Kontrolli i Lartë i Shtetit
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Kontrolli i Lartë i Shtetit është një institucion kushtetues në Republikën e Shqipërisë.
Institucioni i Kontrollit të Lartë në shtetin shqiptar e ka fillesën e vet jo shumë larg në kohë.
Rrethanat historike të zhvillimit, luftërat dhe pushtimet e huaja, për shumë shekuj nuk lejuan krijimin e një shteti nacional. Për gati pesë shekuj të okupimit turk, në Shqipëri vepronin ligje dhe rregulla që imponoheshin nga interesat e perandorisë.
Luftërat e pareshtura të popullit shqiptar për liri e pavarësi kombëtare u kurorëzuan vetëm më 28 nëntor 1912. Këtë vit, Shqipëria mundi të formojë shtetin e parë shqiptar me kufij nacionalë, që ndonëse të cunguar, u njohën nga fuqitë e mëdha. Qeveria e parë demokratike ngriti institucionet e veta ligjore dhe administratën shtetërore. Por, ende pa u konsoliduar shteti, lufta ballkanike dhe ajo botërore pezulloi konsolidimin e institucioneve të shtetit shqiptar.
Më 1925, Asambleja Kombëtare miraton të parin Statut Themeltar të Shtetit Shqiptar (Kushtetuta). Për kohën e vet, ky dokument ishte një arritje e madhe historike që sanksionoi tiparet kryesore të shtetit dhe të institucioneve të tij legjitime.
Në këtë kushtetutë, përpos të tjerash përcaktohet edhe institucioni që ngarkohet me kontrollin shtetëror të financave publike. Ajo ishte Dhoma e Deputetëve.
Dhoma e Deputetëve kishte atributet e një institucioni që kishte të drejtë dhe detyrë të kontrollonte qeverinë, për mbrojtjen e interesave të përgjithshme të vendit. Dhoma e Deputetëve krijonte komisione hetimi për të studiuar çështje e fakte që lidheshin me këto interesa. Komisionet kryenin hetime, kërkonin shpjegime nga autoritetet publike, shoqëritë shtetërore apo individët privatë dhe kishin të drejta ekskluzive mbikëqyrëse mbi aktet zyrtare për të provuar pajtueshmërinë e tyre me interesat publike. Këto atribute kishin në përmbajtje një autoritet ligjor që sanksiononte kontrollin e parlamentit mbi qeverinë.
Në vitet 1928-1939, vendi drejtohet nga një monarki institucionale. Në Statutin Themeltar të Mbretërisë Shqiptare, kontrolli shtetëror pëson perfeksion në formë dhe përmbajtje. Në këtë Statut (Kushtetutë), financat e shtetit kontrollohen nga Këshilli Kontrollues i cili merr atributet e një organizmi të pavarur. Këshilli Kontrollues, pranë Parlamentit, përbëhej nga kryetari dhe dy anëtare të zgjedhur. Me ligj të veçantë përcaktohej mënyra e organizimit dhe ushtrimit të detyrës. Objekt i veprimtarisë së Këshillit Kontrollues ishte kontrolli preventiv dhe konsultativ i të ardhurave dhe shpenzimeve të shtetit. Me ligj përcaktohej mënyra e raportimit në Parlament dhe marrëdhëniet e tij me këtë organ, me qeverinë dhe mbretin. Gjithashtu, në ligj përcaktohen edhe modalitetet e emërimit dhe mandati kushtetues prej 7 vjetësh, i cili siguronte paprekshmërine funksionale dhe mbrojtjen ligjore të anëtarëve të këtij Këshilli. I organizuar në formën e Këshillit Kontrollues, kontrolli shtetëror merr atributet e një institucioni të pavarur që përputhet me konceptet moderne të organizimit të tij.
Në vitet 1939-1944, Shqipëria pushtohet nga forcat e koalicionit nazifashist të Italisë dhe Gjermanisë. Për rrjedhojë, pezullohet i gjithë aktiviteti i këtij institucioni suprem, sikurse gjithë institucionet e tjera shtetërore. Shqipëria si pjesë e koalicionit antifashist çlirohet nga pushtimi më 29 nëntor 1944. Pas kësaj periudhe deri në fund të vitit 1991, vendi drejtohet nga një regjim komunist.
Në vitin 1945, Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar, i cili kishte atributet e një Parlamenti, institucionalizon kontrollin shtetëror nëpërmjet një Këshilli Kontrollues. Ky Këshill kishte për objekt kontrollin ekonomik e financiar në të gjithë vendin. Detyra kryesore e Këshillit Kontrollues ishte : kontrolli preventiv dhe konsuntiv i shpenzimeve të shtetit, mbikëqyrja për të ardhurat shtetërore dhe ajo e veprimtarisë të nëpunësve që administronin paratë e materialet e shtetit. Këshilli Kontrollues kishte të drejtë të jepte gjykime e vlerësime për përgjegjësitë administrative të funksionarëve shtetërore dhe për llogaritë përfundimtare të shtetit. Atij i njihej e drejta të kërkonte nga institucionet shtetërore të dhëna e informacione që gjykonte të nevojshme. Ky Këshill raportonte, çdo 3 muaj, para Këshillit Antifashist mbi mënyrën e zbatimit të buxhetit të shtetit. Dispozitat ligjore e përcaktonin këtë organ kontrolli të pavarur nga qeveria.
Në gusht 1946 bëhet riorganizimi tërësor i organeve të kontrollit, si në formë edhe në përmbajtje. Me ligj të veçantë të Kuvendit Popullor krijohet Komisioni i Kontrollit të Shtetit.
Sikurse gjithë struktura shtetërore, krijimi i Komisionit të Kontrollit të Shtetit kishte qëllim që sistemi i organizimit, funksionet dhe detyrat e këtij institucioni t’u përshtateshin nevojave për konsolidimin e sistemit komunist në ekonomi. Shteti kishte nisur rrugën e shoqërizimit të pronës private. Ekonomia e vendit drejtohet mbi bazën e parimit të centralizmit absolut. Komisioni i Kontrollit të Shtetit nuk është me një organ i pavarur i parlamentit, por pjesë e strukturës së Qeverisë. Ai vepron kolegjialisht, kurse kryetari ishte anëtar i Qeverisë. Komisioni i ushtronte detyrat përmes inspektorëve të përgjithshëm. Organizimi i kontrollit realizohej mbi bazë rajonesh (Prefektura).
Në ligjin organik ndryshojnë tërësisht funksionet, objekti, vartësia, organizimi dhe kompetencat e Kontrollit të Përgjithshëm të Shtetit. Si objektiv kryesor, këtij institucioni i ngarkohej : të ndihmonte dhe mbikëqyrte veprimtarinë e administratës shtetërore, të instituteve dhe ndërmarrjeve që varen prej tyre, të mbikëqyrte zbatimin e ligjeve, vendimeve, rregulloreve dhe udhëzimeve të organeve më të larta të pushtetit shtetëror nga hallkat në vartësi të tyre. Komisioni i Kontrollit të Shtetit kishte të drejtë të hetonte organizimin e brendshëm të institucioneve shtetërore, raportet dhe librat financiare, veprimtaritë private; të pezullonte çdo veprim të paligjshëm apo shpenzim të parregullt. Ky institucion mund të fillonte vetë ndjekjet disiplinore dhe të zhdëmtimit, kundrejt nëpunësve të shtetit që kishin kryer veprime të paligjshme. Pra, në kushtet e një sistemi totalitar edhe Kontrolli i Shtetit, si pjesë i këtij organizmi shoqëror, ishte veshur me kompetenca represive.
Në janar 1950, me disa ndryshime në ligjin organik, këtij institucioni i kufizohet rrethi i objektit të kontrollit. Objektiv i tij ishte vetëm kontrolli mbi llogaritë dhe shpenzimet e Qeverisë dhe zbatimi i vendimeve të saj. Detyra bazë përcaktohet kontrolli preventiv (paraprak) dhe përfundimtar mbi llogaritë e shtetit në gjithë njësitë ekonomike, financiare e prodhuese ; ruajtja e vlerave monetare e materiale të shtetit në ndërmarrjet, kooperativat bujqësore, institucionet shtetërore dhe ato shoqërore. Kur kërkohej nga qeveria ose me iniciativën e vet, Komisioni i Kontrollit të Shtetit kryente vetë kontroll revizione financiare.
Edhe në këtë periudhe, institucioni mbetet në vartësi të Qeverisë dhe raporton para tij. Në organizimin e brendshëm suprimohen hallkat e kontrollit në rajone dhe veprimtaria përqendrohet tërësisht në qendër. Bëhen kufizime në të drejtën për të vendosur masa disiplinore ndaj nëpunësve të shtetit. Kjo e drejtë jepet vetëm në formën e rekomandimeve, kurse organet shtetërore të emërtesës ishin të detyruar të informonim për zbatimin e tyre.
Në vitet 1952 dhe 1959, në vartësi të situatës politike dhe gjendjes social-ekonomike të vendit, dispozitat ligjore për Kontrollin Shtetëror pësojnë ndryshime parciale. Me dekrete të posaçme u bënë disa kufizime në objektin e veprimtarisë ose në kompetencat vendimmarrëse. Vitet 60 përjetohen në Shqipëri me gjendje të rënduar politike, ekonomike e sociale. Lufta politike brenda udhëheqjes së Partisë e të Shtetit, izolimi total i vendit nga bota demokratike, agravimi i situatës ekonomike, e detyrojnë regjimin komunist të aplikojë reforma drastike që kufizuan liritë e të drejtat themelore të njeriut dhe forcuan diktaturën.
Më 1966 suprimohet Komisioni i Kontrollit të Shtetit. Ky organ riorganizohet në formën e një Inspektimi Shtetëror. Këtë formë ai e ruajti deri në vitin 1987. Si tipar kryesor, ky organizim kishte reduktimin e thellë të pozitës institucionale, objektit të veprimtarisë dhe kompetencave të kontrollit shtetëror. Inspektimi i Shtetit merr tiparet e një zyre brenda administratës së qeverisë, që vepron me porosi dhe në emër të saj dhe raporton vetëm në qeveri.
Inspektimi i Shtetit kishte objekt: kontrollin për zbatimin e akteve ligjore e nënligjore në fushën e administrimit financiar. Ky organizëm kryente kontroll dhe për detyra të veçanta që i ngarkonte Qeveria. Kufizohej detyra për të ushtruar kontroll revizione direkte në subjektet shtetërore. Ndërkohë, i lihej detyra të mbikëqyrte veprimtarinë e organeve të kontrollit financiar dhe e drejta të kërkonte prej tyre, kur e çmonte të domosdoshme të kryenin kontrolle në subjekte të veçanta.
Inspektimi i Shtetit kishte të drejtë: të pezullonte aktet e paligjshme, të kërkonte marrjen e masave disiplinore apo të zhdëmtimit sipas dispozitave të Kodit të Punës, për nëpunësit dhe punonjës të tjerë të administratës shtetërore apo të njësive ekonomike. Për kooperativat bujqësore masat ishin rekomanduese, pasi ato si organizata shoqërore vepronin me statut të veçantë.
Në vitin 1987, me dekret të veçantë, rikrijohet Komisioni i Kontrollit të Shtetit, thuajse me atë organizim, objektiva dhe kompetenca që kishte ky organ në vitet e mëparshme. Ky institucion vazhdoi të veprojë deri në fund të vitit 1991.
Rrëzimi i diktaturës komuniste dhe vendosja e pluralizmit politik në Shqipëri, në fund të vitit 1991, shoqërohet me reforma të thella politike dhe demokratike. Këto reforma kondicionuan edhe një rishikim dhe trajtim më adekuat të konceptimit, nivelit të organizimit, përmbajtjes dhe funksioneve të kontrollit të përgjithshëm të shtetit. Përafrimi me standardet ndërkombëtare në fushën e administrimit publik kërkoi krijimin e institucioneve sipas parimeve dhe skemave të vendeve të demokracisë perëndimore. E këtij karakteri ishte edhe reforma institucionale në fushën e kontrollit shtetëror.
Më 1992, me ligj të veçantë, krijohet institucioni supreme i kontrollit të shtetit. Ky institucion u emërtua Shërbimi i Kontrollit të Shtetit. Shërbimi i Kontrollit të Shtetit merr atributet e një organizmi të pavarur nga qeveria. Drejtimi i institucionit realizohej në mënyre kolegjiale nga një kryesi e përbërë nga tre anëtarë (kryetari dhe dy zëvendës kryetarë) të cilët emëroheshin nga Parlamenti. Mandati i tyre përcaktohej për 7 vjet. Objekti i veprimtarisë i përgjigjej në përgjithësi kërkesave bashkëkohore dhe standardeve të kontrollit. Objekt kryesor ishte : organizimi, drejtimi dhe realizimi i kontrollit për zbatimin e buxhetit të shtetit, i burimeve të të ardhurave, administrimi i pronës publike dhe përdorimi i fondeve materiale e financiare të shtetit.Shërbimi i Kontrollit të Shtetit kishte detyrë të kontrollonte ligjshmërinë, rregullaritetin, rentabilitetin, dobishmërinë, ekonomicitetin dhe eficiencën e veprimtarisë ekonomiko-financiare të organeve qendrore e vendore të shtetit ; marrëdhëniet e kreditimit midis Bankës së Shqipërisë dhe buxhetit të shtetit; ligjshmërinë për privatizimin e pronës shtetërore; zbatimin e legjislacionit për arkëtimin e të ardhurave nga organet doganore e tatimore, përdorimin e dobishëm të fondeve publike etj. Në fushën e kontrollit, krahas mbikëqyrjes së kontrollit të brendshëm financiar, institucioni kishte detyrë të kryente vetë kontrolle financiare, në të gjithë njësite administrative të shtetit, në qendër e zonat rurale, si edhe në ndërmarrjet shtetërore.
Shërbimi i Kontrollit të Shtetit kishte të drejtë të kërkonte nga subjektet nën kontroll dokumentacionin e duhur dhe çdo informacion tjetër financiar. Për problemet e lindura gjatë kontrollit bënte parashtresë para organeve shtetërore për mënjanimin e të metave dhe kërkonte prej tyre marrjen e masave disiplinore. Kur gjatë kontrollit vërtetoheshin dëme financiare ose vepra që përbënin faj penal kishte të drejtën që ndaj personave përgjegjës të bënte padi direkt në Gjykatë. Ndonëse ligji për Shërbimin e Kontrollit të Shtetit ishte një hap i mirë drejt standardeve ndërkombëtare të kontrollit, në nivelin e organizimit dhe shkallën e pavarësisë kishte ende mangësi. Mbulimi prej tij i kontrollit të brendshëm financiar në të gjithë vendin, tërhoqi vëmendjen nga problemet themelore për kontrollin mbi buxhetin e shtetit, paralizoi kontrollin e brendshëm të drejtimit dhe krijoi ngarkesa artifice në veprimtarinë e këtij institucioni.
Institucioni, ndonëse ligjërisht konsiderohej organizëm i pavarur, në këtë kohë nuk mundi të dalë nga guacka e ndikimit politik, pasi Kryetari i saj bënte pjesë në strukturat drejtuese të partisë në pushtet dhe zbatonte vijën e saj politike.
Në 23 dhjetor 1997, për të përsosur bazën ligjore e institucionale të Kontrollit Shtetëror, me ndihmën e SIGMAs, u miratua nga Parlamenti ligji nr. 8270, datë 23.10.1997 "Mbi Kontrollin e Lartë të Shtetit". Ky ligj, pas miratimit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nëntor 1998, u pasurua në muajin prill 2000 me disa amendime plotësuese. Institucioni merr emrin " Kontrolli i Lartë i Shtetit " (KLSH).
Me këtë ligj u bënë ndryshime të rëndësishme dhe në tërësinë e tij ai i përmbahet parimeve të standardeve ndërkombëtare të kontrollit të INTOSAI-it.
KLSH është institucion i pavarur kontrolli i jashtëm në Republikën e Shqipërisë. Pozicioni kushtetues i KLSH përcaktohet në ligjin nr. 154.2014, date 27.11.2014 dhe “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, pjesa 14, nenet 162-165.
Funksionet dhe detyrat e KLSH janë përcaktuar shprehimisht në Kushtetutë dhe në ligjin organik nr. 154/2014, datë 27.11.2014, “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”.
Në organizimin e drejtimit, KLSH i referohet rregullave e udhëzuesve organikë të brendshëm që veprojnë në përputhje me legjislacionin shqiptar. Parimet bazë të drejtimit (organizimit) rrjedhin nga Deklarata e Limës, standardet e auditimit të INTOSAI-t dhe udhëzuesit evropianë të zbatimit. KLSH është anëtare e INTOSAI dhe EUROSAI që nga viti 1993.
Në aspektin e bazës rregullative të KLSH janë miratuar dhe janë objekt pasurimi të vazhdueshëm disa akte nënligjore mjaft të rëndësishme, si : Rregullorja e Brendshme e Organizimit dhe Funksionimit të KLSH; Standardet e Auditimit të KLSH, bazuar në standardet ndërkombëtare të auditimit (INTOSAI); Manualet e Auditimit te Performances, Financiar, Perputhshmerise dhe Teknologjise se Informacionit; Kodi Etik i KLSH, etj.
Pavarësia e institucionit është e garantuar me pozicionin kushtetues dhe ligjin organik të KLSH, duke filluar nga pavarësia e Kryetarit, pavarësia financiare, imuniteti i Kryetarit, pavarësia organizative dhe funksionale. Kryetari zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës dhe qëndron në detyrë për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
KLSH ka për objektiv auditimin e përdorimit efektiv, eficient dhe ekonomik të fondeve publike, miradministrimin financiar dhe kontrollin e zbatimit të ligjshmërisë në fushën ekonomike e financiare. Gjithashtu, komunikimin dhe dhënien e informacionit autoriteteve publike dhe publikut në përgjithësi, nëpërmjet publikimit të raporteve të paanshme.
KLSH ka për detyrë të auditojë :
- Veprimtarinë ekonomiko-financiare të institucioneve shtetërore e të personave të tjerë juridikë shtetërorë ;
- Përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe vendor ;
- Veprimtarinë ekonomike të personave juridikë, në të cilët shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve apo të aksioneve ose kur huatë, kreditë dhe detyrimet e tyre garantohen nga shteti ;
- Përdorimin e fondeve që iu janë dhënë nga buxheti i shtetit partive politike dhe shoqatave ;
- Mbikëqyrjen e veprimtarisë së institucioneve të kontroll-revizionit të brendshëm shtetëror, përfshirë auditin e brendshëm ;
- Subjekte të tjera të përcaktuara me ligje të veçanta.
KLSH e ushtron auditimin e administrimit të pronës shtetërore dhe zbatimin e buxhetit të shtetit, në subjektet e përcaktuara në ligjin organik. Auditimi mbulon çështjet e rregullshmërisë, të administrimit financiar dhe vlerësues.
Referuar legjislacionit në fuqi, Kryetari i KLSH ka një sërë të drejtash në fushën e organizimit të brendshëm; të programimit të auditimeve ; të pagave e të shpërblimit të personelit; të standardeve të auditimit ; në fushën e përcaktimit të kompetencave dhe detyrave ; të botimeve ; të marrëdhënieve me institucionet përfshirë Gjykatën dhe Prokurorinë etj. Audituesit e KLSH kanë të drejtë ligjore për të marrë informacionin e nevojshëm në të gjitha njësitë që auditojnë dhe që janë objekt auditimi.
KLSH ka të drejtë të japë rekomandime lidhur me auditimin e drejtimit dhe atë të auditimit të brendshëm, dhe kërkon nga subjektet e audituara dhe autoritetet e larta shtetërore marrjen e masave të nevojshme për përmirësimin e gjendjes në përputhje me këto rekomandime. Gjithashtu, KLSH ka të drejtë të bëjë propozime për përmirësimin e legjislacionit në fushat brenda detyrave të tij, madje kur gjatë auditimit konstaton akte ligjore ose nënligjore në kundërshtim me ligjet bazë, mund të kërkojë ndryshimin ose shfuqizimin e tyre nga organet që i kanë nxjerrë ; ndërkohë që për shkeljet financiare me dëm ekonomik, KLSH kërkon kompensimin e vlerave të humbura. Për rastet kur shkeljet financiare me dëm ekonomik, përbëjnë vepër penale, ndaj personave përgjegjës bëhet kallëzim në organet e prokurorisë, duke i dërguar dhe materialet përkatëse.
Lidhur me marrëdhëniet institucionale të KLSH, ato përcaktohen qartë në kushtetutë dhe ligjin organik.
Krahas detyrimit për paraqitjen çdo vit në Kuvend të:
- Raportit për Zbatimin e Buxhetit të Shtetit;
- Mendime për raportin e Këshillit të Ministrave për shpenzimet e vitit të kaluar financiar, para se të miratohet nga Kuvendi;
- Raportit për Veprimtarisë Vjetore (Performancën) të KLSH ;
Vend të veçantë zenë edhe marrëdhëniet me strukturat e shtetit, si : Kuvendin, Presidentin e Republikës, Qeverinë, organet e sistemit të drejtësisë, të Prokurorisë, të masmedias (të shkruar dhe televizive); me organizmat ndërkombëtarë si INTOSAI, EUROSAI, Gjykatën e Llogarive të BE, institucionet homologe të auditimit, etj.
Rritja e kapaciteve të KLSH, zbatimi konform kërkesave të standardeve ndërkombëtare të auditimit, të auditimeve të ligjshmërisë, rregullshmërisë dhe vlerësimit të drejtimit, si dhe ngritja e përvitshme e nivelit profesional të punonjësve të KLSH nëpërmjet dhënies së asistencës dhe implementimit të projekteve të binjakëzimit me institucionet homologe të auditimit të BE, do të sigurojnë rrugën e KLSH-së dhe të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian.
Baza ligjore, funksionet dhe pavarësia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Gjatë viteve 1997-2000 u hodhën hapa serioze në rrugën për forcimin dhe konsolidimin e KLSH-së. Bazat ligjore dhe institucionale bënë të mundur të përcaktohet qartë roli, autoriteti, objekti dhe marrëdhëniet e KLSH-së me Parlamentin, Qeverinë dhe Institucionet e tjera.
Në përmbushje të parimeve të Deklaratës së Limës dhe të kërkesave që kanë standartet ndërkombëtare të kontrollit të INTOSAIt, legjislacioni për kontrollin e përgjithshëm shtetëror në Shqipëri, përbën një hap tepër serioz për pavarësinë dhe ushtrimin e detyrave nga KLSH-së.
a. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Në përmbajtje plotëson këto kërkesa bazë :
Autoritetin dhe funksionin e KLSH-s, si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar në Republikën e Shqipërisë, i cili në veprimtarinë e tij i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.
Mënyrën e zgjedhjes së Kryetarit të KLSH-s, i cili zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi, me propozim të Presidentit të Republikës dhe qëndron në detyrë për 7 vjet, me të drejte rizgjedhjeje (neni 162).
Objektin e veprimtarisë kontrolluese, i cili ka në themel veprimtarinë ekonomike të institucioneve shtetërore e të personave të tjerë juridike shtetërore; përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe atij vendor; veprimtarinë ekonomike të personave juridike, në të cilët shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve ose të aksioneve, ose kur huatë, kreditë dhe detyrimet e tjera garantohen nga shteti (neni 163).
Mënyrën e raportimit dhe marrëdhëniet me Kuvendin, sipas të cilës Kontrolli i Lartë i Shtetit i paraqet Kuvendit raportin për zbatimin e buxhetit të shtetit dhe mendimin e tij për raportin e Këshillit të Ministrave për shpenzimet e vitit te kaluar financiar, para se ky te miratohet nga Kuvendi. Kuvendit i dërgohen edhe informacione për rezultatet e kontrolleve sa herë që kërkohen nga Kuvendi. Gjithashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit i paraqet Kuvendit raportin vjetor të veprimtarisë së tij (neni 164).
Marrëdhëniet me Qeverinë gjejnë shprehje në të drejtën që i jepet Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili mund të ftohet të marrë pjesë dhe të flasë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, kur shqyrtohen çështje që lidhen me funksionet e tij (neni 165/1).
Mbrojtja ligjore e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, imuniteti i të cilit barazohet me imunitetin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë (neni 165/2).
b. Ligji Organik i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Ligji nr. 8270, datë 23.12.1997, së bashku me amendimet në Ligjin nr. 8599, datë 01.06.2000 "Për Kontrollin e Lartë të Shtetit".
Në përmbajtje, ky ligj krahas përcaktimeve kushtetuese përmban:
Në krye, Ligji jep postulatin bazë të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar në Republikën e Shqipërisë, i cili në ushtrimin e kompetencave të tij i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjit. Institucioni përcaktohet si një organ i depolitizuar dhe i departizuar (neni 1).
Parimin e ushtrimit të veprimtarisë:
KLSH konform legjislacionit shqiptar dhe standardeve ndërkombëtare të kontrollit ushtron kontroll për administrimin e pronës shtetërore dhe zbatimin e buxhetit në subjektet e përcaktuara në ligj (neni 2).
Parimin e pavarësisë financiare:
Projektbuxheti i KLSH-së shqyrtohet nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financës të Kuvendit dhe miratohet nga Kuvendi (neni 3).
Zgjidhjen e konflikteve të kompetencave:
Konfliktet e kompetencave midis KLSH-s dhe institucioneve të tjera shtetërore zgjidhen nga Gjykata e Apelit (neni 5).
Objektivat kryesore të punës së institucionit:
Objekt kryesor përcaktohet kontrolli i përdorimit efektiv dhe i dobishëm i fondeve publike, miradministrimi financiar dhe zbatimi i ligjshmërisë në fushën ekonomike e financiare (neni 6).
Ripërcaktimin me adekuat të subjekteve mbi të cilat ushtrohet kontrolli:
Në këto subjekte përfshihen: institucionet shtetërore qendrore, njësitë e pushtetit lokal, organizatat politike kryesisht për fondet e deleguara nga buxheti i shtetit dhe kompanitë shtetërore ku shteti ka shumicën e aksioneve ose borxhet janë garantuar prej tij. Këtu jepet gjithashtu e drejta dhe detyra për të ushtruar rolin mbikëqyrës të KLSH-s kundrejt institucioneve të kontroll-revizionit të brendshëm shtetëror (neni 7).
Transparencën me publikun :
KLSH duhet të botojë në buletine periodike dhe vjetore, raportet e kontrollit, konkluzionet e një rëndësie të veçantë, rregullat dhe procedurat e kontrollit dhe llogaritë vjetore të buxhetit të vet (neni 8).
Të drejtat gjatë ushtrimit të veprimtarisë:
KLSH mund te japë rekomandime përsa i përket kontrollit të drejtimit dhe kontrollit të brendshëm, mund të bëjë propozime në fushën e përmirësimit të legjislacionit dhe mund të kërkojë ndryshimin ose shfuqizimin e akteve ligjore e nënligjore nga organet që i kanë nxjerrë, nëse këto bien në kundërshtim me ligjet bazë. KLSH mund të kontraktojë ekspertë të përkohshëm kur i lind nevoja.
KLSH ka të drejtë të kërkojë nga subjektet e kontrolluara dhe autoritetet e larta shtetërore, marrjen e masave disiplinore dhe të zhdëmtimit, në përputhje me ligjet kur konstaton dëme direkte ose indirekte dhe të bëjë padi në gjyq kur e çmon të nevojshme. Autoritetet shtetërore detyrohet të përgjigjen brenda 20-ditëve për zbatimin ose jo të këtyre rekomandimeve.
Autoritetet detyrohen të venë në dispozicion të KLSH-s të gjithë dokumentet që kërkohen, përfshirë edhe ato sekrete të cilat administrohen me rregulla të veçanta (nenet 9,15,16,17).
Mënyra e raportimit :
Në ligj përcaktohen raportet që KLSH duhet të paraqesë në Kuvend : Raportin për zbatimin e buxhetit faktik duke përfshire konkluzionet e kontrollit dhe opinionin e vet. Mendime për raportin e Këshillit të Ministrave për shpenzimet e vitit të kaluar financiar, para se të miratohet në Kuvend. Informacion për rezultatet e kontrollit, sa herë që kërkohet nga Kuvendi. Raportin vjetor të veprimtarisë së tij. Kryetari i KLSH-s ka të drejtë t`i kërkojë Kuvendit që të dëgjohet prej tij për çeshtje që ai i çmon të rëndësishme dhe të ftohet të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave kur shtrohen çështje që lidhen me funksionet e tij (nenet 18, 19). Organizimi, struktura dhe kompetencat :
Formulohet e drejta e Kryetarit të KLSH-s për organizimin e brendshëm, krijimin e departamenteve, strukturën, emërimin e funksioneve, kompetencat dhe detyrat e hallkave dhe personelit, strukturën e pagës dhe shpërblimin e tij, miratimin e planit vjetor të kontrollit, të standardeve të kontrollit, buletinin, materialet që i kalojnë prokurorisë apo çështjet që do t'i dërgohen gjykatave.
Në ligj përcaktohet se administrimi i shërbimit civil në KLSH ; ngritja në detyrë, lëvizja paralele, vlerësimi, transferimi, lirimi, pezullimi si dhe masat disiplinore për kontrollorët bëhen në përputhje me Ligjin "Për Shërbimin Civil" në Republikën e Shqipërisë (nenet 10-12-20).
Kufizimet në të drejtat e stafit të KLSH-s :
Këto kufizime lidhen me papajtueshmërinë e funksionit kontrollues, me kryerjen e detyrave të tjera me ose pa shpërblim në subjektet publike ose private, përveç rasteve të mësimdhënies, të të drejtës së autorit dhe veprimtarive kulturore.
- mandatin e deputetit ;
- të qenurit anëtar i qeverisë ose i ndonjë partie politike (neni 13) ;
Mandati Kushtetues e Ligjor i Kryetarit :
Mandati kushtetues dhe mbrojtja ligjore e Kryetarit të KLSH-st është shprehur në ligj duke përcaktuar në mënyrë taksative vlefshmërinë e mandatit, rastet kur ky mandat përfundon para kohës së caktuar dhe mënyrën e ndalimit dhe mbrojtjen ligjore për ato raste që vërtetohet kryerja e një krimi. Në këtë rast është Gjykata Kushtetuese që jep konfirmimin për ndalimin ose jo të Kryetarit të KLSH-s (neni 14).