Halit Coka

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Skeda:Halit Coka.jpg

Halit Riza Coka, u lind më 25 korrik 1974, në fshatin Arrën të Kukësit, në një familje të shquar atdhetare. Prej andej familja e tij u zhvendos në Bathore të Tiranës. Shkollën Fillore dhe atë të mesme, drejtimi agro-mekanik, i kreu në Shkodër. Haliti ishte shumë i pasionuar pas leximit. Kur në Kosovë shpërtheu lufta e armatosur, Haliti gjendej me punë të përkohshme në Greqi, ku ishte që prej vitit 1992. Duke e parë se në Kosovë po zhvilloheshin luftime të rrepta dhe lufta kishte nevojë për një pushkë më shumë, Haliti një luftëtar, i trazuar nga dashuria e zjarrtë për çdo pëllëmbë të atdheut, braktisë njëherë e përgjithmonë Greqinë dhe kthehet në Shqipëri, i bindur se Kosovës i duhet ndihmë jo vetëm me fjalë e brohoritje nga jashtë por për të ngjeshur radhët e luftëtarëve në Kosovë. Prej andej pa humbur kohë, kalon në Vlanë të Hasit, ku mobilizohen më 20 janar të vitit 1999. Ndërsa më 24 shkurt ’99, arrin t’u bashkohen radhëve të Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë. sistemohet në Brigadën 134 “Bedri Shala”, e cila përkohësisht ishte e vendosur në Qëndresë por që herë pas here kryente aksione të armatosura në prapavijë të armikut. Shokët dhe bashkëluftëtarët e donin dhe e çmonin së tepërmi sa për guximin e vendosmërinë e tij aq edhe për faktin se kishte lënë çdo gjë dhe kishte ardhur për të luftuar në Kosovë. Haliti merr pjesë në disa aksione guerile të kryera në prapavijë të armikut, por edhe në luftimet frontale,. Për meritat e treguara ishte emëruar zëvendëskomandant i Njësisë Speciale “Kobra” të kësaj brigade. Në vijën e parë të frontit në Ratishë të Epërme, në drejtim të Lagjes së Dodajve, Haliti kishte ndërtuar një bunker të fortë. Duke e parë punën e tij, një plak i fshatit i kishte thënë: “Halit o bir, bunker më të fortë s’kam parë. Po pse s’ke lënë vend për tërheqje?” Haliti vendosmërisht ia kishte kthyer: “O axhë, nuk kam ardhur për t’u tërhequr por për të luftuar sepse po të doja të tërhiqem do të rrija në Shqipëri!”. Pikërisht në atë vend ka rënë heroikisht një muaj më vonë. Në njërën ndër betejat më të rrepta të zhvilluara kundër forcave pushtuese serbe në Ratishë të Epërme, më 3 prill 1999, ra heroikisht. Kishte mbetur në vend nga një plumb që e goditi në kokë. Haliti e mbajti betimin e dhënë para familjes e atdheut: “Ja kthehem mundës, ja nuk vij i gjallë!” Trupi i Halit Cokës fillimisht pushoi në tokën e Maznikut, , për t’u kthyer madhërishëm në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan, më 24 gusht 1999.