Shpella e piratëve (Dhërmi)
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Shpella e Piratëve, e cila është bërë e famshme, jo vetëm për historinë e saj, por edhe nga libri me të njëjtin titull i Petro Markos, vlonjatit te shquar si edhe filmi i Kinostudios “Shqipëria e Re” që bazohet në këtë libër të shkrimtarit të njohur, përbën një nga objektet më me vlerë, në bregdetin e Himarës.
Shpella e Piratëve në bregdetin e Dhërmiut të krijon ndjesinë e rikthimit në kohë. Faqet e saj të thepisura brenda asaj hapësire të ngushtë, nxisin fantazinë rreth asaj që ato kanë fshehur dikur piratët e detit që qëndronin në shpellë per t'u mbrojtur nga piratet e tjere qe donin te pushtonin e te vidhnin Shqipërine. Ajo ndodhet pranë plazheve të Dhërmiut, në një breg shkëmbor tepër të thyer që bie pingul mbi det dhe gjendet shumë pranë Manastirit të Shën Theodhorit, gjë që e pasuron më tepër gjeografinë dhe historinë e kësaj pjese tërheqëse të bregdetit shqiptar.
Për të shkuar në këtë shpellë, mënyra e vetme është deti. Mjaftojnë 10-15 minuta lundrim, me një motobarkë vogël dhe mund të gjendesh në këtë objekt që evokon natyrshëm Mesjetën Shqiptare. Deti i thellë, në një ngjyrë të errët dhe bregu me formacione shkëmbore që bien thikë mbi sipërfaqen ujore, të paralajmërojnë për një surprizë të këndshme.
Hyrja e shpellës, e përbërë nga dy zgavra të mëdha të krijon një ndjesi të veçantë. Është një rikthim i menjëhershëm në historinë e disa shekujve më parë që, natyrshëm, ngjall emocione. Ato kanë në bazë historinë: piratët e famshëm që e shfrytëzonin këtë hapësirë shkëmbore në një mjedis detar, apo beteja me saraçenët, gjë që na vjen përmes toponimisë së këtij vendi, pasi Shpella e Piratëve ndodhet pranë gjirit të mrekullueshëm të Stalevrës, ku gjendet plazhi me të njëjtin emër.
Brenda hapësirës së shpellës mund te konstatohen masivet shkëmbore që përbëjnë faqet anësore të saj. Ato janë të thyera dhe me xhepa shumëllojesh, ndërkohë që në kube (pjesa e sipërme), spikat një zgavër në formë rrethore, prej së cilës depërtojnë rrezet e diellit. Shpella është e përmasave modeste.
Historia që mbart Shpella e Piratëve dhe bukuria e jashtëzakonshme natyrore tërheq shumë vizitorë. Ata kane mundësi të vijnë në këtë mjedis natyror, ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen në një dhe ngjallin emocione të pazakonta.