Euglena

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Euglena.

Euglena e gjelbër është protozoar (parashtazor) me ndihmën e kamxhikut, prandaj radhitet në grupin e kërbaçorëve (kamxhikorve). Ky parashtazor membanën qelizore e ka shumë më të zhvilluar sesa ameba, prandaj edhe ka formë trupore të qëndrueshme. A keni menduar ndonjëherë pse disa ujëra amullë në sipërfaqen e tyre kanë ngjyrë të gjelbër? Euglenën në shumicën e rasteve e hasim në këneta dhe në ujëra të tjerë amullë, që janë ndotur nga materiali i kalbur i gjetheve ose nga plehrat më origjinë shtazore. Këto qenie të vogla kur janë në shumicë, uji të ndenjur i japin ngjyrë të gjelbër.


Euglena e ka trupin e zgjatur. Nga prapa ajo mbaron me maje, ndërsa nga përpara ajo vjen pak si e rrumbullakuar. Nga kjo pjesë e trupit del një kamxhik i hollë dhe i gjatë. Trupi i euglenës është i mbuluar me një membranë. Membrana rrethon protoplazmën, në masën e së cilës dallohet bërthama. Përveç bërthamës, në protoplazmë ka edhe një numër organelesh tjera të vogla me ngjyrë të gjelbër, ashtu si bimët klorofile.

Lëvizja dhe ndieshmëria[redakto | redakto tekstin burimor]

Euglena zhvendoset me anë të kamxhikut, i cili, duke rrahur ujët me shpejtësi të madhe, siguron lëvizjen, euglena kryen lëvizje rrotulluese. Ne anën e njollës së kuqe ('syri i shtazës), e cila ndodhet në pjesën e përparme të trupit, euglena dallon dritën dhe zhvendoset zakonisht në drejtim të dritës.

Të ushqyerit[redakto | redakto tekstin burimor]

Në sajë të kokrrizave që përmbajnë klorofil, euglena është në gjendje të ushqehet në dritë si bimët e gjelbra, ndërsa në errësirë ajo ushqehet si gjithë shtazët e tjera. Kjo mund të vërtetohet me këtë eksperiment: marrim një enë me ujë të ndenjur, që përmban euglena dhe e vendosim në vendin e ndriçuar; pas pak kohe do të shohim se të gjitha euglenat do të drejtohen nga ana e ndriçuar. Kjo tregon se euglenat në dritë, ashtu si edhe bimët e ujit, ushqehen duke shfrytëzuar gazin karbonik që ndodhet i tretur në ujë, do të thotë kryejnë procesin e fotosontezës. Po ta heqim enën nga drita dhe ta vëmë në errësirë, pas disa ditësh do të shohim se euglenat e kanë humbur ngjyrën e gjelbër. Megjithatë, ato vazhdojnë të jenë të gjalla. Gjatë kësaj kohe ato kanë përdorur si ushqim, ashtu si edhe shtazët, lëndë organike që ndodhen në ujë. Në qoftë se e heqim enën nga errësira dhe e sjellim përsëri në dritë, ngjyra e gjelbër do të shfaqet prap në kokrrizat dhe euglenat do të kthehen në mënyrën e parë të të ushqyerit.

Frymëmarrja dhe tajitja[redakto | redakto tekstin burimor]

Euglena frymëmarrjen e kryen me gjithë sipërfaqen e trupit. Tajitja bëhet me anë të vakuolës, e cila quhet edhe vakuolë e tajitjes. Rreth kësaj vakuole ndodhen disa kanale të shkurtra, të cilat kohë pas kohe derdhin në këtë vakuolë një lëng që përmban produkte të jashtëqitjes.

Shumimi dhe incistimi[redakto | redakto tekstin burimor]

Euglena shumohet duke u ndarë për së gjati. Ndarja e trupit fillon nga përpara; zakonisht euglena ndahet në dy gjysma, të cilat për një kohë qëndrojnë të lidhura në mes tyre nga ana e prapme. Pas kësaj lidhja këputet dhe të dy euglenat largohen njëra nga tjetra. Kur kushtet e ambientit ku jeton euglena bëhen të papërshtatshme për jetesë, p.sh. kur mjedisi ujor thahet, euglena lëshon kamxhikun, mblidhet në formë të një topi dhe fillon të prodhojë një lëndë jargore, e cila ngurtësohet duke formuar një mbulesë të fortë që e rrethon trupin e saj nga të gjitha anët. Kjo mbulesë e fortë quhet cist (kist), ndërsa veprimi me anë të të cilit shtaza formon cistin, quhet incistim. Cisti e mbron euglenën nga kushtet e jashtme të papërshtatshme, si p.sh. nga tharja etj. Në rast se këtë e merr era dhe e çon në një vend me ujë cisti duke u lagur shpërndahet dhe euglena lirohet dhe rifillon jetën e saj.

Lidhjet gjinore në mes mbretërisë bimore dhe asaj shtazore[redakto | redakto tekstin burimor]

Po të shikojmë qeniet e larta, ndryshimet në mes bimëve dhe shtazëve bien menjëherë në sy, por në rast se zbresim në qeniet e ulëta, ndryshimet ndërmjet bimëve dhe shtazëve pothuajse humbasin fare. Kështu euglenat afrohen njëkohësisht si me bimët ashtu edhe me shtazët. Euglenat si shtazë lëvizëse ushqehet në errësirë me lëndët organike, kurse meqë përmban klorofil në dritë ushqehet si bimë me lëndë inorganike. Prania në natyrë e qenieve të tilla si euglena, që kanë njëhohësisht lidhje si me bimët ashtu edhe me shtazët, tregon afrmimin e madh të mbretërisë bimore dhe shtazore, gjë që do të thotë që të gjitha qeniet e gjalla në sipërfaqen e tokës rrjedhin nga një stërgjysh i përbashkët.

Volvoksi, kamxhikoret koloniale[redakto | redakto tekstin burimor]

Te disa kamxhikorë gjatë shumimit individët e posaformuar nuk shpërndahen. Ata mbesin të grupuar, në mes vete të lidhur dhe kështu formojnë koloni. Një lloj i tillë i kolonive të kamxhikorëve është volvoksi. Ai jeton në shtreat e sipërme të ujit në këneta dhe në moçale. Shumë shkencëtarë konsiderojnë se nga kolonitë e zhdukura të kamxhikorëve që kanë qenë të ngjashme me volvoksin, janë krijuar të gjitha shtazët shumëqelizore.