Jump to content

Josif K. Filo

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë


Patriot i vjetër

Alt text
Josif Filo

Lindur në fshatin Shalës të rrethit Ersekë-Kolonjë në vitin 1890 nga prindërit Kristo dhe Elena Filo. Në shkollën e fshatit mbaroi 5 klasë të fillores në gjuhën greke. Në vitin 1915 emigron në Amerikë. Aty punoi në një shoqëri ndërtimi hekurudhash në Neu York. Josifi aktivizohet me disa shkrime publiçistike në Gazetën “Dielli” për rritjen e ndërgjegjes kombëtare të 70000 shqiptarëve të Amerikës n’atë kohë. Ka qënë sekretar i Degës nr. 38 të shoqërisë “Vatra” në Albany , Neu York dhe më pas kryetar i saj.

Disa nga titujt e artikujve të tij botuat në gazetën “Dielli” të shoqërisë “Vatra” në Amerikë nga vitet 1916 – 1920 janë:

03.02.1916 Mbledhje e degës së “Vatrës” nr. 38 në Albany N.Y. - Zëdhënie

27.03.1916 Meshë shqip në Albany N.Y. - Kollonia e pa të nevojshme një meshë në shqip nga i përndershmi At Stathi Melani.

08.08.1916 Të marrim për shëmbull luftonjësit. - T’a kuptojmë detyrën kundrejt atdheut dhe kombit, që është më e vlefshme se ç’do gjë në botë.

16.04.1918 Bismarku, Vashingtoni dhe Ismail Qemali. - Bëhet një krahasim ndërmjët udhëheqësve të shteteve përkatës.

03.10.1918 Rrënjët e çpifjeve qëndrojnë mbi ujë. - Le t’a dinë mirë njerëzit e Partisë Politike se Shoqëria jonë e madhe “Vatra” është një monument i florinjtë, që kurrë nuk do t’i zbritet vlera e saj, po do të harrijë shkallën më të lartër, si e vetmja organizatë shqiptare demokratike dhe shoqërore me rregulla.

03.10.1918 Arsye të ftohta. - Prishja e gozhdës për patkua. Qëndrimi që mban gazeta “Mprojtja shqiptare e St. Louis, Mo. për çështjen shqiptaare dhe Federatën “Vatra”

21.10.1918 Na mungon kthjelltësija. - Sot ne shqiptarët nuk kemi aspak nevojë për njerës të cilët na këshillojnë që të mos i bindemi votës së shumicës dhe të bëjmë gjithkush sipas mëndjes.

12.11.1918 Bariu nuk shikon ujkun po kërkon gjurmët! - Flitet për debatet politike që zhvillohen midis Shoqërisë “Vatra”, Partisë Politike, gazetës “Dielli” dhe “Mprojtja Shqiptare”.

08.12.1918 Frika i ka hije gruas – burri duhet të vdesë. - Shqipëria është nderi jonë, se me këtë emër jemi njohur në botë. Besnikëria ne kombi është faktori më i madh në jetën e njeriut, si dhe detyra e tij më e lartër.

14.12.1918 Shpresa, kuximi dhe kurajua. - Flitet për rrënjët e trimërisë njeriut, ku qëndrojnë ato.

21.12.1918 Mallkimi i mëmës. - Shëmbull për shqiptarërt që do të refuzojnë të marrin pjesë në ndihmën për shpëtimin e Shqipërisë.

26.12.1918 Veprimet kundrejt mëmës. - Flitet për shkrimet e Mihal Gramenos në Gazetën “Koha” dhe për diplomatin Ismail Qemali. Autori kërkon bashkim rreth Ferderatës “Vatra”.

12.04.1919 S’ka shqiptar atdhemohonjës. - Ky emërim “atdhemohonjës”na duket se nuk është i drejtë t’i thuhet një shqiptari, se shqiptari është ay patriot i cili mundi t’a mbajë të gjallë shpirtin dhe kombësinë e tij, në një periudhë të gjatë, ndënë zgjedhën që shkovi (Turqinë)

14.04.1910 Jo t’a ndezim, po t’a shuajmë - Flitet për situatën e grindjeve mes antarëve.

24.04.1919 Çdo shqiptar duhet të jetë vetë pajtimtar i “Diellit”, jo t’a marrë prej tjetrit. - Atë që bën fara kur mbillet në arë, atë bën dhe këndimi në mëndjen e njeriut. Gazeta “Dielli” në shqip është e domosdoshme për të rritur ndërgjegjen kombëtare të 70000 shqiptarëve t”amerikës

05.05.1919 Punë-punë dhe jo fjalë të thata. - Njeriu duhet të mendohet mirë për punën që bën, ndryshe kërkon rrezikun me këmbët e tija.

07.06.1919 Duhet studiuar puna, pastaj të flasësh. - Duhet studiuar puna pastaj të flasësh, apo, mendoje atë që flet.

08.05.1919 Dasma e arkëtarit të degës së “Vatrës” në Albany N.Y. - Zakonet shqiptare janë të njënjta për shqipëtarët.

20.05.1919 Gjithë antarët e “Vatrës duhet të jenë pajtimtarët e “Diellit”. - Ç’duhet të bëjë “Vatra” që të interesonjë shqiptarët? Një proponim: Kur njeriu rrëmon për pafille gjen flori!

22.05.1919 Nuk duhet të trëmbemi. - Kombëtarët janë gati të bëjnë sakrificën më të lartër për mbrojtjen e Atdheut.

09.06.1919 Pak fjalë mbi disa ankime dhe proponime. - Dëshira e shqiptarëve është që t’a shohin gazetën “Dielli” të përparuar.

31.05.1919 Fuqia është rivale e rrezikëshme e drejtësisë. - Nuk duhet të varemi vetëm në drejtësinë por duhet të përtrupësojmë në zëmërën t’onë shpirtin kombëtar dhe t’a mbrojmë Atdheun t’onë të shënjtë në çdo mënyrë.

20.06.1919 Populli ka të drejtë të çfaqnjë mendimin e tij. - Një udhëheqës është shërbëtor i popullit. Dhe, si ia do të mirën ati birit, ashtu ia do të mirën biri atit. Lumtëria e njerit është dhe lumturia e tjetrit.

24.06.1919 Një shëmbull mbi proponimet për “Diellin”. - Gazeta “Dielli” duhet të vejë jo vetëm ne antarët e “Vatrës”, por në gjithë shqiptarët e Amerikës që u dihet adresa.

02 – 03.07.1919 4-th 0f July. - Flitet si u shpall indipendenca e SHBA-së, përparimi i saj, rroli personaliteteve në themelimin e këtij shteti.

11.08.1919 Kollonitë shqipare i përgjigjen zërit të Peshkopatës sonë. - Flitet mbi shpalljen e fushatës për të ndihmuar materialisht Peshkopatën.

23,08.1919 Konferencë shtypi në Albany, Neu York. - Kryetari Josif Filo hapi mbledhjen dhe rekomandoi konferencierin e “Vatrës”.

25.11.1919 Duhet të studiojmë idenë e “shoqërimit”. - Shoqërimi i një grupi vetash në një korporatë mund të bëjë punëra të cilat nuk mund t’i bëjë një njeri i vetëm. Kjo ide do të përparojë tregtinë shqiptare.

25.04.1820 Duhet të përdorim mjetet e përparimit. “Ay që duron trashëgon”. - “Të mbjell sot dhe të korr sot, ose, Të punonj sot dhe të fitonj sot”. s’mund të drejtohet në udhën mbrothësore.

12 04.1920 Për degët e Federatës “Vatra’; Një proponim. - Të lidhet një marrëveshje midis degëve që: Dy degë të bashkohen në një trup dhe të dyja të dërgojnë në Kuvend një delegat. Kjo lidhje thjeshton anën e përfaqësimit.

21.07.1920 Aspiracia dhe ambicja - Kur fuqia e tyre është dobiprurëse, dhe, kur dëmprurëse?

15.10.1920 Pak komentim mbi shtypin shqip. - Le të mundohemi të përtrupësojmë në zemrën e çdo shqiptari shpirton e shqiptarizmës, që ashtu të mbretërojë midis nesh dashuri dhe armoni e plotë,

20.10.1920 Shuma e parë e huas kombëtare. - Vazhdon me një listë emrash dhe me shtetin përkatës, për shumën e parë të huas kombëtare.

04 – 05.11.1920 Duhet të vazhdojmë udhën që nisnë atërit e çështjes kombëtare. - “I pa besi”! “Goditmë dhe një herë po dëgjomë”; është fraza që njeriu kurrë s’duhet t’a ushtrojë si konditë, sepse tregon një shenjë përulësie dhe pazotësie, s’ka lidhje me punërat e përbashkëta të një populli.

Në vitin 1921 Josif Filo e le Amerikën ku: punoi, fitoi para dhe kulturë. Kthehet në atdhe në Shqipëri, paraqitet në shkollën Normale të Elbasanit jep provimet si kandidat i jashtëm, fiton të drejtën e mësimdhënies në shkollën fillore. Jep mësim në shkollën fillore të Shalësit me 4 klasa kolektive në vitet: 1921, 1922. Ish nxënësit e tij tregojnë: Kur erdhi në shkollën tonë mësues Filua, klasa e III-të dhe e IV-tërt bënin çdo javë nga 2 orë në gjuhën anglisht.

17.08.1921 Bisedime mi nomet (ligjet). Gazeta “Koha” e Korçës. - Duhet biseduar gjerësisht për të zhvilluar nevojat e vendit tonë. Fuqia e nomit është burimi i çdo mbrothësie.

05.11.1921 Tregëtia shqiptare. Gazeta “Koha”. - Këtu hidhen mendime se, për zhvillimin dhe përparimin e shtetit duhet të zhvillohet tregëtia.

30.031926 Gjuha e vet: Gazeta “Koha”. - Flitet mbi rëndësinë e gjuhës për kombin shqiptar.

Dy vëllezrit: Josif Filo dhe Vasil Filo ndërtuan në fshat shtëpinë dykatshe të rrethuar me mure guri dhe parmakë druri në pjesën e parparme, ndërsa në pjesën e pasme me mure të lartë rreth 2 metra. Hyrje-daljet bëheshin nga dy porta, respektivisht njera për njerëzit tjetra pët bagëtinë. Porta kryesore e ndërtuar me gurë të gdhëndur, me një konstruksion të veçantë, që ngjante si monument kulture, mbante mbishkrimin e gdhendur në gur: “Vëllazëria Filo, 1926”.

Shkrime të tjera të Josif Filos

Viti 1945, Fjalim për mbarëvajtjen e komunitetit në Shalës.

Pjesë nga Ditari i mësuesit.

Fjalorth me shpjegim termash në gjuhët: shqip, greqisht, frengjisht, anglisht.

Pjesë teatrale të shkruara nga mësuesi dhe të vëna në skenë prej tij me nxënësit e shkollës Shalësit, si:

Komedi: Lakmia, Bishti i dhelprës, (e lagu apo s’e lagu?) Ordinanca e gjeneralit, (me ngjarje nga lufta Nacional Çlirimtare).

Dramë: Çetat e punës. (pjesë e shkruar për dobinë e punës përbashkët).

Tragjedi: Mësimet e nënës.

Josif Filo ka qënë Sekretar i Këshillit Antifashist N.Çl. të Shalësit në vitet e luftës. Pa mbaruar akoma lufta nacional-çlirimtare, mësues Josifi më 24 tetor 1944, me inisiativë hap shkollën fillore të fshatit pa shpërblim. Aty grumbullon fëmijët e të gjitha moshave. Po kështu edhe të rriturit për në kursin kundër analfabetizmit. Ai ndihmon mësuesit e rinj nga ana didaktike në shkollat e fshatrave fqinjë. Më datën 09.11.1947 dërgohet nga seksioni arsimit Ersekë, për organizimin e kursit kundër analfabetizmit në fshatin fqinjë. Kthehet në darkë në shtëpi hipur në pelë. Thotë: Kam një shqetsim në gjoks. Nuk e gdhin dot të nesërmen, ndron jetë. Përcillet me nderime nga nxënësit, fshatarët, etj, në varrezat e kishës Shën’Kollit në Shalës.

Çifti Josif-Kleanthe Filo, celebruar në vitin 1923

Alt text
Çifti Josif-Kleanthe Filo

Fëmijët e Josif Filos:

Ndër fëmijët e Josif Filos shkëlqejnë më tepër dy yje:

- I pari është: Ylli i Kuq Partizan i dëshmorit internacionalist Vangjel Josif Filo, rënë në luftë kundër okupatorëve gjermanë për çlirimin e popujve të Jugosllavisë, në moshën më të re vetëm 21 vjeç. Ai ra më datën 12 prill 1945 në Kroaci.

- I dyti: është Ylli i Artë i Heroit të Punës socialiste Anastas Josif Filo, me profesion mekanik, i cili shkëlqeu në profesionin e tij. Mbaroi Shkollën e Lartë të Partisë. 1975 Drejtor i ndërmarrjes ORMN. Deputet në një legjislaturë të Kuvendit Popullor.

- Më tej janë dy kuadrot e lartë: Inxhinier Spiro Josif Filo, dhe Inxhinier Petro Josif Filo, të cilët mbaruan Universitetin Shtetëror të Tiranës, fakultetin e inxhinierisë mekanike në vitin 1965. Inxhinier Spiro Filo emërohet me punë në ndërmarrjen: Kombinati i Mishit Tiranë, kryemekanik. Më pas në 1971 kryeinxhinier i Uzinës “Tirana”, më pas 1981 specialist për mekanikën në hartimin e Standardeve Shtetërore, pranë kryeministrisë Tiranë. Ndërsa inxhinier Petro Josif Filo emërohet me punë në një ministri ekspert për anën mekanike. Më pas Kryemekanik në Ndërmarrjen e Përpunimit të Gomës dhe Plastikës në Durrës.

Përmendet i paharruari, pasardhës i denjë i të jatit, i cili ishte një kopje e tij në muhabetet shtruar. Shprehej plot pjekuri e mençuri popullore, me këngët karakteristike të shoqëruara me muzikën e tij legjendare, virtuozi në klarinetë Kristo Josif Filo. Fëmijët e tjerë puntore dhe puntorë të aftë.

Pleqësia e Degës Nr. 38 ALBANY, N.Y.
Varri i Josif Filos në Kishën e Shënkollit, Shalës.
Përmbledhje e shkrimeve të Josif Filos.


Vasil Kristo Filo 1894-1953.

Lindi në Shalës të Ersekë-Kolonjës. Martohet me Theodhora Tane (1900-1981) nga Arrza në vitin 1920. Vasili emigron në Amerikë në 1936. Adresa: 21 Vaterford St. Boston Mass U.S. of America. Ka punuar në një restorant atje. Shpjegojmë: si shkoi më tej, apo si përfundoi fati i shqiptaro-amerikanit Vasil K. Filo në Amerikë?

Rastësisht në autobuzin e linjës Korçë- Ersekë ndodhej edhe një turist, shqiptaro-amerikan. Ai kthehej në vendlindje pas shumë vitesh në mërgim.

- A e keni njohur apo kini dëgjuar diçka për Vasil Filon atje në Amerikë, zotëri?

- Po e kam njohur Vasil Filon si kolonjar, por atë e vrau dhe e grabiti një bashkëfshatari i tij. E gjetëm të asfiksuar nga helmimi, nxirrte shkumë nga goja!

Pas çlirimit vendit në nëndor 1944, bashkëpuntorët e armikut u larguan nga Shqipëria bashkë me pushtuesin gjerman. Ata përfunduan nëpër botë, deri në Amerikë me “Mërgatën e Qyqeve”.

Gjatë luftës N. Çlirimtare familja Filo harriti t’ë mbijetojë nga të këqiat dhe tmerret luftës. Vasil Filo ndodhej n’Amerikë, larg këtyre skenave trishtuese. Por atij i vajti e keqia nga Shqipëria në Amerikë dhe krimineli i mori jetën të ngratit, në vitin 1953. Çifti Vasil-Theodhora nuk patën fëmijë.

Alt text
Përmendore e ngritur në përkujtim të Familjes FILO.

Projektuar dhe ndërtuar nga Inxh. Petro Filo në vitin 2005. Vendosur në gradinën pranë ish shtëpisë Filove në Shalës-Ersekë.

Më poshtë jepen dy artikuj të nxjerrë nga gazeta “Dielli”:

Gazeta “Dielli”, datë 31 maj 1919.

FUQIA ËSHTË RIVALE E RREZIKËSHME E DREJTËSISË

Nuk duhet të varemi vetëm në drejtësinë, por duhet të përtrupësojmë në zemrën tonë shpirtin kombëtar dhe t’a mbrojmë Atdheun tonë të shenjtë në çdo mënyrë.

Një herë në Alaska një njeri duke gërmuar për të gjetur flori, fati i tij e hasi në një rrëzë mali të pa zotëruar prej njeriu, ku pas pak së rrëmuari, mbushi disa torba me flori dhe arrivi në një qytet të madh që t’i shiste. Kur muarrë vesh kujunxhinjtë për ato torba me florinj, që gjëndëshin në duart e atij njeriu të vobegtë dhe të pa fuqishëm, deshnë që t’ia rrëmbenin, domethënë se ay e pat' gjetur atë florin në mallin e tyre, për të mbushur dëshirën e tyre lakmonjëse që kishin.

Tashti, fatmiri njeri por i pa fuqishëm, nukë mundi t'u bëjë ballë gënjeshtrave lakmonjëse dhe e la fatin e tij që t’a zgjidhte gjykatorja, ku besovi se fuqia e drejtësisë do t’i ç’prapste lakmonjësit dhe do t’ua ndalonte grabitjen që deshnë të bënin kundër tija. Dhe që të vërtetonte drejtësinë që kish per vehte për atë flori, mori gjykatësin e lartër e shpuri dhe i tregoi vëndin ku e pat gjetur floririn. Nga gjykatësi pastaj u vërtetua faktërisht që floriri ishte i tij. Tashti që u hap gjykatorja që të gjëndej e drejta mbi atë çështje, lakmonjësit pra po mundoheshin dhe thërrisnin që cili të rrëmbente ndonjë torbë me flori më shumë. Natyrisht parimi i gjykatores është drejtësia dhe me që gjykatësi e kish vërtetuar se i kujt ishte floriri në të vërtetë, gjyqi po vazhdonte në favor të të zotit të floririt. Mirëpo me qënë se lakmonjësit e shkelën parimin drejtësor mbi atë çështje, nisnë të përdorin mburimin e pasurisë dhe influencën e tyre që të luftonin jashtë nomit për të rrëmbyer floririn prej njeriut të pa përkrahëshëm, të cilit fati ja dhuroj.

Njeri prej lakmonjësve i cili e kish fuqinë dhe influencën më të gjerë në atë qytet, nguli këmbë që të merrte torbën me flori më të vyejtur. Gjykatësi për të mbyllur atë çështje që po përhapte degë të kritikëshme nga influenca që kish lakmonjësi në rrethin e gjykatores, u shtrëngua e vepëroj kundër parimit drejtësor – gjëra që fatkeqësisht ngjasin në këtë botë – duke i dhënë të drejtë lakmonjësit që të merrte torbën të cilën po kërkonte.

Tashti, i zoti i floririt kur pa atë padrejtësi aqë të keqe që desh të bënte gjykatësi, u protestua me gjithë fuqitë e tij për atë padrejtësi aqë të zezë, e cila ishte kundër parimit drejtësor të njerëzimit. Mirëpo gykatësi që të mbyllte sherrë, nuk’ e mori ndër sy protestimin e njeriut të pa-fuqishëm dhe desh t’a përfundonte atë gjyq në favorin e lakmonjësit. Atëhere fatkeqi njeri, mblodhi familjen e tij dhe për së bashku ngritnë zënë, duke i përmendur gjykatësit padrejtësinë që desh të bënte për t’a, dhe me një guxim të pa tundur insistuan duke i thënë gjykatësit se po të mos kishte fuqi drejtësore për të drejtën e tyre, ata preferonin vdekjen dhe kurrën e kurrës nuk do t’a pranonin lakmonjësin t’u rrëmbente gjënë e cila ishte e tyrja.

Gjykatësi pra, kur kish në duar vetëm protestimin e të zotit të floririt, po mateshe për të nënëshkruar “fermanë” dhe t’i jepte të drejtë lakmonjësit; mirëpo kur ju mbushnë duart me qarjet dhe protentimet e familjes së tërë, atëhere ndërgjegja e tij ja ndalovi punën e pa drejtë që deshte të bënte. Duke menduar fjalën e besës që i pat dhënë popullit kur pat marrë kurorën e atij ofiqi, ku ay u kish deklaruar formalisht se punërat e tija do të ishin lidhur shumë ngushtë me parimet drejtësore dhe, vetsm për atë parim do të përdorte squarësinë e tij. Ahere gjykatësi këtheu mejtimin e tij dhe nisi të punonte mi pikat e drejtësisë dhe me atë mënyrë përdori fuqinë e tij dhe përfundimi i atij gjyqi ishte së fatmiri njeri trashëgoj të gjitha torbat me florid dhe ashtu lumëroj jetën e shtëpisë së tij. Dhe, si i pasur që u bë, lakmonjësit ja patnë nevojën dhe ashtu u formua një shoqëri e ngushtë e përjetëshme midis tyre.

Kupëtimi i këtij paraboli, është një shëmbull i mirë ku duhet besuar, që vepërat e njerëzimit shumë rral lidhen me parimet e drejtësisë, megjithse drejtësia është dora e Perëndisë, fuqia në shumë pika del mundëse përpara saj. Dhe kjo vjen vetëm prej anës së lakmonjësit. Po është e vërtetë se, ndjenja dhe ndërgjegja e njeriut e kanë rrënjën të vendosur mbi altar’ e drejtësisë. Dhe vetëm atëhere njeriu mund të punonjë drejtësisht, kur t’i tronditet ajo rrënjë dhe t’a ndalonjë ndjenja dhe ndërgjegja e tij, për të punuar të kundërtën.

Presidenti Voodrou Villson kur çfaqi të 14 Nyjet e tij, të famëshme dhe të bazuara mbi drejtësinë për paqen e e përbotëshme, ay u lavdërua prej gjithë botës, si i vetmi kampion i demokratizmës dhe apostull i drejtësisë. Mirëpo sot që duhej t’i vinte në vepërim në tryezën e paqes, ay i la më nj’anë parimet drejtësore që pat deklaruar dhe, për të mbushur dëshirën e të fuqishmit, dha lejë që të sakrifikohet gjëja e atij të pa fuqishmit. Dhë kështu bëri proponimin që t’i jepej Vlora Italisë!

Ky proponim i Presidentit është aqë i padrejtë sa të propononje që t’i jepej Pireja Shqipërisë.

Ahere neve Shqipëtarët ç’duhet të bënim ose të bëjmë, për këtë padretësi të zezë që maten të na bëjnë?

Duhet të mbyllim gojën vetëm me një protestë që i dërgoj Qendra e “VATRËS” konferencës, dhe me ato që i ka dhënë dërgata jonë në Paris; apo duhet të venin protestimet si breshër nga gjithë Populli Shqiptar?

Neve çfaqmë mendimin tonë mbi këtë çështje ku thamë që duhet vënë në vëprim fraza e fundit. Po ajo e cila na ngut që të shkruajmë këto sërë, është që shikojmë në një kryeartikull të “Diellit”, me titull: “Shpjegimi ynë”, ku thotë se: Me që Konferenca e Paqes, i vendos punërat me parimet drejtësore, është e tepërt që të protestonjë edhe populli prej anës së tij.

Tashti, këtu nuk duam aspak të kundërshtojmë zyrtarët e Qendrës për këtë çështje, se mendimi i tyre nuk është se është kundër protestimevet. Por e vetëmja pikë e cila nuk na duket e arësyeshme, përsa thotë “Dielli” në atë artikull, është fraza se: “Neve çfaqim një mentim të cilin po të mos e pëlqenjë populli, bën atë që i pëlqen më mirë”. Kjo frazë na duket se ngjet sikur Guverna e Francës t’i thotë popullit që mejtimi i saj është që Franca nuk duhet t’a akseptojë Ligën e Shteteve dhe populli të bëjë ashtu si i pëlqen më mirë.

Kurse Guverna duhet t’a studiojë punën në të katër anët, ku do të kupëtonjë këthjelltë se Liga e Shteteve do jetë pëllumbi i paqes së përbotëshme në kohërat e pritme, dhe duhet t’a këshillonjë popullin për askeptimin e saj dhe jo për refuzim.

Pastaj ne jemi të mëndjes që çdo protestë që bëjnë Kollonitë duhet të merren vesh me Qendrën, që ashtu t’i bëjnë punërat në rregull dhe jo “shume e për lumë”, si thotë një proverb shqip. po sido që të jetë sot për sot, nuk duhet që të hapen të tilla kundërshtime midis nesh, që të kundërshtojmë njeri tjetrin dhe duhet të bëjmë atë që është më mbrothësore për çështjen dhe të bëjmë që dërgata e jonë në Paris, të na ketë si dorën e djathtë.

Josif Filo

ALBANY N.Y.

Gazeta “Dielli” datë 20.VI.1919.

POPULLI KA TË DREJTË TË ÇFAQNJË MENDIMIN E TIJ

Pamë në Nr, 1594 të “Diellit” të na kritikojnë sepse neve çfaqëm mentimin tonë mbi çështjen e Vlorës, që thamë të dërgoheshin protestime prej gjithë popullit shqiptar. Pikësëpari po tregojmë që për cilën arsye e çfaqmë atë mentim. Kur Presidenti Villson bëri proponimin për Vlorën, neve e humbëm shpresën drejtësore për fatin e qytetit më të vjetër të Shqipërisë, dhe kupëtuam se vetëm protestimet e udhëheqësve tanë që t’i përmentnin Konferencës padrejtësinë që do t’i bëjnë Shqipërisë. nukë ishin të mjafta dhe duheshe përgjithësisht zëri i popullit të Shqipërisë që t’i thesh Konferencës dhe Presidentit Villson që kurrë nuk do të “eksplojnë” një vendim të atillë aqë padrejtësor për vëndin tonë. Tani, sido që të jetë, neve çfaqim vetëm një mentim mbi atë çështje. Dhe s’ka kritikë për një njeri i cili çfaq një mentim dhe në përfundim i bindet vetos, se populli ka të drejtë të çfaqnjë mentimin e tij.

Bashkohemi plotësisht me Z. Stefan Lesho, ku thotë se populli duhet të jetë besnik dhe i bindur ne udhëheqësit.

Natyrisht besimërija dhe bindja e një populli është lirija e Kombit. Dhe ay popull i cili refuzon ato dy fjalë, meriton zgjedhë dhe jo liri, sindëkur meriton turpin dhe arratinë një mëmë neveritëse. Po nuk pajtohemi aspak me Z. Lesho ku thotë se populli duhet të mbyllë gojën me që udhëheqësit e tij dinë më shumë se ay. Ajo e drejtë i merret vetëm një populli, prej dorës së një governe autokrate dhe kurrë në qeverimin demokratik.

Për shembull, Presidenti Villson në mbledhjen e funtme i tha popullit që të zgjidhet një kongres me shumicë demokratike. Mirëpo populli bëri të kundërtën dhe zgjodhi shumicën republikane, dhe gjene Presidenti në shumicë pikash kërkon këshillat e popullit se, një udhëheqës është shërbëtor i popullit. Dhe, si i do të mirën ati birit, ashtu i a do të mirën biri atit. Se lumturia e njerit është dhe lumturija e tjetrit. Prandaj del nevoja, që biri duhet të jetë besniku i atit, kur ay punon për të përhapur lumturinë në fëmijën e tij. Si dhe ati s’duhet të japë vërejtje në fjalët e birit, kur ay çfaq mentimin për të mirën e shtëpisë.

Sot atdhetarët e rrethit nacionalist kanë nevojë për këshillat e njeri tjetrit. Prandaj nukë duhet të mbyllim gojën, por duhet të çfaqim mentimin të cilin e kupëtojmë që është për të mirën e çështjes. Kritika e ka udhën në çështje të tjera dhe aspak në çështjen që na kritikojnë neve.

Josif Filo

ALBANY N.Y.

Vangjel Josif Filo

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Alt text
Vangjel J. Filo, në kohën kur ishte arsimtar

Vangjel Josif Filo, lindi në fshatin Shalës të Ersekë-Kolonjës më 15 mars 1924. I jati Josif Filo ka qënë mësues në shkollën fillore Shalës nga viti 1923, kur u kthye nga Amerika. Josifi zotëronte gjuhët: greqisht, anglisht dhe frëngjisht. Nëna e Vangjelit Kleanthe Filo ka qënë shtëpiake. Vangjeli ishte m’i madhi i fëmijëve të familjes Josif Filos me 6 djem dhe 3 vajza.

Pas shkollës fillore në Shalës dhe asaj qytetse në Ersekë, Vangjel Filo fitoi konkursin për në shkollën e mesme bujqësore në Golem të Kavajës. Aty dallohet në aktivitetet e lëvizjes antifashiste.

Vangjel Filo mbaron Shkollën Bujqësore, del agronom i mesëm. Situata aktuale e momentit kishte më shumë nevojë për arsimtarë në Maqedoni e Kosovë. Pra kryen një kurs tremujor pedagogjik në Korçë, me mbi 50 pjesëmarrës. Pas mbarimit kursit në tetor 1942, emërohet mësues i shkollës fillore në Maqedoni.

Sipas Prof. dr. sc. Abdylaziz VESELI në shkrimin e tij:

“SHKOLLAT DHE ARSIMI SHQIP NË MAQEDONI GJATË PERIUDHËS 1941-1944”, ku përfshihet: INDEKSI I MËSUESËVE DHE MËSUESEVE QË PUNUAN NË SHKOLLAT FILLORE DHE TË MESME E PROFESIONALE NË GJUHËN SHQIPE NË MAQEDONI GJATË PERIUDHËS 1941-1944. Ndër ta ndodhet emri i mësuesit Vangjel Josif Filo.

- Vangjel Filo, ka qënë mësues i shkollës fillore “Vrana Konti” në fshatin Premkë të Kërçovës Maqedoni në vitet: 1942/43 dhe 1943/44; - shkruan Abdylaziz Veseli.

Krahas detyrës mësuesit, Vangjeli merr kontakt me aktivistët e lëvizjes antifashiste N. Çl. dhe hyn në grupet ilegale në Kërçovë duke shpërndarë trakte në popull, që dërgoheshin aty nga P.K.Shqiptare. Nga aktiviteti intensiv antifashist që zhvillonin, këta ranë në sy t’armikut. Më datën 24.08.1943 arrestohen nga forcat italiane në Kërçovë. Vangjeli dërgohet në burgun e Korçës. Lirohet nga burgu pa gjyq me kapitullimin e Italisë fashiste në vitin 1943, si i burgosur politik. Pas 6 muajsh kthehet përsëri në Kërçovë, aty me okupacionin gjerman ishte e njejta gjëndje. Atëhere Vangjeli detyrohet që të dalë në ilegalitet, pastaj hidhet në Karaorman. Aty bashkohet me një grup partizanësh shqiptarë. Në gusht 1944 formohet Brigada IV-tërt e shqiptarëve të Maqedonisë. Brigada merr urdhër për çlirimin e Strugës, më pas të Gostivarit e Tetovës, krahinave të Shkupit etj. Pra çliruan gjithë Maqedoninë. U bënë operacione kundër çentrashëve bullgarë dhe reaksionit shqiptar në një zonë të Kosovës rreth Ferizajt, Gjilanit, Prizrenit, Hogoshit, Preshevës e Kumanovës.

Më pas Brigada e IV-tërt mori emrin Brigada e VII-të “S” e minoritetit shqiptar në Maqedoni, e inkuadruar në Divizionin 42. Ajo mori urdhër për të çliruar popujt e tjerë të Jugosllavisë. Në fshatin e Zemunit në Dubanovc, brigada pregatitet për luftë frontale nga oficerë sovjetikë. Kështu, niset për çlirimin e popujve të Kroacisë. Brigada vendoset në afërsi të Sremska Mitrovicës, krahina e Sremit, lokaliteti Shid, në fshatin Tovarnik.

Brigada jonë – deklaron ish Komisari i Batalionit II-të të Brigadës VII-të “S”, shoku Rexhep Çela; zuri vendin e një Divizioni jugosllav në fshatin Tovarnik, që kishte përballë një divizion gjerman. Divizioni jugosllav nuk kishte luajtur nga vëndi për më shumë se tre muaj. (nënkuptohet se, vendosja e një brigade kundër një divizioni gjerman kishte qëllimin që të vriteshin sa më shumë shqiptarë, ashtu siç ndodhi në të vërtetë).

Alt text
Vangjel J. Filo, në kohën kur ishte partizan

Më datën 12 prill 1945, ditën e mërkurrë në orën 05 të mëngjesit mbas një bombardimi të fortë nga artileria dhe armët e rënda, të përkrahur dhe nga aviacioni, forcat tona u lëshuan në sulm. Arritëm deri tek fusha e minuar afër telave me gjëmba dhe llogoreve gjermane. Nuk avancohej më, por edhe qëndrimi në vend ishte i rrezikshëm. Deri këtu humbjet tona ishin shumë të mëdha. Batalioni ku bëja pjesë unë, - vazhdon Rexhepi batalioni i dytë, kish në krah të djathtë forcat jugosllave të Divizionit 21, i cili nuk lëvizi fare nga vendi! Në këtë situatë kritike nuk mund të mbaheshin më rregullat ushtarake përsa i përket vendosjes së shtabeve, etj, për largësinë që duhet mbajtur nga vija e parë. Largësia midis llogoreve tona dhe atyre gjermane ishte rreth 400 metra.

Për të dalë nga kjo gjëndje, m’u desh të mbledh shtabin e batalionit dhe disa komunistë të armëve të rënda që ishin afër. – vazhdon Rexhepi. Vendosëm të dalim në vijën e parë. Nën zjarrin e artilerisë dhe të armëve, Batalioni ynë u fut në llogoret gjermane. Fronti u thye!

Në grumbullimin e forcave mungonin nga apeli 128 luftëtarë dhe kuadro, ndër të cilët edhe komisari i kompanisë parë Vangjel Josif Filo. Nga forcat e tjera të Brigadës kishin humbur mbi 300 luftëtarë. Duhet vënë në dukje se tanket tona që komandoheshin nga jugosllavët, dollën në skenë të luftës kur fronti ishte thyer!?

Edhe tani mbas 24 vjetëve - vazhdon shoku Rexhep Çela, akoma e kam të gjallë figurën e Vangjel Filos, i cili ishte i dashur dhe shumë i ndershëm. Ay i deshi shokët dhe i ndihmonte vazhdimisht. Vangjeli ishte mësuesi i gjithë batalionit II-të dhe luftoi e u përpoq deri sa të gjithë mësuan të shkruajnë e të këndojnë shqip. Ay ishte komunisti që gëzonte simpatinë dhe respektin e të gjithëve. Ishte i qeshur edhe në momentet më kritike. Vangjeli ishte me të vërtetë një internacionalist me plot kuptimin e fjalës dhe si i tillë dha edhe jetën për çlirimin e popujve të Jugosllavisë.

DËSHMORI INTERNACIONALIST

VANGJEL JOSIF FILO

FLETË ANKETË

- Emri i dëshmorit: Vangjel Filo.

- Atësia: Josif.

- Datëlindja: 15 mars 1924.

- Vendlindja: Shalës, Ersekë.

- Profesioni: Arsimtar.

- Shtresa shoqërore. E varfër fshatare, bir arsimtari.

- Gjendja civile: Beqar.

- Arsimi: 4 vjet shkollë bujqësore në Kavajë, pastaj 3 muaj kurs pedagogjik në Korçë..

- Në terren: Komisar dhe zëvendës Komisar kompanie.

- Rrethanat e vrasjes ose të vdekjes: Është vrarë në sulm kundër gjermanëve, duke dhënë shembullin personal në Kompani për marrjen e llogoreve gjermane në krahinën e Sremit, në Tovarnik, (Kroaci) Jugosllavi.

- Kundër kujt është vrarë? Kundër gjermanëve.

- Data e vrasjes: 12 prill 1945.

- Vend i vrasjes dhe i varrimit: Pylli i Tovarnikut.

- Vendi ku ka bërë pjesë: Brigada e VII-të “S” Divizioni 42, Armata I-rë, Shqiptaro-Maqedhonase, Batalioni II, Kompania I.

DEKORATAT: Ishte propozuar me urdhër:

1. Za slloga za narod: Në shërbim të popullit.

2. Ordenzahrabros: Urdhër i trimërisë.

3. Otligovanie: Medalja e trimërisë.

HARTUESI I ANKETËS

Rexhep Çela

Sekretari i Partisë Batalionit II-të

VENDIM

Nr.151 datë 06.11.1970

Komiteti Ekzekutiv i K.P. të Rrethgit Durrës në mbledhjen e tij të datës sotme, mbasi mori në shqyrtim propozimin e Zyrës së Kuadrit për njohjen si dëshmor të Vangjel Josif Filos, mbështetur në nenin 51 të ligjës mbi sigurimet shtetërore:

VENDOSI

Vangjel Josif Filo, të njihet dëshmor i luftës nacional çlirimtare, mbasi ka qënë partizan në Brigadën e VII-të “S” Shqiptaro-Maqedonase në Jugosllavi dhe u vra në një luftë të ashpër kundër okupatorit gjerman në Tovarnik-Jugosllavi.

PËR KOMITETIN EKZEKUTIV TË K.P. TË RRETHIT.

Sekretari

Hasan Sulejmani

Kryetari

Iljaz Reka

Presidiumi i Kuvendit Popullor të R.P.S.SH.

I jep Vangjel Josif Filos Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit I-rë, me këtë motivacion:

Ka punuar pa u lodhur për edukimin patriotik-revolucionar të brezit të ri dhe për përhapjen e mësimeve të Partisë në popull, gjatë luftës Nacional-Çlirimtare.

Tiranë, më 28.03.1977

Dekret Nr. 5553

Sekretari Telo Mezini d.v.

Kryetari

Haxhi LLeshi d.v.

Republika e Shqipërisë

Presidenti i Republikës

I jep Zotit Vangjel Josif Filo urdhrin “Naim Frashëri” të klasit parë.

Shërbeu në shkollat shqipe në Shqipërinë veriore e lindore jashtë kufijve politikë të vitit 1913, të shtetit shqiptar.

Tiranë më, 11.04.1994

Dekret Nr. 811.

Presidenti

SALI BERISHA d.v.

Republika e Shqipërisë

Këshilli i Ministrave

Komisioni qëndror i Statusit “Dëshmor i Atdheut”

ÇERTIFIKATË E DËSHMORIT TË ATDHEUT

Komisioni Qëndror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” me Vendimin Nr. 22 datë 27.02.2004 i njeh VANGJEL JOSIF FILOS Statusin “Dëshmor i Atdheut” dhe familjes i jep simbolin “Familje e Dëshmorit të Atdheut”.

Kryetari

Zëvendëskryeministri

NAMIK DOKLE

NJERI NGA YJET E PASHUAR TË VITEVE TË LUFTËS

Sado që kalojnë vitet, nuk mund të shuhen e të arrohen kurrë yjet që ndriçuan në vitet e zjarrta të luftës Nacional Çlirimtare. Ata janë ngurosur në granit e të skalitur nëpër lapidare.

Unë dua të flas për njerin nga yjet e viteve të luftës, për mbresat dhe kujtimet që më ka lënë. Bile tani pas 27 vjetësh, më del përpara fytyra dashamirëse e shokut tim të luftës; balli i gjerë, me ata sy të mëdhenj, me flokët e gjata e të drejta. Më kujtohet mbrëmja e fundit në Dubanofc, kur ay me violinën e një fshatari atje, këndoi këngët më të bukura të popullit tonë dhe të luftës Nacional-Çlirimtare:

- “O trimat e Enverit me ideal në gji, I dhatë tmerr Hitlerit e bëtë shkrumb e hi…” dhe këngën e Asim Zenelit:

- “Një zë po del nga Gryk’ e Mezhgoranit, Në sulm shqiptar’ armikun t’a dërrmojm’, A s'jemi ne të zott’ e këtij vatanit…”

Vangjel Filo lindi në një fshat të largët të Ersekës, në Shalës, afër grykave të Barmashit ku krisi pushka partizane kundër autokollonës së okupatorëve gjarmanë. Kjo ngjarje është përjetësuar në një lapidar atje.

I jati në luftë me vështirësitë e shumta të jetesës, bëri ç’ishte e mundur për t’i dhëmë Vangjelit, djalit të madh, zanatin që kishte vetë, atë të mësuesit.

E paharrueshme është mbresa që më ka lënë në ato ditë të stuhishme që pregatiteshim për luftë frontale, kur kompanitë shpallnin garë me njera tjetrën se cila do të pajiste më shpejt partizanët me lopata drur, dhe kur, kompania e Vangjelit zuri vëndin e parë.

Pas çlirimit familja nuk mori asnjë njoftim zyrtar, ajo prej shumë kohësh nuk dinte gjë për fatin e Vangjelit. Nënia, Tetja, vëllezrit e motrat mbanin vetëm fotografinë e tij të fundit. E kujtonin sa herë shikonin këtë fotografi, e u dukej sikur qëndronte gjithnjë më i ri se ata, vetëm 21 vjeç, e sikur buzëqeshte.

Vetëm në Jubileun e 25 vjetorit të Çlirimit Atdheut edhe Vangjel Filo u rradhit me luftëtarët e lirisë dhe zuri vendin e merituar në vargun e pafund të yjeve të tjerë të pashuar të viteve të luftës.

Përherë e kam të gjallë figurën e Vangjeelit, ishte shumë i dashur, shumë i ndershëm. Ay i deshi shokët dhe i ndihmonte vazhdimisht. Ishte mësues i gjithë batalionit dhe luftoi analfabetizmin e u përpoq deri sa të gjithë mësuan të shkruajnë e të lexojnë shqip. Ay ishte komunisti që gëzonte simpatinë dhe respektin e të gjithëve. Ishte i qeshur edhe në momentet më kritike. Ay ishte me të vërtetë një internacionalist me plot kuptimin e fjalës, dhe, si i tillë dha edhe jetën.

Vangjel Filo me sinqeritetin më të madh, ashtu siç e mësoi Partia Komuniste Shqiptare, dha dhe jetën e tij të re për çlirimin e popujve të Jugosllavisë.

REXHEP ÇELA

Ish sekretar i Partisë në Batalionin e II-të

të Brigadës VII-të të shqiptarëve në Maqedoni

MUSA AHMETI, ish shok dhe bashkëluftëtar i llogores me Vangjel Filon, tregon:

Unë jam nga Shutova. Vangjelin e kam njohur që kur ishte mësues në Premkë të Kërçovës. Rrasti e solli që të ishim bashkë edhe në rradhët partizane: Kompamia e I-rë, Batalioni II-të, Brigada VII-të Shqiptaro-Maqedonase, Divizioni 42. Komandant i Batalionit ishte Hasan Tubini, komisar Rexhep Çela.

Në fshatin Dubrofsk ndenjëm tre muaj për t’u stërvitur për luftë frontale nga oficerë sovjetikë. Vangjel Filo këtu bënte edhe mësime për të zhdukur analfabetizmin tek partizanët. Pas stërvitjes intensive nisemi për në front në krahinën e Sremit.

Në Tovarnik, para se të hynim në luftë, erdhi urdhri që brigada jonë të lihej në dispozicion të Divizionit 42, të qëronim minat. Ky urdhër i revoltoi partizanët. U bë demonstratë, pse nuk lejohemi të shkojmë në front të futemi në luftë?

Më parë këto llogore, në Tovarnik, i mbulonte një divizion sërb. Ai kish ndënjur 7 muaj aty. Ata u dërguan në pushim. Ne partizanët e Brigadës VII-të u futëm në vend të tyre. Nga e djathta jonë ishte Divizioni i 48-të jugosllav, që nuk luajti fare nga vendi.

U dha urdhri për sulm mbi divizionin gjerman. Raporti i forcave ishte i tillë: Një brigadë partizane kundër një Divizioni gjerman në mbrojtje. U hodhëm në sulm: Para partizanë! Midis nesh dhe gjermanëve fronti ndante rreth 100 metra. Përpara ishte fusha e minuar. Predhat e artilerisë armike hapnin gropa aty ku binin dhe shpërthenin. Unë bashkë me Vangjelin arritëm të futemi në një gropë artilerie. Një djalë partizan, mitraljeri, po mundohej dhe ai të vinte me ne në atë gropë. Por… i erdhi, nga një snajper, plumbi në ballë dhe, e vrau. Mitralozi i ra në tokë. Menjëherë Vangjeli ngrihet të marrë mitralozin e atij.

Jo, - i thashë, - rri Vangjel mos dil tani prej gropës vetëm, dhe e kapa prej krahu. Nuk më dëgjoi. Doli vetë dhe e mori mitralozin. Kur u ngrit , duke ardhur e kapi plumbi në supin e majtë, afër zemrës. Vuri dorën mbi plagë dhe tha: Më dogj!

Mbeti i vrarë në vend në Tovarnik të Shidit Sremit në Kroaci. Unë vazhdova rrugën e luftës me Brigadën deri në Zagreb. Nga kompania e parë, e jona, prej 200 vetësh mbetëm gjallë vetëm 7 vetë. Në Zaqreb morëm pjesë në paradën duke parakaluar me flamurin shqiptar. Pastaj pushuam 15 ditë.

'Një ditë e paharruar, 09.12.1975'

NË KRYEQYTET BËHET CEREMONIA E VARRIMIT ESHTRAVE TË DËSHMORËVE TANË QË RANË NË LUFTË PËR ÇLIRIM KUNDËR FASHIZMIT NË

KOSOVË, MAL TË ZI, SI DHE NË VISE TË TJERA TË JUGOSLLAVISË.

Eshtrat e dëshmorëve kthehen nga Jugosllavia, që të prehen për jetë në tokën që i lindi e i rriti, në gjirin e popullit që i brumsi me atdhedashurinë dhe trimërinë e tij tradicionale. Pranë Partisë që u rrënjosi në zemrat e tyre të zjarrta idealet e mësha të revolucionit, të lirisë, e të përparimit, të socializmit e të internacionalizmit proletar.

ata u bënë therorë për populin që deshën t’a shihnin të lirë, të pavarur e të lumtur, për revolucionin që kishin përqafuar pa lëkundje si mjetinj më të fuqishëm për t’a nxjerrë popullin nga mjerimi në begati. Për Partinë së cilës i qëndruan besnik deri në fund dhe nuk kursyen asgjë për zbatimin e vijës së saj politike. Pikërisht në realizimin e kësaj vije shikonin të vetmen rrugë të shpëtimit, të vetmen rrugë të lumturisë për masat e gjera popullore që bënë luftën. Prandaj ata, dëshmorët, janë e do të mbeten përgjithmonë të shtrenjtë e të respektuar për atdheun, popullin dhe Partinë; nuk do të arrohen kurrë nga brezat e sotëm dhe nga brezat që do të vijnë.

Më kujtohet ajo dita e shtunë më 9 dhjetor 11975, mbasdite vonë, populli i Tiranës priti në Sheshin “Skënderbej autokollonën e makinave, të cilat sollën në Atdhe dëshmorët tanë që ranë për çlirimin e popujve të Jogosllavisë. Bashkë me ta erdhi dhe Vangjel Filua, erdhi Vangjua ynë, ishin dhe eshtrat e Vangjel Filos. Arkivolet e vegjël me eshtrat e dëshmorëve u rrjeshtuan në sallën e hyejes së Teatrit të Operës dhe Baletit në Pallatin e madh të Kulturës në Tiranë. Ata “pshuan” në ngrohtësinë e sallës së këtij Pallati në qendër të Tiranës. Të nesërmen që ishte e djelë, dhjetra mijëra banorë të Tiranës dhe të ardhur nga rrethet, me sy të përlotur nga dhimbja por me ballin lart, ishin krenarë për veprën e tyre sublime. Ashtu në heshtje ata kaluan para tyre duke nderuar me grushtin lart.

Pikërisht në ato çaste solemne, i prekur e i frymëzuar, shkrova në letër për ta dhe për të disa vargje, me fjalë zëmre:

Erdhën djemtë fitimtarë,

Kthehen nga Jugosllavia;

Yjet e saj të pashuar,

I priti sot Shqipëria.

Në Shqipëri erdhën eshtrat,

Me kujdes e me ceremoni,

Por gjaku i derdhur MBETI!

Atje, në Jugosllavi!

Në betejat me gjermanët

Dhëmb për dhëmb, flakë për flakë

Nëpër borë nëpër plumba.

Partizanët u përgjaknë.

Unë po shkruaj për ty-në

Se ti shkrove pavdeksinë,

Re atje në dhe të huaj,

Ball’ për ball me tradhëtinë *

Parti e Punës të solli,

Në atdhe o luftëtar,

Veprën tënde lart e ç’moi

Vangjel Filo, o komisar.

Luftëtar’ i Enver Hoxhës,

Komunisti partizan,

Në Tovarnik ngule flamurin,

Për të shtrenjtin ideal.

Bir i shqipes, i Partisë,

Seç luftove mal më mal’

Jeta jote e rinisë,

Ju bë popujve pjedestal..

Nëna plakë trimëresha,

Përshëndeti me grushtin lart,

Djalin e saj trim, me shokët,

Mbi ta yllin partizan!

Nga Ing. Petro Filo

Shënim:

  • - Tanket që komandoheshin nga jugosllavët, dolën në skenën e luftës kur fronti ishte thyer?!

- Një brigadë e vendosur kundër një divizioni gjerman kishte qëllim, për t’u vrarë sa më shumë shqiptarë, siç ndodhi në të vërtetë!


E doje Partinë

Nëpër shtigje lufte

Në stuhi dhe flakë

Vangjel trim ç’u sule,

Përherë në ballë.

E doje Partinë,

Si dritën e syrit

Ndaj s’ju trëmbe flakës’o

S’ju trëmbe plumbit.

Me pushkë dhe penë,

Çave në stuhi,

Lule Vangjel Filo,

Komisar i ri.

Dhe kur re një ditë,

Dëshmor për liri,

Yll mes yjesh mbete,

Ti o trim i ri.

Toka nënë ju priti ,

Dhe ju mban në gji,

Se u ndezët yje ju,

O, për Shqipëri.

Xhuljana Jorganxhi

Kur malet thirrën bijtë

Kur malet thirrën bijtë

Kudo në Shqipëri

Armët ngjeshe brezit,

Dole për liri.

Shpesh jeta të vuri

Nga prova në provë,

Si pishtar i Shqipes

Punove në Kosovë.

Nëpër shtigje lufte,

S’u përkule ti,

Vangjel Filo trimi

Lule Shalësi.

Gjuhën ton’ të ëmbël

Mësoje ndër fëmijë,

Të donin atdhenë,

Të donin lirinë.

Penën edhe pushkën,

Fort i mbajte ti,

Lule Vangjel Filo,

Komisar i ri.

Pushtuesin luftove

Gjer n’Jugosllavi,

Dëshmor i pavdekur

Mbete për liri!

Shaban Murati

KËNGË PËR VANGJEL FILON

Mbeçë more shokë mbeçë

Më 12 prill dyzetepesë,

Në betejë me armikun

Në pyllin e Tovarnikut.

Babait i çoni fjalë

Lufta i rrëmben një djalë

Falë me shëndet nënesë,

i thoni të mos më presë!

Tetes i jepni kurajë

i thoni të mos më qajë.

Motra vëllezër sa jeni

dhimbjen në forcë t’a ktheni.

Shqipëtarë gjith sa rroni

Gjakun martir mos harroni

Sakrificat e rinisë

Që i fali jetën lirisë.

Në ç’do 5 maj ju pres ku rri,

Lart tek “Nëna Shqipëri”.

Vini ju të përkushtuar,

Me lot dhe lule në duar!

Nga Ing. Petro Filo

Alt text
Një libër për Vangjel Filon