Ivo Padovan
Ivo Padovan, (lindi në Blato, Korçullë, komuna Dubrovnik, në Kroaci më 1922, vdiç në Zagreb më 2010 ), është doktor i ORL-së, zbulues i mikrolaringostroboskopisë, akademik kroat, arbreshë-kroat nga Kroacia.
Është me titull doktor i mjekësisë së përgjithshme (M.D.) që e arriti në vitin 1947. Titullin Doktor i shkencave të mjekësisë e arriti në vitin 1952 (D.Sc.) në Universitetin e Zagrebit.
Akademik Ivo Padovan, është emër shumë i respektuar i shkencës së mjekësisë, jo vetëm në ish Jugosllavi, por dhe bashkëpunëtor shkencor në shumë klinika të ORL dhe kirurgjisë së qafës në mbarë botën. Autor i shumë librave nga lëmi i ORL-së dhe kirurgjia e qafës. Njihet si onkolog me reputacion ndërkombëtar.
Specialiteti i tij i ngushtë ka qenë patologjia e laringut dhe është një ndër zbuluesit e mikrolaringostroboskopit modern.
Si pedagog, profesor i rregullt në fakultetin e mjekësisë në Zagreb, ka ligjëruar lëndën e ORL – së, që nga viti 1967. Ishte drejtor i Klinikës ORL dhe Kirurgjisë Cervikofaciale "Sestre Milosrdnica" në Zagreb prej vitit 1966 deri më 1988. Me nderë dhe merita të mëdha mban titullin Akademik.
Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Artit Kroat, ka qenë nga viti 1997 deri më 2003. Meritat e tij njerëzore, profesionale, akademike, në shërbim të krijimit të shtetit të ri Kroat, janë të përmasave antologjike. Është mik i madh i shqiptarëve dhe i zgjidhjes së drejt të çështjes shqiptare në ish Jugosllavi.
Është, nga ana e nënës, me prejardhje arbëreshe, prej familjes shumë të nderuar Deshpali nga Zara.