Menopauza

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko


Tek femrat menopauza zakonisht ndodh rreth moshës së mesme, duke sjellë pas vetes edhe mbylljen e ciklit riprodhues të tyre. Ardhja e saj kuptohet lehtësisht me procesin e frenimit të ciklit menstrual, megjithatë procesi i saj nuk mund të përkufizohet vetëm në këtë fenomen, sepse ky nuk është veçse një proces i dorës së dytë, krahasuar me atë nëpër të cilin kalojnë vezoret. Këto të fundit përjetojnë “shuajtjen” e tyre dhe duke qenë se janë një prej pjesëve të sistemit endokrinin të trupit dhe prodhojnë hormone, frenimi i tyre ndikon në mbarë procesin e trupit dhe sidomos në atë seksual. Procesi i “shuarjes” së vezoreve përfshin mbarë sistemin riprodhues të femrës, që nga truri e deri tek lëkura dhe kjo ngjarje kaq e rëndësishme fiziologjike sjell pas vetes edhe një sërë ndryshimesh në trupin dhe jetën e femrës. Faza e para-menopauzës, menopauzës dhe pas-menopauzës është një ndryshim natyror dhe nuk do parë si sëmundje edhe pse tek disa femra ka vështirësi shumë më të mëdha se tek disa të tjera. Menopauza fillon që në çastin që vezoret fillojnë të ndryshojnë. Pjekja dhe lëshimi i vezës (që gjatë viteve të riprodhimit çon në ovulim dhe më pas në cikël menstrual nëse nuk ndodh shtatzënësi) bëhet e paparashikueshme. Ovulimi fillon të rrallohet edhe bashkë me të edhe vetë cikli menstrual. Ndërsa ky ndryshim fillon të thellohet, aq më shumë simptoma para-menopauzale fillojnë të shfaqen. Pas disa vitesh cikli të çrregullt, vezoret ndalojnë përfundimisht së prodhuari progesteronin dhe dy prej hormoneve përbërës të estrogjenit: estradiolin e estriolin. Estroni është përbërësi i tretë i estrogjenit që vazhdon të prodhohet në mënyrë të konsiderueshme edhe në fazën post-menopauzale. Edhe niveli i hormonit mashkullor, testosteronit fillon të bjerë. Mesatarja e moshës në botën perëndimore për fillimin e menopauzës është 51 vjeç dhe mosha normale që të fillojë është mes 45-55 vjeç. Nëse ndodh në moshën 55-60 vjeç njihet si “menopauzë e vonshme”, nëse ndodh 40-45 quhet “menopauzë e hershme”. Shkaqe të një menopauze të hershme mund të jenë çrregullime të sistemit imunitar, sëmundje të gjëndrës tiroide, diabeti, ndjekja e kimioterapisë, çrregullime në të ngrënit dhe terapitë me rreze. Menopauza e parakohshme zbulohet duke vëzhguar nivelin e hormonit folokulostimulues (HFS) dhe hormonit luteostimulues (HLS), nivelet e të cilëve do të jenë shumë më të larta se ç’duhet nëse femra ka hyrë në fazën e menopauzës. Pirja e duhanit sjell një menopauzë rreth 2 vjet më të hershme se zakonisht. Prodhimi i ulët i hormoneve të gjëndrave tiroide shpesh mund të shfaqë simptoma false të menopauzës.

Terminologjia, përcaktimet dhe shpjegimet[redakto | redakto tekstin burimor]

Menopauzë[redakto | redakto tekstin burimor]

Nga ana mjekësore menopauza është një datë. Për gratë që nuk e kanë hequr uterusin është dita pasi femrës i ka mbaruar dita e fundit e ciklit të fundit menstrual. Kjo datë do të shënohet pasi të verifikohet se cikli menstrual ka munguar për plot 12 muaj. Në këtë pikë, mund të thuhet që tashmë femra që prej një viti ka hyrë në fazën pas-menopauzale dhe për të nuk mund të merren më parasysh raste shtatzënësie. Në të folurën e përditshme, fjala “menopauzë” nuk përdoret vetëm për të përkufizuar ditën e sipërpërmendur, por të gjithë periudhën e tranzicionit që mbart pas vetes ky proces. Në këtë periudhë përfshihet edhe ajo para-menopauzale që sjell një sërë ndryshimesh drejt menopauzës. Ndonjëherë fjala “menopauzë” përfshin edhe vitet pas-menopauzale.

Faza para-menopauzale[redakto | redakto tekstin burimor]

Gjatë kësaj faze prodhimi i një sërë hormonesh që kanë të bëjnë me riprodhimin, përfshirë këtu estrogjenin, progesteronin dhe testosteronin pakësohet dhe çrregullohet, ndonjëherë edhe me ngritje të vrullshme dhe të paparashikueshme nivelesh. Gjatë kësaj kohe bie pjellshmëria, edhe pse mund të mos merret parasysh kjo gjë deri në mbërritjen zyrtare të menopauzës. Shenjat dhe pasojat e kësaj faze tranzicioni mund të fillojnë që në moshën 35-vjeçare, edhe pse pjesa më e madhe e femrave ndërgjegjësohen rreth tyre pas 10 vjetësh, zakonisht në mes ose në fund të të 40-ave. Kjo periudhë sjell edhe ndryshime të dukshme trupore brenda pak, 10, ose më shumë vjetësh. Se sa do të zgjasë dhe se sa e fortë do të jetë kjo fazë nuk mund të parashikohet tek asnjë femër dhe as gjatë vetë kohës në të cilën ndodh. Një prej shenjave më të dukshme që femrat provojnë në këtë fazë janë afshe të papritura nxehtësie, që shkaktohen nga luhatjet hormonale. Nëse këto janë shumë të forta duhet kërkuar ndihmë mjekësore. Ndryshimet e papritura të humorit, pagjumësi, lodhje, probleme me kujtesën dhe një sërë simptomash të tjera ndonjëherë nuk kanë lidhje me çrregullimin hormonal të kësaj faze, megjithatë ende nuk mund të themi se cilat janë burimet e sakta që i shkaktojnë këto simptoma. Ka edhe raste kur femra nuk ka simptoma të forta, e megjithatë në trupin e saj ndodhin ndryshime të rëndësishme. Një studim i kohëve të fundit sugjeron se shtimi i melatoninës në këtë fazë tek femrat përmirëson ndjeshëm funksionin e gjëndrës tiroide, të gjëndrave që prodhojnë folokulostimuluesit dhe luteostimuluesit, të rregullimit të pjellshmërisë dhe ciklit menstrual, si edhe parandalimin e depresionit që vjen për shkak të menopauzës.ndodh vetem tek grate jo edhe tek burat lol.

Faza pas-menopauzale[redakto | redakto tekstin burimor]

Është faza që përfshin gjithë periudhën pas përfundimit të pakthyeshëm të prodhimit të hormoneve të pjellorisë dhe bashkë me to, edhe të largimit të ndikimit të tyre në mbarë organizmin. Arsyeja pse periudha pas-menopauzale mund të përcaktohet vetëm 12 muaj pasi ka ndaluar përfundimisht cikli menstrual i një femre është sepse në këtë fazë të jetës, cikli i nënshtrohet çrregullimeve të vazhdueshme dhe vetëm kjo periudhë kohore mund të tregojë se trupi e ka mbyllur ciklin e vet. Niveli i hormoneve vazhdon të bjerë gjatë kësaj faze derisa zhduket përfundimisht. Nëse në këtë periudhë ndodh të ketë gjakderdhje, qoftë edhe të një sasie të vogël, duhet konsultuar me mjekun, pasi edhe pse ndodh rrallë, shkaku mund të jetë një kancer endometrial. Ndikime të mundshme në organizëm të fazës para-menopauzale dhe gjatë menopauzës. Meqenëse trupi i nënshtrohet një sërë ndryshimesh hormonale mund të shfaqen një sërë dukurish. Është e rëndësishme që të theksojmë se jo që të gjitha gratë përjetojnë të njëjtin nivel simptomash, por edhe tek ato gra që simptomat janë gati të pandjeshme, nuk mund të thuhet se janë të ngjashme me ato të grave të tjera, pasi janë të ndryshme sipas njeriut. Tharja e lëkurës dhe “mpirja vaginale” mund të vijnë si pasojë e rënies së niveleve të estrogjenit, kurse afshet e nxehta dhe ndryshimet e papritura të humorit ndodhin për shkak të vrullit të menjëhershëm të prodhimit hormonal. Këto simptoma zakonisht zhduken ose qetësohen në fazën pas-menopauzale. Si femrat që bëjnë trajtim për zëvendësimin hormonal, ashtu edhe atë që nuk ndjekin trajtime të tilla, spikasin mungesë fuqie dhe shpesh dhimbje trupi. Ndër simptomat e tjera janë raportuar njolla të kuqe në lëkurë, rrahje të shpeshta zemre, efekte psikologjike si depresion, ankth, irritim, kapërcime në gjendje të kundërta emocionale, probleme me kujtesën, mungesë përqendrimi, tharje të vaginës apo urinim të shpeshtë. Pjesa më e madhe e femrave kanë edhe çrregullime të vazhdueshme dhe përherë e më të shpeshta të ciklit menstrual. Zakonisht koha mes një cikli dhe tjetrit bëhet e paparashikueshme, më e gjatë ose më e shkurtër se normalja dhe vetë fluksi mund të jetë herë më i madh e herë më i vogël se normalisht, madje duke u zgjatur edhe më shumë se ditët e zakonshme. Në fazat fillestare të menopauzës njihen edhe cikle që zgjasin nga dy javë. Ndonjëherë ndodh që për muaj të tërë të mos ketë cikël dhe ky pushim disa-mujor të ndiqet nga një fluks shumë i madh në një kohë të paparashikuar. Numri i cikleve të munguara rritet me afrimin e periudhës së fundit të menopauzës, por edhe pse menopauza quhet e arritur pas një mungese të plotë 12 mujore, një mungesë prej 6 muajsh duhet konsultuar me një mjek.

Problemet që varen nga aspekte të ndryshme[redakto | redakto tekstin burimor]

Paqëndrueshmëria e enëve të gjakut sjell: afshe të nxehta; njolla të kuqe në lëkurë; djersitje gjatë natës; tek disa femra edhe ethe të papritura; çrregullime gjumi, gjumë jo të rehatshëm, gjumë të lehtë, pagjumësi. Atrofia uro-gjenitale sjell: atrofi (tharje) të vaginës, dobësim të membranës së vulvës, vaginës dhe cerviksit, e ndonjëherë edhe të traktit të jashtëm urinar, që shoqërohet edhe nga rrudhje e konsiderueshme dhe humbje e elasticitetit të zonave të brendshme dhe të jashtme gjenitale; kruajtje, thatësi, rrjedhje gjaku, shpeshti urinimi, mospërmbajtje të urinës, rritje mundësish për ënjtje ose infeksione si “kandidiasi vaginal” dhe infeksione të rrugëve urinare. Problemet kockore sjellin: osteopeni (rënie të nivelit të mineraleve në kocka) që sjell pas vetes edhe rrezikun e zhvillimit të osteoporozës; dhimbje të kyçeve, dhimbje muskujsh, dhimbje shpine. Problemet e lëkurës dhe të indeve të buta sjellin: tharje të gjoksit, dobësim dhe tharje të lëkurës, rënie e elasticitetit të lëkurës, ndjesi shpimesh mbi ose nën lëkurë. Problemet psikologjike sjellin: shqetësime të humorit, irritim, lodhje, humbje të kujtesës dhe probleme me përqendrimin, depresion dhe/ose ankth. Probleme seksuale: rënie të dëshirës seksuale, tharje të vaginës dhe humbje të ndjeshmërisë, probleme me arritjen e orgazmës, dhimbje gjatë aktit seksual.