Breshka

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Florida Box Turtle Digon3.jpg

Breshka (Testudinata,Testudines) lloj kafshe që paraqitet në tokë që para më shumë se 250 milion vjetësh. Ekzistojnë më shumë se 300 lloje të ndryshme prej të cilave shtatë lloje jetojnë në ujrat e detit, 180 lloje në ujrat e ëmbël ndërsa llojet e tjera jetojnë në tokë. Breshkat i takojnë llojit të rrëshqitësve ose zvarranikëve dhe jetonin në tokë para dinosaurëve. Aftësia e përshtatjes ë breshkës e cila si lloje të afërta i ka krokodilat dhe shpezët, e siguroi ekzistencën e saj deri në ditët e sotme.

Breshkat ne Shqipëri[redakto | redakto tekstin burimor]

Prania e breshkës detare në Shqipëri dhe sido mos ajo e llojit C. caretta, e cila u gjet e ngordhur një vit më parë në bregdetin e Durrësit, përbën një rast me vlera të rëndësishme shkencore për shtegtimin e gjatë e spektakolar të këtij individi. Shtegtimi i breshkave detare dhe në veçanti ajo e llojit C. caretta që kishte ardhur në brigjet shqiptare nga Argjentina, është pjesë e monitorimeve të përvitshme të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. Në bazë të monitorimeve rezulton se shtegtimi i breshkave nga vendet e tjera në brigjet e vendit tonë ka ardhur në rritje, ndërkohë që është e domosdoshme të vazhdojë edukimi i njerëzve, sidomos i peshkatarëve për mbrojtjen e breshkave detare. Sipas specialistëve të Ministrisë së Mjedisit për të mbrojtur breshkat detare dhe për të patur rezultate më të mira në studimin e tyre në zonën e Patokut, është i nevojshëm ndërtimi i një akuariumi të thjeshtë e sa më afër natyrales.

Monitorimi[redakto | redakto tekstin burimor]

Në monitorimin e fundit në terren janë përfshirë pesë grupe të breshkave detare, breshka detare të markuara më parë, breshka detare të kapura për herë të parë, breshka detare të sinjalizuara, breshka detare të ngordhura dhe grupi i pestë, breshka detare të dhunuara nga njerëzit. Nga monitorimi në brigjet shqiptare rezulton se në total numri i breshkave të kapura është 273, nga të cilat numri i llojit C.careta është 270, i llojit Ch. Mydas, 3. Ndërkohë, numri i individëve të gjallë të kapur arrin në 261, i individëve të sinjalizuar 223, i individëve të matur 50, i atyre të markuar 31, i individëve të ngordhur 12, i atyre të ngordhur përgjatë bregdetit 8, i atyre në ngordhur në rrjeta 3, ndërsa numri i individëve të ngordhur të markuar regjistrohet në 2, dhe vetëm në një rast individ i ngordhur në parangallë. Në grupin e breshkave detare të ngordhura është për t’u theksuar gjetja e një individi të C. caretta në Durrës, marka e të cilit ka patur inicialet La Plata 1979. Për këte individ ka pasur kontakte me shumë studiues të huaj, pasi siç cilësojnë specialistët e ministrisë së Mjedisit kemi të bëjme me një migrim me vlera shkencore në një distancë shumë të gjatë, gati të pa besuar. Sipas burimeve, kërkimet për këtë individ të C. caretta vazhdojnë (për gjetjen e autorëve të markimit në Argjentinë). Ndërkohë, breshkat e kapura (C. caretta ) kanë patur mjaft alga (Epibionto Flora), si dhe lloje të ndryshme tëmoluskëve, gaforreve, etj (Epibionto Fauna), Polychaeta të Familjes Serpulidae. Studime janë kryer dhe përsa i përket mundësisë së lëshimit të vezëve nga Caretta caretta, në disa zona bregdetare si Spille, Plazhi i Gjeneralit, Grykëderdhja e Semanit dhe e Vjosës, Orikum, Nartë, si dhe bregdeti i Palasës (Krorez), etj. Zonat në fjalë janë kontrolluar për gjurmë e fole të breshkave detare, por në asnjë rast nuk janë evidentuar të tilla.

Ardhja e breshkave detare në ujërat tona bregdetare[redakto | redakto tekstin burimor]

Shtegtimi i breshkave nga vendet e tjera në brigjet shqiptare lidhet me kushtet klimaterike. Pjesa më e madhe (94%) e strukturës së popullatës të C. caretta përbëhet nga individë të maturuar me gjatësi (L. ose SCCL ) mbi 50 cm. Në popullatën e breshkave detare të studiuara bie ne sy numri më i madh i femrave (62%), pas tyre vijnë meshkujt (20 %), ndërsa ato të pa përcaktuara kanë përqindje më të vogël (18%). Numri i C. caretta të pa markuara, të rëna rastësisht në rrjetat e peshkimit, gjatë vitit të kaluar, ka qenë gjithnjë më i madh se sa i atyre të markuara qysh nga viti 2003. Nga peshkatarët (në Patok e Shëngjin) është vënë re një numër i konsiderueshëm breshkash detare me marka të verdha plastike (të ardhura kryesisht nga Italia) dhe me marka metalike (të ardhura kryesisht nga Greqia). Gjetja e individëve të C. caretta të ardhura nga vende të tjera, në Patok e Shëngjin, ka të bëjë me një shtegtim ushqimor me rëndësi shkencore të veçantë për vendin tonë e më gjerë. Shtegtim ushqimor i C. caretta në zonën e Patokut është i lidhur me praninë e madhe të gaforreve, sidomos e llojit Carcinus mediterraneus, kandilave të detit Risostoma pulmo, e llojeve të ndryshme molusqesh, etj, që janë ushqim kryesor për C. caretta. Prania shumë e madhe e gaforreve të llojit Carcinus mediterraneus dhe i kandilave të detit, Risostoma pulmo duhet të jetë e lidhur me prishjen e ekulibrave natyrorë në Gjirin e Rodonit, gjë e cila ka të bëjë me ngarkesën (ndotjen) e madhe organike që ka kjo zonë, e shkaktuar nga prurjet, sidomos të lumit Ishëm.