Miza e uthullës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Para disa ditësh më qëlloi të mësoj për një eksperiment që bëhet në laboratorët e gjenetikëve me mizën e uthullës të cilës, në gjuhë shkencore i thonë drosophila e që në shkollë na e kanë shqipëruar në drosofilla. Për ata që nuk e njohin: është një mizë e vogël, shumë e bukur me kokë të kuqe, trup të verdhë dhe bisht të murrmë. I pëlqejnë shumë ambientet me lagështirë e të ëmbla dhe është një nga më të përdorurat në eksperimentet shkencore pasi ka aftësinë të shumohet shumë shpejt.

Pak a shumë eksperimenti konsistonte në vendosjen e tufës së mizave të drosofilllës përpara një bananeje e cila (banania) i tërheq shumë ato për shkak të ëmbëlsisë së saj. Synimi i eksperimentit ishte studimi i aftësisë memorizuese të drosofillës. Për këtë, në mes të rrugës për tek banania, drosofillat i nënshtroheshin një elektroshoku. Dhe kjo punë përsëritej. Drosofillat vendoseshin përsëri e përsëri përpara bananes dhe gjithherë, në rrugë e sipër për tek banania, i nënshtroheshin elektroshokut të beftë. I gjithë eksperimenti konsistonte në atë që të veçonte drosofillat që zhvillonin një kujtesë të elektroshokut, të cilat, pra, arrinin të bënin një lidhje midis rrugës drejt bananes dhe elektroshokut, me drosofillat që, megjithë elektroshoket e pësuara një herë e dy herë e tre herë, përsëri nuk arrinin që nuk arrinin ta zhvillonin këtë kujtesë. Të parat, mbas një farë kohe të përsëritjes së goditjes me elektroshok nuk e merrnin më rrugën për nga banania, kurse të dytat shkonin që shkonin tek banania. "Reinforced Memory" quhej ekperimenti në anglisht, dmth. kujtesë e përforcuar apo përforcim i kujtesës. Nëpërmjet tij, mesa kuptova, studioheshin pastaj mekanizmat e kujtesës.

Nuk di se si, por, kur mësova për këtë eksperiment, mendja më bëri një lidhje automatike mendimi me fushatën tonë elektorale të fundit dhe mediat si transmetuesit e saj kryesorë. Le ta shpjegoj. Po të vesh re elektoratin tonë, që po bombardohet në mënyrë të vazhdueshme dhe, sipas meje, të pamëshirshme nga kjo fushatë, atë fare mirë mund ta ndash në dy kategoritë në të cilat i ndan drosofillat eksperimenti i gjenetikëve : në elektoratin pa kujtesë dhe në elektoratin me kujtesë, Drosofillat pa kujtesë janë pra, ato që zakonisht në gjuhën gazetareske i quajmë elektorati besnik. Është ai që ka votuar gjithnjë PS-në, edhe kur ishte Ramiz Alia edhe kur ishte Fatos Nano edhe tani që është Edi Rama si dhe ai që ka votuar përherësisht PD me një lider të vetëm, Berishën. Sado që të bjerë elektroshoku i mediave mbi këto drosofilla, ato nuk e ndrrojnë drejtimin. Sikurse kuptohet, po të kishte vetëm drosofilla kësisoj, nuk do të kishte nevojë të harxhonim gjithë ato lekë për fushata elektorale. Por është edhe kategoria tjetër, më e vogël, që ka aftësinë të ndërrojë rrugë për shkak të kujtesës së elektroshokut. E kuptoni pra: e gjithë fushata bëhet për capak drosofilla të ashtuquajtura me kujtesë. Të gjithë elektroshoket me sistemin e memories së përforcuar bëhen për to. I keni parë se sa herë jepen në mediat tona historitë e Gërdecit, rrugës Durrës - Kukës, Shkëlzenit, Argitës. A e keni parë, nga ana tjetër, se si përsëriten e stërpërsëriten lejet e ndërtimit me të cilat ka korruptuar gjysmën e dynjasë Rama. Elektroshoke pafund. E gjitha bëhet për të arritur që disa drosofilla të kujtohen, më në fund, e të mos e marrin rrugën drejt bananes rozë, por të shkojnë tek banania blu dhe anasjelltaz. Dikush në këtë pikë do të më thotë: zotëri, mediat nuk bëjnë gjë tjetër veçse përpiqen t'u kujtojnë njerëzve elektroshoket që kanë pësuar nga këta politikanë dhe rrethi i tyre. Pse gjë e vogël të duket ty Gërdeci? Gjë e vogël të duken tridhjetë leje ndërtimi për Delijorgjin e Gërdecit? Mirëpo unë e kam hallin gjetkë. Sepse, sikurse thashë, këtu bëhet fjalë për një pakicë drosofillash, ose më shqip mizash uthulle, që konsiderohen inteligjente, me kujtesë. A kanë ato vërtet nevojë për kësi lloj elektroshokësh të fuqishme mediatike? - është pyetja që shtroj. Sepse, sinqerisht, në këto kushte ku jemi katandisur unë e kam të vështirë të them së cila nga dy kategoritë e drosofillave janë më të mënçura: ato besniket që shkojnë gjithmonë tek banania rozë apo banania blu apo ato që çdo katër vjet u duhet të ndryshojnë mendje e të shkojnë nga bluja tek roza apo nga roza tek bluja duke mbetur gjithnjë me gisht në gojë. Këto të dytat do të quheshin më inteligjente sipas disave sepse dinë të dallojnë të keqen, po sipas disa të tjerëve këto mund të quhen thjesht e vetëm drosofilla të çoroditura, për të mos folur për ata që i gjykojnë si krejtësisht budallaqe sepse nuk i janë përshatur këtij ambjenti ku besnikëria ndaj një bananeje të siguron mbijetesën shumë më mirë sesa bredhja nga njëri hu në tjetrin. Unë do t'i quaja të çoroditura. Sepse, pasi e kanë mësuar një herë, më në fund, të lidhin elektroshokun me bananen rozë, tani u duhet të rimësojnë lidhjen e elektroshokut me blunë e të shkojnë tek roza apo anasjelltaz. Kjo është krejt çoroditëse, sepse, ç'dodh me kujtesën e parë? Si i bëhet që ajo të fshihet fare që të reinforcohet kjo e dyta? Elektroshok edhe më i fuqishëm. O burra kush të forcojë elektroshokun mediatik !

Po ç'të keqe ka këtu do të më thotë lexuesi. Fushatat elektorale kështu bëhen edhe në Perëndim : përcaktohen disa prioritete dhe ato përsëriten pafund që të nguliten në mendjen e zgjedhësve. Pastaj, nuk janë vetëm elektroshoket, janë edhe lajmet e mira: ngjyrat që vezullojnë tek bananet blu e rozë, -premtimet do t'i quanim jometaforikisht. Se mos thashë unë se më pëlqejnë fushatat perëndimore. Por problemi që dua të ngre nëpërmjet kësaj metafore - që, si të gjitha metaforat, ka edhe ajo kufizimet e veta - është ai i reduktimit tonë nga qënie njerëzore me arësye që kërkon të kuptojë lidhjen shkak pasojë të fenomeneve në drosofilla që goditen vetëm me elektroshoke pasojash pa u bërë asnjë përpjekje për t'u shpjeguar shkaqet. E kam, pra, me ato media që nuk bëjnë tjetër veçse përpiqen të na bëjë elektroshok që të mos shkojmë tek bananja rozë apo blu, ndërkohë që harrojnë se, ndërkaq, në kujtesat tona të mëparëshme ne kemi mësuar mëse një herë se nuk duhet të shkojmë tek njëra apo tjetra e se logjika e kërkon që, nëse duam të bëjmë një hap evolutiv nga drosofiolla tek njeriu, ne na duhet të kërkojmë rrënjët e së keqes e jo të pësojmë elektroshoke gjithnjë e më të fuqishme nga ato që na e masakrojnë fare trurin. Ne na duhet një rrugë tjetër, pa elektroshoke, dhe, që të kërkojmë një rrugë tjetër, na duhen dy gjëra: së pari një shpjegim se pse ndodh që qoftë tek bananja blu qoftë ajo rozë elektroshokun e kemi të pashmangshm - për ilustrim: pse Delijorgji i Gërdecit pasi u pasurua nëpërmjet lidhjeve me ministrat socialistë dhe lejet e ndërtimit të Ramës arriti fare mirë të bëhet njësh edhe me ministrat (deri të birin) e Berishës - dhe, së dyti, të na mundësohet ndërtimi i alternativave. E pra kjo kërkon më së pari analiza të sistemit që kemi ngritur, kurse ne na bijen mbi kokë vetëm elektroshoke.

Dikush në këtë pikë do të më thotë : qënke çoroditur vërtet përderisa nuk e kupton se kjo s'bëhet për ty, që dashke analiza, por për mizat e uthsullës që e kanë votimin për herë të parë e që kanë nevojë për elektroshoke. Aha, më kishte dalë nga mendja se drosofillat shumohen shumë më shpejt se njerëzit. Po mirë, a nuk mund të ndajnë, të paktën, në lajmet televizive, debatet dhe faqet e gazetave edhe ndonjë hapësirë të vockël, po po të vockël fare, me shënimin "për njerëzit". (Korrieri, 5 qershor 2009)