Arben Shehi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Arben Shehi u lind në qytetin e Shkodrës në vitin 1954, në një prej familjeve më të vjetra e më në zë të qytetit, me tradita të spikatura historike, intelektuale dhe shoqërore. Pas diplomimit për arkitekturë më 1977, për një kohë relativisht të gjatë i kushtohet projektimit arkitektonik dhe kërkimit shkencor të fushës (1979 – 1993), si dhe angazhimit akademik (lektor korrespondent) në Fakultetin e Arkitekturës (1984 – 1993).

Është po kështu i spikatur angazhimi i tij në jetën publike, në një numër artikujsh mbi arkitekturën, politikat ekonomike dhe të zhvillimit të qëndrueshëm në vijimësi. Zgjidhet Kryetar i Dhomës së Tregtisë së Shqipërisë (1994) dhe i Dhomës së Tregtisë e Industrisë Tiranë (1995 – 1999). Më pas është nxitës e bashkëthemelues i disa organizatave jofitimprurëse të tematikave të reja në fushën e inovacionit të biznesit, sistemeve të cilësisë dhe të pronësisë intelektuale.

Ndërkohë, letërsia dhe artet mbeten angazhimet e tija të vazhdueshme. Ka botuar librat me poezi "Pika e djersës", "Rikthimi drejt gjërave që i kam dashur" dhe "Gjysma e heshtjes", libra që karakterizohen nga lirizmi i thellë, ndjeshmëria dhe mirënjohja e veçantë për njeriun. Gjithashtu merr pjesë në disa ekspozita kombëtare të pikturës (1986 – 1990) dhe vetjake. Është zgjedhur në vazhdimësi anëtar i mjaft forumeve profesionale ndërkombëtare.

Në vitin 2009 boton përmbledhjen me poezi “Kohë për askund”, që u prit shumë mirë nga kritika letrare.Ky libër është botuar edhe në Francë: “Un temps pour nulle part”-Editions Baudelaire 2011, dhe në Itali “Tempo che non porta da nessuna parte”-Edizioni Robin 2012.Në vijim boton romanet ”Gryka e pusit” (2011) dhe “Viti i qenve” (2013) nga Shtëpia botuese “Toena”, me tematikë fatin e njeriut në kohën e zymtë të diktaturës komuniste.Romani ”Gryka e pusit”, është në proçes botimi në Itali.Mjaft poezi të tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme si italisht, frëngjisht, rumanisht, greqisht etj.

Së fundmi Comuna e Moscufos(Itali) në bashkëpunim me Rajonin  e Abbruzzos dhe Provincën e Pescarës e nderuan me çmimin prestigjoz :“Premio Cultura 2014”, që jepet për personalitete të veçanta me ndikim në zhvillimin dhe përhapjen e kulturës nëpër botë