Lënda e gjeografisë dhe konkretizimi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Rëndësia e konkretizimit në përvetësimin e njohurive[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Realizimi i lidhjes së ngushtë të njohjes racionale me atë shqisore mundëson një njohje të plotë dhe të qëndrueshme. Prej këtej rrjedh domosdoshmëria e konkretizimit të njohurive dhe përfshirjes së nxënësve në një sërë eksperiencash mësimore që kanë në bazë konkretizimin.  Konkretizimi i njohurive realizohet jo vetëm nëpërmjet përdorimit sa më të gjerë të mjeteve të konkretizimit por edhe nëpërmjet strategjive të të mësuarit, që kanë në thelbin e tyre konkretizimin.

Klasifikime të mjeteve të konkretizimit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mjetet e konkretizimit të përdorur në procesin e të mësuarit kryejnë një sërë funksionesh ku më kryesorët janë: funksioni njohës, funksioni didaktik dhe ai motivues.[1]  Në vazhdimësi ka patur klasifikime të ndryshme referuar mjeteve të konkretizimit që përdoren në procesin e të mësuarit të lëndës së gjeografisë duke u udhëhequr nga kritere të ndryshme klasifikimi të tillë si: sistemi i analizatorëve që marrin pjesë në në perceptime apo funksioni i mjetit[2]. Në literaturën e fushës së para viteve ’90 ndeshet klasifikimi në:  mjete natyrorë (autentikë, sic gjenden në natyrë), mjete artificiale të krijuar nga specialistë didaktë si modele;mjetet statike; mjete dinamike (kryesisht audiovizuale), mjete individuale (atlase, albume etj.), mjete kolektive ( pajisje laboratorike, mjete matëse, llogaritëse) duke theksuar faktin se nuk janë kategorizime të diferencuara prerazi nga njëra-tjetra[3].

Një ndër klasifikimet që ndeshet në literaturën perëndimore, është ai që i kategorizon mjetet e konkretizimit që përdoren në procesin e të mësuarit të gjeografisë mbi bazën e   kategorive të  burimeve që përdoren në këtë process, ku theksohet gjithashtu roli i mass medias dhe përfshirja e saj nëpërmjet përdorimit të mjeteve teknike vizuale.[4] Sipas këtij klasifikimi, mjetet e konkretizimit kategorizohen në:

-         mjete letraro-gjuhësore (tekste të shkruar nga studjues,përshkrime udhëtimesh,vepra letrare, artikuj periodikë ditorë, javorë etj)

-         hartografike (harta mendore, harta klasike, harta tematike, harta speciale e metaharta)

-         ikonike ose të imazheve (me imazhe fikse apo dinamike);

-         sasioro-statistikore (që nga përpunimet e thejshta statistikore e deri tek modelet teorike)

-         grafike (linearë, aerogramë, histogramë, grafikë të korrelacioneve etj.)[5]

Në qasje të tjera studimore [6] nuk u kushtohet rëndësi klasifikimeve të mirëfillta por thjesht evidentohen burimet e mundshme për t’u përdorur më procesin e të mësuarit të gjeografisë, duke evidentuar mundësitë që janë në dispozicion të mësuesve ose mund të krijohen prej tyre dhe vetë nxënësve. Ndër burimet që përdoren në procesin e të mësuarit të gjeografisë, vecohen: tekstet mësimore; hartat dhe atlaset; imazhet (fotografite ajrore, imazhet satelitore, fotografitë, imazhet e lëvizshme që transmetohen nëpërmjet televizorit, videove etj.); botimet periodike, paraqitjet grafike, filmat artistikë, letërsia dhe poezia, modelet  apo maketet e krijuar nga mësuesi në bashkëpunim me nxënësit; tablotë; të dhënat statistikore e informacione të tjera; përfshirja e individëve nga komuniteti etj.. Përfshirja në burimet e mjeteve didaktike e përdorimit të pikturave apo muzikës[7] në procesin e të mësuarit të gjeografisë kanë marrë një vëmendje të shtuar në botime. Gjithashtu nëpërmjet studimeve e botimeve theksohet nevoja për ekzistencën dhe funksionimin e laboratorit të gjeografisë,[8] një ide që ka ekzistuar kaherë[9] dhe është ritheksuar edhe në literaturën në shqip të fokusuar në cështje didaktike të të mësuarit të gjeografisë në shkollë. Gjithnjë e më shumë, evidentohet si veçanërisht i rëndësishëm përdorimi i teknologjisë si një mundësi që i bën më lehtësisht të aksesueshme dhe të përdorshme kategoritë e ndryshme të mjeteve të konkretizimit dhe rrit cilësinë e tyre.

Strategjitë e të mësuarit me në thelb konkretizimin[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ekskursioni, vrojtimi në natyrë, hulumtimi dhe puna në terren vlerësohen si strategji shumë të rëndësishme në procesin e të mësuarit të gjeografisë, pasi mundësojnë konkretizimin e njohurive në përmasa reale[10]. Këto strategji mund të aplikohen me qëllimin për të zhvilluar aftësi, qëndrime e për të zbuluar marrëdhënie midis peisazheve natyrore e humane; për kërkim  e vërtetim hipotezash; për të mbledhur informacion e për t’iu përgjigjur pyetjeve gjeografike, për të zbuluar vetë nëpërmjet përdorimit të metodave  të ndryshme të kërkimit; për ndërgjegjësim etj.

Vecanërisht e rëndësishme, si gjatë punës për përdorimin e mjeteve të konkretizimit  ashtu edhe dhe aplikimit të strategjive të të mësuarit me në qendër konkretizimin e njohurive, është ecuria metodike që duhet ndjekur e cila është pjesë e përgatitjes dhe planifikimit të punës nga mësuesi[11].

TIK dhe integrimi në procesin e të mësuarit të gjeografisë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mjetet e konkretizimit tashmë ato mund të sigurohen dhe përdoren edhe nëpërmjet teknologjisë digjitale, duke u integruar në procesin e të mësuarit në mënyrë më eficente. Mundësi konkrete të këtij integrimi ofrojnë edhe botime në gjuhën shqipe.[12] E vecanta e TIK, konsiston në faktin se ofron aktualitet, shumëllojshmëri mundësish konkretizimi, hulumtimi e analize[13] duke plotësuar e përmirësuar në këtë drejtim pothuajse funksionin e të gjitha mjeteve të konkretizimit, pavarësisht kategorive të cilave ato i përkasin[14]. TIK në gjeografi mund të përdoret në disa kontekste edhe më specifike, duke ndihmuar nxënësit të:

-         përmirësojnë njohuritë gjeografike dhe përmirësojnë aftësitë e hulumtimit gjeografik

-         zhvillojnë atësitë grafike, statistikore e hapësinore

-         zhvillojnë aftësitë hartografike

-         përjetojnë imazhe alternative të njerëzve, vendeve, mjedisit dhe ndryshimeve të tij

-         simulojnë ose modelojnë sisteme gjeografike dhe mjedise

-         komunikojnë me nxënës të tjerë në lokalizime të ndryshme nëpërmjet email-it, webkamerave dhe videokonferencave

-         përmirësojnë dukjen e punës së tyre  duke përmirësuar prezantimet

-         rrisin ndërgjegjësimin ndaj rëndësisë së përdorimit të TIK[15]


[1] Xhelili. Q., Didaktika e historisë, SHBLU, 2011

[2]  Nishku.A., Saqellari. LL., Qirko. T., arianiti.T., Metodika e gjeoografisë, SHBLU, 1987

[3]  Nishku.A., Saqellari. LL., Qirko. T., arianiti.T., Metodika e gjeoografisë, SHBLU, 1987

[4]  De Vecchis. G., Staluppi. G.A., Fondamenti di didattica della gjeografia, UTET, 1997

[5] Trandafili.G., Karaguni.M., “Didaktika e gjeografisë” Ideart, 2012

[6] Lambert.D.,Balderstone, D.,Learning to teah geography in the secondaru school, Routledge, 2010

[7]  Scoffham.S., Teaching geography creatively, Routledge, 2013

[8]  Pontecorvo. K., Girardet.H., L’insegnamento della geografia. (Disciplina; metodologia e didattica; 

  programamzione  e valutazione), Fabbri Editori, 1995

[9]  Nishku.A., Saqellari. LL., Qirko. T., Arianiti.T., Metodika e gjeoografisë, SHBLU, 1987

[10] Lambert.D.,Balderstone, D., Learning to teach geography in the secondary school, Routledge, 2010

[11] Trandafili.G., Karaguni.M., “Didaktika e gjeografisë” , Ideart, 2012

[12] Hykollari. R., Të mësosh gjeografinë me teknologjitë e reja. Gjeografi nëpërmjet satelitit. Morava, 2018

[13] Hassell.D. Issues in ICT and geography, in Fisher,C., Binns.T., in Issues in geography teaching, RoutlegeFalmer,

  2000

[14] Trandafili.G., Karaguni.M., “Didaktika e gjeografisë”, Ideart, 2012

[15] Lambert.D.,Balderstone, D., Learning to teah geography in the secondary school, Routledge, 2010