Andrea Shundi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
AndreaShundi.PNG

Prof. Dr. Andrea Shundi lindi në Tiranë më 1934. Mbas përfundimit të gjimnazit, studimet për agronomi i kreu në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Nga 43 vjet veprimtari (1956-99) deri sa doli në pension, gjysmën e zhvilloi në institucione shkencore: Instituti i Kërkimeve Bujqësore në Lushnjë (1956-60, bashkëpuntor shkencor), Universiteti Bujqësor (1980-92, ligjërues, dekan i fakultetit), Akademia e Shkencave (1994-99, sekretar shkencor i seksionit dhe kryeredaktor i revistës "AJNTS" në anglisht). Gjatë periudhës tjetër punoi në ekonomi bujqësore dhe administratë teknike, kryesisht në M.e Bujqësisë (1964-75, kryeagronom, drejtor i shkencës, kryeredaktor i "Buletini i Shkencave Bujqësore").

Veprimtarinë shkencore e përqendroi në prodhimin foragjer dhe në vreshtari-verëtari. Kumtues në 34 kuvende shkencore kombëtare dhe në 18 ndërkombëtare, pjesëmarrës në 17 studime dhe projekte kombëtare. Ligjërues në universitetet e Viterbos dhe Potencës Itali) dhe të Selanikut (Greqi). Bashkëorganizues i: "Konferenca Kombëtare e Shkencave Bujqësore (1975), simpoziumi "Shkencat Agronomike në Zhvillimet e Reja Ekonomike të Shqipërisë (1991), nëntë seminare mbarëkombëtare për vreshtarinë dhe verëtarinë (2002-2010).

Veprimtaria botuese e profesor Shundit përfaqësohet me 43 libra (nga të cilët dy në anglisht) dhe tekste, me vëllim 9200 faqe; krahas tyre janë 27 artikuj shkencorë dhe 128 artikuj teknikë, një pjesë të botuar në revista ndërkombëtare dhe në proceedings të kongreseve. Spikatin nëntë librat e viteve 2000: "Bujqësia dhe veprimi agronomik në troje shqiptare", "Prodhimi foragjer në zonën e ftohtë", "Jetë agronomike", "Vreshtaria praktike", "Fjalor shtjellues për vreshtarinë-verëtarinë", "Fjalë të urta për vreshtarinë-verëtarinë dhe shtjellime teknike", "Prodhimi shtëpiak i rrushit dhe i verës", "Fjalor enciklopedik për vreshtarinë-verëtarinë", "Vreshta dhe kantina shqiptare".

Profesor Shundi është nderuar me Urdhërin "Mjeshtër i Madh" (2010), akorduar nga Presidenti i Republikës z. Bamir Topi.