Lufta politike në udhëheqjen e PKSH (PPSH) 1944-1960

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Lufta politike në udhëheqjen e PKSH (PPSH) 1944-1960 Autori: Demir Dyrmishi. Botuesi: Toena. Faqet e librit 300.

Monografia "Lufta në udhëheqjen e Partisë Komuniste Shqiptare (PPSH), 1944-1960" përfaqëson punën disavjeçare të Prof. Dr. Demir Dyrmishit, të hartuar sipas projekteve të Institutit të Historisë. Tema e saj është pjesë e fushës së studimeve të ndërmarra nga autori pas viteve ‘90. Për hartimin e saj janë shfrytëzuar gjerësisht burimet arkivore shqiptare, disa dokumente të arkivave ruse të përkthyera në gjuhën shqipe dhe burime të tjera të natyrës bibliografike. Kjo monografi përfaqëson një punim të plotë dhe të mirëdokumentuar të luftës në udhëheqjen e lartë të PKSH (PPSH) në vitet 1944-1960, periudhë gjatë së cilës Shqipëria kishte lidhje të ngushta me Jugosllavinë e Titos dhe me BRSS. Për këtë periudhë pothuajse mungojnë studimet shkencore të dokumentuara, pavarësisht nga ekzistenca e disa botimeve të natyrës së kujtimeve, që kanë dalë gjatë viteve ‘90 dhe më mbrapa. Përgjithësisht periudha e kohës së komunizmit në Shqipëri është shkruar duke u bazuar në botimet me kujtime të Enver Hoxhës, në veprat apo materialet e tjera të botuara nga PPSH, të cilat kanë përbërë esencën e studimeve të historiografisë shqiptare të kësaj kohe. Botimi i z. Dyrmishi zgjon interes sepse ndryshe nga botimet e para viteve 90, të shkruara pa ose me pak dokumentacion, "të servirur" dhe kontrolluar nga arkivistë, ka në bazë të tij një dokumentacion të gjerë dhe të plotë. Autori ka përfituar nga rrethanat e hapjes së arkivave tona, por edhe të vendeve të tjera ish-komuniste. Trajtimet e mëparshme kanë qenë thjesht një përsëritje, ritheksim apo rimarrje e ideve dhe shpjegimeve, që buronin nga udhëheqja e lartë e PPSH dhe nga forumet e larta të saj. Autori përmes këtij studimi është munduar të na japë një histori serioze, të dokumentuar, të shkruar me korrektesë shkencore. Monografia "Lufta në Udhëheqjen e Partisë Komuniste Shqiptare (PPSH), 1944-1960" përbëhet nga: 6 kapituj, nga parathënia, pasthënia dhe nga bibliografia. Monografia është ndërtuar duke ndërthurur parimin kronologjik me atë tematik. Aty trajtohen konfliktet brenda udhëheqjes së lartë të PKSH (PPSH), duke filluar me Plenumin e Dytë të Beratit të nëntorit të vitit 1944, dhe përfundojnë me përplasjet brenda udhëheqjes së PPSH në vitin 1960, si pasojë e konfliktit dhe ndarjes së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Pa dyshim monografia e Prof. Demirit përfaqëson studimin më të plotë të kësaj natyre, duke trajtuar pothuajse të gjitha ngjarjet e rëndësishme të kohës.