Historia e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

4 maj 1913 - Krijohet i pari shtab i Forcave të Armatosura (Shtabi Madhor) të shtetit të pavarur Shqiptar, i drejtuar nga major Ali Shefqeti (Shkupi).

janar 1920 - Pas krijimit të qeverisë pas Kongresit të Lushnjës, u ringrit edhe struktura e Shtatmadhorisë me në krye nënkolonel Ali Shefqetin (Shkupin).

nëntor 1920 - Me krijimin e qeverisë së Iljaz Vrionit, në detyrën e kryetarit të Shtabit Madhor u caktua Gjeneral Brigade Ali R. Kolonja.

dhjetor 1921 - Gjatë periudhës së krizës politike që përfshiu Shqipërinë, në krye të Shtabit Madhor u emërua major Xhavid Leskoviku.

qershor 1923 - Në krye të Shtabit Madhnuer u vu major Bajram Fevziu, i cili vijoi të qëndronte në këtë detyrë edhe pas ngjarjeve të qershorit 1924.

janar 1925 - Pas shpalljes së Republikës së Parë të Shqipërisë dhe me vënien në zbatim të organikës së re të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, në krye të Shtabit të Përgjithshëm u emërua koloneli austriak Gustav Von Myrdac, i cili kryente njëherësh edhe detyrën e organizatorit të Ushtrisë Shqiptare që prej vitit 1922.

1929-1931 - Në periudhën e Monarkisë Shqiptare, kryetari i Shtabit Madhor varej drejtpërdrejt nga komandanti i Mbrojtjes Kombëtare dhe detyrat e tij u zgjeruan dukshëm. Pas vitit 1932 shefi i Shtabit Madhor u rrit në gradë, duke nënkuptuar rritjen e vetë rëndësisë së postit të tij, si dhe të detyrave që ai kryente në Ushtrinë Shqiptare.

7 prill 1939 - Me pushtimin fashist të Italisë, pushuan së ekzistuari edhe Forcat e Armatosura Shqiptare.

10 korrik 1943 - Në Labinot të Elbasanit u formua Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Partizane. Ndonëse nuk kishte formë dhe përmasa klasike të shtabit të një ushtrie të rregullt, ai kishte origjinalitetin dhe veçoritë e veta organizative. Në pikëpamje ushtarake Shtabi i Përgjithshëm ishte i organizuar thjesht dhe kishte në përbërje drejtues ushtarakë dhe jo ushtarakë. Komandant i tij u ngarkua major Spiro Moisiu, ndërsa komisar Enver Hoxha. Veç tyre në shtab bënin pjesë edhe 10 anëtarë : kapiten Dali Nderu (zv/komandant), major Abaz Kupi, toger Bedri Spahiu, Haxhi Lleshi, Myslym Peza, Mustafa Xhani (Baba Faja Martaneshi), Mustafa Gjinishi, Ramadan Çitaku, Sejfulla Malëshova dhe Ymer Dishnica.

24 maj 1944 - Pas Kongresit të Përmetit, me unifikimin e Komandës në Komandë të Përgjithshme, Shef i Shtatmadhorisë u emërua Gjeneralmajor Spiro Moisiu.

1 korrik 1945 - Për organizimin dhe drejtimin e Forcave të Armatosura në periudhën e re historike, u krijua Ministria e Luftës dhe e Mbrojtjes Kombëtare, në përbërje të së cilës vepronte Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Kombëtare. Shtabi i Përgjithshëm ishte në varësi të Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura. Shef i Shtatmadhorisë ishte Gjeneralmajor Spiro Moisiu.

gusht 1946 - Kryetar i Shtatmadhorisë u emërua Gjeneralmajor Mehmet Shehu. U suprimuan Komandat dhe disa seksione dhe u krijuan drejtori e seksione të reja në vartësi të tij të drejtpërdrejtë.

1952 - Shef i Shtabit të Përgjithshëm u emërua Gjeneralmajor Petrit Dume.

1954 - Shef i Shtabit të Përgjithshëm u emërua Gjeneralmajor Arif Hasko.

1956 - Gjenerallejtënant Petrit Dume u riemërua Shef i Shtabit të Përgjithshëm, post në të cilin e mbajti deri në korrik 1974. Me riorganizimin ushtrisë në vitin 1966, edhe Shtabi i Përgjithshëm u riorganizua dhe vlerësohej si organ përbërës në Ministrinë e Mbrojtjes. Pas vitit 1970, me krijimin e korpuseve, puna e detyrat e tij u lehtësuan, duke u marrë me drejtimin dhe udhëheqjen e përgjithshme të veprimtarisë luftarake dhe organizimin e kontrolleve në Forcat e Armatosura.

1974 - Pas goditjes së të ashtuquajturit puç armiqësor në ushtri, u bënë riorganizime të thella në personel, por për nga struktura dhe misioni Shtabi i Përgjithshëm nuk pati ndryshime esenciale.

1974-1974 - Shef i Shtabit të Përgjithshëm ishte Sami Meçollari.

1975-1981 - Shef i Shtabit të Përgjithshëm ishte Veli Llakaj.

1981-1991 - Shef i Shtabit të Përgjithshëm ishte Kiço Mustaqi.

shkurt-qershor 1991 - Shef i Shtabit të Përgjithshëm ishte Halim Abazi.

qershor 1991 - gusht 1992-Shef i Shtabit të Përgjithshëm ishte Gjeneralmajor Kostaq Karoli.

1992-1994 - Shef i Shtabit të Përgjithshëm ishte Gjenerallejtënant Ilia Vasho.

1994-1997 - Shef i Shtabit të Përgjithshëm ishte Gjeneral me 4 Yje Sheme Kosova.

mars-gusht 1997-Shef i Shtabit të Përgjithshëm ishte Gjeneralmajor Adem Çopani.

1997-2000-Shef i Shtabit të Përgjithshëm ishte Gjeneral Brigade Aleks Andoni.

2000-2006 - Shef i Shtabit të Përgjithshëm ishte Gjenerallejtënant Pëllumb Qazimi.

tetor 2006-qershor 2008 - Shef i Shtabit të Përgjithshëm ishte Gjenerallejtënant Luan Hoxha.