Ramiz Cërnica
Ramiz Ahmeti-Cërnica i lindur më 1903 në familjen Hoxha në fshatin Cernicë të Gjilanit. Lindja e tij ishte mëdhatë jo vetëm për familjen, fisin, fshatin e krahinën, por për tërë Kosovën dhe gjithë Shqipërinë. Më 25 maj është jo vetëm ditëlindja, por edhe ditëvdekja e tribunët popullor, atdhetarit të shquar Ramiz Cernica 1979.
Jeta dhe veprimtaria
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ramiz Ahmeti-Cërnica u lind në Cernicë të Gjilanit në një familje patriarkale, me tradita atdhetare, mikpritëse e bujare. Ishte djali i tretë i Mulla Halimit, bashkëluftëtarit të Idriz Seferit.
Ramiz Cernica është dhe mbetet një nga figurat më të mëdha të historisë së popullit shqiptar e të luftës për çlirim e bashkim të kombit tonë të ndarë padrejtësisht. Ramiz Cernica me veprimin e tij dhe aktin e qëndrimit burrëror e heroik në Kuvendin e Prizrenit më 1945, dha shembullin e madh se si duhet të veprojë biri besnik për interesat e shenjta të popullit dhe Atdheut.
Përfundimi i luftërave çlirimtare nga tri ushtritë tona kombëtare, përfundimisht i ka hapur udhë realizimit të qëndrimit të tij historik : "ME SHQIPËRINË PO, JO ME SERBINË".
Ramiz Cernica në Kuvendin e Prizrenit, të gjithë atdhetarëve, te të gjitha gjeneratave, na e ka mbajtur gjallë ëndrrën për bashkim të Kosovës me Shqipërinë. Ramiz Cernica frymëzuesi i qindra dhe mijëra atdhetarëve, që ishin bërë barrikada të gjalla para pushtuesve, kriminelëve e gjakpirësve serbë, ishte fanari ndriçues i rrugës së lavdishme për çlirim e pavarësi. Ishte udhërrëfyes për gjithë atdhetarët deri me vdekjen e tij.
Edukimi dhe frymëzimi patriotik
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ashtu sikur gjeneratat para tij, edhe Ramiz Cernica ndikohej nga rrethanat politike të kohës. Në formimin dhe zhvillimin e personalitetit të tij ndikoi në radhë të parë edukimi familjar, si dhe luftërat çlirimtare të lëvizjes kombëtare, të cilat si fëmijë i përjetoi. I ati i tij Halim Ahmeti-Mulla Halimi ishte luftëtar aktiv në luftërat e Drenogllavës e të Kaçanikut të vitit 1910. Në këtë kohë Ramiz Cernica ishte në moshën 7-8 vjeçare.
Luftërat Ballkanike dhe Luftën e Dytë Botërore i përjetoi në moshën 12-15 vjeçare. Këto ngjarje historike, luftërat heroike të babait të tij, si dhe realiteti i hidhur i një varfërie totale që mbretëronte te popullata shqiptare u ngulitën në kujtesën e tij dhe lanë gjurmë të pashlyeshme në qenien e tij njerëzore dhe e ngritën moralin e tij njerëzor e patriotik.
Mundësitë shkollimit në Cernicë dhe në rrethin e Gjilanit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Mësimi në shkollën e Cernicës zhvillohej në gjuhën arabe dhe turke, i cili zgjati gjer më 1932. Më 1913 pushteti i Beogradit e zgjeroi objektin e mëparshëm shkollor të Cernicës edhe për dy dhoma mësimi, të ashtuquajtur shkollë shtetërore. Kosta Nikoliq, mbikqyrës i arsimimit të rrethit të Gjilanit e njofton Ministrinë e Arsimit të Serbisë në prill të vitit 1912, se në rrethin e Gjilanit ka fare pak shkolla muslimane, jo vetëm të ashtuquajtura zyrtare, por edhe aso private, mejtepe ku punonin hoxhollarët e fshatrave. Sipas tij në rrethin e Gjilanit punonin katër shkolla zyrtare shqiptare, në Hogosht, Koretin, Rogaçicë dhe Cernicë.
Në këtë kohë në shkollën e Cernicës ishin nxënësit e përzier serbë e shqiptarë. Mësuesi ishte serb. Në këtë shkollë jipte mësim në lëndën e fesë Shaip Rexhepi (Mulla Shaipi), nip i Mulla Halimit.
Në atë kohë shkollimi ishte selektiv dhe për ketë arësye Ramiz Cernica nuk pati mundësi shkollimi. Shkrim-leximin e mësoi si autodidakt. Këtë e avancoi dhe e plotësoi gjatë viteve të shërbimit të tij ushtarak prej tetëmbëdhjetë muajve (1927-1928) në qytetin e Vukovarit. Falë avancimit shkollor, por edhe njohurive ushtarake, që i kishte përfituar gjatë shërbimit në ushtri, i besohet datyra e komandantit të togut.
Shkrim-leximin e ushtroi dhe e persosi edhe gjatë shërbimit 7-8 muajsh në gjandarmëri më 1929 në Kumanovë.
Më 1933 kreu një kurs të makinerisë shirëse dhe bleu një makinë shirëse, me të cilën përmirësoi gjendjen ekonomike jo vetëm të familjes së madhe – Halimi, por edhe të xhaxhait të vet, Mulla Ilazit, vëllait të Mulla Halimit. Kështu në moshën tridhjetëvjeçare, Ramiz Cernica forcohet ekonomikisht.
Në këto rrethana ekonomike e politike, Ramizi formohej e piqej për ndërmarrje e aksione jo vetëm brenda familjes, por edhe jashtë saj në interes të shoqërisë e të kombit në përgjithësi.
Veprimtaria politike dhe atdhetare
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Karriera politike dhe veprimtaria atdhetare e tribunit të dashur popullor - Ramiz Cernica shtrihet në tri periudha historike:
- Periudha e paraluftës
- Periudha e gjatë luftës dhe
- Periudha e pasluftës.
Aktiviteti politik dhe patriotik në periudhën e para luftës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Mbretëria SKS nxori një ligj të ri, kandidatët për kryetarë komune duhej të dinin gjithësesi shkrim-lexim. Të gjithë ata që nuk dinin shkrim-lexim, nuk mund ta ushtronin më tutje postin e kryetarit. Në këtë periudhë karakterizohet angazhimi i Ramiz Cernicës në zgjedhjet për kryetar komune. Gjatë viteve 1929-1934 detyrën e kryetarit të komunës së Parteshit e ushtroi Ademi, vëllai i madh i Ramiz Cernicës. Pasi që Ademi nuk dinte shkrim-lexim, sipas ligjit të ri, nuk mund ta ushtronte më tutje këtë detyrë. Ky ligj ishte një favor i mirë për Ramizin, i cili falë këtyre rrethaneve dhe autoritetit që gëzonte në popull, shfrytëzoi rastin që të merrte pjesë në zgjedhjet elektorale më 1934 për kryetar të komunës së Parteshit. Kundër-kandidat kishte serbin Kërstiq. Ramiz Cernica fitoi shumicën e votave, sepse për të kishin votuar jo vetëm shqiptarët, por edhe shumë serbë. Ramiz Cernica kandidoi edhe në mandatin e dytë për kryetar komune (më 1938). Kundër-kandidat kishte Daut Rexhepin. Edhe në mandatin e dytë fitoi shumicën e votave. Për qatip (sekretar) kishte Musa Ilazin. Policë ishin: Hasan Ali – Remniku, Fejzë Remniku, Tafë Radivojci, Sejdi Abazi, Hasan Agushi etj. Komuna e Parteshit përbëhej nga këto fshatra: Parteshi, Cernica, Gumnishta e Poshtme, Gumnishta e Epërme, Livoçi i Poshtëm, Budrika e Poshtme, Budrika e Epërme, Radivojci, Nasala dhe Remniku. Ramiz Cernica si kryetar komune kishte ngritur autoritetin, si njeri i drejtë, parimor dhe mbrojtës i të gjithëve pa marrë parasysh nacionalitetin. Ai kishte një reputacion, një nderim në gjithë Anamoravën. Qëndrimi i tij ishte me orientim demokrat. Ishte mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe përfaqësonte ekskluzivisht të drejtat e popullatës. Ai reagonte kundër çdo lloj diskriminimi, qoftë ndaj shqiptarëve, qoftë ndaj pakicës serbe. Shumëherë merrte pjesë në pleqësime të ndryshme për të zgjidhë konflikte e ngatërresa, për të bërë pajtime të njerëzve në mesveti. Për këtë çmohej si njeri i drejtë dhe fjala e tij kishte peshë. Ai karakterizohet me këto cilësi: guximi, vendosmëria, drejtësia, uniteti dhe humaniteti. Përmes këtyre cilësive zuri miq jo vetëm në Anamoravë, por gjithandej nga kishte shetitur e punuar. Si njeri i këtillë, ai ra së shpejti në konflikt me politikën hegjemoniste, kolonizuese e grabitqare të Mbretërisë SKS.
- Konflikti i parë i Ramiz Cernicës ishte ai me inxhinierin Bozho Maksimoviq, i familjes së Kamenogllavëve të Gjilanit, i cili ishte caktuar të zbatonte Reformat Agrare, i cili duke i zbatuar këto reforma, uzurponte tokat shqiptare. Ramiz Cernica kundërshtoi ashpër këtë padrejtësi ndaj popullit shqiptar, të ashtuquajturën Reformë Agrare, kolonizimin e Kosovës si dhe shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve për në Turqi. Pushteti i atëhershëm në vend që të respektojë ligjin dhe të marrë masa ndaj Maksimoviqit, e burgosë Ramiz Cernicën. Popullata e komunës së Parteshit dhe e rrethit të Gjilanit e kundërshton në mënyrë të jashtëzakonshme këtë burgosje të padrejtë. Presioni ishte aq i madh saqë pushteti ishte i detyruar ta lirojë atë nga burgu. Ky konflikt i dha kurajë Ramiz Cernicës që të vazhdojë me qëndrime të tilla për mbrojtjen e interesave të popullit. Me këtë gjest dhe me këtë vepër në interes të popullit, Ramizi fitoi besim dhe autoritet edhe më të madh te popullata e Anamoravës. Përmes reagimeve publike përpiqej ta bind popullatën të mos shpërngulej për Turqi apo në vende tjera.
- Konflikti i dytë i Ramiz Cernicës me pushtetin monarksit të Mbretërisë SKS ishte ai me banin e Banovinës së Vardarit të Shkupit. Shkaku i këtij konflikti ishte kaçaku i njohur i asaj kohe, Tafë Kabashi. Popullata shqiptare shtypej e keqtrajtohej nga kolonistët serbomalazezë. Ndihmë nga regjimi i kohës nuk kishte. Për këtë arësye, në mungesë të interesimit shtetëror, përgjegjësinë për mbrojtjen e popullatës së pafajshme në rajone të ndryshme e merrnin kaçakët përsipër. Kështu Tafë Kabashi, duke mbrojtur popullatën e shtypur e keqtrajtuar shqiptare kishte vrarë një kolon serbë. Kjo vrasje bëri bujë të madhe dhe krijoi një atmosferë tensionuese në Anamoravë. Për këtë qëllim bani i Shkupit erdhi në Viti më 1939. Ai urdhëroi të tubohen të gjithë kryetarët e komunave të rrethit të Gjilanit që të vinin në takim me të. Ai mbajti një fjalim arrogant e mospërfillës para të gjithë kryetarëve të komunave të Gjilanit, i cili më tepër ishte një kërcënim se sa fjalim. Qëllimi i tij ishte që t’i thyente kryetarët e pastaj të vepronte me ta sipas dëshirës së tij. Ai iu kërcënua kryetarëve se nëse nuk e zënë Tafë Kabashin, kaçakun e rrezikshëm brenda 24 orëve, atëherë do të vriten 100 shqiptarë për një serb. Te të pranishmit mbretëronte heshtja. Të gjithe mbanin kokat e ulura. Kjo heshtje i pëlqente banit të Banovinës së Shkupit, sepse në njërën anë e konsideronte si fitore psikologjike mbi ta dhe në anën tjetër kjo heshtje e kushtëzonte vetvetiu përgjegjësinë për faj kolektiv. Në ndërkohë reagon Ramiz Cernica, në cilësinë e kryetarit të Parteshit: “Mos u frikësoni vëllezër, sepse nuk ka ligj në botë që parasheh njëqind për një, por vetëm kokë për kokë, e kjo s’është detyra jonë, po juaja.” Pastaj i drejtohet banit, “Ju paguani xhandarë, ata marrin rroga për të mbajtur rendin dhe nëse keni guxim, urdhëroni e zini Tafën. Ja ku e kini, në mal, e mos i bini në qafë popullit të pafajshëm!” Ky ishte një guxim i madh i Ramiz Cernicës. Për këtë arësye xhandarët e naçallnikët serbë filluan ta përcillnin në çdo hap, duke i vënë prita për ta liquiduar. Truproje besnike kishte Fazli Myrtën e Ranatovcit, kryetarë në Zhegër, si dhe policët Hasan Remnikun e Sejdi Abazin. Një nga këto prita ishte edhe ajo prita e vënë te Kodra e Parteshit, por falë vigjilencës së truprojave të tij, Ramiz Cernica i shpëton vdekjes së sigurtë.
Aktiviteti politik dhe patriotik në periudhën e gjatë luftës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 6 prill 1941 sulmohet Mbretëria SKS, e cila brenda një jave okupohet. Pas kapitullimit të Jugosllavisë së vjetër, Kosova ndahet nga aleatët e boshtit , në tri zona okupuese: gjermane, italiane dhe bullgare. Këto zona kishin territor dhe kufinj të caktuar. Mirëpo, derisa të arrijnë në Kosovë forcat okupuese aleate të gjermanëve, siç ishin italianët, hungarezët,rumunët e bullgarët, në rrethin e Gjilanit serbët e shfrytëzojnë momentin historik për të mbizotëruar në këtë territor, duke e emëruar për kryetar të nënprefekturës çifutin farmacist Jan Tankosiq, edhe pse pjesa dërrmuese e popullatës kishin përkatësi kombëtare shqiptare. Isak Sherifi intervenon shpejtë te Xhafer Deva në Mitrovicë, i cili e shkarkon Jankun, duke e emëruar për nënperfekt Ramush Cvircën, kurse sekretar të tij e emëron Isak Sherifin. Më vonë nënperfekt i Gjilanit u emërua Rifat Berisha (1942-1943). Pas transferimit të tij në Rahovec, në Gjilan emërohet nënperfekt Miftar Spahia. Kështu Ramiz Cernica edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore ushtroi detyrën e kryetarit të komunës së Parteshit (1941-1944). Ashtu sikur në periudhat e mëhershme, edhe brenda viteve 1934-1941 Kosova kolonizohej me serbë e malazezë, gjersa popullata shqiptare shpërngulej për në Turqi. Ramiz Cernica si kryetar komune, nuk mund të rrinte indiferent. Në Anamoravë ishte i njohur rasti i shpërnguljes së popullatës shqiptare të fshatit Remnik nga zona okupuese bullgare në zonën italiane (shtator 1941). Ramiz Cernica e Hasan Remniku përgatitën një aksion, me ç’rast paralizuan në mënyrë të shpejtë e të rrufeshme forcat bullgare dhe patrullën kufitare të tyre. Kjo ngjarje u përjetësua edhe në këngën popullore: Ky bullgari shka po maron, zullum t’madh nër shqiptarë po ban Hasan Remniku ni burrë azgan Drejt te Ramizi ai po shkon Ramiz Cernica ni burrë azgan Meniherë ai besën ja ka dhanë Krejt Remniku janë rehatue Ramiz Cernicës rahmet i kan knue. ̈*| Në prill të vitit 1943[1], Aradha Partizane Shqiptare “Emin Duraku” në krye me Fadil Hoxhën ishte rrethuar nga italianët në malet e katundit Livoç i Epërm. Duke i konsideruar italianët okupatorë, Ramiz Cernica nën sugjerimin e këshillimin e nënperfektit të Gjilanit, Rifat Berishës, çau rrethimin e italianëve, dhe në këtë mënyrë shpëtoi Aradhën Partizane Shqiptare. Ndërsa, Ramadan Jusufi, kryetar i komunës së Bresalcit, e ndihmoi këtë aradhë me strehim dhe ushqim. Në shtator të vitit 1943 kapitulloi Italia dhe filloi të tërhiqet me tërë potencialin luftarak. Në Gjilan ka qenë një regjiment i ushtrisë italiane. Ramiz Cernica, së bashku me Hasan Remnikun e Ismail Sherifin zunë pritën te ura e Cernicës, për t’ua ndërruar drejtimin forcave italiane të mos hyrë në fshat për të bërë masakrime. Shqiptarët e prishën urën që të mos munden të kalojnë kamionë e mjete të tjera transportuese ushtarake në drejtim të Ferizajt. Nga ana e urës kishte mjaft shqiptarë, kurse nga ana e Cernicës kishin zënë pritën vetëm dy persona, Raif Halimi (i biri i Ramiz Cernicës) dhe një kushëri i tij. Ishin vetëm dy pushkë, kurse nga ana e italianëve gjuanin me mitralozë. Ramiz Cernica e Hasan Alia-Remniku informohen se ai front po mbrohet vetëm nga dy vetë dhe ju shkojnë në ndihmë. Në kodër të Gjilanit i dorëzuan italianët armët. Ramiz Cernica dhe Hasan Remniku shkojnë edhe te shtabi i italianëve në Gjilan dhe nëpërmjet dritareve futen brenda në shtab dhe i detyrojnë italianët të dorëzohen. Më 9 shtator të vitit 1944 kapitulloi Bullgaria. Pas tërheqjes së trupave bullgare nga vija kufitare e përkohshme e Moravës, fshatrat e Karadakut e të Preshevës u sulmuan natën e Bajramit (19 shtator të vitit 1944) nga aradhat serboçetnike. Ramiz Cernica mori pjesë aktive në luftë në frontin e Preshevës dhe me autoritetin e tij, bëri që të mobilizohen shumë vullnetarë të kësaj ane, të cilët ndihmuan vëllezërit e tyre në luftë, për mbrojtjen e kufirit të Kosovës Lindore. Ramiz Cernica mori pjesë në atë front lufte jo vetëm si luftëtar i thjeshtë, por si komandant i frontit në vijën e hekurudhës. Luftimet më të mëdha u zhvilluan te lumi i Raincës, nën udhëheqjen e trimit Ajet Rainca. Më vonë këtë lumë, për shkak të kufomave të shumta, populli e quajti “Reka e Gjakut”. Pas fitores së luftës kundër armiqëve, u vendos kufiri i përkohshëm përgjatë Udhës së Frengut. Për tre muaj rresht komandant dhe mbikqyrës i këtij kufiri ishte Ramiz Cernica. Pas ripushtimit të Kosovës nga forcat partizane çetnike dhe pas “çlirimit” të Gjilanit më 16 nëntor 1944, nisë masakrat në trevën e Anamoravës, duke djegur shtëpi e fshatra, duke torturuar popullatën e pafajshme, duke burgosur e liquiduar. Vetëm në Gjilan e në rrethinë, u vranë rreth 8000 shqiptarë. Aradhat partizane, në këtë mënyrë mbillnin frikë e pasiguri te popullata shqiptare. Ramiz Cernica përpiqej t’i këshillonte njerëzit që të mos humbnin durimin, sepse qëllimi ishte që shqiptarët ta ndjenin veten se ishin në “tokë të huaj”. Ky aktivitet ia prish planet partizano-çetnikëve, prandaj edhe e burgosin atë duke e dërguar fshehtas në Lagjen e Varoshit, të cilin rastësisht e me mjeshtëri e zbuloi i biri i tij, Raif Halimi. Me ndihmën dhe ndikimin autoritativ të Rifat Berishës lirohet nga burgu. Mirëpo Ramiz Cernica ndiqej dhe përcillej në çdo hap dhe çdo aksion nga partizano-çetnikët, duke inskenuar plane që ta privonin nga liria. Ata shpifnin në të gjitha anët se Ramiz Cernica na qenka një element shumë i rrezikshëm. Këtë e dëshmon edhe fakti, se kur arriti Aradha Shqiptare në Cernicë, me emërtimin regjimenti “Kosova” e arrestuan Ramiz Cernicën (1944), të cilin duarlidhur e dërguan nga Cernica në Gjilan. Pas intervenimit të shpejtë të Kadri Halimit dhe të Hasan Dylgjerit (Hasan mësuesit) lirohet nga aradha shqiptare, e cila edhe i kërkoi falje për këtë sjellje të vrazhdë, duke i thënë: “Ramiz, siç po shihet situata, ti këtu nuk paske vend, ndaj është më mirë për ty që të vish me ne.” Në momentin kur ushtari shqiptar në mënyrë indirekte ia bën me dije se ai do të duhej të shpërngulej, Ramizi i përgjigjet shkurt: “Unë dua të jem pranë popullit tim, dhe të mirën e të keqen dua ta ndaj me të. Kurrë nuk do të ik nga vendi im, por këtu do të vdes.”
Aktiviteti politik dhe atdhetar në periudhën e pas luftës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kuvendi i Prizrenit (8, 9 dhe 10 korrik të vitit 1945)
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Një meritë të veçantë në jetën dhe veprimtarinë e tij patriotike zë kapitulli ose akti ku Ramiz Cernica duke përfaqësuar interesat e çështjes kombëtare u tregua trim i qëndrueshëm me karakter të fortë e vendosmëri të paluhatshme, me ideale të larta, vigjilent e vizionar.
Më 8, 9 dhe 10 korrik të vitit 1945 u mbajt Kuvendi i Prizrenit, me qëllim që popullata e Kosovës të shpreh vullnetin e lirë për bashkimin me Shqipëri apo me Serbi. Për këtë Kuvend ishin marrë masa dhe përgatitje paraprake nga pushteti partizanoçetnik për aneksimin e dhunshën dhe zyrtarizimin e pushtetit të Kosovës nga Serbia. Në këtë mënyrë Kuvendi i vullnetit të mirë e të lirë të popullit u shndërrua në një Kuvend famëkeq, i cili shkeli dhe përdhunoi në mënyrën më të vrazhdë të gjitha premtimet e dhëna gjatë luftës dhe vendimet e Konferencës së Bujanit.
Në të morën pjesë 137 delegatë dhe të ftuar të tjerë, nga të cilët vetëm 32 ishin shqiptarë. Vetëm 7 % e popullatës serbe përfaqësohej nga 105 delegatë.
Në mesin e këtyre shqiptarëve që morën pjesë në këtë Kuvend ishte Ramiz Ahmeti-Cernica si delegat i rrethit të Gjilanit. Me këtë rast Ramizi pati guxim që haptas të deklarojë se është kundër aneksimit të Kosovës nga ana e Serbisë, duke shprehur njëkohësisht vullnetin e popullit të Kosovës për bashkim me Shqipërinë. Kjo paraqitje e Ramizit në këtë konferencë shkaktoi një tollovi dhe një tërbim të egër të udhëheqësve të Kosmetit, sidomos të Ali Shukriut, kështu që Ramizit ia ndërprenë fjalën dhe kryesia e punës dha një pushim, ndërprerje të shkurtër të punës, sepse u pa se pas Ramizit, të inkurajuar nga fjala e tij, i ngrenë duart për të marrë fjalën edhe ca delegatë të tjerë. Ky deklarim i hapur e i guximshëm i kushtoi shumë shtrenjtë Ramizit. Më pastaj pushteti antishqiptar në Gjilan e dënoi me 20 vjet burg të rëndë.
Më 25 maj 1993, Xhelal Ramadani këndoi këngën në Cernicë për këtë ngjarje “Ramiz Cernica flet n’kuvend”ː “Priti e foli Ali Mitrovica -Mos e ngoni shka flet Ramiz Cernica, se me folë ky edhe ner vorre, i shkojnë populli permas taborre. Po s’ja muert Ramizit fjalën, Serbia e humbi sot Kosovën. Si vetima ai Ramiz Cernica, u çue n’kamë kah Ali Mitrovica: -O Ali, Ali Mitrovica ti gjithmonë ke folë me spica. O Ali-o, ty t’vraftë buka! ty t’vraftë buka e popullit shqiptar, s’e kem ditë që je tradhtar, ty t’vraftë uji edhe buka, a kujton se t’u tuta, që t’nimova sikur vlla, po ti sot m’dole has shka.”
Shpalime kujtimesh të Kadri Halimit për tribunin e popullit Ramiz Cernicën
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]JETA DHE VEPRIMTARIA PATRIOTIKE E TRIBUNIT TË POPULLIT – RAMIZ CERNICA (1903-1979), (marrë nga arkivi personal i dr.Mehmet Halimit), Rrëfimi i Ramiz Cernicës, thënë Kadri Halimit, është në vijim: “-Sot jemi mbledhur ne të deleguarit e popullit të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit për të shprehur vullnetin dhe dëshirën e popullit (shqiptar) të kësaj Krahine.Unë jam i deleguar i popullatës së rrethit të Gjilanit. Këtu sot do të vendoset për fatin e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit. Siç dëgjova nga referati i paraqitur pak më parë, Partia paska vendosur që Krahinën tonë t’ia bashkojë Serbisë pa e pyetur farë popullin e saj.Unë shpreh mospajtimin tim me këtë synim e prejudikim. Populli i Krahinës sonë është kundër bashkimit me Serbinë. Ai është për bashkim me Shqipërinë. Për ne Serbia është njerkë, kurse Shqipëria është nënë. Kush kujdeset më fort për evladin e vet – nëna apo njerka? U muar vesh se nëna kujdest me gjithë zemër e pa hile, kurse njerka gjithherë thjeshtrit i bën hile e padrejtësi. Pra, unë jam për t’iu bashkuar Kosmeti Shqipërisë, sepse me këtë po shpreh dëshirën e popullit. Kjo dëshirë e popullit për bashkim me Shqipërinë është shprehur e shkruar edhe në Rezolutën e Konferencës së Bujanit. Gjatë luftës në këtë drejtim e kuptim i kemi folur edhe popullit tonë. Domethënë fjalët i kemi pasur ndryshe, e sot na doli krejt e kundërta. Nuk dua që brezat e rinj të më mallkojnë përjetë, prandaj po them, me Serbinë –JO!, me Shqipërinë – PO! Kam shpresuar se Ushtria Partizane dhe pushteti i ri i vendosur do të jetë i drejtë. Mirëpo, nuk na doli ashtu. Partizanët të përzier me çetnikë dhe drejtuesit e këtij pushteti të quajtur popullor, brenda shtatë muajve treguan fytyrën e vet. Ju na vratë, na pretë, na masakruat , na burgosët e na gjykuat vend e pa vend e pa pikë faji, sepse gjatë okupacionit, shqiptarët nuk janë sjellë keq ndaj serbëve dhe nuk u kanë bërë zullum. Pra, unë nuk po shoh ndonjë dallim ndërmjet këtij pushteti popullor dhe atij jopopullor të paraluftës. Të gjitha të këqijat na i keni bërë, vetëm se hala nuk keni filluar të na shpërngulni për në Turqi si Jugosllavia e krajlave.” "Kur dëgjoi Kryesia e Punës se ç’po fliste Ramiz Cernica, u ngre Ali Shukriu ia ndërpreu dhe ia mori fjalën këtij diskutuesi. U propozua një pushim e ndërprerje e shkurtër e konferencës, sepse pas Ramizit, ngrenë gishtat dhe kërkuan fjalë edhe disa delegatë të tjerë për ta mbështetur qëndrimin e Ramizit. Me të dalë nga salla e Konferencës, siç ka treguar xhaxhai im Ramizi, m’u afruan Fadil Hoxha dhe Xhavit Nimani dhe duke më marrë ndërmjet tyre, së bashku me ta morëm rrugën drejt Sheshit të Shadërvanit të Prizrenit. Këta dy në bisedë e sipër i kishin thënë Ramizit: “-Ramiz, deri këtu e deri më tash sa kemi mundur të kemi ruajtur, kurse tash e mbas nuk mund të mbrojmë më. Ruaju se është droje që mund të vrasin serbomalazezët që tash në rrugë.” Pasi shpëtoi nga vrasja e atypëratyshme, Ramizi udhëtoi për në Gjilan, pa përfunduar mbledhja. Mirëpo, në Gjilan menjëherë e burgosën dhe e dënuan me 20 vjet burg të rëndë, kurse prokurori Gorolub Popoviqi me këmbëngulje kërkonte dënim me vdekje. Nuk bëri para as deklarata e dhënë me shkrim për gjykatën nga ana e Fadil Hoxhës për ndihmë që Ramizi i kishte dhënë Aradhës Partizane me Fadilin në krye, të rrethuar nga italianët në malet e Livoçit të Epërm në pranverë të vitit 1943. Madje, Fadili me urdhër të Partisë e kishte tërhequr deklaratën e dhënë. Nuk bënë para as dëshmitë e serbëve të Komunës së Parteshit se në këtë komunë në saje të Ramizit si kryetar nuk ishin bërë zullume e dhunime kundër serbëve vendës. Ndërkaq Gjykata ushtarake e Shtabit Opertiv në Prishtinë ia dënoi me vdekje edhe djalin, Raifin, dënim të cilin më vonë ia zëvendësuan me 20 vjet burg të rëndë. Raifin e dënuan për arsye se si komisar i Batalonit Partizan të Rinisë në Drenicë, me tërë batalionin e vet kishte kaluar në anën e Shaban Polluzhës dhe përse kishte organizuar likuidimin e Shtabit të Brigadës në Prekaz. Sa më kujtohet, në Konferencën e Prizrenit, të deleguar nga rrethi i Gjilanit ishin: Ramiz Cernica, Mehmet Krileva, Adem Stançiqi dhe Sinan Hasani. Ky i fundit nënshkroi edhe Rezolutën apo Vendimin e kësaj Konference të Prizrenit. Këta delegatë i kam parë vetë në Prizren, sepse asokohe isha nëpunës i thjeshtë në Këshillin Krahinor në Prizren, ku punoja në Seksionin e Bujqësisë dhe më vonë në atë të tregtisë. Kryeja zakonisht punë daktilografie dhe punë të tjera administrative." Selim Selimi në “Bujkun” e datës 23.XII.1995 shkruan: "Pas Konferencës së Bujanit, më 31.XII.43 dhe 1 e 2.I.44 dhe Rezolutës së saj për vetëvendosje e bashkim të Kosovës me Shqipërinë, në radhët e luftëtarëve të Aleancës Antifashiste rreshtuan mbi 53.000 shqiptarë pjesëmarrës të LNÇ-së, të cilët në kushte shumë të vështira dhe në rrethana të pasigurisë jetike, u gjetën në luftë kundër okupatorëve në të gjitha anët e Jugosllavisë që nga Gjevgjelia e deri në Trieshtë. Kështu Kosova u zbraz nga luftëtarët e saj dhe Serbia e bëri aneksimin e Kosovës në korrik të vitit 1945 nën rrethana të administrimit ushtarak. Për ta justifikuar e zyrtarizuar aneksimin e Kosovës, Serbia organizoi një Konferencë në korrik të vitit 1945 në Prizren për ku caktoi edhe delegatët nga të gjitha rrethet e Kosovës. Në këtë Konferencë mori pjesë edhe Ramiz Cernica, i cili gjatë mbledhjes pati guxim që në fjalën e vet ta thotë hapur e troç se është kundër aneksimit të Kosovës nga Serbia, duke shprehur vullnetin e popullit shqiptar për bashkim me nënën Shqipëri. Për këtë Jo të madhe pësoi pasoja – u dënua me 20 vjet burg të rëndë." Ja se ç’thotë 88 vjeçari Ilaz Hajdin Brahimi, anëtar i Rojës Partizane në Sojevë dhe korrier i Komitetit të Rrethit në Ferizaj: Prizren (në 27 korrik 1945). "- Votova për Tiranën, thoshte Ramizi. Veprova ashtu siç ishim marrë vesh dhe siç i kishim premtuar popullit. Kjo për mua dhe për djemtë e mi do të ketë pasoja. Isha dhe jam i vetëdijshëm për këtë, por pasojat e politikat janë të përkohshme, burrëria dhe atdhetaria janë të përhershme, të pavdekshme." Rexhep Bunjaku, delegat nga Shkupi, i burgosuri politik, anëtar i LNDSH, në tribunën kushtuar Ramiz Cernicës (2007) rrëfenë: “-Për mua ka qenë diçka e jashtëzakonshme kur kam shkuar aty, ku mbahej Kuvendi. Në të vërtetë, kur qemë afruar te salla na bëri përshtypje ambienti: objekti i sallës, ku mbahej konferenca ishte e rrethuar me dy radhë ushtarësh dhe milicësh, të gjithë të armatosur. Ishte një situatë e çuditshme, dukej e tensionuar, ndonëse paraprakisht asgjë nuk kishin paralajmëruar. Gjithë ajo roje e kishte domethënien e vet e që ne, që futeshim në sallë pa ditë makinacionet, nuk e kuptonim. Kur kam hyrë brenda kam parë disa delegatë serbë nga Ferizaj, që i njihja. Ata ishin në sallë me plisa të bardhë në kokë. Natyrisht se, ata serbë, nuk njiheshin nga të tjerët, por ata si “delegat” i kishin zënë vendet në sallë. Më kujtohet se, në një moment, u bë një tollovi në podium që ishte ngritur si lloj skene. Kjo ndodhi para se të lexohej referati kryesor, dhe atë referat e lexoi Bllagoje Neshkoviq, që kishte ardhur nga Beogradi. Në referat në mënyrë të qartë u lexua aneksimi i Kosovës. Folësi pas këtij referati, e hodhi poshtë atë që u lexua si vendim i komiteteve republikane dhe krahinore. Por, pa e kryer fjalën, atë me forcë e zbritën nga foltorja dhe e larguan nga salla. Unë, asokohe, nuk i nihja njerëzit, delegatët që ishin aty, dhe nuk arrita ta njihja njeriun që e nxorën me dhunë nga salla. I përcjellja reagimet e të tjerëve. Aty afër meje dhe babës tim, ishte Shukri Dogani, i cili i tha babës: “Rifat, na e shitën Kosovën. Na tradhtuan!” Kurse baba ia ktheu: “A je ne veti, ç’po flet? A nuk e pa se çka i ndodhi atij njeriu që reagoi?” Unë, vërtetë, si i ri – nuk kuptoja se ç’ndodhte, se ç’farë ishte përgatitur. -Domethënë, ai që u nxor me dhunë nga salla, ishte Ramiz Cernica? -Në burg e kam pyetur agën Ramiz: - A ishit ju i larguar me dhunë nga salla ku mbahej Kuvendi i Prizrenit? Ai pat qeshur, nuk qe përgjegjur, veç pat thënë: “Historia do ta dëshmojë!” Mulla Kamber Krasniqi, nga fshati Dajkoc i komunës së Dardanës, delegat në këtë Kuvend rrëfen për këtë ngjarje: “- Ramiz Cernica para foltores me zë të lartë tha se populli shqiptar andej dhe këndej Bjeshkëve të Nemuna u tradhtua nga Serbia dhe Jugosllavia. Ushtria partizane jugosllave vrau mizorisht disa dhjetëra mijë shqiptarësh të pafajshëm: fëmijë, gra, pleq, plaka; plaçkiti pasyritë e tyre, shtëpitë ua dogji, serbë e malazez solli dhe po sjellë çdo ditë si kolonizatorë në pasurinë e shqiptarëve në Kosovë. – Unë para kësaj foltore jam për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, e jo me Serbinë.”- përfundoi fjalën e vet Ramiz Cernica. Mulla Kamber Krasniqi rrëfenë jo vetëm për tollovinë në sallë që shkaktoi ky fjalim, por ai përshkruan edhe masat e ndërmarra brenda pushimit të shkurtër “kinse disa minuta”, që zgjati më se një orë. “-Para Kuvendit filloi nga puna roja ushtarake dhe e milicisë, e cila qëndronte në hyrjen kryesore e përbërë nga dy ushtarë dhe dy milicë me armatim të lehtë. Gjatë ndërprerjes së punës së Kuvendit roja ishte katërfishuar me ushtarë dhe milicë; në hyrje dhe në tri anët e ndërtesës ishin vendosur edhe pushkëmitroloza të rëndë të mbështetur në thasët e mbushur me rërë. Kur, pas pushimit filloi punën Kuvendi, në sallë ishin delegatët dhe mysafirët më të lartë të Kosmetit. Salla u përmbush përplot me njerëz. Secili delegat u gjend në mes të dy personave civilë, që në të vërtetë ishin oficerë të OZN-ës, me revole në brez. Ata ishin serbë ose malazezë. Dy civilë të tillë ngadalë, si me pëshpërimë, më kërcënuan, në serbishte, me fjalët: "- Hoxhë Krasniqi, nëse do të diskutosh, ke mendjen si diskuton dhe çka do të thuash për ardhmërinë e Kosmetit. Ti duhesh të kërkosh që Kosmeti t’i bashkohet vullnetarisht Serbisë.” Jo-ja e Ramiz Cernicës, më 1945 kundër bashkimit të Kosovës me Serbinë e ka pasur, e ka dhe do ta ketë peshën dhe rëndësinë e vet historike kombëtare e botërore; ka qenë, është dhe do të jetë simbol i trimërisë dhe i guximit në analet e historisë, në të kaluarën e në të tashmen se si një patriot duhet t’i mbrojë interesat kombëtare e t’i kundërshtojë tendencat shfarosëse të armikut. Tre muaj para se të mbahej Kuvendi i Prizrenit, më 25 Prill 1945 u mbajt Gjyqi Ushtarak i Shtabit Operativ në Prishtinë, i kryesuar nga Fadil Hoxha, i cili dënoi 5 veta me pushkatim dhe dy të tjerë me nga 2 vjet burgim të rëndë. Ata që u denuan me pushkatim ishin: 1. Komandanti Isuf Ibrahimi nga Gjilani; 2. Xhafer Lladova nga Lladova; 3. Abdyl Hyseni, 4. Shaban Cernica dhe 5. Raif Halimi (djali i Ramiz Cernicës), që të tre nga Cërnica. Ekzekutimi i tyre u bë në burgun e Pejës, ndërsa nga pushkatimi shpëtoi vetëm Raif Halim - Cërnica, të cilit dënimi iu shndërrua në 20 vjet burg të rëndë, prej të cilave pothuaj 18 vjet burg të rëndë i mbajti në kazametën e Mitrovicës së Sremit. Gjatë këtij pushimi të dhunshëm, ndër të tjera Fadil Hoxha i thotë Ramiz Cernicës: „Ramiz, e kam një sihariç për ty. Djalit tënd, Raifit, iu ka falur jeta, por është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Ai është i sëmurë nga tifoja e morrit dhe gjendet në spital të Pejës. Edhe pse Fadil Hoxha e këshillon të mos shkojë në Pejë se mund ta vrasin ata të Brigadës së Gjashtë Malazeze, Ramiz Cernica e lëshon Kuvendin para kohës dhe niset për në Pejë që ta shohë djalin e tij Raif Halimin. Për diskutimin e tij të guximshëm dhe të vendosur në Kuvend të Prizrenit, pushtetarët e asaj kohe, reaguan shpejtë, të cilët i kishin vënë menjëherë pusi Ramiz Cernicës te Qafa e Dulës për ta vrarë në kthim nga Prizreni. Me shkuarjen e tij në drejtim të Pejës, i shpëtoi likuidimit të sigurtë. Mirëpo, më pastaj, me arritjen e tij në Cernicë arrestohet. Gjyqi ushtarak, në mungesë të fakteve e liroi si të pafajshëm. Edhe pse u shpall i pafajshëm nuk u ndërprenë ndjekjet e përcjelljet e UDB-es ndaj tij. Në shtator të vitit 1946 burgoset përsëri, me ç’rast dënohet me 20 vjet burg të rëndë. Madje, Prokurori Publik Gernolub Popoviqit kërkoi t’i shqiptohej dënimi me vdekje- pushkatim, duke e arsyetuar se Ramiz Cërnica ishte njeri i rrezikshëm për popullin dhe për pushtetin e ri komunist.
Në burgun e Nishit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ramiz Cernicën, pasi e dënuan, e qojnë së pari në burgun e Nishit.
I burgosuri politik, anëtar i LNDSH, Rexhep Bunjaku për Ramizin në”Bujkun” e datës 26.VIII.1996, shkruan kështu:
"Në burg më ra në sy një burrë rreth 45-vjeçar, me shtat të mesëm. Në dukje të parë,dukej sikur tërë qenia e tij ishte e rrethuar me një oreol të shenjtërisë dhe përhapte urtësi, mençuri, dashuri, mirëkuptim e durim. E pyeta Abdullah Musliun (gjithashtu i burgosur) se kush ishte ky burrë. Më tha se është Ramiz Cernica, tribun i nderuar dhe udhëheqës militant i paepur i popullit shqiptar. Shkurtimisht e përshkroi jetën dhe veprimtarinë e bac Ramizit, duke shtuar se djalin, Raifin, e kishte në burg, në kazamatet e Mitrovicës së Sremit. Më afër me bacë Ramizin u njoftova nëpërmjet Hamdi Berishës, nipit të tij. Kur u përshëndetëm i tëri u skuqa nga respekti dhe fillova të belbëzoja diç pa lidhje. Mirëpo, fytyra e tij simpatike, shikimi i tij i butë, zëri qetësues më trimëroi dhe, së shpejti u lirova nga ajo psikozë e inferioritetit. Aty për aty formova bindje të thellë se sjellja, buzëqeshja dhe mençuria e këtij burri do ta çarmatoste çdo bashkëbisedues, qoftë ai mik apo armik."
Në burgun e Mitrovicës së Sremit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Mandej prej burgut të Nishit e largojnë me pretekst se kinse ai ishte shumë i rrezikshëm dhe s’duhej të kishte kontakt me të burgosurit e tjerë. Atë e qojnë prej burgut të Nishit në Ajdivqevc të ndërtojë rrugën magjistrale prej Jugut deri në Lubljanë.
Prej Ajdivqevcit e sjellin në Mitrovicë të Sremit, ku tre muajt e parë i kaloi në izolim. Gjatë bisedave me disa të burgosur, Ramiz Cernica e kupton që i biri i tij Raifi ishte po në këtë burg, por në Pavijonin tjetër. Ramizi kërkon të kalojë në Pavijonin tjetër, kërkesë kjo që edhe iu miratua. Në fillim takohen ata dy (babë e bir) në zdrukthtari. Pastaj rastësisht bien së bashku në një dhomë, në një shtrat. Për tri vite rresht rrinë së bashku në një dhomë, pa e ditur pushteti se janë baba e bir. Së bashku i kanë ndarë netët dhe ditët. Së bashku e kanë ndarë të mirën dhe të keqen. Pas tri vitesh shkon dikush dhe i spiunon se Ramizi dhe Raifi janë baba e bir. Menjëherë i ndajnë. Raif Halimi tregon: „Më vështirë m’u ka dukur kur ma kanë larguar babën, sesa kur më kanë burgosur!“
Jeta dhe veprimtaria e pas burgut
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 1956 lirohet nga burgu. Në mars të vitit 1961 Ramiz Cernica arrestohet përsëri. Një vit më parë, më 1960 ishte formuar një organizatë ilegale, e cila në programin e saj kishte synimet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe bashkimin e trevave shqiptare nën Jugosllavi me Republikën e Shqipërisë. Këtë organizatë e udhëhiqnin Ali Aliu, ekonomist nga Presheva dhe dy nipat e Ramizit: Ramadan e Kadri Halimi. Pasiqë Ramiz Cernica ishte në dijeni të kësaj organizate u arrestua dhe u dënua me 18 muaj burg të rëndë, të cilat i mbajti përsëri në Nish.
Ramiz Cernica i ka mbajtur gjithsejt 13 vjetë burg.
Vdes më 25 maj 1979 në moshën 76 vjeçare.
Përmbyllje
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Prof.dr. Fehmi Rexhepi shkruan për Ramiz Cernicën:
Portreti historik i atdhetarit Ramiz Cernica (1903-1979), fjalë rasti e mbajtur në tribunën kushtuar Ramiz Cërnicës.
“-Ramiz Cernica nuk ishte historian, por me veprën dhe angazhimin e tij atdhetar, krijoi histori dhe hyri në të për të mbetur përgjithmonë në mesin e figurave të mëdha të atdheut. Ai radhitet në mesin e atyre burrave të mëdhenj të kombit që qindvjeqarët dhe epokat me shumë vështirësi ia falin njerëzimit.
Figura e Ramizit dhe meritat e tij karshi atdheut e bëjnë atë të pavdekshëm duke i rezervuar vend nderi në altarin e lirisë. Respekti i brezave të rinj nda Ramizit dhe veprës së tij ishte dhe do të jetë frymëzim i përhershëm. Andaj, gjithë përpjekjet që bëhen për vlerësimin e kësaj figure madhore të kombit, është vetëm një kontribut modest yni krahasuar me borxhin që kemi ndaj tij dhe ndaj veprës madhore të tij.”
Referime dhe literatura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Afërdita Halimi-Cernica:[2]
- Ismet Sylejmani, RAMIZ CERNICA E MBAN TË GJALLË ËNDRRËN E BASHKIMIT KOMBËTAR, AlbaniaPress, 29.05.2010,[3]
- Prof. dr. Sabile Keçmezi- Basha, Jo-ja e madhe e atdhetarit të anamoravës – Ramiz Cërrnica, Zëri i Kosovës, 17.02.2011,[4]
- Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar”, Grafoprint Prishtinë, 2011
- Ismet Sylejmani, RAMIZ CERNICA - BESNIK I INTERESAVE TË ATDHEUT, Pashtriku, 18. 11. 2012,[5]
- Ramiz Cërnica la gjurmë të thella në historinë kombëtare, kokaj.net, 18.11.2012] [6]
- Musa Xhaferi, Ramiz Cërnica, simbol i rezistencës kombëtare, Albeu, 18.11.2012,[7]
- Fadil Shyti, Pishtarit të Lirisë Ramiz Cernica, KosovariMedia, 18.12.2012,[8]
- Sheradin Berisha, Ripushtimi i Kosovës,vrasja dhe mobilizimi i shqiptarëve nga UNÇJ (1944-1945), AlbDreams, 10.03.2014,[9]
- Qazim Shehu, RAMIZ CERNICA, ABDYL FRASHËRI I PRIZRENIT , AlbaniaPress, 13.04.2015,[10]
- Tefik Selimi, Një nisiativë e qëlluar e Këshillit të fshatit Cernicë, ProInformacion, 03.03.2016, [11]
- Tribuni Popullorë Ramiz Cernica, Gazeta Liria, 19.08.2016,[12]
- Xhemaledin Salihu, Rezistenca e armatosur e shqiptarëve përgjatë hekurudhës Bujanoc – Preshevë në vitin 1944, INA – Iliria News Agency, 23.04.2016,[13]
- Burri me plis të bardhë i tha "Jo" bashkimit me Serbinë, Kosova Sot, 28.08.2016,[14]
- Gjon Frroku, Për atdhe kënga nuk ndalet -Këngë lirike dhe patriotike-, Heroi yne Ramiz Cernica, f.11, 12, Bruksel 2016,[15]
- Një shtatore për Ramiz Cernicën në Gjilan, KultPlus, 12.09.2016,[16]
- Pritet vendimi për vendosjen e shtatores së tribunit të kombit Ramiz Cërnica në qytetin e Gjilanit, XLPress – Communications Media, 14.09.2016,[17]
- [18][19]
- Ukshin Zajmi, Ramiz Cernica - vuri gurin themeltar për bashkimin kombëtar, Zemra Shqiptare, 19.11.2012,[20]
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ ^Ramiz Cernica me gjasë nën ndikimin e Rifat Berishës, Iljaz Agushit, etj, në njëfarë mase e në disa raste ka ndihmuar Lëvizjen Nacionalçlirimtare.
- ^ Raif Halimi-Cernica, veteran i luftës dhe i demokracisë në Kosovë”, Eurorilindja Tiranë, 2000
- ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 7 gusht 2010. Marrë më 19 janar 2013.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja) - ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 22 janar 2020. Marrë më 5 prill 2017.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja) - ^ [1]
- ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 22 janar 2020. Marrë më 5 prill 2017.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja) - ^ ̪[2] Arkivuar 11 prill 2013 tek Wayback Machine
- ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 16 maj 2019. Marrë më 5 prill 2017.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja) - ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 25 prill 2017. Marrë më 5 prill 2017.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja) - ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 21 prill 2015. Marrë më 5 prill 2017.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja) - ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 16 mars 2016. Marrë më 5 prill 2017.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja) - ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 22 janar 2020. Marrë më 5 prill 2017.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja) - ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 25 prill 2016. Marrë më 5 prill 2017.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja) - ^ [3]
- ^ id=8zyqCwAAQBAJ&pg=PA11&lpg=PA11&dq=ramiz+cernica&source=bl&ots=nNgwmx_SGT&sig=9s4_ICgVHijUOIvGlq1GqK0NK7I&hl=de&sa=X&ved=0ahUKEwitk6SwofTSAhVDXBQKHYqAACE4ChDoAQgxMAQ#v=onepage&q=ramiz%20cernica&f=false
- ^ [4]
- ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 22 janar 2020. Marrë më 5 prill 2017.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja) - ^ Tefik Selimi, Sa po bëjmë për dëshmorët e kombit, 27.09.2016,
- ^ ̪[5][lidhje e vdekur]
- ^ [6]
20. Dr. Jakup Krasniqi, Fjalim në Akademinë Kombëtare për Tribunin e Kombit Ramiz Cernica
21. Rexhep Bunjaku tregon se si e takon Ramiz Cernicën në burg
22. Hashim Shala & Sevdi Malsia - Ramiz Cernica
24. Nusret Pllana - Fjalim për Ramiz Cernicën
25. Abdyl Hoxha - Djali i Ramiz Cernicës
26. Ndue Dodaj - Fjalim për Ramiz Cernicën
27. Ismet Sylejmani - Fjalim për Ramiz Cernicën 2011
28. Fjalim në Akademinë Kombëtare për Tribunin e Kombit Ramiz Cernica
29. Ambasadori i Shqipërisë flet në tribunën mbajtur për Ramiz Cernicën, më 10 janar 2007 në Prishtinë