Kanionet e Osumit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Skrapari mund të quhet edhe rrethi i kanioneve madhështore. Në të gjenden dy kanione të mëdha, të dy monumente natyre, midis tyre kanioni i Osumit, më i madhi në gjithë Shqipërinë, që me të drejtë është quajtur "Koloradoja e Shqipërisë". Ai gjendet në sektorin Çorovodë – Hambull të luginës së Osumit, është rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 m i gjerë, i thellë deri në 70-80 m, me shpate vertikale, përfund të cilëve rrjedh "lozonjar" Osumi, duke u "mburrur" me krijesën e vetë. Janë pikërisht ujërat e tij, që me forcën e tyre gërryerrëse dhe tretëse, kanë depërtuar ashtu ngadalë, por pa ndërprerje, në masën shkëmbore gëlqerore të strukturës antiklinale të Çorovodës, duke formuar kanionin me bukuri mbresëlënëse. Kur udhëton në brendësi të tij mahnitesh nga bukuria befasuese, por edhe nga disa përshtypje të çuditshme dhe të pabesueshme që të krijohen: coprat e qiellit së bashku me pjesë të mureve vertikale të gëlqerorëve gri dhe të bimësisë të blertë pasqyrohen në pellgjet e shumta të lumit, duke krijuar kështu një përzjerje ngjyrash dhe formash të përmbysura, që me fluiditetin e tyre të hutojnë, të çorientojnë dhe të zhytin në një botë krejt tjetër, ireale, por që të ngjallin ndjesi të ëmbla, nga të cilat nuk ke dëshirë të dalësh. Kjo nuk është e vetmia mrekulli e këtij kanioni: në disa sektorë të tij shfaqen ujëvara të mëdha me bukuri befasuese, sidomos në ditët me diell, rrezet e të cilit zbërthehen nga piklat e ujit, duke formuar ylbere, që fillojnë nga qielli, vazhdojnë në shpatet e kanionit, nga ku pasqyrohen në pellgjet e ujit dhe në shtratin e lumit. Në këto raste e ke të vështirë të vendosësh kufirin midis tokës dhe qiellit, të shaqen ndjesi të tjera edhe më të fuqishme, që të ndjekin nga pas edhe kur del prej kanionit, madje edhe kur je larg tij, ato të ftojnë të kthehesh dhe ta vizitosh përsëri atë.

Në muret vertikale të kanionit ka mjaft guva e zgavërime të formuara nga proceset e karstit. Midis tyre dallohet "Vrima e nuses", që ndodhet 800 m në afërsi të fshatit të Bigazit dhe që është një zgavër apo ndoshta një shpellë karstike në formën e një galerie me gjatësi 7 – 8 m dhe diametër rreth 2 m. Me siguri në muret vertikale gëlqerore ka edhe shpella të tjera shumë më të mëdha, të cilat presin eksploratorët për t’i zbuluar dhe evidentuar vlerat e tyre të shumta. Ka qenë pikërisht bukuria e veçantë dhe forma interesante e këtij kanioni që rreth tij të dilnin edhe legjenda, të cilat kanë udhëtuar gojë më gojë deri në ditën e sotme. Midis tyre tregohet legjenda e nuses dhe ajo e gjurmës të shenjtit Abaz Aliu. Legjenda e lidh shpellën e "Vrimës së Nuses", të përmëndur më lart, me fatin e një nuseje që po martohej pa dëshirën e saj, por që ishte e detyruar të zbatonte zakonin e vjetër. Krushqit po ktheheshin me nusen që kishin marrë në një fshat tjetër, kur arritën këtu nusja u thotë atyre se "po e çonin tek burri pa dëshirën e saj", por krushqit nuk i dhanë përgjigje. Ndaj ajo e mendoi vet planin e ikjes. Duke iu lutur zotit, i drejtohet shkëmbit të kanionit: "Hapu, o shkëmb që të shpëtoj nga sikleti që më ka zënë". Dhe shkëmbi e dëgjoi, menjëherë hapi një vrimë, zgavër. Nusja u hodh nga kali dhe u fsheh në këtë vrimë. Krushqit u kthyen në fshat pa të. Më vonë kjo vrimë nisi të vizitohej nga nuse të reja që kërkonin të bëheshin me fëmijë. Legjenda e dytë lidhet me format e çuditshme të krijuara nga karsti (tretja) e gëlqerorëve në ujë. Këto forma janë të ngjashme me gjurmën e një kali dhe të një shkopi. Ato gjenden pranë fshatit Dhores, rreth 5 km larg qytetit të Çorovodës. Legjenda i cilëson ato si gjurmët e shenjtit Abaz Aliu, i cili erdhi në Tomor nga Qerbelaja, hipur mbi kalin e tij të bardhë. Ai fluturoi dhe e la gjurmën e tij në dërrasën e Kajcës, nga ku përsëri fluturoi në malin e Tomorit. Besimtarët bektashianë për të qetësuar shpirtin, kërkojnë ndihmën e gjurmës së shenjtit Abaz Aliu.

Sapo kalon qytetin e Çorovodës dhe merr sipër rrjedhën e lumit, papritmas te shfaqet pamja e mrekullueshme e Kanionit te Osumit. Ky kanion ende i panjohur mire për shkak te mungesës se publicitetit, është një nga perlat e natyrës shqiptare dhe një vend gati tërësisht i virgjër për tu eksploruar nga turistet si vendas ashtu dhe te huaj. Kanioni nis ne vendin e quajtur Hambull afro 18 kilometra nga qyteti i Çorovodës, pëson një ndërprerje pasi kalon fshatin Lapan, për shkak se shtrati i lumit zgjerohet në vendin e quajtur "Mulliri i Babait" dhe prej aty deri ne Vaun e Grepckes, gati dy kilometra larg qytetit të Çorovodës kanioni shfaqet madhështor dhe të ofron pamje me të vërtete te mrekullueshme e te papërsëritshme. Por pjesa me e bukur e tij shtrihet nga fshati Blezencke deri në fundin e fshatit Çerenisht.

Kanioni[redakto | redakto tekstin burimor]

Lumi Osum formohet nga përrenjtë e shumte që rrjedhin nga shpatet e Vithkuqit në malësinë e Korçës dhe dhe shpatet perëndimore te Gramozit në rrethin e Kolonjës. Gjatë rrjedhës se tij neper Skrapar, Osumi bashkohet me disa dege të tjerë te tij dhe formën e vërtete e merr në hyrje te qytetit të Beratit. Osumi pasi bashkohet me Devollin në afërsi të Urës se Kuçit formojnë Semanin. Gjatësia e Osumit është 161 kilometra, por pjesa me e bukur e tij është padyshim kanioni që ndodhet në rrethin e Skraparit. Kanioni i Osumit është më i gjati dhe ka lartësinë mesatare më të madhe në vend. Në fundin e tij, në Vaun e Grepckes, Osumi krijon një delte te bukur që shfrytëzohet nga banoret e Çorovodës dhe fshatrave përreth për të pushuar dhe bere plazh gjate stinës se verës. Në thellësi të tij, kanioni krijon gjashte ngushtica, në të cilat lumi mund te kalohet vetëm me not pasi kanioni është shumë i ngushtë. Shpatet e kanionit bien thike me shtratin e lumit nga një lartësi prej 80 deri 100 metra dhe krijojnë një pamje fantastike. Kanioni ka një gjatësi prej 11 kilometrash në pjesën e tij te pandërprere, nga Vau i Grepckes deri në dalje të fshatit Blezencke. Kjo pjesë e kanionit shfrytëzohet nga banoret e zonës për të peshkuar disa lloje peshqish që rriten në lum si dhe për të gjuajtur guake (pëllumba të egër). Por në këtë pjese të kanionit mund të ndeshesh edhe shpend grabitqare si një lloj shqiponje që rritet në këtë zone apo skifterë. Në të dyja anët e luginës ku ndodhet kanioni shtrihen disa fshatra, të shquar sidomos për prodhimin e rakisë me nam të Skraparit. Bimësia përbehet nga shkurre mesdhetare dhe menjëherë pas tyre nisin pyjet me dushk.

Turizmi[redakto | redakto tekstin burimor]

Kanioni i Osumit ka qene thuajse i pashfrytëzuar për qëllime turistike deri në fillimin e viteve '90. Por qysh nga ajo kohe kanionin kane nisur ta vizitojnë turiste të huaj kryesisht italiane dhe franceze, të cilit e kanë kthyer në një rit të përvitshëm. Ata janë kryesisht të dhëne pas vozitjes me kanoe e kajak. Në kater-pese vitet e fundit numri i vizitoreve që shijojnë pamjet e mrekullueshme të kanionit është rritur ndjeshëm si të atyre vendas ashtu dhe turisteve të huaj. Kanioni mund te vizitohet në dy mënyra, nëpërmjet shtratit të lumit me kanoe, kajak apo varka gome, ose në rruge tokësore me automjet apo në këmbe. Vozitja mund të bëhet në çdo stine të vitit pasi lumi nuk është shumë i rrëmbyeshëm, por zakonisht amatoret e këtij sporti preferojnë periudhën nga pranvera deri në fundin e vjeshtës. Vozitja me kajak e kanoe mund të bëhet duke i pasur vete këto mjete, në të kundërt një shërbim i tillë të ofrohet nga një agjenci turistike në qytetin e Beratit, e cila të ofron veç të tjerash dhe hotel, kuzhine tradicionale të zonës si dhe një guide vozitjeje neper kanion. Udhëtimi nga Berati deri në pjesën e sipërme të kanionit dhe lundrimi neper lum deri në Berat, të ofrohet për 6 mije leke të reja. Ndërsa nga toka kanioni mund të vizitohet në çdo kohe dhe me shumë pak shpenzime. Kanioni është krejtësisht një vepër e natyrës.

Guida[redakto | redakto tekstin burimor]

Rruga automobilistike që lidh qytetin e Çorovodës me skajin e sipërm të kanionit të quajtur Hambull kalon thuajse ngjitur me bregun e kanionit. Ky aks rrugor nuk është i asfaltuar por mund të përshkohet me fuoristrade apo autoveture. Nga Çorovoda deri në Hambull mund të shkosh me linje furgoni që e përshkon këtë distance dy herë në ditë, në mëngjes, nisja në orën 7.00 dhe pasdite në orën 16.00. Gjate vizitës neper kanionin e Osumit mund të shijosh edhe pamjen përrallore të disa ujëvarave, të cilat bien në lume nga një lartësi e madhe, si ne Çerenisht, Zogas, Kalanjas, Dhores, Pigas e Blezencke. Gjatë kanionit mund të ndeshesh dhe disa shpella interesante. Një pamje të rralle të kanionit mund ta shijosh dhe nga e vetmja ure që ndodhet në te, në afërsi të fshatit Blezencke. Pikërisht aty është vendi me i ngushte i kanionit dhe arrihet lartësia me e madhe nga shtrati i lumit. Në afërsi të fshatit Dhores mund të vizitosh dhe vendin e shenjte për besimtaret bektashian te zonës, pasi sipas legjendës aty gjendet "Gjurma e Imam Aliut". Ky vend i shenjte ndodhet në pjesën e sipërme të kanionit, ku në masivin shkëmbor, në të dyja anët e lumit, dallohen qarte gjurma e një njeriu, e një kali dhe gjurma e një bastuni. Sipas legjendës Imam Aliu e ka kaluar kanionin me një kërcim të kalit të tij. Si gjatë vozitjes neper lum ashtu dhe nëse ecën me këmbe ndesh burime me ujë të ftohtë, por nuk ka lokale, kështu që duhet të marrësh me vete edhe pak ushqim apo pije të ndryshme. Hotelet me te afërta me kanionin ndodhen në qytetin e Çorovodës. Çmimet ne to janë shumë të arsyeshme. Në restorantet e qytetit të ofrohet gatimi tradicional i zonës, mishi ne hell i shoqëruar me disa produkte bulmeti si dhe me rakinë me nam të Skraparit. Kanioni mund të përshkohet për afro treçerek ore me makine, tre ore në këmbe dhe pak me shumë se dy ore me kanoe apo kajak.