Kisha e Manastirit të Shën Mërisë
Kisha e Manastirit të Shën Mërisë-Krorëz
Është ndërtuar në një breg shkëmbor, në një pozitë natyrore të mbrojtur dhe njëkohësisht piktoreske, prej nga hapet një pamje e gjerë e peizazhit bregdetar. Nga ndërtimet e vjetra të manastirit kanë arritur deri në ditët e sotme kisha, kulla dhe një ndërtesë me çardak. Kisha është pikturuar në vitin 1672. Është e tipit në formë kryqi me kupolë, me përmasa të brendshme 7,90x4,40 m. Proporcionet e zgjatura të naosit kanë sjellë një zhvillim të pabarabartë të krahëve të kryqit. Krahët verior dhe jugor janë tepër të ngushtë, ndërsa hapësirë më të madhe ka krah perëndimor, që përmbledh hyrjen për në kishë. Në pjesën qendrore lartësohet kupola mbi një tambur të lartë. Pjesët këndore janë mbuluar me qemere cilindrike, që hapen ndaj nefit qendror. Ambienti i altarit ndahet nga një ikonostas prej muri guri, me tri hapësira hyrjeje. Hapësira e tij zgjerohet së tepërmi nga dalja jashtë e absidës së gjerë të bemës. Në pamjen e jashtme si absida, ashtu dhe tamburi janë shumëfaqëshe. Interieri ndriçohet nga dritaret e hapura në murin verior dhe jugor, si dhe nga disa dritare të ngushta të hapura në absidë dhe tambur. Në pamjen e jashtme janë shumë të ndjeshme proporcionet e zgjatura të naosit. Kjo vjen edhe ngaqë krahu verior dhe jugor i strukturës së brendshme nuk shfaqen në konfiguracionin e çatisë. Çatia është dyujëse, e ndërprerë në pjesën qendrore nga tamburi. Në frontonin e murit perëndimor ngrihet këmbanarja, me një hapësirë të harkuar. Ngjitur me murin perëndimor është ndërtuar një mur i dytë, i hapur në krye të të cilit kalon ulluku që mbledh ujërat e shiut nga çatia dhe i dërgon në sterën e ndërtuar pranë kishës, në anën veriore të saj. Muratura është ndërtuar me gurë dhe është rrafshuar mirë me llaç gëlqereje.Ajo përfundon me një kornizë të hollë guri.Apsida dhe tamburi janë të suvatuara me një shtresë të hollë llaçi.Çatia është mbuluar me rrasa guri. Ndërtesa me çardak është ndërtuar në vitin 1762.Ajo është dykatëshe.Në katin e dytë del një galeri e mbështetur mbi qemere dhe e hapur në ballë me një rradhë shtyllash druri.Çardaku është i mbuluar nga zgjatimi i flegrës së çatisë së pjesës tjetër të ndërtesës. Kulla ose ndërtesa e fortifikuar është trekatëshe, me karaktere të mbyllur dhe me hapësira ndriçimi të pakta e të vogla.Hyrja për në katin e dytë të kullës bëhet me shkallë të jashtme prej guri, të mbështetura mbi një qemer cilindrik. Përveç këtyre ndërtimeve, rreth e rrotull kishës janë shpërndarë dhe rrënoja ndërtimesh të tjera.Oborri i manastirit është i shtruar me plloça guri.