Dokumente franceze për Shqipërinë dhe shqiptarët më 1912

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Dokumente franceze për Shqipërinë dhe shqiptarët më 1912 Autori: Muhamet Shatri. Botuesi: Toena. Faqet e librit 282.

Studimi më i plotë i të gjitha aspekteve të historisë së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të vitit 1912 nga rrethe më të gjera, me gjithë sukseset e arritura në trajtimin e kësaj periudhe të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, nuk ka dyshim, kërkon hulumtimin dhe botimin e mëtejshëm të dokumenteve vendase e të huaja. Krahas kësaj, duhet të bëhen studime shumë më të thelluara edhe për politikën e shteteve ballkanike dhe të Fuqive të Mëdha ndaj Shqipërisë, jo vetëm për vitin 1912, por edhe më herët që nga Kongresi i Berlinit dhe pas vitit 1912 deri në fund të shek. XX. Për rrethanat politike e shoqërore në Shqipëri, sidomos për Kryengritjen e Përgjithshme kundërosmane të vitit 1912, ekziston një dokumentacion i bollshëm si në arkivat e Turqisë dhe të shteteve ballkanike, ashtu edhe në ato të Austrisë, Francës, Britanisë së Madhe, Rusisë, Gjermanisë etj. Në fillim të vitit 1912 ende vazhdonte lufta italo-osmane dhe Evropa kishte çuar duart nga Perandoria Osmane. Ishin formuar edhe dy blloqet politike e ushtarake (Aleanca e Trefishtë dhe Antanta Tripalëshe) dhe bëheshin përgatitje të ethshme për Luftën Botërore. Në këto rrethana shqiptarët do të nisnin kryengritjen e përgjithshme për të hequr qafe sundimin pesëshekullor osman. Nga ana tjetër, shtetet ballkanike nguteshin me formimin e aleancës së tyre për ndarjen dhe gllabërimin e Shqipërisë. Përfaqësuesit konsullorë të Francës, të akredituar në Shqipëri, si dhe ambasada e saj në Stamboll, duke pasur parasysh krizën, e cila kishte përfshirë Perandorinë Osmane dhe zhvillimet në Shqipëri dhe rreth saj, ishin angazhuar me të madhe për të përcjellë situatën dhe për t’i ofruar Parisit të dhënat e siguruara nga ky rajon i trazuar. Edhe ambasadat e Francës në Vjenë, Shën Petersburg, Romë, Berlin dhe në Londër, si dhe legatat në Beograd, Cetinë, Sofje dhe në Athinë, përcillnin me vëmendje qëndrimin e opinionit publik dhe të qarqeve drejtuese të vendeve ku ishin akredituar, rreth çështjes shqiptare dhe e njoftonin Parisin. Vëmendje e veçantë i kushtohej veprimtarisë së konsullit të Austro-Hungarisë në Shkodër, i cili, falë Kultusprotektoratit të Austro-Hungarisë ndaj shqiptarëve të besimit katolik dhe afrisë gjeografike, kishte terren më të përshtatshëm veprimi në Shqipëri. Vëllimi që kemi nderin t’ia paraqesim opinionit publik e shkencor përfshin 159 dokumente të periudhës mars-prill-maj dhe korrik, gusht, shtator e deri më 5 tetor të vitit 1912, kur filloi Lufta I Ballkanike. Gjatë muajit mars kemi 14 dokumente, në prill vetëm 4, në maj 23, në korrik vetëm 2, në gusht është numri më i madh, 70, në shtator 34 dhe gjatë pesë ditëve të para të tetorit, 12 dokumente. Nga nënkonsullatat janë 17 dokumente, prej të cilave 10 nga nënkonsullata e Manastirit dhe 7 nga nënkonsullata e Janinës. Nga konsullatat kemi 90 dokumente, prej të cilave nga ajo e Shkodrës 59, e Shkupit 27, e Selanikut 3 dhe e Korfuzit 1 dokument. Nga Legata e Francës në Beograd kemi vetëm 1 dokument, nga Legata në Cetinë 2 dhe nga Legata në Athinë, 4 dokumente. Më së shumti dokumente janë nga ambasada e Francës në Stamboll, 29 dokumente, nga ambasada në Londër 5, nga ambasada në Romë 2, në Shën Petersburg 2, në Berlin 1, në Vjenë 1 dhe 4 dokumente nga Ministria e Punëve të Jashtme e Francës. Në këtë Vëllim përfshihen edhe 1 dokument i huazuar nga ambasada e Portës në Vjenë dhe 2 nga ambasada e Rusisë në Paris. Kjo përmbledhje është vazhdim (apo kompletim) i vëllimit me titull "Dokumente franceze për Shqipërinë dhe shqiptarët më 1912", botuar më 2006, nga Instituti i Historisë së Kosovës. Në këtë mënyrë është siguruar një tablo më e plotë e dokumenteve franceze për ngjarjet në Shqipëri dhe rreth saj, deri në fillim të mësymjes së shteteve të Aleancës Ballkanike për pushtimin dhe copëtimin e saj. Me fjalë të tjera këto dokumente pasqyrojnë përgatitjet për kryengritje dhe aksionet e para të armatosura; qëndrimin në Shqipëri të Komisionit Qeveritar në krye me ministrin e Brendshëm, Haxhi Adili, që me pretekstin e zbatimit të reformave bënte fushatë elektorale në favor të xhonturqve. Ato japin të dhëna të hollësishme për farsën e Zgjedhjeve Parlamentare të pranverës së vitit 1912, të cilat ishin fund e krye të drejtuara kundër shqiptarëve; për politikën antishqiptare të xhonturqve, për Lëvizjen e Oficerëve dhe për rolin e oficerëve me origjinë shqiptare në këtë lëvizje, si dhe për bashkëpunimin e saj me Lëvizjen Shqiptare. Në këto dokumente pasqyrohen rrjedhat kryesore të Kryengritjes së Përgjithshme kundërosmane, kërkesat dhe pikat kryesore të marrëveshjes shqiptaro-osmane si dhe qëndrimi i shteteve ballkanike dhe i Fuqive të Mëdha ndaj saj. Konsulli i Francës në Shkodër, që ishte një polak levantin dhe që e urrente Austro-Hungarinë, në të gjitha rrjedhat, në vilajetin e Shkodrës, shihte gishtin e politikës austriake dhe të kolegut dhe rivalit të tij, Adolph von Zambaur. Ky, në dallim prej përfaqësuesve të tjerë konsullorë, shprehte admirim për Haxhi Adil Beun dhe shpresonte në premtimet e tij për reformat. Në të njëjtën kohë në relacionet e konsullit të Francës në Shkup, Kosova trajtohet si Shqipëri Veriore. Viset në veri të Shkupit ishin Shqipëri Veriore edhe për kolonelin Maucorps, atashe ushtarak i Ambasadës se Francës në Stamboll. Edhe nënkonsulli i Francës në Manastir, Lëvizjen Kryengritëse të Dibrës e trajtonte pjesë të Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare dhe sanxhakun e Dibrës, si pjesë të Shqipërisë. Por, i njëjti nënkonsull, vilajetin e Manastirit e trajtonte si territor i Shqipërisë dhe Maqedonisë. Mirëpo, në një relacion ku bëhet fjalë për zgjedhjet parlamentare në vilajetin e Manastirit, ai nuk jepte një tablo reale të përbërjes kombëtare të popullsisë së sanxhakut të Manastirit, në mënyrë të veçantë nuk njihte fare popullsinë myslimane e të krishterë shqiptare të këtij sanxhaku. Vetëm përfaqësuesi i Francës në Beograd, Kosovën e quante Serbi e Vjetër të mbushur me kryengritës shqiptarë! Ambasadori francez në Stamboll sikur nuk pajtohej me një, si e quante ai, hartë të keqe, të cilën e kishte bërë kolegu i tij rus, në të cilën Peja, Gjakova, Prizreni, që ishin qendra të kryengritjes shqiptare, nuk ishin shqiptare, por serbe. Ai sikur shprehte habinë se si është e mundshme që kryengritja shqiptare të zhvillohej në "zemrën e Serbisë", të cilën që të gjithë e njihnin për Shqipëri. Por kjo nuk e pengonte atë që të ndihmonte kolegun e tij rus për t’u përpjekur që ta bindte Portën që mos t’u bënte lëshime të tepërta shqiptarëve në pikëpamje të autonomisë. Njëkohësisht, ai e kritikonte rreptë Austro-Hungarinë, e cila bënte të kundërtën. Ajo me të gjitha mjetet bënte presion te Porta e Lartë që t’u bënte lëshime shqiptarëve. Po ky ambasador, me kërkesën e kolegut të tij rus, e këshillonte Qeverinë Osmane që të përfitonte nga bisedimet me shqiptarët për t’i porositur ata që të mos kundërshtonin zbatimin e marrëveshjes mbi caktimin e kufirit me Malin e Zi, që ishte në dëm të Shqipërisë. Nga kjo del se me gjithë këto qëndrime disonante, shumica e përfaqësuesve konsullorë e diplomatikë të Francës, ndryshe nga kolegët e tyre rusë, kishin një qasje më objektive, sidomos për sa i takon shtrirjes së trojeve etnike shqiptare. Por, përkundër kësaj, sidomos pas përfundimit të kryengritjes dhe marrëveshjes shqiptaro-osmane, qeveria franceze, në funksion të forcimit të aleancës me Rusinë, angazhohej që shqiptarëve të mos u jepej autonomia dhe mbështeste synimet ekspansioniste të shteteve ballkanike ndaj Shqipërisë. Kjo do të thotë se, për Parisin çështja shqiptare duhej të zgjidhej vetëm brenda suazave të synimeve strategjike të Antantës në Ballkan dhe më gjerë. Lënda e publikuar në këtë vëllim është përgatitur në bazë të parimit tekstologjik. Dokumentet janë rreshtuar kronologjikisht, duke shënuar sipër ty-re datën e hartimit, dhe vendin e prejardhjes; për çdo dokument është nxjerrë një titull i shkurtër, ku vihet në dukje ideja kryesore e tij. Nën titullin e dokumentit janë vënë shenjat e tij. Në këndin e majtë është numri zyrtar i ve-të dokumentit nëse ekziston. Në këndin e djathtë është vënë data dhe vendi i lindjes së dokumentit. Teksti i dokumenteve që vjen menjëherë pas këtyre i qëndron besnikërisht origjinalit. Janë bërë intervenime të vogla vetëm në rast se kjo ka qenë e domosdoshme për të saktësuar përmbajtjen. Në përkthim jemi përpjekur t'i qëndrojmë sa më afër origjinalit, duke dhënë në raste të veçanta dhe kuptimet që dalin nga konteksti i fjalëve ose shtesa fjalësh e frazash. Rastet kur ka pasur fjalë të palexueshme, përkatësisht shkëputje të tekstit, janë dalluar me nga tri pika. Herë here është ndërhyrë edhe me ndonjë shënim sqarues në fund të tekstit. Në fund të shumicës se teksteve paraqiten autorët e relacioneve dhe dokumenteve të tjera, si dhe pozicioni zyrtar gjatë kësaj periudhe i personaliteteve kryesore që përmenden në këtë vëllim. Janë dhënë shënime edhe për veprimtarë të Lëvizjes dhe për angazhimin e tyre në rrjedhat e kohës dhe më pas. Për realizimin e këtij objektivi kemi pasur mbështetjen dhe ndihmën e miqve dhe kolegëve të nderuar, të cilët me këtë rast i falënderoj përzemërsisht. Rëndësia kryesore e këtij vëllimi është zgjerimi dhe kompletimi i raporteve franceze për çështjen shqiptare gjatë vitit 1912. Kjo njëkohësisht, mund të merret si pjesë plotësuese e serisë së madhe të Dokumenteve Diplomatike Franceze , të botuara nga Ministria e Punëve të Jashtme të Francës ndërmjet Dy Luftërave Botërore. Dokumentet e përkthyera në këtë vëllim botohen për herë të parë. Ato nga frëngjishtja i ka përkthyer me shumë profesionalizëm prof. dr. Murat Bejta, me ç’rast e falënderoj. Vëllimi është pajisur me një fjalorth terminologjik për fjalët dhe nocionet kryesisht të gjuhës osmane, që në tekstet e dokumenteve janë shoqëruar me një yllth. Në fund të vëllimit është dhënë edhe treguesi i emrave të njerëzve, gjeografikë dhe të nocioneve të tjera. Këto dokumente i kam hulumtuar në Arkivin e Institutit të Historisë në Tiranë në vitin 2009, prandaj e shoh të domosdoshme që t’u shpreh falënderime dhe mirënjohje punonjësve shkencorë të këtij institucioni, të cilët shumë vite më parë, nëpërmjet ekspeditave kërkimore në Arkivin e Francës, përkatësisht në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të këtij vendi (Archives de la Ministère des Affaires Etrangères de France, Correspondance Politique Consulaire-AMAE, CPC) e kanë pasuruar Arkivin e Institutit edhe me një fond të rëndësishëm dokumentesh. Një falënderim e mirënjohje e veçantë i dedikohet drejtorit të Institutit të Historisë në Tiranë, akademik, Beqir Meta, që më mundësoi hulumtimin dhe fotokopjimin e këtij dokumentacioni dhe pranoi të jetë recensent i këtij botimi. Një falënderim i përzemërt i shkon akademikut të assoc. Marenglen Verlit, i cili, në cilësinë e redaktorit përgjegjës, u kujdes për finalizimin dhe dërgimin në shtyp të vëllimit. Po ashtu, falënderoj dr. Ledia Dushkun për përgatitjen e recensës së dytë të vëllimit, si dhe ma. Sokol Gjermëni, që u angazhua konkretisht për përmbushjen e kërkesave të mia të punës në Arkivin e Institutit. Falënderoj gjithashtu, znj. Meliha Balla, redaktore gjuhësore e vëllimit dhe znj. Mirela Mihali që realizoi artin grafik të këtij botimi.