Jump to content

Skënder Hasko

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Skënder Hasko (Dukat, 2 mars 1936 - Tirane, 4 shkurt 2013) ka qenë shkrimtar shqiptar.

Shkollën 7-vjeçare e mbaroi në Tragjas të Vlorës, pastaj Liceun Artistik “Jordan Misja” për aktor. Ka punuar mësues në fshatin e lindjes, mekanik në Kuçovë dhe aktor në estradën profesioniste të Beratit. Pasi mbaroi Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, dhe u diplomua për gazetari, punoi gazetar-redaktor në revistën satiro-humoristike “Hosteni”, pastaj shef i redaksisë së botimeve “Teatër-Estradë” në Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, më vonë kryeredaktor në revistën për fëmijë “Pionieri” dhe, së fundi, drejtor i Teatrit Kombëtar të Fëmijëve, deri sa doli në pension. Ka filluar të krijojë qysh në shkollën 7-vjeçare.

Skënder Hasko ka një veprimtari të gjerë në fushën e krijimtarisë letrare, por ai spikat veçanërisht në krijimtarinë për fëmijë. Këtu, pra, pa lënë mënjanë edhe atë për të rritur.

Ka botuar 6 romane (2 për të rritur e 4 për fëmijë), 9 novela (ndër të cilat 4 janë novela-përralla), 6 vëllime me poezi (dy prej tyre për të rritur), 7 vëllime me tregime ( 2 për të rritur), 1 vëllim me përralla të shkurtëra, 2 poema, 6 pjesë për teatrin e kukullave, 13 drama e radiodrama (1 për të rritur), si dhe 2 skenarë filmash për fëmijë.

Pra, e gjithë krijimtaria e tij, deri tani, përmbledh 52 vepra të gjinive të ndryshme. Romani “Një “gjeneral” kapet rob” është bërë edhe film me të njëjtin titull dhe është nderuar me diplomë në Festivalin e filmit, në Salerno të Italisë.

Ndër veprat e vlerësuara me çmime mund të përmendim: “Një “gjeneral” kapet rob”, “Qeshin kafshët shtëpiake”, “Dinakja me vesh të grisur”, “Ata që të bëjnë për të qeshur”, “Çudirat dhe e fshehta e Zamirit” (me dy çmime).

Novela-përrallë “Mbreti i tigrave” është nderuar me çmimin “La Fonten” nga ambasada franceze. Romani “Të burgosurat e Xhuxhumit” me çmimin “Xhani Rodari” nga ambasada italiane. (Një kopje e diplomës së këtij çmimi është në muzeun e Xhani Rodarit në Itali).

Novela-përrallë “Arushi hundëkavanoz” është nderuar me çmimin “Viktor Eftimiu” nga ambasada rumune. Romani “Arratisja e Tupe Xhelos” është nderuar me çmimin “Tasim Gjokutaj” nga Shtëpia Botuese TOENA dhe Shoqata Mbarëkombëtare e Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj.

Romani “6 muaj nga jeta e Besianit” në Panairin e 8-të të librit 2005, u nderua me çmimin “Libri më i mirë për fëmijë i vitit 2005”. Nga veprat për të rritur mund të përmendim: “Legjenda e fshatit tim-Dervish Ali Dukati” (roman), “Dardanët janë aty” (roman), “Vaje halli, këngë malli” (poezi), “Në do nuse, gjej taksi” dhe “Byrekët e Shegës” (tregime humoristike e satirike), “Vendi nuk mbetet bosh” (dramë), “Ah!…” (poezi)

 Ka qenë dhe është anëtar bordesh në shumë revista e gazeta. Është anëtar i bordit drejtues në revistat për fëmijë që botohen në Maqedoni, “Nxënësi” dhe “Xixëllimat”.

Për krijimtarinë e tij jepen leksione të veçanta në universitetet “Aleksandër Xhuvani”-Elbasan; “Eqerem Çabej”-Gjirokastër dhe “Ismail Qemali”-Vlorë. Është i dekoruar me medaljen “Naim Frashëri” dhe me dy Urdhëra “Naim Frashëri”.

Libra të botuar nga shkrimtari Skënder Hasko


1- Të burgosurat e Xhuxhumit (roman përrallë)

2- Legjenda e fshatit tim (roman për të rritur)

3- Një “gjeneral kapet rob

4- Arratisja e Tupe Xhelos

5- Dimri iku duke qarë

6- 6 muaj nga jeta e Besianit

7- Dardanët janë aty (roman për të rritur)

8- Ne ishim partizanë

9- Çimi dhe roboti budalla

10- Çudirat dhe e fshehta e Zamirit

11- Mbreti i tigrave

12- Ata që na bëjnë për të qeshur (Oh, ç’na bënë të qeshim)

13- Arushi hundëkavanoz

14- Lepur ishte-lepur mbeti

15- Një sherrxhi mustaqemi

16- Kocomiu tekamadh

17- Në do nuse, gjej taksi (tragime satiro-humoristike për të rritur)

18- Faqemolla mundi Hundëpinokun

19- Me litar të botës mos hyr në pus

20- Ndodhitë e Çaço Gabimit

21- Maçoku i katrahurës

22- Byrekët e Shegës (tregime satiricë për të rritur)

23- Dinakja me vesh të grisur (përralla)

24- Drita e Drinit

25- Orkestra “Vijnë pisokët”

26- S’jam e vogël

27- Vallja e shkronjave (botuar këtu e në Kosovë: 1975,1984,1985,2000,2001,2002, 2003, 2006)

28- Qeshin kafshët shtëpiake

29- Oh, mor Teli, ç’na gajase

30- Vaje halli, këngë malli (poezi për të rritur)

31- Ah! (poezi për të rritur)

32- 13 drama e komedi, 6 pjesë për teatrin e kukullave si dhe 2 skenarë fimash për fëmijë (njeri vizatimor)