Edward Alexander Powell

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Edward Alexander Powell (18791958). Eduard Aleksandër Pauëll lindi në vitin 1879. Familjarët e tij ishin mbarështues kuajsh, ose më saktë fermerë dhe në moshë të re ai u dërgua me një tufë kuajsh race të pastër në Meksikë. Në rrugën e kthimit, duke ardhur nga Kuba, ai u infektua jo vetëm me një rast të rëndë të dizenterisë, por u infektua edhe me një dashuri jetëgjatë për udhëtimin dhe aventurën. Më pas ai filloi një karrierë që do ta çonte në të gjithë botën, në disa nga zonat më të shkreta dhe më të largëta në tokë, në fushëbetejat e Luftës së Madhe dhe në shoqëri me shumë nga liderët dhe politikanët më të rëndësishëm të shekullit XX si : Theodor Rusvelt, Mbreti i belgëve Albert I, Winston Churchill, Lordi Northcliffe, gjeneralët Gouraud dhe Nivelle, Pancho Villa, Gabriele d'Annunzio, Shahu i Persisë, marshallët von Hindenburg dhe Pilsudski, marshalli sovjetik Tuckashevsky, Adolf Hitler dhe shumë e shumë të tjerë.

Ai filloi një karrierë në gazetari dhe në shkrime aventure pak a shumë në mënyrë të paqëllimshme. Ndërsa udhëtonte nëpër Evropë para Luftës së Madhe, artikujt e tij të parë ishin në lidhje me kuajt dhe garat sportive të tyre, por pothuajse natyrshëm ai rrëshqiti në shkrimet që përshkruanin udhëtimet dhe aventurën e më vonë kaloi direkt në raportimin e lajmeve. Si një profesion të dytë, ai hyri në ushtrinë britanike për një periudhë të shkurtër pas diplomimit dhe u punësua edhe nga qeveria e SHBA-së në shërbimin konsullor në Lindjen e Mesme për pak kohë.

Me hyrjen amerikane në luftë në prill të vitit 1917, Powell doli vullnetar për kryerjen e shërbimit ushtarak dhe u emërua kapiten i Zbulimit Ushtarak. Pas disa detyrave, ai pësoi dëmtime në shtyllën kurrizore nga një rrëzim me kalë në Francë, në shtator 1918 dhe qëndroi në regjim pushimi deri pas armëpushimit. Ai u largua nga Forcat e Armatosura amerikane me gradën major.

Pas Luftës së Madhe, ai e vazhdoi karrierën e tij gazetareske dhe si shkrimtar aventure, duke udhëtuar larg dhe jashtë vendit, duke shkruar një numër të madh librash dhe artikujsh. Vështirë se gjendet një zonë e botës të cilën Powell nuk e ka vizituar gjatë jetës së tij: ai shkoi në Azinë Qendrore ruse, Indonezi, Indi, në të gjithë Lindjen e Mesme, Etiopi, Afrikë, Persi, Bashkimin Sovjetik dhe madje arriti të hyjë edhe në Nepal në kohën kur vendi ishte ende i mbyllur zyrtarisht për të gjithë të huajt.

Edhe pse të shkruara më shumë se gjysmë shekulli më parë, librat e tij mbeten jashtëzakonisht të lexueshëm dhe tërheqës. Ai shkruan në mënyrë të qartë dhe të saktë, pa lajka ose shtirje, por përshkrimet e tij mbi vendet dhe gjendjen shpirtërore janë shumë të arrira, sidomos kur shkrimet e tij karakterizohen nga një formë e butë humori amerikan. Dhe me sa duket, falë gjithë mënyrës së tij të sjelljes së veçantë amerikane, ai lëvizi në qarqet më të larta diplomatike e të biznesit në kohën e tij, dhe njohu disa nga politikanët e ushtarakët më të famshëm dhe më famëkeq të shekullit XX.

Autobiografia e tij u botua në vitin 1954 dhe u quajt në mënyrë kuptimplotë “Rruga e aventurës”. Powell vdiq më 13 nëntor 1958, në moshën 78-vjeçare.