Jump to content

Giorgio Bassani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shkrimtari Giorgio Bassani në vitin 1974.

Giorgio Bassani (Bolonja, 4 mars 1916 - Romë, 13 prill 2000) ka qenë një shkrimtar, skenarist, publicist, dhe politikan italian, një prej autorëve më të vlerësuar të atij vendi pas Luftës së Dytë Botërore. Vinte nga një familje hebrenjsh italianë të shtresës së mesme nga Ferrara--i ati ishte mjek gjinekolog.[1][2] U lind në Bolonja rastësisht--i ati gjendej atje me leje nga ushtria--por në Ferrara ai jetoi me pak shkëputje deri në vitin 1943, dhe ishte ai qytet që u bë subjekti i prozës së tij letrare.[3]

Megjithëse në adoleshencë u dha si pas letërsisë ashtu edhe pas pianos, studimet i kreu për letërsi italiane në Universitetin e Bolonjës në vitet 34-39.[1][4]

Me kuintetin në prozë të cilit në vitin 1975 i vuri emrin Il romanzo di Ferrara[5] ("Romani i Ferrarës")--i quajtur nga të tjerë si opera omnia e tij--Bassani u përpoq të përshkruante dhe të reflektonte si mbi jetën e atij qyteti ashtu edhe atë të komunitetit të tij hebre gjatë sundimit fashist. Ferrara kishte rreth 300 hebrenj, një pjesë e mirë e të cilëve ishte larguar nga getoja në jug të qytetit dhe bënin pjesë në borgjezinë profesioniste: mjekë, avokatë, etj. Rreth 70 prej tyre u çuan në kampet e shfarosjes kur Ferrara u bë pjesë e Republikës Sociale Italiane të Mussolinit dhe nën kontrollin e nazistëve në vitin 1943. Një pjesë e mirë e hebrenjve ferrarezë--ashtu si mjaft hebrenj të tjerë italianë, dhe babai i Bassanit ishte një ndër ta--u përfshinë në fillim në lëvizjen fashiste, fakt që shkrimtari e thumboi pa mëshirë.

Bassani u njoh gjithashtu për trajtimin me guxim të tjetrit në letërsinë italiane, duke ndërthurur dhe paralelizuar në romanin Gli occhiali d'oro ("Gjyslykët e arta"), për shembull, historinë e një homoseksuali me atë të një mjeku hebre si pjesëtarë komunitetesh të ostracizuara gjatë fashizmit në Itali[6].

Vepra e tij u vlerësua nga qarqet letrare italiane pas lufte. Përmbledhja e tij me tregime Cinque storie ferraresi (Pesë histori ferrareze) mori çmimin letrar Strega në vitin 1956.

Por fama e tij letrare kapërceu Italinë me Il giardino dei Finzi-Contini ("Kopshti i Finci-Kontinëve", 1962, çmimi Viareggio), një roman që ndërthur një romancë me fatin e një familjeje borgjeze hebreje të Ferrarës (Bildungsroman-i) nga emancipimi që u solli krijimi i Italisë deri në vendosjen e ligjeve diskriminuese kundër hebrenjve (të njohura si ligjet racore) prej Mussolinit në vitin 1938, me holokaustin në sfond.[7] Suksesi i romanit bëri që 'kopshti' dhe 'pallati' i librit, vende të trilluara nga autori në veri të pjesës historike të qytetit, të kthehen në itinerare turistike letrare.[8][9] "Kopshti i Finzi-Kontinëve" u kthye në film nga Vittorio de Sica në vitin 1970, duke i dhënë de Sica-s një çmim Oscar si filmi më i mirë i huaj.[10]

Përveç Kopshtit dhe Pesë historive (të cilat më vonë i ripunoi dhe i quajti Dentro le mura--Brenda mureve), "Romani i Ferrarës" përfshin Gli occhiali d'oro (1958), Dietro la porta ("Pas portës" 1964), L’airone ("Çafka", 1968, vlerësuar me çmimin Campiello), dhe L’odore del fieno ("Aroma e sanës", 1972).[11][12]

Pas luftës, Bassani u vendos në Romë, ku redaktoi një revistë të rëndësishme letrare, Le Botteghe Oscure, prej 1946-ës deri në 1960, dhe gjatë viteve pesëdhjetë punoi si redaktor letrar i shtëpisë botuese Feltrinelli. Gjatë punës si redaktor, atij iu atribua zbulimi dhe botimi i një romani klasik të letërsisë italiane të shekullit XX, Il Gatopardo ("Leopardi") të Giuseppe Tomasi di Lampedusa-s në vitin 1958, dhe një rol në botimin e "Doktor Zhivagos" së Boris Pastërnakut nga një kopje e nxjerrë ilegalisht nga Bashkimi Sovjetik.

Bassani ka bashkëpunuar si skenarist me kineastë si Michelangelo Antonioni, Luchino Visconti, Mauro Soldati dhe Pier-Paolo Pasolini.[13]

Veprimtar i Partisë Socialiste Italiane pas luftës, ka qenë zëvendëspresident i radiotelevizionit italian RAI[6] dhe themelues i Italia Nostra-s, një shoqate për mbrojtjen e trashëgimisë së Italisë prej abuzimeve ndërtimore që shoqëruan boom-in ekonomik të pasluftës.[14][3][15]

Bassani u martua në vitin 1943 me Valeria Sinigallian,[16] një vajzë hebreje nga qyteti i tij, me të cilën pati dy fëmijë. Jetoi i ndarë prej saj që prej vitit 1958, megjithëse martesa e tyre nuk u zhbë asnjëherë ligjërisht. Prej vitit 1978 bashkëjetonte me studiuesen amerikane të artit Portia Prebys.[17]

Vitet e fundit të jetës, i prekur nga sëmundja e Alzheimerit dhe e Parkinsonit, dhe një demence senile progresive, iu shmang vëmendjes së publikut, por pronësia mbi dorëshkrimet e tij u bë subjekt i një beteje të ashpër ligjore mes ish-të shoqes dhe fëmijëve nga njëra anë, dhe partneres me të cilën jetonte nga ana tjetër.[18][19][3]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b "Faqja Giorgio Bassani e mirëmbajtur nga partnerja e tij Portia Prebys" (në anglisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ "Biografia e Bassanit në faqen Leonardo.it" (në italisht). Arkivuar nga origjinali më 22 korrik 2018. Marrë më 10 qershor 2018.
  3. ^ a b c Stanley, Alessandra (14 prill 2000). "Giorgio Bassani, Novelist of Italy's Fascist Era, Dies at 84". The New York Times (në anglisht).
  4. ^ "Artikulli Giorgio Bassani në Enciklopedinë Britanike" (në anglisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  5. ^ "Faqja e librit në sitin e shtëpisë botuese "Feltrinelli"" (në italisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  6. ^ a b Keates, Jonathan (14 prill 2000). "Giorgio Bassani: Italian writer whose novels - among them The Garden Of The Finzi-Continis - chronicled a century of liberty under threat". The Guardian (në anglisht).
  7. ^ "Giorgio Bassani - Il giardino dei Finzi-Contini". Italia Libri (në italisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  8. ^ "Una passeggiata alla scoperta della città di Bassani" (në italisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  9. ^ "Blogu La foresta incantata" (në italisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  10. ^ "Faqja e filmit në IMDB" (në anglisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  11. ^ "Bibliografia në faqen Giorgio Bassani" (në anglisht dhe italisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  12. ^ "Giorgio Bassani -- Il romanzo di Ferrara" (në italisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  13. ^ "Cineteca di Bologna, GIORGIO BASSANI E IL CINEMA" (në italisht). Arkivuar nga origjinali më 18 prill 2019. Marrë më 10 qershor 2018.
  14. ^ "Zëri Giorgio Bassani në Enciclopedia biografica degli italiani" (në italisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  15. ^ "Historia e shoqatës "Italia Nostra"" (në italisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  16. ^ "È morta la vedova di Bassani, Valeria Sinigallia aveva 95 anni". La Nuova Ferrara (në italisht). 2 dhjetor 2013.
  17. ^ "Treasure seized in Bassani battle". Times Higher Education (në anglisht). 22 shtator 2000.
  18. ^ "GIORGIO BASSANI: L'EX MOGLIE, NON L'HO FATTO PER I SOLDI". ADN Kronos (në italisht). 11 korrik 1998. Marrë më 10 qershor 2018.{{cite news}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  19. ^ Garbesi, Marina (14 prill 2000). "Un triste epilogo in tribunale". La Repubblica (në italisht).