Historia e Prizrenit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Historia e Prizrenit përfshin njërën prej historive të një treve që padyshim është një prej vendbanimeve më të vjetra dhe më të rëndësishme të Kosovës. Ai ka një të kaluar të bujshme që ka zgjuar kureshtjen e udhëpërshkruesve, historianëve, gjeografëve e shkencëtarëve të ndryshëm, të cilët botuan shumë vepra për këtë trevë të njohur administrative kulturore, historike, politike, etj.[1]

Përmbledhje[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Treva e Prizrenit është e banuar prej kohësh të lashta dhe ruan dëshmi e monumente arkeologjike nga koha e neolitit, eneolitit, bronzit, hekurit, antikitetit e këtej. Kjo dëshmohet nga artefaktet e shumta të zbuluara me rastin e gërmimeve arkeologjike, të bëra në një varg lokalitetesh. Të dhënat arkeologjike dëshmojnë se Prizreni është njëri ndër qytetet më të vjetra të Evropës Juglindore e më gjerë.

Të dhënat arkeologjike dëshmojnë se ky territor ishte i banuar që nga antika, kur njihej me emrin Theranda në shek. II PES, ku në këtë trevë banonte një popullsi Dardane. Në shek.V ES përmendet emri Petrzên nga Prokopi i Cezaresë në Deaedificis (Libri IV, Kapitulli 4). Ndonjëherë citohet edhe në lidhje me Justiniana Prima. Emrin (në varianta të ndryshme) e Prizrenit e ndeshim në harta e dokumente të ndryshme, si në tabelën V të Ptolemeut (shek. II), ku përmendet me emrin Tërmidava, pastaj në hartën Tabula Peutingeriana (shek.III), te dijetari E. Spenser e ndeshim, si Procopera (359-336 PES). Prizrenin me këtë emër e ndeshim edhe te Procopi (565), si dhe sipas amerikanit Eric Hempi, emërtimi Prizren vjen nga Theranda (Therandë, Pri-zdrijana, Peneropolis, Praeserem, Pri-zna, Pri-zrenum, Pre-sarin, Pri-sareno, Pri-zirendi, Pre-zren, Pre-zdin, Pri-zdren, Pru-zrenin,Torzerm, Perserin e Pri-zrend, Pri-zerand, Pri-serand, Pri-zerendi, Pri-zereni dhe Prizreni).

Gjurmët e lashtësisë së Prizrenit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Prizreni, që është i njohur si lokalitet urban që nga periudha antike. Të dhënat arkeologjike dëshmojnë se Prizreni është njëri ndër qytetetmë të vjetra të Evropës Juglindore e më gjerë. Emrin (në varianta të ndryshme) e Prizrenit e ndeshim në harta e dokumente të ndryshme, si në tabelën V të Ptolemeut (shekulli II), ku përmendet me emrin Termidava, pastaj në hartën Tabula Peutingeriana (shekulli III), te dijetari E. Spenser e ndeshim, si Procopera (359-336 para kohës së re). Prizrenin me këtë emër e ndeshim edhe te Procopi (565), si dhe sipas amerikanit Eric Hempi, emërtimi Prizren vjen nga Theranda (Therandë, Pri-zdrijana, Peneropolis, Pra-eserem, Pri-zna, Pri-zrenum, Pre-sarin, Pri-sareno, Pri-zirendi, Pre-zren,Pre-zdin, Pri-zdren, Pru-zrenin, Torzerm, Perserin e Pri-zrend, Pri-zerand, Pri-serand, Pri-zerendi, Pri-zereni dhe Prizreni.

Me ndarjen e Perandorisë Romake (395) në atë të Perëndimit dhe të Lindjes, Prizreni ra nën sundimin e Bizantit dhe atë serb deri në shekullin XIII.

Shek. XI - XIV[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë shekullit XI ishte qendër e rëndësishme qytetare, më 1019 Prizreni ishte seli e ipeshkevisë të perandorisë Bizantine. Gjatë shek XII-XIV u vendosën në këto treva pjesëtarët e popullsisë sllave. Më 1019 përmendet si një seli e ipeshkvisë në Perandorinë Bizantine. Gjatë sundimit serb (shek XII-XIV) u vendosën në këto treva pjesëtarët e popullsis sllave. Në kohën e sundimit të mbretërve Dushan dhe Urosh, Prizreni qe herë pas here selia e mbretërive të tyre.

Në vitët 1189-90 Prizreni për herë të parë bie nën sundimin e Nemanjiqëve (Nemanjës). Gjatë rrethimit të Konstantinopojës gjatë kryqëzatës së katërt më 1204, perandori bullgar Kallojan përfiton nga rasti dhe e pushton Prizrenin. Më 1230 Prizreni sërish administrohet nga Despotati i Epirit. Më 1282 nemanjiqët përsëri arrijnë ta pushtojnë Prizrenin, dhe kësaj radhe ti përforcojnë pozicionet e tyre.

Ndërtesa e hamamit të vjetër

Pushtimi dhe sundimi osman[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Prizreni ndonëse humbi përkohsisht rëndesinë e tij, u bë përsëri qendër e fuqishme ekonomike, kulturore dhe administrative (qender Sanxhaku dhe Vilajeti). Sundimi Osman në Prizren filloi në vitin 1455 (disa historian theksojnë vitin 1459).

Në shekullin XIX Hahn e përshkruan si me popullsi më të lartë se Larisa, Janina, Shkodra edhe se Manastiri.

"Në fakt Prizreni, në bazë të listave zyrtare të pagesave, përmbledh 11.540 shtëpi, prej të cilave 8400 muslimanë, 3000 të krishterësh grek dhe 150 të krishterësh katolik. Në këto shtëpi banojnë gjithsej 46.000 frymë, nga të cilët 36.000 muslimanë, 8.000 të krishterë grek (bullgarë dhe vlleh) dhe 2.000 të krishterë katolik. [...] Qyteti është ndarë në njëzetekatër lagje, ka njëzetegjashtë xhami, dy kisha greke dhe një shtëpi private që është shndërruar në kishë katolike. Shkollat që ekzistojnë aty janë: shtatëmbëdhjetë shkolla muslimane për djemtë dhe nëntë për vajzat, një shkollë fillore ushtarake (Mejtep Ruzhdie), një shkollë bullgare e subvencionuar nga ambasadorët si dhe një shkollë katolike e përkrahur nga Madhëria e Tij Perandori, e cila aktualisht numëron njëzetegjashtë nxënës."[2]

Prizreni ishte qendra e dytë më e rëndësishme ekonomiko tregtare e trojeve shqiptare me rreth 1.500 dyqane (1.200 sipas Hahn) në fund të kësaj periudhe. Si pas vjetarit turk të vitit 1874 qyteti i Prizrenit kishte 44.000 banorë nga të cilët mbi 35.000 shqiptar.

Lidhja e Prizrenit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Prizreni zë një vend të veçantë në historin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pasi u bë kryeqendër e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u themelua me 10 qershor 1878. Ishte kryeqendra/kryeqyteti i parë shqiptar që prej pushtimit turko-osman të shekullit të 15. Në Prizren pati selinë e vet edhe Qeveria e përkohshme Shqiptare (1881) e kryesuar nga banori i njohur i këtij qyteti, Ymer Prizreni. Në Kuvendin mbarëshqiptar të mbajtur në Prizren, më 10 Qershor 1878 u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit nën kryesinë e Iljaz Pashë Dibrës. Këtu qëndruan organet qëndrore, si dhe qeveria e përkohshme, në krye me Ymer Prizrenin.

1889 u themelua Shkolla e parë e pavarur shqipe në të cilin jepnin mësim Mati Logoreci dhe Lazër Lumezi.

Shekulli XX[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në nëntor të vitit 1913 Prizreni pushtohet nga trupat serbp-malazeze, që u pasua nga një dëbim i madh i familjeve shqiptare nga qyteti, që u shpërngulen në Turqi. Pas pushtimit nga Serbia e deri më 1941 Prizreni gjendej në kuadër të Serbisë, respektivisht Jugosllavisë së Versajit. Në vitet e luftës së dytë botërore 1941-44, Prizreni gjendej në kuadër të Shqipërisë në zonën e okupimit italian.

Gjatë Luftës së II botërore, Prizreni u bashkua me Mbretërinë Shqiptare dhe ekonomia e tij pati rritje si pasojë e rilidhjes me rrugët tregtare dhe tregjet e Shkodrës e Tiranës. Disa nga banorët e Prizrenit dhe rrethit të tij u përfshin në Lëvizjen Antifashiste Nadonalçlirimtare,e disa të tjerë në lëvizjen e Ballit Kombëtar. Trupat gjermane u larguan nga Prizreni më 17 nëntor 1944, që u pasua nga pushtimi sllavo-komunist i cili rinisi menjëherë dëbimin e familjeve shqiptare më të zëshme në mbrojtje të vendit. Me qindra familja shqiptare u detyruan të lënë Prizrenin nën kërcënimin e armëve. Një pjesë e këtyre familjeve u detyruan të vendosen në Kukës e qytete të tjera të Republikës së Shqipërisë.

Pas Luftës sl Dytë Botërore deri më 1947, Prizreni ishte qendra e Qarkut Autonom të Kosovës. Megjithatë nuk pati ndonjë zhvillim të ndjeshëm. Edhe më pas ishte një ndër qendrat më të prapambetura në gjithë Jugosllavinë.Në fund të viteve të 50-ta deri në mesin e viteve të 60-ta nga Prizreni u shpërngulën mbi 3.200 familje në Turqi. Më 12 Qershor 1999 çlirohet nga forcat e UÇK-së (Ushtria Çlirimitare e Kosovës) dhe të NATO-s.

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ https://www.ecmandryshe.org/repository/docs/PRIZRENI-VENDTAKIM_I_CIVILIZIMEVE_shq.pdf
  2. ^ Hahn J., Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit, përkthyer nga Pjetër Radiqi, Tiranë: Geer, 2001. fq. 18. ISBN 99927-738-8-X

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]