Jonatan Franzen

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Admiruesit e veprës së tij, që është një kronikë e familjes amerikane, kanë pritur 9 vjet rresht për romanin e radhës pas suksesit të të famshmit “The corrections”. Por të gjitha shenjat flasin se pritja ia ka vlejtur…

Janë të paktë ata autorë të aftë të shkruajnë një roman të madh amerikan në shekullin e 21. Gjatë gjysmës së dytë të dhjetëvjeçarit që shkoi, bota letrare ka përcjellë për në banesën e fundit të mëdhenjtë e letrave si : Mailer, Updike, Vonnegut, Bellow dhe Salinger. David Foster Wallace, më i riu dhe më ambiciozi shkrimtar amerikan i brezit të tij vrau veten në vitin 2008. E megjithatë në këtë klimë ku jepen vazhdimisht çmime, por asnjëra prej veprave nuk meriton që të quhet “roman i madh amerikan”, dikush ka shkruar dy të tillë. Ai është Jonathan Franzen. E para “The corrections” është publikuar para sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara dhe është lëvduar gjerësisht për finesën e fikshënit, që është karakteristike për mijëvjeçarin e ri, edhe pse është një roman që flet dhe është shkruar për ditët e fundit të shekullit që lamë pas. “Befas autori nisi të intervistohej dhe për të nisën të flisnin radiot e televizionet amerikane e më pas edhe të të gjithë botës”, thotë e dashura e Franzen, Kathrin Chetkovich, në lidhje me suksesin e menjëhershëm dhe të madh që pati romani i parë. “Qartësisht që libri kishte lindur jo për të qenë “një libër”, por “libri” dhe çdo ditë sjell fakte të reja në lidhje me shndërrimin e veprës në atë gjë të rrallë që konsiderohet vepra me përmasa kombëtare dhe ndërkohore”, shkruan një gazetë e famshme amerikane në vitin 2003. Nga ana tjetër, vetë autori i ri është mësuar tashmë si me suksesin ashtu edhe me anën tjetër të tij, zilinë. Një nga miqtë e tij të afërt ishte edhe i ndjeri Wallace, i cili edhe pse ishte vetë brilant në të shkruar, sërish e kishte zili kolegun dhe mikun e tij për suksesin e beftë e të madh që përjetoi. Por të përjetosh suksesin e madh në veprën e parë është një bekim dhe mallkim në të njëjtën kohë.

Është bekim, sepse një sukses mund të të vlejë si një nxitje dhe si një mjet i mirë financiar, por, nga ana tjetër, mund të merret gjithmonë si referencë dhe në krahasim me këtë vepër të parë, të tjerat mund të duken më të zbehta. Për të mos folur për rastin kur bëhet fjalë për një bllokim mundësish të autorit. Një gjë e tillë i ndodhi edhe shkrimtarit tonë, që për 8 vjet rresht e pati të pamundur që të mblidhte forcat dhe të sillte një tjetër vepër po aq, ose më pak të denjë. Vetëm viti 2008 i dha frymëzimin dhe formën e duhur për të përfunduar një vepër, të cilën kishte kohë që e kishte nisur pa e përfunduar dot. “Erdhi një moment që i thashë vetes : puno, ulu dhe përfundoje atë libër që ke nisur, mos kërko që të jesh prodhues i një libri të vetëm, që të bëri të famshëm dhe të mallkoi njëherë e mirë që të mos shkruash më”, rrëfen shkrimtari për momentin kur vendosi të mbaronte me çdo kusht pas një kohe të gjatë romanin e tij të dytë. Por ai nuk ishte një roman me pak faqe dhe ndoshta koha e kaluar për ta shkruar dhe për të reflektuar ia kishte vlejtur. Bëhet fjalë për një roman me 562 faqe, një sagë e vërtetë familjare me emrin “Freedom”, e cila do të mbërrijë në tregun amerikan javën e ardhshme. Madje, Presidenti Obama i ka bërë një reklamë shumë të mirë këtij libri, duke e marrë kopjen e librit të dhuruar nga autori me vete për ta lexuar gjatë pushimeve të kësaj vere. Ndërkaq, autorit i është dhënë një hapësirë shumë e rrallë dhe e jashtëzakonshme në kopertinën e revistës “Time”. Është një gjë e rrallë, sepse janë shumë të paktë shkrimtarët që e kanë merituar më parë këtë nder. I fundit i racës së shkrimtarëve që ka qenë në kopertinën e revistës prestigjioze amerikane ka qenë Stephen King, 10 vite të shkuara. Në këtë mënyrë shkrimtari i ri amerikan është në një radhë me më të mëdhenjtë e dhjetëra viteve të fundit, si me të famshmin JD Salinger, apo Updike që respektivisht kanë qenë edhe ata në kopertinën e revistës. Ajo çka është e rëndësishme, është se veprat e Franzen i detyrohen shumë jetës së shkrimtarit. Ai ka lindur në Çikago në vitin 1959 dhe është rritur në një ambient shumë modest në rrethinat e St Louis Missuri. Një pjesë e mirë e ambienteve dhe njerëzve që popullojnë dy romanet e tij të suksesshëm janë marrë nga vendet në të cilat ai ka kaluar fëmijërinë. Romani i tij i parë, ai me të cilin debutoi në botën letrare, doli në vitin 1988 dhe quhej “The twentyseventh City”. Ishte një histori e marrë nga vendi në të cilin ai u rrit. Ishte një libër që u prit mjaft mirë nga kritika e lexuesit, edhe pse nuk u shoqërua me ndonjë superlativë të jashtëzakonshme. Por ishte i rëndësishëm, sepse e bëri Franzën një nga zërat e letërsisë amerikane të kohës, edhe pse një zë ende modest dhe jo shumë bindës.

Libri i dytë ishte “Strong Motion” i botuar në vitin 1992 dhe pati të njëjtën pritje të ngrohtë e dashamirëse dhe personazhet e rrëfimet e këtij libri në lidhje me mënyrën e funksionimit të keqe të marrëdhënieve njerëzore në shoqërinë amerikane e veçanërisht në familjen amerikane do të përbënin edhe linjat kryesore, të cilat ai do t’i ndiqte në dy romanet vijues, me të cilët fitoi me të vërtetë një pozicion shumë të nderuar në panteonin e shkrimtarëve aktualë e të gjatë amerikanë. Pikërisht me të përfunduar këtë roman të dytë, Franzenit iu deshën edhe plot 7 vite të tjera për t’i sjellë publikut veprën e parë të madhe jo vetëm për të, por për letërsinë amerikane të dekadës “The corrections”. Por, ndërkohë, kishte shkruar disa ese e shënime dhe një libër me tregime. Janë të gjitha libra që po t’i lexosh do ta kuptosh se sa shumë u është referuar autori ngjarjeve dhe personazheve të hasura gjatë jetës së tij. E për t’iu rikthyer jetës, Franzën u largua nga periferitë e St Louisit ku ishte rritur për të shkuar në Pensilvani. Pasi përfundoi dy romanet e parë, ai gjeti për të jetuar një apartament të vogël në Kembrixh të Masaçusesit dhe më pas u zhvendos drejt Nju Jorkut, ku nisi që të shkruante për revista të ndryshme.

Shkrimtari është i njohur për një proces krijimi që e përfshin në një shkëputje tërësore nga modernizmi. Ai nuk ka pasur asnjëherë një marrëdhënie të mirë me internetin dhe gjithë shpikjet teknologjike që i përdorin sot njerëzit rëndom. Franzen përdor një laptop të vjetër për të shkruar, me të cilin ndihet shumë komfort. Rregullat kryesorë dhe të patjetërsueshëm për krijimtarinë, sipas tij, janë shkëputja nga bota teknologjike. “Nuk mendoj se dikush që tenton të shkruajë dhe njëherazi është i lidhur edhe me internetin në të njëjtën kohë është në gjendje që të ofrojë një prozë të mirë”, ka deklaruar së fundi për një revistë amerikane. Prirja për izolim gjatë procesit krijues dhe shkëputja nga realiteti përreth u duk edhe pas botimit të librit të tij të parë, kur u ftua në një emision televiziv për të folur për librin. Ndërkohë ishte në proces krijues për romanin e katërt e të dytin të famshëm dhe e ndërpreu në mes intervistën, duke thënë se nuk ndihej mirë dhe se dëshironte që të shkonte në shtëpi të shkruante. Ai ndodhej në një program të së famshmes Oprah, e cila u inatos aq shumë nga veprimi i shkrimtarit, sa deklaroi se ai nuk do të shkonte shumë larg me famën e tij, pas asaj që i kishte bërë. Por, në fakt, e gjithë kjo skenë e ndihmoi shumë nga ana tjetër për reklamimin e librit dhe shndërrimin e tij në një bestseller, që qëndroi në krye të klasifikimit të librit amerikan më të shitur për javë të tëra, duke thyer rekordet e viteve të fundit. Libri “The correstions” ka fituar shumë çmime vendase dhe ndërkombëtare që kur e pa dritën e botimit dhe ka shitur në të gjithë botën 2,85 milionë kopje. Franzën ndërkohë në jetën e tij private është martuar dhe divorcuar me një shkrimtare të re, edhe ajo e famshme, Valeri Cornell. Kur takoi të dashurën e tij të fundit Chetkovich, ishte duke punuar me korrigjimet e fundit të “The corrections”. Ajo rrëfen se e ka zili të dashurin e saj për talentin e jashtëzakonshëm që ka dhe për mënyrën se si e organizon procesin e vet krijues. Në fakt, ajo çka është karakteristike për këtë shkrimtar, i cili tashmë futet si ndër më të mëdhenjtë e Amerikës ende gjallë, është se kur i vjen frymëzimi duhet ta kapë edhe sikur të jetë në avion duke fluturuar, apo në makinë, sepse është një moment magjik. Sipas tij, kur të ndodh ndërsa je në lëvizje, duhet të ndalesh dhe të hapësh laptopin e të shkruash menjëherë.

Edhe romani i ri “Freedom”, ashtu si edhe ai i mëparshmi, është një roman që portretizon një familje socialist dhe financiarisht në kushte të mira, që gëzon lirinë e demokracisë perëndimore, por anëtarët e së cilës janë të përfshirë nga pakënaqësi të ndryshme dhe kërkojnë gjithnjë e më shumë nga jeta e tyre. Personazhet e këtij romani mund të jenë të sajuar, por edhe në këtë libër ata që janë të vëmendshëm mund të vënë re ndikimin që ka e kaluara e shkrimtarit gjithmonë në veprat e tij. Është një roman që flet në fakt për kufijtë e lirisë individuale e shoqërore dhe personazhet e tij kanë një dialog të shkëlqyer që të mbërthen dhe të lë pa frymë për vërtetësinë dhe mprehtësinë. Ka nga ata shkrimtarë që e kanë kritikuar veprën e Franzën për një arkaizëm në mënyrën e trajtimit të subjektit, që duket sikur i kthehet pas në kohë metodave të shekullit të 19-të, ndërsa për të tjerë pikërisht ky rikthim, kjo shije e së shkuarës, është merita e tij më e madhe