Mikologjia

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Mikologjia

Mikologjia është studimi mbi fungjet.

Klasifikimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Fungjet janë mikroorganizma eukariotë që nuk përmbajnë klorofil, por kanë mur qelizor, struktura filamentoze dhe prodhojnë spore. Këto mikrobe rriten si saprofitë dhe zbërthejnë materiet e vdekura organike. Varësisht sipas mënyrës së klasifikimit të tyre, sot njihen afër 100.000 deri 200.000 lloje të fungjeve. Në mjekësi, njihen afër 300 lloje të fungjeve që shkaktojnë sëmundje në njerëz. Qeniet e gjalla klasifikohen në pesë mbretëri, te të cilat në një mbretëri janë fungjet.

Taksonomia e mbretërisë së fungjeve është evolutive dhe nganjëherë edhe kundërthënëse. Në të kaluarën, klasifikimi i tyre bazohej kryesisht në morfologjinë e vërejtur me mikroskop të thjeshtë optik. Mirëpo, metodat moderne të studimit të ultrastrukturës së fungjeve, metodat biokimike dhe ato molekulare kanë sjellur dëshmi të reja që kanë ndryshuar taksonominë. Fungjet që kanë rëndësi mjekësore janë ndarë në katër rende:

1. Askomikota- shumëzimi seksual bëhet në qeskën e quajtur askus me prodhim të askosporeve .

2. Bazidiomikota- shumëzimi seksual bëhet në qeskën e quajtur bazidium me prodhim të bazidiosporeve .

3. Zigomikota- kanë shumëzim seksual me gamete dhe aseksual përmes krijimit të zigosporeve.

4. Fungjet mitosporike (Fungi Imperfecti) – nuk kanë formë të shumëzimit seksual. Në këtë grup bëjnë pjesë shumica e fungjeve patogjene.

Morfologjia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Fungjet patogjene mund të ekzistojnë në trajtë të majave (tharmeve) ose hifeve. Tërësia e një mase të hifeve e përbën miceliumin. Majat janë struktura mikrobike njëqelizore, kurse miceliet janë struktura filamentoze shumëqelizore, të përbëra nga qelizat tubulare me mur qelizor. Majat shumëzohen me bulëzim, kurse miceliumet degëzohen dhe trajta e degëzimit të tyre ofron ndihmesë në identifikimin morfologjik. Nëse miceliet nuk kanë mure ndarëse (septe), aëherë ato quhen koenocite (të paseptuara). Termet “hife” dhe “micelium” shpesh përdoren si sinonime. Disa fungje shfaqen në të dy format strukturore (maja dhe micelie). Këto quhen fungje dyformëshe. Fungjet dyformëshe kanë dy forma jetësore:

1. Majat - janë forma parazitare ose patogjene. Kjo formë zakonisht vërehet në inde, eksudate ose në kultura (nëse inkubohen në 37 °C).

2. Micelet - janë forma saprofite. Kjo formë vërehet në natyrë ose gjatë kultivimit në temperaturë 25 °C. Shndërrimi në formën strukturore të majave luan rol qenësor në patogjenezën e sëmundjes. Fungjet mund të identifikohen në bazë të vetive morfologjike ose biokimike, përfshirë dukjen e trupthave të tyre prodhues. Sporet aseksuale mund të jenë të mëdha (makrokonidiet, kllamidiosporet) ose të vogla (mikrokonidiet, blastosporet, artrokonidiet).

Sëmundjet mikotike[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ekzistojnë katër trajta të manifestimit klinik të sëmundjeve mikotike:

1. Mbindjeshmëria (hipersensitiviteti) – reaksion alergjik ndaj mykrave dhe sporeve.

2. Mikotoksikozat- helmimi i njerëzve dhe kafshëve nga prodhimet ushqimore të kontaminuara me fungje që prodhojnë toksina.

3. Micetizmi- konsumi i toksinës së preformuar (helmimi me kërpudha).

4. Infeksioni

Shumica e fungjeve patogjene nuk prodhojnë toksina, por ato tregojnë modifikime fiziologjike gjatë infeksionit parazitues (p.sh. vlera të shtuara metabolike, rrugë alternative të metabolizmit dhe strukturat e modifikuara të murit qelizor). Shumica e fungjeve patogjene janë aerotolerante dhe mund t’i rezistojnë efekteve të radikaleve aktive të oksigjenit gjatë zbërthimit respirator të fagociteve. Prandaj, fungjet mund t’i rezistojnë shumë faktorëve mbrojtës të organizmit. Fungjet janë të gjithandej në natyrë dhe shumica e njerëzve iu ekspozohen këtyre mikroorganizmave. Shfaqja e infeksionit mikotik zakonisht varet nga madhësia e inokulumit të fungjeve dhe nga rezistenca e strehuesit ndaj infeksionit. Kurse shkalla e manifestimit klinik të infeksionit varet kryesiht nga statusi imunologjik i strehuesit. Nëse fungjet janë izoluar nga gjaku që është marrë prej një kateteri brendavenoz, atëherë kjo mund të jetë rezultat i kolonizimit të kateterit, fungemisë kalimtare ose infeksionit të vërtetë. Mjeku duhet të marrë vendim për interpretimin diagnostik duke u bazuar në të gjitë faktorët relevantë siç janë: gjendja klinike e pacientit, parametrat klinikë, statusi i përgjithshëm, rezultatet e analizave të tjera laboratorike etj. Vendimi është shumë i rëndësishëm në menaxhimin klinik të pacientit, pasiqë trajtimi i infeksioneve sistemike të shaktuara nga fungjet kërkon përdorim agresiv të medikamenteve të cilat zakonisht kanë edhe toksicitet të konsiderueshëm. Shumica e agjensëve mikotikë janë saprofitë të tokës dhe sëmundjet mikotike; ato nuk janë infektivë dhe nuk përhapen nga njeriu në njeri (me përjashtime të rralla: kandidozat dhe disa dermatofite). Mund të shfaqen edhe epidemi me këto mikrobe, por ato nuk janë pasojë e infekciozitetit, por e ekspozimit mjedisor. Shumica e fungjeve që shkaktojnë infeksione sistemike kanë ciklin e veçantë të ekzistencës ekologjike në natyrë. Vendqëndrimi i tyre është specifik për disa fungje dhe do të diskutohet më vonë. Në këto mjedise, mikroorganizmat saprofitë rriten dhe zhvillohen. Vendbanimi i fungjeve, është po ashtu burim i elementeve të fungjeve dhe sporeve, ku njerëzit dhe kafshët, strehuesit e rastësishëm, ekspozohen ndaj thërmizave infektive. Prandaj gjatë diagnozës së sëmundjeve mikotike duhet marrë parasysh këto ndërlidhje. Mjeku duhet të jetë i aftë për të nxjerrë anamnezën komplete nga pacienti, përfshirë profesionin dhe të dhënat mbi udhëtimet eventuale. Kjo informatë kërkohet për të rritur ose vërtetuar diagnozën diferenciale. Incidenca e sëmundjeve mikotike është në rritje e sipër për shkak të rritjes së ndjeshëmërisë ndaj këtyre infeksioneve. Kjo dukuri vërehet sidomos te pacientët që vuajnë nga AIDS, pacientët në terapi imunosupresive dhe si rrjedhojë e përdorimit të metodave invazive në diagnozë dhe terapinë kirurgjike (implantet prostetike). Në Karolinën Jugore sëmundjet mikotike kanë qenë të raportueshme në autoritetet përkatëse të shëndetësisë publike.

Shiko edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Bakteriologjia
Imunologjia
Viriologjia
Mikrobiologjia

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Hyrje në Mikologji