Pas qortimit të babait, që nga ajo kohë, fillon të lexojë me etje libra dhe t’i dojë si gjë e çmuar.

1952 Shikon për herë të parë njerëz të vdekur. Ishin tre djem të rinj që i tërhoqën zvarrë pas një karroje dhe i përplasën te Sheshi i Flamurit. Qe një pamje që do ta shqetësojë për tërë jetën.

1956 I plas një granatë e vjetër lufte dhe i copëton duar dhe këmbët. Mjeku kirurg e çon në sallë që t’ia presë. Ngul këmbë nëna, Memja: “Më mirë të vdesë se sa të mbetet cung”. Gjymtyrët i ngjiten përsëri me mjekime popullore të një plaku çam. Që atëherë i shikon këmbët si diçka e shenjtë dhe do t’i përdorë gjithnjë edhe për udhëtime të gjata.

1960 Arrestohet papritur babai, në moshën 57-vjeçare, për “gojë të lëshuar dhe pakujdesi në detyrë”.

1961 Për të ndihmuar në gjendjen e mjeruar ekonomike, hyn në verë në punë sezonale në Kombinatin e Konservave. Sëmuret rëndë dhe shpëton mrekullisht nga vdekja. Kalon një vit në Sanatoriumin e Vlorës, ku u përkujdes mjeku zemërflori me origjinë greke, Vlash Çili. Ai vit është vendimtar për lidhjen e tij me letërsinë. Ndikoi sidomos njohja me Lasgush Poradecin dhe piktorin Fatos Nivica, xhaxhanë e këngëtares Ema Qazimi.

1963 Dashurohet marrëzisht me Anën, Noçen e mrekullueshme, dhe përjeton dashurinë e tij të madhe të jetës.

1963 Mbaron shkëlqyeshëm gjimnazin dhe i del e drejta e studimit për në Fakultetin Histori-Filologji, dega gjuhë-letërsi shqipe. Njihet me Xhevahir Spahiun te lista e lajmërimeve e shpallur te ish arka e kursimeve. Fillon që aty një miqësi e madhe vëllazërore që do të zgjasë gjithë jetën. E mban ekonomikisht vëllai, Gafuri, për të cilin është krenar dhe uron që të gjithë të kenë një vëlla të tillë.

1963 Në auditor gjeti ata që do të bëheshin ndër emrat e njohur të letrave shqipe. Janë mbi tridhjetë shkrimtarë, studiues dhe gazetarë, (disa ndër më të shquarit e letrave shqipe), që nga poetët e shkrimtarët: Koçi Petriti, Xhevahir Spahiu, Ndoc Papleka, Faik Ballanca, Koço Kosta, Nasi Lera, Gaqo Bushaka, Halil Laze, Pandeli Koçi, kosovarët Adem Istrefi, Sulejman Krasniqi, Ymer Lugalliu, minoritari grek Foto Qiriazati; gjer te gazetarë e studiues si Spiro Dede, Seit Mansaku, Ilia Lëngu, Shaban Murati, Niko Dako, Fisnik Sina, Thoma Qëndro, Agim Korbi, përkthyesi nga gjermanishtja Aristidh Ristani, apo Kozeta Mamaqi, Tatjana Buda (Haxhimihali), Sami Çabej, Vera Lohja (Ibrahimi), Hilmi Picoka, etj.... Pedagogët e kohës ishin ndër më të shquarit. Mori leksione nga Eqerem Çabej, Selman Riza, Mahir Domi, Shaban Demiri, Jakov Xoxa, Myzafer Xhaxhiu, Mark Gurakuqi, Alfred Uçi, Fatos Arapi, Nexhip Gami, Androkli Kostallari, Koço Bihiku, Zihni Sako, Jani Thomai, Anastas Dodi, Ziaudin Kodra, Stefan Prifti, Henrik Lacaj, Nonda Bulka, Petro Lalaj, etj.

1963 Në tetor boton për herë të parë poezi në revistën “nëntori” së bashku me Dalan Luzajn, djalin e profesorit të arratisur, Isuf Luzaj dhe Xhevahir Spahiun. Boton edhe te “Zëri i Rinisë”.

1964 Pas botimeve të atij viti bëhet emër i njohur dhe pranohet në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë. E thërret vetë kryetari i atëhershëm, eruditi i respektuar Dhimitër Shuteriqi.

1965 Ndërmerr një udhëtim në këmbë, duke u nisur nga malësia e Tiranës, ajo e Krujës, e Matit e deri në malin Munellës të Pukës, prej nga shikon pothuaj gjithë Shqipërinë.

1966 Fiton çmimin e parë në një konkurs mbarëuniversitar me temë për Mjedën.

1967 Mbaron studimet me sukses, boton edhe librin e parë me poezi, kritika e rendit në poetët më të mirë të vendit. Për emërimin e tij shprehet Fatos Arapi në librin me kujtime, se si u interesuan sëbashku me studiuesin Dalan Shapllo, që të emërohej në gazetën e Lidhjes së Shkrimtarëve, “Drita”, gjë që u pengua nga biografia, babai i tij kishte dalë nga burgu një vit para se ai të nisej student. Kurse xhaxhai kishte qenë i dënuar me vdekje. Në këtë pengim mori pjesë edhe shkrimtari Shevqet Musarai. U emërua në fshatin Rexhepaj të Vlorës. Shefi i Seksionit të Arsimit nuk ia jep shkresën e emërimit në dorë, as e uron, por ia hedh përdhe. Drejtuesit e fshatit e stigmatizojnë përditë: “Ç’ke bërë more ditëzi, që të kanë internuar këtu mes baltrave, ndërsa vjershat t’i këndojnë gjithnjë në radio”... Udhëton përditë në këmbë duke përshkuar dy herë nga 35 kilometra, pasi në fshat nuk kishte strehim.

1968 Përfshihet në “Antologji për Skënderbeun”.

1969 Fillon punë në Shtëpinë e Kulturës, Vlorë, gjithnjë me emërim në fshat.

1970 Përfshihet në Antologjinë “Vargje të zgjedhura”, me poetët më të mirë të kohës. Antologjia botohet në disa gjuhë.

1970 Përfshihet në “Antologji e letërsisë për shkollat e mesme”, tekst mësimor.

1971 Martohet me Noçen, duke kurorëzuar dashurinë e tij shumëvjeçare.

1972 Lindet fëmija e parë, Dasantila, që ua zbukuron jetën. Fiton Çmimin e Dytë në Konkursin Kombëtar me librin “Tregime për fëmijë”.

1973 Shoku i kursit universitar, mik i tij dhe redaktor në SH B Naim Frashëri, Pandeli Koçi, e paralajmëron për stuhinë e egër që do të shfryjë mbi letërsinë dhe artet. Tërheq tre libra të gatshëm për botim: romanin “Shpërthimi”, vëllimin poetik “Vazhdimësi” dhe tregimet për fëmijë. Të tre librat i asgjëson.

1974 Në mbledhje të posaçme, organ

izuar nga partia në rreth dhe disa kolegë shkrimtarë mediokër, kritikohet ashpër duke e cilësuar poet hermetik, shkrimtar borgjezo-revizionist. Dritëro Agolli, atëherë kryetar, ndërhyn duke e mbrojtur. Shpëton me vërejtje të ashpër paralajmëruese.

1975 Lind djali, Andi, me të cilin në të ardhmen do të bëhet shok dhe koleg në letërsi.

1976 Kritikohet përsëri ashpër për dramën “Vite të vështira”, duke u lakuar deri për arrestim.

1977 Hyn në mënyrë të paligjshme në një kabinë plazhi, pasi me familjen e tij prej katër vetësh jeton në një kthinë të vogël pa ujë e pa banjë. Policia vjen shpesh herë ta nxjerrë jashtë. E ndihmon Sekretari i Partisë, Viron Kona, njeri i shkëlqyer, i cili i qëndron afër si një vëlla i vogël.

1978 Shkruan dhe vë në skenën e Vlorës dramën “Shqipet e Stërrallëzës”. E shikon shfaqjen ish drejtori i Televizionit, Marash Hajati, i cili e quan të gabuar dhe shumë të rrezikshme. Dramën e kërkon anëtari i Byrosë Politike të PPSH, Manush Myftiu. Pas tre muajsh në ankthin e persekutimit, vjen një përgjigje e papërcaktuar: “Drama të hiqet nga repertori”. Përsëri merr paralajmërim të rëndë.

1983 Sëbashku me muzikantin Haxhi Dalipi dhe regjisorin Besnik Aliaj u bien kryq e tërthor fshatrave të Vlorës dhe krijojnë grupin përfaqësues për Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, duke sjellë në dritë kryeveprat folklorike të njohura sot nga të gjithë. Këtë gjë bënë edhe në vitin 1988. Boton vëllimin poetik “Tokë e pagjumë” i cili vlerësohet me çmimin kombëtar “Libri më i mirë poetik i Vitit” Dekorohet me Urdhërin Naim Frashëri”.

1984 Në diskutimin e bërë në Vlorë për librin e vlerësuar, në vend të fjalëve të mira, kritikohet nga kolegët dhe kuadro të partisë: përse ky libër doli gjashtëmbëdhjetë vjet pas të parit?

1990 Jeton nga afër demonstratat e studentëve. Është dhjetë ditë pranë Dasantilës studente dhe nipave, Benit e Enielit. Përjeton nga afër përpjekjet dhe sakrificat e studentëve për kalimin e Shqipërisë në shtet kapitalist demokratik.

1991 I vëllai, Gafuri, zgjidhet deputet dhe i siguron një vizë për në Greqi. Udhëton për pak ditë sëbashku me Andin. Pikëllohet shumë kur shikon se sa të varfër e ka lënë komunizmi vendin e tij.

1992 Sëbashku me poetin çam Xhemil Lato del në treg në rrugë, sepse me pagën e vogël nuk mund të përballojë mbajtjen e vajzës studente dhe të djalit në liceun artistik të pikturës. Këtë punë e kryen deri më 1994, kur fëmijët mbarojnë shkollën.

1994 Në korrik të këtij vit, sëbashku me dy fëmijët kalon ilegalisht kufirin e Greqisë. Ana ka shkuar gjashtë muaj më parë dhe ka zënë punë në Kallamatë. Më pas shkojnë në Piré e më vonë vendosen në P. Faliro, ku banojnë edhe sot.

1996 Noçja operohet papritur duke hequr njërin gjoks. Fillon një periudhë e gjatë ankthi, kur merr vesh se gruaja e mrekullueshme një ditë do të largohet prej tij dhe fëmijëve.

1997 Në këtë vit të trazirave të mëdha i dëmtohet shtëpia në Vlorë, i asgjësohet biblioteka shumë e pasur, si edhe pothuaj të gjitha dorëshkrimet e deriatëhershme, si dhe arkivi dokumentar për botimet që kishte bërë dhe vlerësimet për letërsinë e tij.

1999 Bëhet nismëtar i “Klubit Drita”. Me kërkesë të Nase Janit, i panjohur atëherë, takohen. Gjatë takimit i propozon Nases të krijojnë shoqatën e shkrimtarëve “Klubi Drita”, gjë që realizohet dhe Nasja edhe sot vazhdon të jetë kryetar. Ky takim është i filmuar nga Andi, i cili atë ditë e kishte kamerën rastësisht me vete, pasi do të xhironte në kopshtin botanik të Athinës. Me ndihmën e çmuar të TOENA-s botojnë dy antologji, prozë dhe poezi më 2001.

2004 Fillon të mbajë një faqe letrare te “Gazeta e Athinës”, ku boton letërsi nga Shqipëri, Kosova, diaspora, si dhe nga e gjithë bota.

2004 Njihet me Akademikun erudit Kopi Kyçyku dhe të birin, shkrimtarin e shkëlqyer Dr. Ardian-Christian Kyçyku. Boton rregullisht në revistën e tyre europiane HAEMUS. Boton rregullisht edhe në shtypin e Shqipërisë, si dhe në Kosovë e diasporë.

2005 Pas nëntë vjet përpjekjesh e mjekimesh, më në fund Noçja dorëzohet më 29 maj. Ikën përgjithnjë ajo që edhe disa muaj para se të mbyllte sytë e lodhur, nuk e la punën, shakatë dhe optimizmin për jetën. As ai, as edhe vajza nuk kishin leje për të udhëtuar. E çojnë në Vlorë sëbashku me Andin, ku i bënë nderet e fundit. E ndihmon për t’u kthyer në Greqi Bashkim Zeneli, ambasador dhe Andi Mahilaj, konsull. U është mirënjohës për tërë jetën.

2008 Bën gati librin me përzgjedhje poetike të 45 viteve krijimtari, romanin “Kukullat e pyllit”, si dhe një përzgjedhje me poezi nga poeti grek Sakturi, përkthyer nga Andi dhe ai. Ndërkohë, që pas vitit 2000 ka botuar disa libra e antologji letrare.

2010 Kthehet përfundimisht në Vlorë, ku jeton së bashku me djalin, Andin.

2013 Me vendim të Këshillit të Qarkut Vlorë Nr.26/1[1], Dt. 22. 11. 2012. Me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë i jepet titulli: “NDERI I QARKUT VLORË”, Z. HIQMET MEÇAJ. Me këtë motivacion: “Për kontribut të shquar në zhvillimin e poezisë moderne shqipe dhe të artit shqiptar”.

2019 I jepet DIPLOMË NDERI nga Akademia Europiane e Arteve dhe Shoqata Kulturore Shqiptare “Haemus”, me motivacionin: “Zotit Hiqmet Meçaj për vlerat e padiskutueshme të veprimtarisë së tij artistike si dhe për moralin e jashtëzakonshëm rrezatues”.

Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Poezi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Nisja, 1967;
  • Ditë pranvere, poezi për fëmijë, 1969;
  • Tokë e pagjumë, 1983;
  • Te ju trokas, 1988;
  • Vetvrasja e qirinjve, 2000; përkthyer në rumanisht nga Kopi Kyçyku dhe botuar më 2008.
  • Kujtesë e shpikur, 2003, botim personal në pak kopje; e përfshirë në antologjitë poetike;
  • Antologji për Skënderbeun, 1968;
  • Vargje të zgjedhura (në disa gjuhë të huaja), 1970;
  • Antologji e shkollave të mesme, 1970;
  • Portat e harresës - antologji e poetëve nga Shqipëria që ndodhen në Greqi, 2001;
  • Qiejt e shpirtit, antologji e poetëve nga Shqipëria që ndodhen në Greqi, 2006;
  • Antologji e poetëve të Vlorës, (shqip dhe italisht), 2004;
  • Shtëpia e diellit dhe e detit, (antologji poetike për Vlorën), 2007;

Prozë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Kukullat e pyllit, roman (botim personal), 2003;
  • Për askund, tregime (botim personal), 2003;
  • Çikpaku, roman për fëmijë (botim personal), 2003;
  • Zinxhiri i anktheve, libër intervistë nga Kopi Kyçyku, 2006, ribot. 2008;

Është i përfshirë në antologjitë e prozës:


FRUMUCETEA CARE UCIDE (BUKURIA QE VRET)-Bukuresht, 2006, me bashkautorë: Faik Konica, Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, Migjeni, Martin Camaj, Anton Pashku, përkthyer dhe botuar në rumanisht nga Kopi Kyçyku.

SHTËPIA MBI RROTA, 2001 (antologji në prozë e shkrimtarëve nga Shqipëria që ndodhen në Greqi) MASKA E DITËS", (antologji në prozë e shkrimtarëve nga Shqipëria që ndodhen në Greqi), 2006.

TREGIME TË ZGJEDHURA TË AUTORËVE VLONJATË- 2006


Është bashkëformulues i antologjive:


SHTËPIA MBI RROTA dhe PORTAT E HARRËS,


si dhe redaktor i antologjive:


QIEJT E SHPIRTIT dhe MASKA E DITËS.


Ka botuar dhe boton rregullisht në shtypin shqip në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë.

Boton rregullisht në revistën HAEMUS të Kopi e Ardian-Christian Kyçykut në Rumani.


Prej 2004 deri më 2009 mban bashkë me të birin, Andin, një faqe te “Gazeta e Athinës”, ku boton letërsi nga Shqipëria, Kosova, diaspora dhe Bota.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ "REVISTA LETRARE ADMET". {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)