Ligji i maleve shqiptare
Legge delle montagne albanesi nelle relazioni della missione volante: 1880-1932 është një punim i antropologjisë të së drejtës zakonore nga albanologu italian Zef Valentini, botuar së pari në Firenze më 1969.
Përkthimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U përkthye në shqip nga Dilaver Baxhaku me titullin Ligji i maleve shqiptare botuar nga sh.b. "Plejad" më 2007.
Fragment nga libri
Një nga veçoritë më të spikatura e më të qenësishme të kombit shqiptar është pa dyshim tradita e tij juridike, e ruajtur të paktën pjesërisht që nga epoka e hershme e depërtimeve greke e romake deri në ditët tona; kjo falë jo vetëm besnikërisë së kombit për traditat e tij, por besojmë edhe për karakterin organik e logjik të botëkuptimit juridik që ka në bazë dhe të normave themelore që e sendëzojnë këtë traditë juridike.
Kanuni ishte pranuar qartësisht si ligji i botës shqiptare për botën shqiptare; gjithsesi ai njihte dhe respektonte çfarëdolloj përkatësie tjetër, të drejtat sovrane të shtetit dhe ato të kishës në fushën shpirtërore.
Mbledhja e tij ka qenë për shekuj meritë shumë e qëndrueshme dhe natyrisht e shquar e klerit shqiptar dhe e fetarëve françeskanë që punonin në famullinë a nëpër strehët vorfnore (jetimore) të zonave më të epërme malore.
Por në vazhdën e misionit që u ndërmor në Shqipëri, misionarët shkonin në grupe të vogla të përbëra me një a dy etër, pra priftërinj jezuitë dhe me një fetar laik a një tjetër katekist si ndihmës dhe punonin në të gjithë zonën e famullisë gjatë gjithë një stine.
Fatmirësisht, që në nisje u vunë të ndjekin shembullin e misionarëve antikë jezuitë, duke i përpiluar pas kthimit të tyre në shtëpi dhe duke i dërguar menjëherë për t'i shtypur shënimet e tyre për qëmtimet gjatë misionit, që ishin aq të pasura jo vetëm me ngjarje e biseda njerëzish, por edhe me informacione të vyera për doket e zakonet, të cilat natyrisht do t'u vlenin shumë edhe misionarëve të ardhshëm.
Ndër këto shkrime, ato që kanë të bëjnë me Kanunin dhe me të gjithë përmbajtjen juridike e zakonore kanunore janë nga më të bollshmet e më të vyerat për nga pasuria e hollësive dhe e rasteve, me një nivel saktësie padyshim shumë më të lartë se ato të të gjithë trajtuesve të tjerë paraardhës, të mirëqena edhe nga kuadri metodik i ndjekur në përgjithësi nga kleri katolik për reformën.
Në mes të gjithë misionarëve, ata që i sillnin sasi të madhe relacionesh ishin dy drejtuesit e misionit shëtitës që u ndodhën për një periudhë të gjatë të aktivitetit të tij: ishte pra themeluesi i këtij misioni, At Domeniko Paci nga Verona dhe vazhduesi i tij At Francesco Genovizzi nga Bergamo; ata janë edhe më të saktit përsa i përket përshkrimit dhe interpretimit të materialit të mbledhur.