Dija (shoqatë)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Më 27 dhjetor të vitit 1904 u formua në Vjenë Shoqëria “Dija” dhe komiteti i saj, i kryesuar nga Gjergj Pekmezi. Veprimtaria e kësaj Shoqërie udhëhiqej kryesisht nga Hilë Mosi, që ishte edhe sekretar i saj. Ajo ndiqte qëllime kulturore, merrej me botimin e përhapjen e librave shqip dhe pranonte në radhët e saj gjithë shqiptarët, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë. Dega qendrore e Shoqërisë “Dija” ishte ajo e Vjenës, e cila përbëhej nga studentë, nxënës, mësues dhe atdhetarë të tjerë shqiptarë, që ndodheshin në kryeqytetin austriak. Shoqëria “Dija” mbahej me ndihmat që jepnin bashkatdhetarët shqiptarë, por gëzonte edhe përkrahjen financiare të qeverisë austriake. Shoqëria, duke filluar nga viti 1907-1908, nxori “Kalendarin” e Shoqërisë “Dija”, një nga botimet më të rëndësishme publicistike e letrare shqipe të asaj periudhe. “Dija” bashkëpunonte dhe mbante lidhje të ngushta me Shoqërinë “Dituria” të Bukureshtit. Megjithëse Shoqëria “Dija” kishte deklaruar se nuk do të merrej me çështje politike, Porta e Lartë, që u informua shumë shpejt për themelimin e saj, e rreshtoi atë ndër organizatat që synonin të luftonin për autonominë e Shqipërisë dhe mori masat për të penguar shtrirjen e komiteteve të saj në vilajetin e Kosovës e në atë të Shkodrës. Megjithatë, gjatë viteve 1906-1907 kjo shoqëri, përveç Vjenës e Shkodrës, që ishin vatrat e para të saj, themeloi degët e veta edhe në Klagenfurt (Austri), në Prizren, në Tiranë, në Durrës e në Shkup. Një degë e saj u ngrit në Raguzë (Dalmaci), nën drejtimin e Nikollë Ivanajt, që nxirrte atje gazetën “Shpnesa e Shqypënisë” dhe një tjetër në Bukuresht (1907), nën drejtimin e Asdrenit.