Bamje jahni

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
  • Bamjet qërohen duke u prerë bishtin në formë konike, në mënyrë që të mos hapen vrimat dhe të mos lëshojnë lëng gjatë zierjes. Bamjet lahen, spërkaten me uthull e kripë dhe lihen për 20 minuta në mënyrë që të zbutet pushi dhe të mos shkatërrohen gjatë përpunimit të nxehtë. Pastaj shpëlahen dhe kalohen në tigan me yndyrë të nxehtë duke i hedhur pjesë-pjesë derisa të vyshken. Pastaj rreshtohen në tenxhere të mbuluar me feta domatesh.
Në yndyrën e mbetur nga kaurdisja e bamjeve përgatitet salca. Kaurdisen qepët e grira hollë, shtohet salcë domatesh ose domate të qëruara e të prera në copa të vogla dhe pasi të jenë kaurdisur të gjitha së bashku, hidhet ujë, kripë, piper e majdanoz. Sa të marrë valë u hidhet sipër bamjeve, të cilat mbulohen me feta domate e mbi to një pjatë e përmbysur. Pasi vendoset kapaku, lihen të ziejnë derisa të bëhen gati (rreth 20-25 minuta).
Bamjet mund të përgatiten dhe në mënyrë tjetër, pa kaurdisje. Për këtë, në fundin e tenxheres të mbuluar me feta domatesh, rreshtohen bamjet e pastruara e të shpëlara; sipër u hidhet majdanoz, kripë, piper, vaj ulliri dhe ujë sa të mbulohen më pak se gjysma. Gjithashtu po sipër vendosen disa kokrra domate të pjekura mirë, por të paqara, mbulohen me pjatë, dhe në fund vihet kapaku. Lihen të ziejnë për 25-30 minuta. Pasi domatet të jenë zbutur, hiqen me kujdes, kalohen në kullesë duke i shtypur me lugë druri dhe lëngu i tyre hidhet mbi bamje. Bamjet lihen sa të marrin valë me salcën dhe pastaj hiqen. Kur vihen në pjatë spërkaten me lëngun e vet dhe me majdanoz të grirë hollë.
Për 4-5 persona duhen :
bamje 1 kg, vaj 2 filxhanë kafeje, qepë 2 kokrra, domate 4-5 kokrra, kripë, piper, majdanoz.