Gea

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Aion-Uranus and Tellus with four children, perhaps the personified seasons, mosaic from a Roman villa in Sentinum, 200-250 CE, Munich Glyptothek (Inv. W504)

Gea (Greqisht: Γαῖα, Latinisht: Tellus ose Terria) - hyjnesha e tokës dhe vetë Toka, që u krijua prej Kaosit fillestar.

Ishte nëna e çdo gjëje që ekzistonte dhe rritej në tokë. Së pari e ka krijuar prej vetvetes qiellin e yllëzuar të Uranit, pastaj malet e larta e më në fund Pontin, detin e thellë dhe të gjerë. Kur Urani mbizotëroi në botë u bë grua e tij dhe ia lindi dymbëdhjetë trashëgimtarë. Këta ishin Titanët: Oqeani, Koeu, Kriu, Hiperioni, Japeti, Kroni dhe Titaneshat Tea, Rea, Mnemozina, Feba, Temida dhe Tetida. Pastaj ia lindi edhe tre Qiklopë (Katallanjë) vigan me një sy (Brontin, Seropin dhe Argun) dhe tre pesëdhietëkrerësha dhe njëqinddurësh të mëdhenj Hekatonkeirët (Kotin, Briareun dhe Giun ose Gigin).

Trashëgimtarët e vet Gea i donte me dashuri të sinqertë, mirëpo Urani nuk ishte me ndjenja si të sai. Nuk mund t'i shihte Hekatonkeirët. Për t'u liruar prej tyre i hudhi në brendi të tokës dhe ua ndaloi daljen në dritën e diellit. Për këtë nënë Gea vuajti shume dhe i nxiste djemt e vet, Titanët, që ta dënojnë Uranin dhe ta rrëzojnë nga froni. Për një gjë të tillë vendosi Kroni, më i riu që me dinakëri ia mori Uranit burrërinë e fuqinë dhe kështu u shpall sundimtar i ri i botës.

Nga gjaku i Uranit të gjymtë, i cili pikoi në tokë Gea e lindi brezin e ri të viganëve, Gjigantët e fuqishëm, të ngjashëm me Titanët. Kur më vonë i biri i Kronit, Zeusi, e rrëzoi babain e vet nga pushteti, Gea i ftoi Gjigantët që të çohen kundër tij. Përveç nxitjes për luftë ua jep edhe bimën magjistare, e cila i ka bërë të pacënuar nga armët e zotërave. Zeusi e ftoi Herakliun, djalin e vet të kësaj bote, për t'i ndihmuar prej armëve të të cilit nuk mundi t'i mbrojë Gjigantët as bima e Gesë. Kështu, pas betejës së rëndë me ndihmën e zotërave të tjerë, i mundi. I dënoi, duke i hudhur në errësirën e amshueshme të Tartarit. Gea pastaj u bashkua me zotin Tartar dhe e lindi përbindshin Tifton me njëqind koka të dragojve të tmerrshëm për ta vrarë Zeusin. Por Zeusi edhe ata i mposhti dhe i hudhi në Tartar.

Sipas disa miteve Gea nga pika e gjakut të Uranit të gjymtë, i ka lindur Eriniet, hyjneshat e hakmarrjes, ndërsa sipas të tjerëve i ka lindur me Erebin ose Skotin, zotin e errësirës së amshueshme. Ndërsa sipas versioneve të tjera më pak të përhapura, Eriniet ishin bijat e Niktës, hyjneshës së natës. Gea nuk ka pasur trashëgimtar vetëm me Uranin dhe Erebin. Pontit zotit të thellësirave të detit, ia lindi djemt Nereun, Taumantin edhe Forkiun dhe bijat Ketën dhe Euribiën. Parafytyrimet greke mbi hyjneshën ose nënën tokë, Gea dhe trashëgimtarët e saj veçmas i kemi nga Iliada dhe Odisea e Homerit dhe Lindja e zotërave e Hesiodit.