Wikipedia:Avni Alcani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Avni Alcani)
Shko te: navigacion, kërko

Avni Alcani është restaurator në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë.

Jetëshkrimi[redakto | redakto tekstin burimor]

Avni Sh. Alcani ka lindur në qytetin e Elbasanit më 14 gusht 1953. Shkollën fillore dhe 8-vjeçare i ka kryer në qytetin e Librazhdit, shkollën e mesme në Liceun Artistik “Jordan Misja” (Dega skulpturë) në Tiranë dhe shkollën e lartë në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Histori-Filologjisë (Dega gjuhë-letërsi shqipe).

Në vitin 1973 ka filluar punë në Shtëpinë e Kulturës të qytetit të Librazhdit, si skenograf, dhe në vitin 1977 ka punuar mësues në qytetin e Librazhdit. Pas një një viti, më 1978, është emëruar mësues vizatimi në Stravaj. Po atë vit, më 1 qershor të vitit 1978, ka filluar punë në Muzeun Historik të qytetit të Librazhdit, me detyrë: spjegues muzeu (ciceron). Në vitin 1980 emërohet drejtor i këtij Muzeu. Sëbashku me ekipin e muzeut ka punuar për ngritjen e Muzeut Etnografike të rrethit të Librazhdit (1979), një nga muzetë e parë të këtij lloi në Shqipëri, Ekspozitën e Kulturës Popullore (1980, 1986), Pavionin e Arkeologjisë, Pavionin e Periudhës bashkëkohore etj. Ka punuar pranë këtij muzeu deri në vitin 1986. Që nga viti 1987 punon si restaurator në Institutin e Arkeologjisë të Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë. Ka marrë pjesë në dhjetëra ekspedita shkencore dhe misione arkeologjike, si në Butrint, Apolloni, Dyrrah (Durrës), Kosovë etj., duke restauruar me dhjetra-mijëra objekte arkeologjike të zbuluara në këto ekspedita.

Është marrë me studime dhe hulumtime, kryesisht në fushat e historisë, kulturës tradicionale dhe publiçistikë etj. Është botues i disa librave me përmbledhje studimesh nga trevat e Librazhdit, si "Librazhdi" Almanak (Tiranë 1985), "Çermenika-Përmbledhje studimesh" (Tiranë 2004), "Kadri A. Hoxha, luftëtar i paepur për liri dhe demokraci. Artikuj, intervista dhe shkrime të tjera" (Tiranë 2006) etj. Është autor i librave: "Shahin Zharri (1915-1991), Monografi (Tiranë 2006), "Librazhdi, Histori e shkurtër" (Tiranë 2008), "Librazhdi, Vështrim gjeografik, historik e kulturor", me bashkautor, (Tiranë 2009), si dhe ka botuar mbi 100 studime e artikuj në shtypin shkencor dhe atë periodik kushtuar ngjarjeve dhe figurave historike, traditave të kulturës tradicionale (etnografi dhe folklor) të trevave të Librazhdit, probleme të restaurimit të objekteve arkeologjike në Shqipëri etj.

Ka themeluar dhe drejtuar (si kryeredaktor) gazetat: “Bërzeshta” (nëntor 2001-maj 2002) dhe “Çermenika” (2003-2008).