Jump to content

Alfred Frashëri

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Alfred Frashëri (Korçë, 20 prill 1935 - 6 korrik 2018) Inxhinier gjeolog i specializuar në gjeofizikë, doktor i shkencave, profesor.[1]

Lindi në Korçë, kreu Politeknikumin e Tiranës dhe punoi në Ndërmarrjen e Shpim-kërkimit në Patos si drejtues i studimit gjeofizik të puseve (1953–1956).

Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave të UT (1961). U emërua pedagog në këtë fakultet ku punoi për 46 vjet si lektor i lëndëve të specialitetit gjeofizik “Studimi gjeofizik i puseve” (1961-1968), “Elektrometria” (1968-1998), “Përdorimi i metodave gjeologjike për zgjidhjen e detyrave gjeologjike” (1972-1998), “Metodat gjeofizike të kërkimit” (1991-1998), “Fizika e Tokës” (1995-2008), “Gjeofizika në miniera” (1998-2008). Vetëm dhe me bashkautorë botoi 11 tekste mësimore. Mbajti leksione të hapura në disa universitete evropiane, në SHBA dhe në Kanada. Udhëhoqi mjaft disertacione. Profesor Frashëri eksperimentoi e zbatoi në Shqipëri metodat e reja gjeofizike dhe rritjen e thellësisë së kërkimeve gjeofizike të vendburimeve të mineraleve të ngurta.

Ai mbetet ndër nismëtarët e kërkimeve gjeofizike të naftës e të gazit në shelfin shqiptar të detit Adriatik, të studimit të burimeve të energjisë gjeotermale. Në këto fusha ka kryer studime, ka hartuar dhe ka realizuar projekte kombëtare e ndërkombëtare dhe ka botuar një varg artikujsh në revista shkencore.

Alfred Frashëri është bashkautor në botimet: “Atlasi gjeotermal i Europës” (1992), “Atlasi i burimeve gjeotermale në Europë” (1997), “Atlasi i burimeve gjeotermale në Shqipëri” (2004), “Atlasi gjeotermal i Shqipërisë dhe platformë e shfrytëzimit të nxehtësisë së tokës” (2013), “Matematizimi dhe informatizimi i problemeve të gjeofizikës ndër vite në Shqipëri” (bashkautor, 2016), “Hapësira bregdetare Divjakë-Karavasta në Adriatik” (bashkautor, 2017), “Karsti dhe studimi i tij me metodat gjeofizike” (1985), si dhe autor i teksteve “Gjeofizika kantierale” (1963), “Metodat gjeofizike të kërkimit – Elektrometria” (1970, 1984, bashkautor), “Përdorimi i metodave gjeofizike për zgjidhjen e detyrave gjeologjike” (1971, bashkautor), “Elektrometria” (1984, bashkautor) etj.

  1. ^ Fjalori Enciklopedik Shqiptar – Akad. Shk. e Shqipërisë, Tiranë 2009, Vëll. 3, faqja 723