Rakip Zeneli

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Rakip Zeneli u lind më 14 janar 1935 në Peqin. Më 1938 vjen familjarisht në Tiranë, ku kryen më vonë edhe arsimin 7-vjeçar. Menjëherë pas shkollës punon mekanik në parkun e autobusëve, ku qëndron deri në vitin 1954. Atë vit shkon ushtar dhe kryen kursin për shofer dhe më vonë deri në përfundim të ushtrisë shërben si shofer edhe instruktor. Në 1957 lirohet nga ushtria dhe fillon punë shofer me autobusët urbanë. Më 1959 fillon punë pranë Kinostudios, si shofer me grupet e ndryshme të xhirimit të filmit dokumentar dhe kronikal. Në vitin 1962 fillon Liceun Artistik për art dramatik, më vonë mbaron edhe ILA dega e Kulturës me korrespondencë. Në vitin 1967 fillon detyrën e re si asistent operator. Në 1969 kalon operator i klasit të III. Puna që ka bërë në Kinostudio si operator filmi që nga viti 1969 është e shumtë, e larmishme, mbasi në zhanrin e filmit kronikal e dokumentar temat e xhiruara kanë qenë të ndryshme. Për të gjitha këto merita të paçmueshme, ai është nderuar me titullin e lartë "Artist i Merituar", me motivacionin: "Si operator i Filmit Dokumentar, ka krijuar shumë filma me nivel të lartë ideoartistik, veçanërisht për krijimin me mjeshtëri të filmave me tema të rëndësishme të kombit tonë". Rakip Zeneli ka vdekur në Tiranë më 6 nëntor 2001. Ndër dokumentarët më të suksesshëm të tij mund të përmendim:

"Shqipëria turistike"

"Fëmijët tanë një këngë të bukur"

"Deri në vdekje"

"Qitëset tona"

"Xhamija Bulu"

"Liqenet e veriut"

"Nënë Shqipëri"

"Tërmeti i 15 prillit 1979"

"Ditë vjeshte në Plasë"

"Artiste në punë dhe në skenë"

"Përvoja e Vrinës"

"Mes dashurisë së njerëzve"