Isa Tare

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Isa Hamza Tare ka lindur në Nivicë-Tepelenë dhe banues në Tiranë, gjatë karrierës së tij akademike dhe sportive prej pesë dekadash, është nderuar me dhjetëra Urdhëra e Medalje. Pas diplomimit në Akademinë e Sporteve Tiranë, si dhe mbarimit me rezultate të shkëlqyera të Kursit pasuniversitar dhe të Kurseve të tjera kualifikimi në Shqipëri dhe në Kinë shërbeu për 10 vjet (1970-1980) si pedagog dhe Shef i Departamentit të Fiskulturës në Akademinë Ushtarake. Për gjashtë vjet (1980-1986) ishte pedagog në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve dhe më pas për 10 vjet (1986-1995) kreu me devotshmëri, përkushtim e kompetencë funksionet e Inspektorit të Sporteve bazë: not, shah, atletikë, gjimnastikë dhe Drejtor Ekzekutiv i Klubit Shumësportesh “Partizani”. Gjatë kësaj periudhë si Drejtor Ekzekutiv i Klubit Shumësportesh “Partizani” ka punuar për ngritjen e të gjitha strukturave të këtij klubi. Prestigji i Mjeshtrit të Merituar Isa Tare do të rritej ndjeshëm, pasi duke e drejtuar me kompetencë e profesionalizëm arriti ta shpallë atë Klubin më të mirë të Republikës për disa sporte. Gjatë kësaj kohe janë fituar disa medalje ndërkombëtare në sportet si mundje, atletikë, gjimnastikë, peshëngritje, boks dhe karate. Përsa i përket karrierës sportive, z.Isa Tare është shpallur Rekordmen i Ballkanit për “Flakjen e Diskut për Mosha” (1996). Po ashtu është fitues i tre Medaljeve të Arta në Spartakiada Kombëtare. Ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e rëndësishme kombëtare, ku përfshihen 300 gara kombëtare, (në 180 gara ka fituar vendin e parë, si dhe në 83 takime ndërkombëtare ku në 50 gara ka fituar vendin e pare). Në vitin 1972 ka plotësuar normën e pjesëmarrjes në Kampionatin Europian të Helsinkit. Po ashtu në takimin e Pekinit më 1965 është fitues i vendit të parë midis tre fituesve të Lojërave të Ganefos, duke thyer dhe rekordin kombëtar në flakjen e diskut. Është shpallur Kampion dhe Rekordmen i Flakjes së Diskut për 27 vjet me radhë, duke fituar 27 medalje të kampionit kombëtar (15 në hedhje disku dhe 12 në shtytje të gjyles). Trofetë janë shumë: Për disa dekada fitues i vendeve të para në të gjitha aktivitetet kombëtare (kupa, kampionate, spartakiada) ballkaniada, lojëra mesdhetare, kampionate evropiane dhe aktivitete të tjera ndërkombëtare. Karriera e shkëlqyer sportive ka bërë që Isa Tare të mbajë “gjerdanin e artë” të disa dekoratave. Ai nderohet me titujt “Mjeshtër Sporti” (1964) dhe “Mjeshtër i Merituar Sporti” (1981). Z.Isa Tare është dekoruar: Me Urdhërin e Punës të Klasit të Dytë me Dekret Nr.7334 dt.13.11.1989; Me Urdhërin e Artë “Naim Frashëri”, me Dekret nr.1516 dt.04.07.1996 të Presidentit të Republikës; Me Medaljen e Artë “Për Merita të Veçanta në Fushën e Sportit”, nga ish Ministri i Kulturës dhe Sporteve Teodor Laço më 08.06.1996 si dhe “Nderi i Sportit Shqiptar”. Z.Isa Tare ka qenë për tetë vjet anëtar i Kryesisë dhe zv/President i Federatës Shqiptare të Atletikës. Si drejtues, ka shoqëruar dhe drejtuar dhjetra here ekipet sportive shqiptare (atletikë, gjimnastikë, mundje, boks etj) në takime ndërkombëtare. Këshilli Bashkiak i Tiranës, me Vendimin Nr.59. dt.21.04.2000, i ka dhënë Medaljen “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”. Federata Shqiptare e Atletikës, me Shkresën Nr.129 Prot, dt 9 shkurt 2006 konfirmon se të gjitha rezultatet dhe arritjet e Mjeshtrit të Merituar të Sportit z.Isa Tare janë të evidentuara në dokumentat e FSHA”. Gjatë karrierës së tij sportive është shpallur Kampion dhe Rekordmen në Flakjen e Diskut dhe gjyles për 27 vjet me radhë, duke fituar 27 medalje të kampionit kombetar, dhe tre medalje të arta në sportakiadat kombetare.

Është dekoruar nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani me Titullin “Mjeshtër i madh”.