Bashkësia Islame e Kosovës
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Bashkësia Islame e Kosovës është institucion i pavarur i myslimanëve të Kosovës. Kjo bashkësi ka për qëllim organizimin e jetës së myslimanëve në Kosovë në bazë të ligjeve islame, ku nën përgjegjësi të vetë ka xhamitë e Kosovës dhe imamët e këtyre xhamive si dhe medresetë dhe fakultetin e shkencave Islame në Kosovë.
Institucionet fetare-arsimore të Bashkësisë Islame të Kosovës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Medreseja e mesme “Alauddin” në Prishtinë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ka filluar punën në vitin 1951, në kuadër të së cilës veprojnë edhe disa paralele të ndara fizike: ato të djemve në Prizren dhe në Gjilan, dhe të vajzave në Prishtinë e Prizren. Medreseja me të gjitha paralelet e ndara numëron afro 700 nxënës. Që prej themelimit të saj, në Medrese kanë diplomuar mbi 2.000 nxënës. Medreseja për dekada të tëra ka shërbyer si institucioni i vetëm arsimor ku janë shkolluar kuadro nga të gjitha viset shqiptare dhe nga Sanxhaku. Mësimi që nga themelimi është zhvilluar vetëm në gjuhën shqipe.
Medreseja si shkollë e mesme, njihet si ekuivalente nga të gjitha universitete islame kudo nëpër botë, si dhe nga Universitetet e tjera jo islame, në vend dhe në botë. Nga nxënësit e diplomuar nga kjo shkollë, sot ka doktorë shkencash, magjistra, punonjës të ndryshëm shkencorë, teologë, mjekë, inxhinierë etj, të shpërndarë në të katër anët e botës.
Medreseja amë në Prishtinë, është shkollë moderne, e pajisur me salla kompjuteri, kabinete të gjuhëve të huaja, sallë sportive, bibliotekë, në të cilën ruhen manuskripte dhe dorëshkrime të vjetra disa shekullore nga e kaluara jone islame dhe kombëtare. Medreseja ka po ashtu konviktin i cili mund të strehojë 270 nxënës, të cilët e shfrytëzojnë edhe mensën për ushqim.
Nxënësit e Medresesë nxjerrin edhe fletushkën e tyre “Nurul Kur’an-Drita e Kur’anit”. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, 16 medresantë kanë rënë dëshmorë në fushëbetejë.
Deri më sot Medreseja ka pasur këta drejtorë:
- Ahmet Mustafa
- Bajram Agani
- Muharrem Adili
- Shemsi Salihu
- Rashit Osmani
- Sherif Ahmeti
- Resul Rexhepi
- Qazim Qazimi
- Naim Tërnava
- Ekrem Simnica
- Bahri Simnica
Fakulteti i Studimeve Islame
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Duke parë nevojën e madhe për shkollimin e kuadrove me kualifikim superior islam, Kuvendi i Bashkësisë Islame të Kosovës, pas përgatitjeve të duhura të ekspertëve të fushave të ndryshme, me vendim të posaçëm Nr. 443/92 themeloi Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, i cili filloi punën në dhjetor të vitit 1992. Ligjëratën e parë nga lënda e Akaidit-apologjetikës islame e ka mbajtur doajeni i publicistikës islame në Kosovë H. Sherif Ahmeti, i cili për tri vjet me radhë ligjëroi lëndën e Akaidit.[1]
Dekan i FSI-së u zgjodh Dr. Rexhep Boja, prodekan Mr. Qemajl Morina kurse sekretar-Sabri Bajgora.
Në vitin akademik 2005/06 pritet të zgjidhen edhe drejtuesit e ri të FSI-së, meqenëse tash edhe kuadri profesional është begatuar me profesorë që posedojnë tituj dhe grada shkencore.
Në ditët e fillimit, kuadri i FSI-së natyrisht që ishte modest me teologë të paktë që posedonin grada e tituj shkencorë. Kishte vetëm një doktor shkencash dhe një magjistër dhe disa teologë të tjerë të aftë, të cilëve nuk u mungonte dija, vullneti dhe entuziazmi për ta shpënë përpara këtë amanet të madh. Dhe, me kalimin e viteve të vështira të mbijetesës, nëpër të cilat kaloi arsimi shqiptar si dhe krejt populli i Kosovës, edhe FSI-ja mbijetoi, madje dita–ditës duke e pasuruar kuadrin profesional, dhe në vitin 2002 kur u festua 10 vjetori e rritës së FSI-së, ka 3 doktorë shkencash, nga Kosova, 1 doktor shkencash islame nga Maqedonia, 5 magjistra, dhe 6 ligjërues - teologë, të cilët në këtë vit dhe në vitin e ardhshëm pritet të fitojnë titujt shkencorë në metropolet e ndryshme islame si në Kajro, Bejrut, Aman e Damask. Numri i gjithëmbarshëm i regjistruar i studentëve kalon 500, ndërsa deri më sot kanë diplomuar 140 studentë.
Studentët vijnë nga të gjitha trojet shqiptare, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Lugina e Preshevës.
Studentët e FSI-së kanë Shoqatën e tyre studentore, e cila merret me aktivitete të ndryshme, duke organizuar shumë shpesh tribuna shkencore me profesorë të FSI-së dhe të jashtëm. Studentët e FSI-së nxjerrin edhe një revistë të tyre “Zgjimi Islam”.
Në kuadër të FSI-së funksionon edhe biblioteka me disa qindra dorëshkrime të vjetra dhe disa mija tituj fetarë, të cilat vazhdimisht janë në shërbim të ngritjes intelektuale të studentëve. Fakulteti i Studimeve islame është garancia më e mirë për një të ardhme më të ndritshme të Islamit në Kosovë dhe më gjerë. Me aftësitë e përfituara profesionale, të diplomuarit nga FSI-ja mund të kyçen në të gjitha mekanizmat fetare-profesionale, dhe administrativo-juridike në kuadër të BI-së. Prej studentëve të diplomuar tani kemi edhe magjistra, të cilët mësimet i vazhduan në Damask, Kajro, Prishtinë etj.[2]
Objektet fetare të Bashkësisë Islame të Kosovës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kosova gjendet në një hapësirë gjeografike ku u gërshetuan kultura të ndryshme gjatë historisë. Secili popull që kaloi këtej pari la edhe gjurmët e veta, por pa dyshim, gjurmët më të mëdha në këto hapësira i kanë lënë osmanlinjtë, të cilët ndërtuan xhamia, mektebe, imarete, ura guri e monumente të tjera. Prej xhamive të vjetra që kanë karakter monumental në Kosovës kemi disa sish. Po i përmendim vetëm ato më kryesoret:
- Xhamia “Sulltan Murat”-(Xhamia e Çarshisë) (1440),
- Xhamia “Sulltan Mehmet Fatih” (1461),
- Xhamia “Ramadanije” (1470),
- Xhamia “Jashar Pasha” (1830),
- Xhamia “Pirinez” (1470),
- "Tyrbeja e Sulltan Muratit",
- "Sahat Kulla" në komunën e Prishtinës;
- Xhamia e "Çarshisë Bajrakli" (1471),
- Xhamia "Gjylfatyn" (1497),
- Xhamia e "Defterdarit" (1570),
- Xhamia "Kurshumli" (1577),
- Xhamia e "Hamamit" (1587)
- "Hamami i Xhaxhi Beut" (1587) në Pejë;
- Xhamia e “Sinan Pashës” (1615),
- Xhamia e “Gazi Mehmet Pashës” (1549),
- Xhamia e “Suzi Efendiut” (1512)
- Xhamia e “Iljaz Kukës” (1534) në Prizren;
- Xhamia e “Hadumit” (1595)
- Xhamia e “Hasan Agës” në Rogovës të Hasit (1580), në komunën e Gjakovës;
- Xhamia “Gazi Ali Beg” (1410)
- Xhamia “Karamanli” (1675) në Vushtrri;
- Xhamia “Gazi Isa Beg” (1465)
- Xhamia “Mazhiqit” (1468) në Mitrovicë;
- Xhamia “Atik” (1609)
- Xhamia në fshatin Miresh (ish Dobërçan) (1526) në komunën e Gjilanit, e cila gjatë luftës së fundit u dogj me themel, dhe shumë xhami të tjera nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, të cilat kanë vlera monumentale dhe janë të ndërtuara në shekujt XV, XVI, XVII e më vonë.
- Namaz-xhahu ne Prizren është nder objektet me te lashta te proveniences myslimane ne Kosove, i ndertuar menjehere pas Betejes se Kosoves, per nevojat e personelit ushtarak dhe civile te ushtrise osmane. I kesaj lastesie është edhe Xhuma-Xhamia ne Prizren, aktualisht e konvertuar dhunshem ne Kishe ortodokse. Kete e deshmon tabela ku shenon viti 1410. Per fat te keq, historiografia serbe dhe ajo laike antiislame e heshtin kete fakt.
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Rexhep Elezaj:FAKULTETI I STUDIMEVE ISLAME, VATËR E PASHUAR E DIJES DHE KULTURËS FETARE Arkivuar 18 mars 2013 tek Wayback Machine, 15 mars 2003, Trepca.net, Vizituar mё 3.04.2017
- ^ Historiku i Fakultetit tё Studimeve IslameZgjimi islam, nr. 12, Prishtinё, 2012. fq. 4 - 5