Korthpulë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Korthpula është një fshat mirditor që gjatë sistemit komunist ka kaluar në komunën Qerretrrethin e Pukës. Si qark sot i përket Shkodrës.

Korthpula bën pjesë në bajrakun e Dibrrit,[1] që është bajraku i pestë për nga rëndësia në Mirditë. Ajo kufizohet nga fshati Kaftallë, Gomsiqe, Vrrith dhe Kçirë. Karakteristikë e fshatit janë gështenjat dhe kaolina, të cilat nuk gjenden në fshatrat e tjera përreth.

Kisha e Shën Gjinit në Korthpulë përmendet si një nga kishat më të rëndësishme në historinë e Mirditës. Gjatë sistemit komunist ajo nuk u shemb, por u përdor si vatër kulture. Ajo u rihap në 1991 pas rënies së diktaturës. Është një fshat krejtësisht me tradita katolike dhe prifti i parë që shërbeu aty pas rënies së regjimit ishte Dom Gjergji. Festa fetare tradicionale e fshatit është Shën Mëhilli (29 shtator).

Deri në 1993 në Korthpulë ka pasur dhe repart ushtarak. Aty ndodhej gjithashtu edhe qendra telefonike e fshatrave përreth si edhe kabina në shërbim të meteorogjisë.

Shkolla e Mesme e Përgjithshme në Korthpulë u përurua në vitin 1995, më përpara fshati kishte vetëm shkollë fillore. Aty vinin të mësonin në gjimnaz edhe fshatrat si Kaftalla, Gomsiqja, Vrrithi. Si shkollë e mesme nuk zgjati shumë, për shkak të braktisjes së fshatit pas vitit 1998. Sot nuk ka mbetur veçse një shkollë fillore me shumë pak nxënës. Disa nga drejtorët e shkollës kanë qenë: Pjetër Gjoni, Ndrecë Herceku. Mësues të nderuar që kanë dhënë mësim në këtë shkollë janë Fran Suta, Zef Marku, Bardhok Frroku, Drane Koliçi, Dava Marku, Martin Kamshi, Aleksandër Gjeta, Përndush Lufi, Gjon Bilani, etj.

Gjatë muajit gusht, shkolla ka shërbyer edhe si kamp për italianët që i sillnin murgeshat dhe prifti për të bërë aktivitete me fëmijët e fshatit dhe fshatrave përreth. Kjo zgjati deri në 1997 deri kur u hapen depot e armëve.

Familje të mëdha apo më të njohura në këtë fshat mbajnë mbiemrin: Suta, Herceku, Përndreu, Rrasa, Ndoj, Bilani, Reka, Marku, Nikolli, Rrushi, Çoku, Pjetri, Ndoci, Lleshi, Çupi, etj.

Emri[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Emri Korthpulë vjen nga një bimë e cila rritej në këtë fshat dhe që frytet e saj kanë formën e tullumbaceve të vogla. Në dokumentet italiane, Korthpula njihet si Kortapula.

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Gojan, Mirditë, (9 qershor 2015). "Bajraqet e Mirditës".{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Emra të shumëfishtë: lista e autorëve (lidhja) Mirëmbajtja CS1: Pikësim shtesë (lidhja)