Misioni i RSH “Liria e Irakut”

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Angazhimi i Forcës së Bashkuar në misionin “Liria e Irakut” ka filluar në muajin prill të vitit 2003 me dërgimin e kontingjentit të parë Paqeruajtës, bazuar në Ligjin Nr. 9025, datë 13.03.2003 “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit Nr. 01, datë 09.03.2003, të KM “Për vënien në dispozicion të hapësirës tokësore, detare e ajrore dhe dërgimin e një force ushtarake shqiptare në rajonin e Gjirit Persik, në kuadër të koalicionit ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit”.

Në misionin “Liria e Irakut” kanë kontribuar dhe kontribuojnë kontingjente të Regjimentit Komando. Kontingjenti i parë deri tek kontingjenti i katërt kanë pasur një efektiv prej 71 ushtarakësh, kontingjenti i pestë e në vijim një efektiv prej 120 ushtarakësh (një kompani komando). Kontingjentet ndërrohen me sistem rotacioni 6-mujor. Aktualisht në Mosul vepron kontingjenti 11-të Paqeruajtës.

Kontingjentet shqiptare në këtë mision veprojnë nën autoritetin e komandimit të komandës amerikane.

Misioni i kontingjentit është kryerja e operacioneve stabilizuese dhe siguruese në zonën e vet të përgjegjësisë. Detyrat kryesore të tij janë : sigurimi i aeroportit të Mosulit, shoqërimi i autokolonave, ruajtja e infrastrukturës së naftës dhe elektrike, ruajtja e instalimeve ushtarake, patrullim në zonat përreth aeroportit me mjete dhe në këmbë, kontroll trafiku në kryqëzimet kryesore në afërsi të aeroportit, sigurim zone etj.

Kontributi i Forcës së Bashkuar në misionin “Liria e Irakut” deri në kontingjentin e dhjetë është 1132 ushtarakë shqiptarë.