Abdylatif Fusha

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Abdylatif Ali Fusha ka qenë doktor i mjekësisë, kardiolog dhe profesor universitar nga Podujeva.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Abdylatif (Ali) Fusha ka lindur më 23 korrik 1931 në Podujevë në një familje përparimtare, të njohur për tradita patriotike dhe arsimdashëse. Shkollën fillore e filloi në gjuhën serbe, ndërsa klasën e katërt dhe të pestë e kreu në gjuhën shqipe në kohën e Shqipërisë.

Në vitin 1943/44 kreu vitin e parë në Shkollën Normale “Sami Frashëri” në Prishtinë. Pas një viti pauzë, shkollën e vazhdoi në vitin 1945, për ta kryer në vitin 1950/51. Më pastaj u punësua në shkollën tetëvjeçare në Orllan të Podujevës ku punoi vetëm një vit, meqë në fund të vitit shkollor i kishin lëshuar vendimin për largim nga puna me arsyetimin se familja e tij ishte një familje armiqësore dhe, në të njëjtën kohë, edhe ky cilësohej e konsiderohej si i tillë dhe i papërshtatshëm për regjimin e atëhershëm komunist për të edukuar brezin e ri.

Prandaj, në vitin shkollor 1953/54 u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd, por edhe këtu organet e sigurimit ndërhyn dhe e larguan nga konvikti. Megjithatë, edhe përkundër kushteve mjaft të vështira, në vitin 1962 e kreu me sukses të lartë Fakultetin e Mjekësisë (gjithsej XII semestra).

Pas hapjes se Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, ishte asistenti i parë për lëndën e mjekësisë interne. Më 1973/74 ka kryer dy semestra në studimet pasuniversitare në Zagreb, ndërsa magjistraturën e mbrojti më 25.07.1975. Gjatë gjithë kohës së pastajme, paralelisht ka kryer punët në Klinikën interne edhe ato në procesin edukativ – arsimor – shkencor në Fakultetin e Mjekësisë.[1]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ https://klankosova.tv/nderron-jete-profesor-abdylatif-fusha/