Dita e Fëmijëve (Japoni)
Dita e Fëmijëve (japonisht: こどもの日 Kodomo no hi) është një festë kombëtare japoneze e cila ndodh çdo vit më 5 maj (dita e pestë e muajit të pestë) dhe është pjesë e "Javës së Artë". Kjo ditë i është kushtuar respektimit të personaliteteve të fëmijëve dhe për të festuar lumturinë e tyre. U caktua si festë kombëtare nga qeveria japoneze në vitin 1948.
Tango no Sekku
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Fillimisht dita quhej Tango no sekku (japonisht: 端午の節句), dhe festohej ditën e 5-të të hënës së 5-të në kalendarin hënor ose kalendarin kinez. Pasi Japonia kaloi në kalendarin gregorian, data u ndryshua në 5 maj. Festa festohet akoma në Kinë, Tajvan, Hong Kong dhe Makau si Festa Duanwu apo Festa Tuen Ng (kantoneze), në Kore si Festa Dano, dhe në Vietnam si Tết Đoan Ngọ në datën tradicionale të kalendarit hënor. Ishte fillimisht për djemtë por pastaj u ndryshua për të përfshirë si djemtë edhe vajzat.
Sekku do të thotë festivali i një stine (ka pesë sekku në vit). Tango no sekku shënon fillimin e verës ose të stinës së shiut. Tan do të thotë "skaj" ose "i parë" dhe go do të thotë "mesdite". Në kulturën kineze, muaji i pestë i kalendarit kinez u tha se ishte një muaj për pastrim, dhe u zbatuan shumë rite që u thanë se dëbonin shpirtet e këqinj.
Megjithëse nuk dihet pikërisht kur kjo ditë filloi të festohej, ka gjasa se ishte gjatë mbretërimit të perandoreshës Suiko (593-628 p.e.s.). Në Japoni, Tango no sekku u caktua për ditën e pestë të muajit të pestë pas periudhës Nara.
Deri kohët e fundit, Tango no sekku njihej si Dita e Djemve (gjithashtu si Festa e Banderolëve) ndërsa Dita e Vajzave (Hinamatsuri) festohej më 3 mars. Në vitin 1948, qeveria dekretoi këtë ditë të ishte një ditë pushimi kombëtare për të festuar lumturinë e të gjithë fëmijëve dhe për të shprehur falënderim ndaj nënave. U riemërtua Kodomo no hi (Dita e Fëmijëve).
Para kësaj dite, familjet ngrenë flamujt koinobori me formë krapi (krapi nga legjenda kineze që thotë se një krap që noton kundër rrymës bëhet zhapik, dhe sepse nga mënyra se si tunden flamujt në erë duket se po notojnë), një për secilin djalë (apo fëmijë), dhe shfaqin një kukull Kintarou, zakonisht duke ngasur një krap të madh, si dhe kaskën ushtarake tradicionale japoneze (kabuto). Kintarou-i dhe kabuto-i janë simbole të një djali të fortë dhe të shëndoshë.
Kintarou (japonisht: 金太郎) është emri i fëmijërisë i Sakata no Kintoki, i cili ishte një hero në periudhën Heian, një samurai nënrenditës i Minamoto no Raikou-s. Ai kishte qenë i famshëm për fortësinë e tij kur ishte fëmijë. Thuhet se Kintarou ngiste një ari në vend të një kali dhe luante me kafsha në malet kur ishte një djalë i vogël.
Mochi (kek orizi) të ambalazhuara në kashiwa (gjethe lisi) dhe çimaki (një pastë orizi e ëmbël, e ambalazhuar në një gjeth zambaku ose bambuje) tradicionalisht shërbehen në këtë ditë.
Referimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Nussbaum, Louis Frédéric and Käthe Roth. (2005). Japan Encyclopedia. Cambridge: Harvard University Press. 10-ISBN 0-674-01753-6; 13-ISBN 978-0-674-01753-5; OCLC 48943301